Mes shumëve që e provuan dorën me përkthimin e poemës klasike Eugjen Onjegin të Pushkinit në anglisht, ishte edhe Vladimir Nabokovi. Përkthimi i Nabokovit[1] shquhet për bollëk të përgjithshëm (950 faqe shënime), por edhe – mes të tjerash – për një problem si me thënë narratologjik që ka krijuar, mbase pa dashur.
Kush e ka studiuar poemën në shkollë, ose – më mirë akoma – e ka lexuar, do ta mbajë mend letrën që i dërgon Tatjana Onjeginit. Rrëfimtari i poemës – që disa prej nesh, për lehtësi, e njëjtësojnë me Pushkinin vetë – na thotë (3-26) se Tanja e shkroi letrën në frëngjishte, meqë rusishten e shkruar nuk e zotëronte mirë; dhe i bie barra rrëfimtarit që ta përkthejë letrën në rusishte, për lexuesin. Dhe kështu “ndodh”: letra në roman jepet në rusishte (3-31).
I rrëmbyer në euforinë ose – nëse duam ta quajmë kështu – në delirin e vet, te përkthimi që ia bën Onjeginit në anglishte, Nabokovi e merr në sy të na japë “origjinalin” e letrës së Tatjanës në frëngjishte – duke e përkthyer ai vetë, në frëngjisht, letrën rusisht në poemë. Ky ekzagjerim fton, megjithatë, për një diskutim të statusit narratologjik të këtij teksti.
Duke filluar nga një ndarje skematike në “botë”:
Bota 1: Bota ku ka jetuar Pushkini, ku është botuar poema e Onjeginit dhe përkthimet e saj, ku jetojmë ne si lexues dhe përkthyesit e poemës.
Bota 2: Bota narrative e poemës, që rrëfehet nga rrëfimtari i poemës (le ta quajmë Pushkin, këtë subjekt të narracionit). Në këtë botë të rrëfyer ekzistojnë Tatjana, Eugjeni, Lenski dhe personazhe të tjera të rrëfimit.
Bota 2 është një artifakt i Botës 1.
Vëmendje meriton statusi i rrëfimtarit.[2] Pushkini vetë, sidomos në kapitullin 8, e fton lexuesin ta shohë rrëfimtarin si imazh të autorit, duke i dhënë disa atribute autobiografike.
Përndryshe, rrëfimtari nga njëra anë del në poemë si mik i Onjeginit dhe si personazh i poemës (bota 2); nga ana tjetër, si figurë e gjithë-ditur dhe e gjithëpranishme; vrojtues i shkëputur nga ngjarjet (bota 1).[3]
Ky dualitet e shndërron rrëfimtarin në ndërmjetës midis botës 1 dhe botës 2 – edhe pse statusi i tij në botën 1 është diçka pak se ai i një personi, ndërsa në botën 2 është diçka më shumë se ai i një personi.
Tani, teksti origjinal i poemës dhe përkthimet e saj i përkasin, si objekte, Botës 1; çfarë nuk vlen për tekste të rrafshit narrativ, si letra e Tatjanës, e cila i përket edhe Botës 1 (është pjesë e poemës) edhe Botës 2 (është pjesë e rrëfimit).
Në Botën 2, statusi i kësaj letre është pak problematik: lexuesi e merr letrën të përkthyer nga rrëfimtari në rusishte, meqë letra origjinale – na thuhet – paska qenë në frëngjishte.
Nga ku deduktojmë: (1) letra rusisht në Botën 2 është shkruar nga “përkthyesi” i saj, rrëfimtari; edhe pse duhet të ketë “ekzistuar” (por ku?) një origjinal në frëngjishte, të cilin e ka shkruar Tatjana; (2) letrën në poemën e Botës 1 e ka shkruar, si gjithçka tjetër në tekstin origjinal, Pushkini autor i poemës – i njëjti që ka krijuar edhe personazhet e rrëfimtarit, të Tatjanës dhe të Eugjenit.
Letra e Tatjanës në frëngjishte është një objekt fantomatik: ekzistenca e saj si e tillë vetëm sa përmendet në Botën 2 (dhe pastaj implikohet), por përndryshe ajo ekziston, si në Botën 2 ashtu edhe në Botën 1, në rusishte, ose në “përkthimin” e rrëfimtarit (Bota 2) ose në tekstin e shkruar nga Pushkini autor i poemës (Bota 1).
Meqë fakti që rrëfimtari e ka “përkthyer” letrën nga frëngjishtja është po aq fiksional sa edhe personazhet përkatëse – Tatjana, Eugjeni, etj., atëherë pa merak mund të pohojmë se kjo letër në frëngjishte presupozohet për botën 2 (e presupozon vetë akti i përkthimit, sa kohë që me marrëveshje do t’u besojmë atyre që thotë rrëfimtari), por nga pikëpamja jonë, e botës 1, nuk ekziston – sepse bota 2 është botë e shkruar, që përmban vetëm sa ç’i ka lejuar “krijuesi”.
Çfarë statusi ka, atëherë, letra e Tatjanës në frëngjishte, që është kujdesur ta sjellë Nabokovi në shënimet e përkthimit që ia ka bërë poemës së Pushkinit në anglishte?
Veçanërisht, cili është statusi i saj, përballë tekstit tanimë anglisht të së njëjtës letër, që e ka dhënë sërish Nabokovi?
Me gjasë, është mirë të postulojmë një Botë 3, e cila të ndryshojë nga Bota 2 ngaqë është e shprehur në anglisht. Çdo përkthyes i poemës, në çfarëdo gjuhe, krijon një botë të ndryshme nga bota e tekstit origjinal, që ekziston në trajtat gjuhësore të përkthimit.
Por letra e Tatjanës në frëngjisht, që Nabokovi ia ka shtuar përkthimit të vet të poemës në anglisht, nuk i përket kësaj bote 3; por vjen më shumë si një objekt “i restauruar” i botës 2.
Ky objekt është krijuar edhe ai nga imagjinata e Pushkinit autor i poemës, por nuk ka status aq të fortë sa letra e Tatjanës e përkthyer rusisht. Me sa dimë, Pushkini vetë nuk e ka shkruar kurrë letrën e Tatjanës në frëngjishte; dhe pohimi i rrëfimtarit se këtij i është dashur ta përkthejë është artific narrativ. Ky përkthim nga frëngjishtja në rusisht, si akt, vetëm sa rrëfehet në botën 2, por akti vetë nuk i përket kësaj bote (neve si lexues na jepet rezultati i një akti thjesht të presupozuar). Në botën 2 letra ekziston vetëm në rusisht, ndërsa akti i përkthimit të saj vetëm si përmendje.
Duke na dhënë një version frëngjisht të letrës, Nabokovi vetëm duket sikur ka restauruar një objekt të botës 2; por ky objekt në të vërtetë thjesht projektohet mbi botën 2, pa u bërë dot pjesë e saj. Tek e fundit, ky tekst i Nabokovit nuk mund as të përfytyrohet si teksti që “përktheu” rrëfimtari në poemën origjinale, sa kohë që përkthimi nuk është shkencë ekzakte. Për të njëjtën arsye, një këpucar sot mund të riprodhojë një model këpucësh të Tatjanës në bazë të si e përshkruan këtë poema; por këto këpucë e shumta mund të ekspozohen në një muze të imagjinatës rreth poemës.
Natyrisht, letra e Tatjanës është përkthyer në frëngjishte edhe në të gjitha përkthimet e Eugjen Onjeginit në frëngjishte. Por ky lloj përkthimi nuk ka lidhje semiotike me faktin narrativ (Bota 2) se Tatjana e pat shkruar letrën e vet në frëngjishte; dhe as pretendojnë përkthyesit që ta paraqitin këtë letër “sikur ta kish shkruar vetë Tatjana”, për shembull, duke e stolisur me ndonjë idiosinkrazi të frëngjishtes që përdornin aristokratët rusë të shekullit të Pushkinit.
Prandaj përkthimi i Nabokovit është operacion semiotik i një lloji të ndryshëm[4] nga përkthimi letrar i rëndomtë i poemës – sepse nuk synon t’ia japë Eugjen Onjeginin një lexuesi të frëngjishtes, por vetëm të pasurojë eksperiencën e lexuesit anglisht të poemës së Pushkinit me një artifakt kurioz.
Shënimet më lart i kam sjellë pa ndonjë pretendim teorik – por vetëm për të ilustruar një kokëçarje narratologjike të pazakontë.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Kopertina: portreti i vizatuar, nga Pushkini vetë, i Tatjanës, në anëshkrim të origjinalit dorëshkrim të poemës.
[1] Një vështrim i përgjithshëm i këtij përkthimi dhe i aparatit shoqërues mund të lexohet këtu.
[2] Për këtë, në hollësi, shih Lyric and Narrative Consciousness in Eugene Onegin, The Slavic and East European Journal Vol. 46, No. 4 (Winter, 2002), pp. 683-709.
[3] Për një diskutim semiotik dhe narratologjik të botëve narrative, shih Eco, Umberto, Sei passeggiate nei boschi narrativi, Bompiani 1994, sidomos ff. 91-172; dhe Eco Umberto, Lector in fabula, Bompiani 1979.
[4] Që Nabokovi zbavitej duke e plotësuar botën narrative të Onjeginit, e tregon edhe ky imazh i nxjerrë nga një dorëshkrim, ku ai autor përpiqet të rikrijojë, nëpërmjet një diagrami, një lëvizje në një lojë shahu të njërit prej personazheve të poemës, Lenskit (sipas Alex Beam, The Feud, Pantheon Books, 2016).
Kjo nuk duhet ndarë nga një zakon kurioz i Pushkinit vetë, që t’i ilustronte dorëshkrimet. Ekziston një vizatim i Pushkinit, ku ai dhe Onjegini (personazhi i vet) po vrasin kohën buzë lumit.