Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

LEKË: TË REJA APO TË VJETRA

Nëse tregu dhe shkëmbimi gjuhësor kanë shumë gjëra të përbashkëta, atëherë mbijetesa e dyzimit lek i ri/lek i vjetër në Shqipëri, gjysmë shekulli e kusur pas “ndërrimit të lekut”, meriton vëmendje edhe nga socio-linguistët.[1] Breza të tërë janë ndërruar gjatë kësaj periudhe, madje popullsia e Shqipërisë sot në masë të madhe nuk e ka jetuar kohën kur leku i vjetër përdorej akoma si monedhë, e megjithatë, operatorët në treg, shitësit dhe blerësit, vazhdojnë t’i referohen informalisht sistemit të lekut të vjetër, edhe pse lekun e vjetër si monedhë ka kohë që nuk e përdorin. Pyetja kryesore këtu është pse ka mbijetuar dyzimi, për t’u bërë veçan pyetjes tjetër, se ç’përfitim mund të kenë përdoruesit nga ruajtja e sistemit të vjetruar.

Tabela e mëposhtme skematizon një situatë kur blerësi i afrohet një shitësi ombrellash në rrugë dhe e pyet: Sa e ke këtë ombrellën?

Për thjeshtësi, kam dhënë vetëm tri përgjigje. E para, e pagjasë për një transaksion në rrugë, kur shitësi e jep çmimin në lekë të reja (sepse ashtu i duket e drejtë, ose e rregullt, ose e ligjshme, ose e përshtatshme, ose më e lehtë për të si shitës, sa kohë që transaksioni real bëhet gjithnjë me lekë të reja). E treta vjen nga një shitës që përdor gjithnjë lekët e vjetra, duke i përkthyer shumat në kokë automatikisht – në kuptimin që shprehja monetare dhe gjuhësore “100 lekë” e shkruar mbi bankënotë është thjesht shënjues i një të shënjuari “1000 lekë”. E dyta përfaqëson një përgjigje komplekse: shitësi është i vetëdijshëm se ombrella kushton edhe katërqind lekë të reja, edhe katër mijë lekë të vjetra – çmimi i parë, në lekë të reja, i referohet transaksionit real, ose parave reale që do të ndërrojnë duar, ndërsa çmimi i dytë, në lekë të vjetra, i referohet transaksionit kuptimor, ose vlerës që kanë në mendje të dy shkëmbyesit, që me mirëkuptim operojnë ende “me të vjetrat”. Këtë koncept e kam skematizuar në tabelën më poshtë – ku emërtimi i shumës në lekë të vjetra parakupton një shënjues kompleks (shënjuesi 1 që është bankënota ose vlera e saj e përdorimit PLUS “kuptimi” i saj, ose artikulimi gjuhësor i kësaj vlere përdorimi), i cili ka për të shënjuar vlerën ekuivalente në lekë të vjetra.

Përgjigjja e dytë është karakteristikë për një treg të informalizuar, ku operatorët jo vetëm që e zotërojnë dallimin mes lekut të vjetër dhe atij të ri, por edhe janë të vetëdijshëm se kur, ose në ç’situata, duhet përdorur njëri sistem dhe kur tjetri. Kjo lehtësi e kalimit nga njëri sistem te tjetri shënjon një familjaritet që vendoset mes shitësit dhe blerësit – si pjesëtarë të së njëjtit komunitet, ose banorë të së njëjtit qytet. Vetëdija, e të dyja palëve, për bashkekzistencën e sistemeve në ligjërim dhe në shkëmbimin monetar, përfton një lloj kompetence pragmatike, në kuptimin gjuhësor të këtij termi (studimi i përdorimit të gjuhës në kontekst). Të huajve dhe personave me probleme të ndryshme të zhvillimit psikologjik kjo kompetencë mund t’ju mungojë.

Në lidhje me lekun dhe kalimin e rrjedhshëm nga i riu tek i vjetri, përdorues kompetent nuk është aq ai që e di dallimin dhe e llogarit ekuivalencën, por ai që është në gjendje të zgjedhë midis alternativave (të vjetra/të reja), por edhe të kuptojë vetvetiu se çfarë zgjedhjeje ka bërë tjetri. Për këtë ndihmon edhe njohja në imtësi e çmimeve të artikujve në treg – meqë prej një blerësi pritet që të jetë në gjendje të dijë se ombrella realisht mund të kushtojë katër mijë lekë të vjetra, por jo katër mijë lekë të reja. Luhatja midis dy sistemeve të lekut shpërdoron energjitë e palëve në treg, por mbase ndihmon për t’i afruar – sociologjikisht – blerësit dhe shitësit, duke vendosur një lloj mirëkuptimi të heshtur mes tyre.

Për të qenë të qartë: leku i vjetër nuk ekziston më si monedhë, por veç si mënyrë emërtimi alternative e shumave në para (çmimeve, etj.). Kushdo që paguan në pazar, e bën këtë me lekë të reja – edhe sikur të përdorë në mënyrë konsistente “lekun e vjetër”, ose t’i emërtojë shumat duke u shtuar një zero. Nëse gjatë viteve 1965-1970 këto konvertime të imagjinuara i ndihmonin operatorët e parasë për t’u orientuar me sistemin e ri, kjo arsye nuk qëndron për më vonë. Në fakt, i vetmi avantazh që ta japësh një shumë të caktuar me lekë të vjetra mund të ketë pasur lidhje me nevojën për të shmangur qindarkat – është gjithnjë më lehtë të thuash 45 lekë (të vjetra) se 4 lekë e 50 qindarka. Meqë e mbaj mend sado turbullt dekadën e parë pas ndërrimit të lekut, mund të them me një farë sigurie se qindarkat mund “të fliteshin” vetëm në filma; dhe se kur dikush, në atë kohë, shprehej në publik me lekë të reja, kjo do të perceptohej menjëherë si, ose përpjekje për t’u dukur si i brendshëm i pushtetit (“yni”), ose si simptomë e një paaftësie për t’u përshtatur, nga dikush që i mungonte veshi për t’u socializuar. Gjithsesi, qindarkat sot nuk përdoren më.

Pyetja se pse ka mbijetuar sot e kësaj dite sistemi i lekut të vjetër ende kërkon përgjigje: kjo përgjigje duhet të sqarojë, njëfarësoj, se çfarë avantazhi sjell sot dyzimi, ose bashkëjetesa e dy sistemeve të ndryshme, por aq të ngjashme mes tyre, sa mund të krijojnë pështjellim dhe vështirësi të tjera për përdoruesit e parasë (cash). Me gjasë, duhet nisur nga dallimi midis sistemit formal (leku i ri) dhe sistemit informal (leku i vjetër); që njëfarësoj rimerr edhe dallimin midis kulturës së shkruar dhe kulturës së folur (orale). Leku i vjetër, në atë masë që ruhet sot e kësaj dite në përdorim edhe thjesht si formulë konvertimi, do të mishëronte rezistencën e oralitetit ndaj skripturalitetit, të improvizimit ndaj rregullit, të komunikimit si kontakt mes subjektesh enonciative ndaj komunikimit si shkëmbim shenjash; duke krijuar kështu një komunitet të pazarit si të ndryshëm nga ai i tabelave të çmimeve, kasave fiskale dhe kontabilitetit. Nëse është kështu, leku i vjetër e luan këtë rol rastësisht, si një sistem shënjor dytësor, që u vu në dispozicion fill pas ndërrimit të lekut në vitin 1965, duke përfituar pastaj edhe nga thjeshtësia, në raport me sistemin e ri me lekë dhe qindarka.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Një trajtim disi tjetërlloj të temës do ta gjeni tek eseja ime “Leku qimen e ndërron…”, e vitit 2010.

9 Komente

  1. Kam vrarë gjithmonë mendjen për këtë punë, se unë kam lindur më 1964, vitin që u ndërruan lekët dhe prapë mendërisht punoj me të vjetrat. Ndoshta, them, për ta shmangur këtë gjë, kur u ndërrua leku, nuk duhet të ish ndryshuar në raportin 1:10, por, po e zëmë 1:8. Atëhere të gjithë do të detyroheshin ta kthenin mendjen.

  2. Me kete sistem e ha turisti i rastit, por mua me zgjat transaksioni disa zekonda me teper pikerisht ze dua te sigurohem qe eshte me te vjetra apo te reja. Pra kjo forme komunikimi sjell probleme per receptuesin, pasiguri ne lidhje me shenjuesin, sado informacion paraprak te kene palet.

  3. Une e kam pare me shume si nje rezistence sociale a pavetedijshme ndaj qeverise (ndoshta e vetmja e ketyre permasave ne ate kohe dhe qe vazhdon edhe sot). Ndoshta publiku e ka perceptuar thjesht si nje loje e qeverise qe kerkonte te bente prestigjatorin duke hequr nje zero. Eshte si the thuash ” I hoqet nje zero po ky prape 100 lekeshi i vjeter ngelet”.

    Arsyeja e dyte eshte se kjo u be vetem nje here. Nese do te ishte bere disa here atehere njerezit do te ishin te detyruar te ndryshonin me te riun se pastaj rezistenca kthehet nga mosprakticiteti qe prodhon sot ne mosfunksionalitet.

  4. Nga ca komente të shkurtra poshtë këtij shkrimi në FB, mësova se autoritetet priren që shpërblimet e ndryshme, përfitimet monetare të qytetarëve, zbritjet në çmimet etj., t’i lajmërojnë në lekë të vjetra, që të duken më të mëdha; ndërsa çmimet e produkteve dhe shërbimeve, gjobat, etj. në lekë të reja, që të duken më të vogla. Çështja këtu është se shifra (ta zëmë 500 mijë lek) ka impaktin e vet, pavarësisht se në lekë të vjetra apo të reja; për të njëjtën arsye si 4.99 USD si çmim i afishuar në supermarket duket sikur i përket një kategorie tjetër nga 5.00 USD. Marifeti është elementar, por funksionon, sepse vepron në nivelin subliminal. Mund edhe të spekulohet se mendja i përpunon të dhënat numerike tjetërkund nga ku përpunon të dhënat kuptimore (lekë të reja/lekë të vjetra).

  5. “Leku i vjetër” është shumë interesant si fenomen ekonomik dhe shoqëror: një relikt monetar që u ka mbijetuar deri tani pesë dekadave, dy brezave njerëzore dhe dy sistemeve diametralisht të ndryshme ekonomike dhe shoqërore.

    Te arsyet që u përmendën në shkrim – shmangia e qindarkave dhe lehtësia në konvertim për shkak të raportit 1 me 10 – unë do të shtoja edhe nivelin rudimentar të sistemit monetar në ekonominë e centralizuar të para ’90-ës; numri i transaksioneve monetare të qytetarëve atëherë ishte i kufizuar te blerja e mallrave bazë të konsumit, pagesës një herë në muaj të qirasë-drita-ujit dhe një-herë-jetë një televizor, frigorifer apo lavatriçe.

    Në nivel akoma më primitiv ishte përdorimi i parasë nga ndërmarrjet dhe institucionet atëhershme ku vendi i vetëm ku nxirrte kokën leku cash ishte pagesa e rrogave sepse shit-blerjet e tjera bëhshin me faturë, me përjashtim të Tregti-shërbimeve; për kredi, monedha të huaja, kurse dhe këmbime valutore as që bëhej fjalë fare. Në një sistem ekonomik ku roli i parasë është minimal, edhe ruajtja e konvencioneve të kaluara monetare bëhet më e lehtë, edhe nevoja për të shkuar me të renë është më e ulët.

    Por më habit fakti që edhe pas 30 vitesh kapitalizëm leku i vjetër është akoma “i gjallë” në Shqipëri; këto tri dekada u ngrit një sistem komplet i ri monetar, me një nivel sasior dhe cilësor transaktionesh që nuk ka të krahasuar me atë të para ’90-ës, me banka dhe transferta bankare, kredi, karta krediti dhe debiti, valuta të huaja që hyjnë nga të katër anët dhe këmbehen lirisht etj.

    Në sistemin e sotëm përdorimi paralel i lekut të vjetër për komunikim mes operatorëve ekonomik vetëm sa e ndërlikon procesin e shkëmbimit pa i shtuar ndonjë vlerë ekonomike-monetare atij; kemi të bëjmë me një simbiozë të panevojshme madje – e parë thjesht me syrin ekonomik – me një marrëdhënie parazitare, ku leku i ri nuk ka nevojë për të vjetrin që të ekzistojë, por i vjetri nuk ka kuptim pa të riun. Ndaj jam i një mendjeje me A.V. se shkaqet duhen kërkuar në lëmin jo-monetar, në anën sociale të fenomenit, si konvencion shoqëror apo si një element identifikimi i bashkësisë së atyshme.

    Më pëlqeu analogjia me gjuhën e shkruar versus gjuhën e folur, leku administrativ vs leku “sociologjik”. Shteti dhe burokracia në njërën anë, qytetarët dhe shoqëria në anën tjetër që tërhiqen dhe shtyhen njëkohësisht.

    [Më ngacmon mendimi që, i parë në një këndvështim të pastër monetar leku i vjetër, edhe vetëm si formulë konvertimi dhe jo-formal, ai ende mban dhe ushtron një nga katër funksionet bazë të parasë, atë të njësisë llogaritëse; edhe pse ka humbur natyrisht tre funksionet e tjera (si mjet këmbimi, reserve dhe kredie). Ose thënë ndryshe: ka ende jetë brenda reliktit! :)]

  6. Mendoj se nje faktor tjeter, ndoshta jo edhe aq i rendesishem, por gjithsesi i pranishem te pakten ne periudhen menjehere pas ndrimit te lekut, qe ndikoi ne ruajtjen e dyzimit lek i ri – lek i vjeter ishte edhe ngjashmeria fizike dhe e ngjyrave midis monedhave dhe kartmonedhave te vjetra me ato te reja. Keshtu monedha 10 qindarkeshe kishte pothuaj te njejtin diameter me 1 lekshin e vjeter, 20 q. me 2 lekshin dhe 50q. me 5 lekshin. Sa i takon kartmonedhave, perveç 1 lekshit te ri qe ishte kryesisht i gjelber dhe pak me i vogel se 10 lekshi i vjeter që qe kryesisht i kuqeremet, dhe kartmonedhave 3 lekshe dhe 25 lekshe qe nuk kishin ekuivalentet perkates ne sistemin e vjeter, te gjitha prerjet e tjera kishin nje ngjashmeri te theksuar si ne permasa, ashtu edhe ne ngjyra. Veçanerisht dyshja 10 lr – 100 lv dhe dyshja 50 lr – 500 lv ishin shume te ngashme, aq sa duhej ti shihje me vemendje per te gjetur dallimet. Me nje veshtrim siperfaqesor ishte e veshtire te shquaje dallimin. Edhe dyshja 100 lr – 1000l kishte pothuaj te njejtat permasa dhe ngjyra (flas per 100 lekshi e ri te pare fare, forma te tjera te mevonshme dalloheshin qarte nga paraardhesi i tyre).

    Nje faktor tjeter, edhe ky ndoshta jo aq i rendesishem, por teper i pranishem ne persistimin e lekut te vjeter ne gjuhen e folur ndoshta duhet kerkuar ne faktin qe moshat e njoma bien ne kontakt me parane më shume me ndermjetesine e prinderve, sesa me ndermjetesine e cfaredo lloj agjenti tjeter, keshtuqe transmetimi i huqeve behet i lehte, pra i veshtire per t’u ndryshuar me vone kur individit i duhet te operoje me parane pertej blerjes se ndonje akulloreje, apo karameleje.

    Se fundi, nje faktor teper i rendesishem, ndoshta me i rendesishmi, ne ruajtjen e dyzimit ka qene perdorimi i koeficientit 10 i ndryshimit, siç e ka permendur me lart edhe nje komentues tjeter. Cdo faktor tjeter, sidomos 7, ose 13 do ta kishte zhdukur kujtimin e lekut te vjeter brenda vitit.

  7. Shpresoj që kur të hyjmë në zonën euro mos ti ngatërrojnë edhe aty njerëzit me °të vjetra°/°të reja°!
    Unë mendoj se kur të hiqen figurat e stërlashta nga politika atëherë edhe mjedisi shoqëror do të jetë më i cliruar nga kjo anomali.
    Për mua është anomali, vetëm nëse lëse lek i vjetër/lek i ri nuk lidhet ndonjë manovër inflacioni (qoftë ky një gjymtim social që i bëhet njerëzve, me dashje), atëherë të paktën të rinjtë nuk duhet ta traashëgojnë këtë anomali. Më ndodh shpesh që të kem përpara shitëse ne moshë të re (le të themi rreth të 25-ave), që të thonë cmimin me plus një zero (me lekë të vjetra) dhe gjithmonë mendoj se të paktën të rinjtë duhet të fillojnë ta heqin këtë anomali të tranzicionit. Mbase kjo do të zhduket ashtu sic e thashë në fillim, kur shoqëria do të zhdukë dinosaurët e politikës dhe do të fillojë të mendojë ndryshe. Kemi 30 vjet që vazhdojmë të tërhiqemi prej hundësh në këtë tranzicion të pafundëm dhe kjo anomali është pjesë e “nënshtrimit”.

    1. Jo se jam kunder asaj qe thoni rreth 30 vjeteve te tranzicionit te pafundem, terheqjes prej hundesh dhe “nenshtrimit” ne pergjithesi, por kjo puna e lr/lv ka filluar qysh ne vitin 1964 kur u be ndrimi dhe vazhdoi deri ne vitin 1990 (po e zeme qe tranzicioni filloi ne 1990) pa ndonje tranzicion, terheqje hundesh etj. dhe vazhdoi ne menyre lineare edhe me tej, pa ndonje sforcim te dukshem nga politika. Ishte thjesht nje zakon i vjeter qe vazhdoi edhe ne kushtet e reja Spiegimi i kesaj dukurie nuk mund te filloje pas 1990. Shkaqet i kane rrenjet mjaft perpara 1990, pra pa pasur ndonje lidhje me tranzicionin.

  8. Konspiracioni i gjysherve qe japin leke per akullore, me qeverine qe shperndan pensionet dhe rimbusrsmet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin