NUK JANË TË GJITHË NJËSOJ

 nga Holta Ymeri

E thotë shpesh Edi Rama “nuk jemi të gjithë njësoj”. Jam shumë dakord me të, sepse historia politike e Shqipërisë moderne po na dëshmon se tre partitë kryesore janë shumë pjellore në ide dhe skema origjinale për shkatërrimin e Shqipërisë. Në fakt është befasuese të shohësh sesi, sapo ke menduar që ke prekur fundin dhe rrjedhimisht nuk mund të bëhet më keq, qeveria e radhës të dëshmon menjëherë se e ke kryekëput gabim! Dëmi që njëra palë kishte bërë mund të shumfishohet dhe të ripropozohet në mijëra mënyra të reja origjinale. Por jo vetëm kaq. E njëjta qeveri e ka kapacitetin që në mandatin e saj të dytë të arrijë të bojatisë edhe më shumë nuanca të së keqes. Prandaj ka të drejtë Edi Rama: nuk jeni të gjithë njësoj, jeni njëri më keq sesa tjetri.

Dhe në fakt, që janë njëri më keq sesa tjetri e pranojnë edhe vetë çdo herë që dalin nëpër ekrane dhe fillojnë e i numërojnë njëri tjetrit veprat penale që secila palë ka kryer kur ka qënë në pushtet. Është e çuditshme të shohësh sesi vetëkënaqen sa herë që e kapin njëri-tjetrin gafil, kur flasin për vjedhje, vrasje e mashtrime të bujshme. Duket sikur bëjnë konkurrencë në konkursin më të fundit televiziv të quajtur “kush ka shkelur më shumë nene të Kodit Penal?”. Po të isha në jurinë e këtij konkursi do ta kisha mjaft të vështirë të zgjidhja palën fituese. Ndërkohë kemi edhe Prokurorinë e Përgjithshme të Përkohëshme, të Përgjumur, që njësoj si ne, nuk di nga t’ia nisë më parë. Apo ndoshta di! Së pari, thotë Prokuria, duhet nisur me ata të cilët nxjerrin sekretin e madh shtetëror se në Shqipëri ‘vjedhjet zgjidhen’, jo u ngatërrova, ‘zgjedhjet vidhen’!

Ama prej vitesh ata sherrosen nëpër ekrane, rrjete sociale dhe sheshe. Ata janë armiq të betuar. Ata e luftojnë njëri tjetrin me mish e me shpirt, derisa, ndodh ajo diçkaja që i ka bashkuar gjithmonë fort. Ndodh që pushtetit i tyre të rrezikohet. I tyre, jo vetëm i njërës prej tyre. U rrezikohet pushteti si kategori, si grup interesi, si kastë politike! E çdo herë që ndodh kjo ata bashkohen në një trup të vetëm!

Kur ndodhi për herë të fundit ky rrezik? Jo më larg se në protestën e studentëve, e cila ishte një protestë masive që lindi jashtë selive të tyre erëkeqe, dhe u zhvillua përtej interesave të karrigeve të tyre. Me një frazë të vetme, ‘jo politikë’, studentët i nxorrën lakuriq mbretërit dhe mbretëreshat e çdo partie në të gjithë shëmtinë e tyre. E pavarësisht diskutimeve qesharake nëpër ekrane, nëse protesta e tyre ishte apo jo politike, u kuptua qartë se fraza ‘jo politikë’ kishte një kuptim shumë më të madh: jo përdorimit të kërkesave politike të studentëve për karriget e kastës partiake.

Kaq u desh, një frazë sintetike, disa kërkesa të bukura politike të artikuluara gjithë frymëzim dhe pasion nga studentët, që ata të tmerroheshin. Ndaj së bashku nxituan, që pas treditëshit të parë, ta kapnin, mbysnin, copëtonin protestën e studentëve. Për momentin ia dolën, por ideja e lindur aty është e gjallë dhe vlon, në shumë qytetarë e në shumë kategori.

Ndaj ata bashkohen edhe sot, njësoj siç u bashkuan në zgjedhjet e vitit 2017, për të ndarë karriget e pushtetit mes tyre, nëpërmjet shtyrjes së datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa njerëzit përplasen nëpër sheshe, ekrane dhe rrjete sociale, ndërsa ‘ekspertët’ e njërës palë apo të palës tjetër shkruajnë e shkruajnë faqe të tëra juridike mbi pyetjen ‘a ka kompetencë Presidenti të anulojë datën e zgjedhjeve të cilën e kishte caktuar më parë?’, ata janë përqafuar sërisht. Një trup i vetëm përballë armikut.

Kush është armiku? Armiku jemi ne, kundër të cilëve kanë kryer të gjitha ato vepra penale që gjithe qejf ia numërojnë nëpër ekrane njëri tjetrit.

Qofsha gabim, por nuk besoj se ky do të jetë përqafimi i tyre i fundit.

(c) 2019, autorja.

2 Komente

  1. Interesante, por ne keso rastesh pyetja eshte nese pozionimi eshte moral, i tipit ngrihu prift te ulet hoxha, apo ka ndonje domethenie politike; komuniste, nacionaliste, ekologjiste etj.
    Zakonisht, perfshire studentet, eshte i tipit ngrihu prift te ulet hoxha, keshtu qe gjeja me interesante eshte nese autorja ofron apo mbeshtet ndonje zgjidhje politike tjetersoj apo eshte hoxha i radhes.

  2. Kjo “nuk jemi te gjithe njesoj” e thene nga Rama dhe e perdorur nga ithtaret, simpatizantet, mbeshtetesit e versteherit e Rames apo/edhe PS-se, eshte nje tentative e mefshte per te bere dallim cilesor dhe thelbesor midis Rames dhe udheheqesve te tjere paresore te post-diktatures, e vecanerisht Berishes. E hasja shpesh si kundershtim ne shkembime virtuale ne periudhen 2009-2013, kur Berisha tregonte agresivitetin brutal dhe poshtersine e pacipe per te mbajtur e mbrojtur pushtetin e tij dhe te bashkepunetoreve te tij me 21 Janar (por dhe ne raste te tjera) e Rama e luftonte gjoja parimisht per ta zevendesuar Berishen. Ishte nje pergjigje mendjelehte e aspak bindese perballe fakteve qe kishin dale e dilnin per autoritarizmin, arrogancen, pisllekun, mashtrimin, korruptimin e imoralitetin e Rames, e qe ndonjehere ndiqej dhe me frazen reduksioniste “Ramen s’e kemi provuar si kryeminister”. Sigurisht Rama dhe Berisha nuk jane egzaktesisht njesoj, nuk jane njelloj fajtore per nga sasia e cilesia e zarareve dhe krimeve te shkaktuara ne post-diktature. Pa asnje medyshje Berisha eshte me keq, por fraza “jeni te gjithe njesoj” e perdorur ndershmerisht nga dikush qe s’ka angazhime banale partiake e personale nuk nenkupton kete por faktin qe nga ana e nje niveli baze per nje politikan dhe udheheqes kompetent, parimor e demokratik midis tyre nuk ka dallim cilesor e thelbesor.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
error: Content is protected !!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: