Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (XLVI)

(nga Stanislaw Lec*)

Me po atë dru që dikur do të kishin ndërtuar turrën, sot fabrikojnë letër.

Duartrokitjet e duarve të pista nuk është se janë më të dobëta.

Ateistët pothuajse nuk ekzistojnë. Kush nuk beson te vetja?

Rrallë ndodh që pranë kurorës së dafinave të ketë vend për breroren.

Po sikur besimi më i kulluar të ish ai në një hyjni jo-ekzistuese?

Edukimi i gjenive nuk është e thënë që të fillojë nga kretinët.

Kur bënë apelin për t’i çuar të dënuarit në ekzekutim, T. bërtiti: “Mungon!” Gënjente? Jo, thoshte të vërtetën, por tridhjetë sekonda para kohe.

Mësoni gjuhë! Nuk dihet se cilën do t’u duhet të tregoni.

Po sikur të vdekurit të ish veç një traditë?

Këndova një ninullë turqisht, por nuk më zuri dot gjumi, sepse nuk di turqisht.

Disa tipa duken si fantazma që kanë vrarë veten dhe pastaj janë materializuar.

E ka kokën kaq të mbushur me erudicion, sa nuk i ka mbetur vend për mendimet.

Ah, eunukët që ëndërrojnë onanizmin!

Populli mallkon shumë, i beson magjisë së fjalës.

Aciditet moral pas një banketi spiritual.

Sa më e errët nata, aq më e lehtë të jesh yll.

Shenja e barazisë u ngjan binarëve të trenit. Kam gjithnjë ndjesinë se, herët a vonë, do të na çojë në katastrofë.

Arena e tij? Një cirk fjalësh të zbutura.

Muza mund edhe të flerë me shumë, por fëmijët i bën vetëm me pak.

Personat me parime të hekurta janë magnet për vargonjtë.

Ëndrrat janë të lodhura, flenë shumë.

Edhe në pyjet e flamujve mund të lindë një lëvizje partizane.

Pak rëndësi ka nëse është Zoti që i krijon ndjekësit e vet, apo ndjekësit që e krijojnë Zotin e tyre – rëndësi ka që ekziston!

Habiteni që fjalët zhvlerësohen? Tek e fundit, janë një mënyrë me të cilën paguan shteti.

Po bëhen eksperimente, për të gjetur se në ç’kushte politike mund të jetojë njeriu.

Ëndrra e rrënojave: të hiqen sikur janë ndërtime ende të pambaruara.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

2 Komente

  1. Ardian, duhen perfshire patjeter aforizmat e tij ne nje liber 🙂 Do ishte nje superbotim

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin