Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

SHIH, DËGJO DHE SHKRUAJ

Eurosong-u nuk është i shijes sime dhe nuk e ndjek: dhe aq më pak këto vite, kur mediat, të paktën tek ne, e përcjellin si të ishte karneval i gjeopolitikës. Por më ngacmoi titulli i këngës që përfaqësonte Shqipërinë, Ktheju tokës, të interpretuar nga Jonida Maliqi, në fillim ngaqë m’u duk se përmban një gabim gramatikor; pastaj ngaqë më çoi në mendje politikën e kthimit të refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë; dhe më në fund, një interpretim që e pashë diku, për shkelje syri ndaj kthimit të hebrenjve në Izrael; dhe një interpretim tjetër, edhe më të pagjasë, për Luftën e Kosovës. Mbase gjetiu do ta kenë lidhur edhe me shqiptarët që kanë vajtur të luftojnë për ISIS-in…

Ja edhe teksti, siç e gjeta në Internet:

Ti kendon edhe qan
Në duar lotët mbledh
I mban…

Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm, pa identitet

Ktheju tokës tende
O njeri që zemrën lë peng
Ktheju tokës tende
Ti e di një zemër të pret

Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm, pa identitet

Ktheju tokës tende
O njeri që zemrën lë peng
Ktheju tokës tende
Ti e di një zemër të pret

Kënga i drejtohet një “njeriu”, që qan, që ka mall, që ka pak shpresë, që ka lënë zemrën peng dhe e fton: “ktheju tokës”, sepse atje “një zemër të pret”.

Lotët, toka, zemra, vetmia, pengu, jeta, vdekja – këta janë përbërës të një teksti klishe; për fat të keq, kënga nuk sjell shumë më tepër. Ky tipi që “në duar lotët mbledh”, na prezantohet thellësisht i deprimuar, “i vetëm” dhe, sikur kaq të mos mjaftonte, “pa identitet”. E vetmja meritë e këtij cilësimi të dytë, “pa identitet”, është që edhe ky është klishe, por i përket një diskursi tjetër; dhe të paktën e thyen harmoninë sentimentale të lotëve dhe të zemrave.

Pastaj vjen kjo “ktheju tokës” – ose ftesa për t’u kthyer. Toka këtu është një zgjedhje pak kurioze, mes klisheve: poeti atdhetar do të kish preferuar “dheun” ose “baltën”; duket sikur “toka” sjell me vete edhe idenë gjeorgjike të së mbirit, të bimës, të bujqësisë ose të produktivitetit; gjithë duke larguar asociacionin e “dheut” me varrin.

Por “ktheju tokës” të vret veshin; folja kthehem zakonisht kërkon një rrethanor vendi – kthehem në shtëpi, kthehem në atdhe, kthehem në identitet; përkundrazi, me një trajtë të shkurtër të dhanores, përdoret me kuptime të tjera, p.sh. u kthehem studimeve, ose iu kthye së shoqes gjithë inat; ndoshta do të pranohej edhe një përdorim i tipit eshtrat ia kthyen dheut, por është tepër solemn. Për mua, ktheju tokës vjen si licencë poetike, por pak e sforcuar.

Kënga është moralizuese: i shpjegon një të ikuri pse duhet të kthehet. Në kontekstin e sotëm, kur Europa – kjo “tokë” e Eurosong-ut – është përfshirë nga debatet rreth imigracionit dhe politikave me ata që duan të vijnë, kjo “ktheju tokës” tingëllon si politikisht not cool, çfarë nuk meriton të qortohet në vetvete; duke risjellë në imazherinë kolektive tokën si metaforë dhe si simbol. Ata që ikin, tokën nuk e marrin dot me vete. Prandaj edhe toka mund të jetë gjithçka në këtë mes, përveçse klishe sentimentale: sjell me vete edhe metaforën tjetër të rrënjëve dhe përqasjen e njeriut (dhe të identitetit të njeriut) me bimësinë; alternativisht, të kujdesit për tokën. Po të rrëmosh shumë në interpretim, do të gjesh ndoshta edhe një fillesë ekologjike/ ambientaliste.

E megjithatë, teksti parapëlqen të kthehet në klishe më të sigurta, ai ajo e vetmisë: “një zemër të pret”; çfarë edhe ia parathotë kësaj kënge riciklimin në shportën e madhe të klisheve të pop-it shqip. Dhe ja pse: publiku që e ndjek tekstin, ka nevojë për një narrativë: pse është kaq i vetmuar ky njeri? Pse pa identitet? Pse një ditë jeton në tjetrën vdes? Pse e ka lënë zemrën peng? Etj. Janë të gjitha premisa për një histori që pastaj nuk na e rrëfen kush. Po ta krahasosh këtë me këngët që fituan vendin e parë dhe të dytë: “Arcade”, e Holandës, e shtjellon metaforën e një slot machine, duke arritur të rrëfejë një histori çuditërisht të freskët; ndërsa “Soldi”, e Italisë, edhe ajo rrëfen për një fëmijëri të shkuar dëm. Të dyja e angazhojnë dëgjuesin; ose të paktën atë lloj dëgjuesi që u vë veshin teksteve. Dhe, si përftesë, kjo ka efekt më të fortë se moralizimi; aq më tepër, moralizimi si ai i këngës shqiptare, që pason një diagnostikim falas: Askush nuk ka dëshirë që t’i thonë se “je pa identitet”.

Për respekt ndaj lexuesit të Peizazheve, e dëgjova edhe këngën vetë edhe në video, edhe në transmetimin nga salla. I mirë a i pamirë, teksti nuk merret vesh me të dëgjuar; por ata që ndjekin Eurosong-un nuk presin që ta kuptojnë tekstin nga kënga – e kanë të gatshëm. Kënga vetë m’u duk pak e sheshtë (flat), a sikur nuk kish arritur të zhvillohej plotësisht (hyrja si e shtuar në momentin e fundit, momentet mbushëse prej pop-i maroken); njëfarësoj, sikur kish mbetur edhe ajo pa tokë dhe pa identitet (melodisë i mungonin hooks njëlloj siç i mungonin edhe tekstit joshat për dëgjuesin). Videoja zyrtare nuk më la mbresë të mirë – m’u duk e bërë on the cheap, me efekte po aq klishe sa ato të tekstit, por të ndryshme nga përmbajtja: uji, zjarri, tymi, shiu, fëmija në slow motion dhe një shqiponjë e pamungueshme në fund. Nuk di pse, më kujtoi luftën e tanishme në Siri. Zëri i Jonidës dhe interpretimi vokal më pëlqyen më shumë, çfarë më bëri të mendoj se me një produksion tjetër – tekst më të mirë, muzikë më të artikuluar e kështu me radhë, ajo mund të kish dhënë shumë, po shumë më tepër. Të gjitha këto i them me rezervë, duke dashur t’i ndaj me ju, sepse nuk jam në gjendje ta vendos këngën në kontekstin e festivalit dhe as ta lexoj me kodet e Eurosong-ut; sikurse nuk e njoh karrierën e artistes dhe të autores së këngës (Eriona Rushiti, muzika dhe teksti).

Pyes se çfarë mund të pritet nga këngë të tilla dhe me ç’mënyrë duhet ta përfaqësojnë ato Shqipërinë. Po të përjashtojmë provokimin (që tashmë është edhe ai klishe) dhe folklorin e folklorizmin; po të lëmë mënjanë “shqiptarinë”, nuk mbetet shumë: por të paktën publiku ende reagon ndaj sinqeritetit, ndaj një historie të thjeshtë të rrëfyer me ritmin e vetë këngës, edhe kur krijimit i mungon origjinaliteti – meqë Eurosong-u nuk është platformë për eksperimente mirëfilli muzikore. Këngë me “mesazh” janë OK, sa kohë që mesazhi nuk është predikues (preaching).

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në mediat elektronike dhe tradicionale. Kundërvajtësit do të përndiqen ligjërisht.

6 Komente

  1. “Panem et circenses“ Evropian me:
    Soap Opera, pop, jodel skandinave, himne urrejtjeje, lojra troneshetj. Në fund, ka vetëm një fitues në Tel Aviv. “Dare To Dream” ishte motoja e këtij viti në Eurovision Song Contest në Tel Aviv. Brenda kësaj motoje në fakt kishte: Patos, kitsch gjigand, dhe disa grimca ëndrrash.

    Ballada me strofa të mbi kriposura, plot akorde minore, a la – lotë krokodili – refrene e koda që u rrijnë besnikë bërtitjeve – këtë vit u ofruan nga Moldavia (gjysëmfinale), Britania dhe Serbia, por ndërgjegja profesionale nuk më lejon të harroj një risi: nuk munguan këngët ku qenë përfshirë “koret-ungjëllore“ si ajo e Izraelit, Suedisë! Feminizmi i krehur me shkëlqim dhe deklaratat e LGBTQ, vjen nga Franca dhe Gjermania, secila/i duke kënduar një manifest apo thirrje për solidaritet midis grave. Ndërsa për parrullat rebele këtë vit u kujdesën islandezët me tone nga fisi “Ramstein“ duke provuar të nxjerrin një deklaratë politike rreth fitores së kapitalizmit dhe se urrejtja tashmë po triumfon. Norvegjia, ishte fenomenale me sparkatën e saj muzikale të dështuar midis folklorit dhe pop music që dëgjohet në panairet dëfryese nëpër provinca.
    Natyrisht, tek të gjithë guxojnë të “ëndërrojnë“, ëndërrojmë dhe ne me, “Ktheju tokës“!
    Me perkusion të kursyer nisim ëndrren tonë, dhe përmes një oktavë të pastër, në refren (plagjiatur e temës së këngës “Trëndelinë e këngë“ e kompozitorit Avni Mula, ndoshta marrë hua vetëm për ESC 2019) mobilizojmë mesazhin e pa definuar. Thirrja pengohet në mjegullën e flautit të “Titanikut“, apo atij të “Lord of the Ring, tingull i përzgjedhur nga “sample library“ i orkestruesit dhe studios pranë së cilës u riprodhua kjo këngë. Për fat të keq, refreni i mbitrashuar me patos artificial, dhe segmente maja-krahu, copëtoi rrjedhën e natyrshme të vokalit të këngëtares (mos i biem pas qafe xhubletës).
    Ndaj, guxoni dhe do vazhdoni të ëndërroni në konkursin “Panem et circenses“ Evropian!

  2. Eurovizioni eshte nje karnavale e madhe europiane qe nuk besoj se demton njeri me egzagjerimet e veta.
    Keto analizat shterruese jane, qe te perdor edhe une nje term anglisht me lejen e autorit, “overkill”.

    1. Shkruani:

      Eurovizioni eshte nje karnavale e madhe europiane qe nuk besoj se demton njeri me egzagjerimet e veta.

      Nuk do të isha kaq i sigurt për këtë “nuk dëmton njeri”. Nga përvoja them se për shumë gjëra kanë thënë në fillim “nuk dëmton njeri” dhe pastaj është bërë nami për t’i riparuar dëmet. E kuptoj që mbase doni të thoni se Eurovizioni nuk pretendon aq sa ç’i atribuon shkrimi më lart. Dakord me këtë. Por shkrimi im nuk është për Eurovizionin. Është për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion – në një konkurs ndërkombëtar të këngës, me ekspozim të madh ndaj publikut. Dhe unë këtë përfaqësim kam dëshirë ta shoh si distilat të koncepteve që ka elita kulturore zyrtare në Shqipëri, për mënyrën e përfaqësimit kulturor në rang shtetëror. Këto koncepte i kam gjetur edhe gjetiu – p.sh. në bienale, në panaire, në festivale të tjera… Diku të mbytur në kitsch, diku tjetër të mbytur në snobizëm, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e ngazëllyer të institucioneve publike (edhe në kuptimin që, po të kish fituar Shqipëria, kryeministri ynë do të vente ta tërhiqte vetë çmimin). Nuk e kam të qartë mënyrën si financohet pjesëmarrja në Eurosong dhe nuk ka qenë ky objekt i shkrimit; por nëse pyes tani, besoj se argumentet më lart, për aq sa vlejnë, mund të përdoren për përgjigjen.

      Keto analizat shterruese jane, qe te perdor edhe une nje term anglisht me lejen e autorit, “overkill”.

      Mbase, sikur kënga të kish qenë një këngë mes të tjerave. Por unë e kam për përfaqësimin. I cili bën që edhe një këngë pop të distilojë çfarë ka në mend elita, për “mesazhet” didaktike që duhet t’i japë kombit argëtimi pop në skenën kontinentale.

  3. Sipas meje, impostimi i Shqipërisë në Eurosong dëshmon për mungesë perceptimi të dimensioneve të vërteta të Eurosong-ut. Festivali Europian i Këngës nuk është kitsch rastësisht; është një zgjedhje e mirëmenduar kjo që i propozohet publikut. Festivali ofron hapësirë për performanca alternative: të kuptohemi – më shumë se sa tek substanca, e kam fjalën tek shfaqja, prezantimi i substancës. Psh. fituesja e vitit të kaluar ishte në substancë një këngë thellëisht feministe, gati militante në përkushtimin feminist. Sikur këngëtarja Netta Barzilai të ishte paraqitur me një look më konservativ dhe pa eksklamacionet aviare, kënga do të ishte sulmuar si këngë e angazhuar dhe militante e ndaj besoj se nuk do të ishte vlerësuar edhe aq, sidomos jo sa të fitonte vendin e parë.
    Po ashtu Verka Serduchka e Ukrainës zuri vendin e dytë disa vjet më parë me një performancë fare të pazakontë dhënë nga një personazh i stisur. Verka është një personazh i skenës, performuesi i personazhit është një burrë me emër tjetër dhe kënga si edhe legjendat rreth personazhit janë po aq: legjenda.
    Eurosong-u është pa dyshim një aktivitet që duhet marrë me shumë seriozitet pasi mund ta profilizojë vendin fitues në mënyrë shumë pozitive – sikundër bëri Izraeli këtë vit, pavarësisht gjithë kundërshtive e ndjeshmërisë që frymëzoi kjo në një pjesë të mirë të opinionit ndërkombëtar. Ndaj edhe Shqipëria bën mirë që i kushton kujdes e shpenzon për pjesëmarrjen. Gjithsesi më bën përshtypje se pas kaq shumë viteesh përvojë me festivalin, kuratorët shqiptarë të përfaqësimit të vendit në Eurosong nuk e kanë rrokur ende zhanrin mbizotërues të performancës mesatare dhe për pasojë ende e luajnë lojën në një regjistër inekzistent tashmë, ose në më të paktën në një regjistër humbës.
    Pavarësisht nga talenti dhe performanca e këngëtarit (prurjet e Shqipërisë sidomos dy vitet e fundit ishin shumë të mira: si Eugenti ashtu edhe Jonida shkëlqyen si artistë të pjekur), Eurosong-u lyp një tjetër regjistër dhe ka ardhur koha që RTSH të bindet për këtë e të ndërrojë marsh.

  4. Pajtohem me mendimet e Sophies. Jonida shkëlqeu si artiste e pjekur. RTSH duhet të ketë shumë kujdes edhe në “regjinë” apo përcjelljen e këngës tek publiku. Shatërvanët e flakëve, për mendimin tim, ishin të panevojshëm, madje dëmtues. Imazhi që krijojnë ata tek publiku jor fort miqësor europian nuk mund të mos lidhet me zjarrin si simbol protestash të dhunshme. Pse jo “shatërvanë” lulesh, në vend të flakëve?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin