Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Psikologji

ZOTËSIA PËR TË VLERËSUAR PAZOTËSINË

Më ka qëlluar të pyes veten: si e kuptojnë ata që nuk kanë vesh muzikor, se nuk kanë vesh muzikor?

Me përkufizim, veshi muzikor është aftësia për të perceptuar saktë dallimet mes notave, për ta kënduar një këngë “mirë”, për të riprodhuar rregullsitë ritmike, për të mbajtur mend melodi e kështu me radhë.

(Çfarë nuk ka të bëjë me aftësinë për ta shijuar muzikën.)

Gjithsesi, kush nuk ka vesh muzikor, ose personi që ka pasë “stonuar” keq kur këndonim në kor, orën e muzikës, nuk do të jetë në gjendje ta kuptojë vetë që nuk ka vesh muzikor (sikurse nuk do ta konstatojë dot këtë mangësi te një tjetër).

I mungon, si të thuash, jo vetëm njohja (konjicioni) e notave dhe ritmit, por edhe meta-njohja (meta-konjicioni), ose njohja e inkompetencës së vet muzikore.

Këtë informacion do të detyrohet, pra, ta marrë nga të tjerët – për shembull, nga një shoqe, një prind, një i afërm, mësuesi i muzikës. Sot ka edhe app-e që ta japin verdiktin brenda pak minutash.

Kur kemi qenë të mitur, instruktorët e muzikës në fillim luanin një notë në fizarmonikë ose në piano dhe na kërkonin që ta përsëritnim; pastaj luanin një segment ritmik duke përplasur duart, dhe na kërkonin që ta përsëritnim.

Ti që nuk kishe vesh duhet të pranoje verdiktin e një autoriteti të fushës; ose, në raste të rralla (shumë të rralla), të zhvilloje paranojën se bota ta kishte me të pabesë.

Një tjetër lloj verdikti, edhe më mizor, është ai që ia jep publiku këngëtarit pa vesh; duke e fishkëllyer (e kemi provuar në karaoke). Edhe këtu paranojaku do të besojë se të tjerët nuk arrijnë t’ia vlerësojnë talentin, ose ia kanë me të pabesë.

Nëse veshi muzikor mund të përmirësohet apo jo, kjo nuk është argument i këtyre shënimeve.

Por pamundësia e inkompetentit për të pikasur inkompetencën e vet është studiuar tashmë, dhe është pagëzuar si Efekti Dunning-Kruger. Ky përshkruan ato situata kur njerëz me aftësi të pakta gabimisht kujtojnë se këto aftësi nuk u mungojnë, madje i perceptojnë këto si më të mëdha se ç’janë.

Për shembull, rastet kur dikush është jo vetëm inkompetent në matematikë, por edhe inkompetent për të vlerësuar kompetencën e vet në matematikë.

Siç lexoj në faqen përkatëse të Wikipedias, efekti u përshkrua me hollësi nga psikologët David Dunning dhe Justin Kruger të Universitetit të Cornell-it (sidomos te ky artikull i vitit 1999), të cilët përfshinë atje edhe të kundërtën: inkompetencën e njerëzve shumë të aftë për të vlerësuar kompetencën (më të ulët) të së tjerëve.

Efekti është formuluar kështu: ata që nuk performojnë mirë, nuk janë në gjendje të dallojnë mangësitë në performancën e tyre.

Ashtu të paaftët do të priren drejt një lloj kompleksi superioriteti – meqë do t’i gjykojnë aftësitë e tyre si më të mëdha se ç’i kanë realisht (edhe pse jo doemos më të mëdha se të së tjerëve).

Dunning dhe Kruger i testuan hipotezat e tyre me studentët dhe panë se studentët kompetentë i nënvlerësonin aftësitë e tyre, ndërsa inkompetentët i mbivlerësonin.

Kjo vërehej veçanërisht kur studentët përballeshin me sfida të vështira.

Sërish te ajo faqe e Wikipedias, lexoj se efekti është identifikuar, në mënyra të ndryshme, nga të diturit dhe të urtët, në rrjedhë të shekujve.

Konfuci: “Dija e mirëfilltë është të dish sa të shtrihet injoranca”
Sokrati: “Di një gjë, që nuk di asgjë.”
Shekspiri: “Budallai mendon se është i ditur, por i dituri e di që është budalla.”
Alexander Pope: “Të dish pak është diçka me rrezik.”
Charles Darwin: “Injoranca përfton besim në vete më shpesh se njohja.”
Nietzsche: “Bindjet janë armike më të rrezikshme të së vërtetës se gënjeshtrat.”

Merita e Dunning dhe Kruger nuk është vetëm se e “zbuluan” këtë efekt, por edhe që arritën ta matin në mënyrë eksperimentale.[1]

Dhe më tej akoma, që i dhanë kornizim aspektit “meta” të efektit.

Ka shkruar Dunning: “dijet dhe inteligjenca që nevojiten për të qenë i zoti në një punë shpesh janë po ato cilësi që nevojiten për të kuptuar se nuk je i zoti në atë punë.”

Kthehemi kështu te pyetja që pata bërë në fillim: si e kupton ai që nuk ka veshë në muzikë, që nuk ka veshë në muzikë?

Përgjigjja duket elementare: ia vënë në dukje të tjerët. Por ndonjëherë – mbase shpesh – sedra ndërhyn dhe e pengon këtë lloj vlerësimi. Tek e fundit, që t’i besosh vlerësimit të tjetrit, duhet të jesh gati që t’i besosh autoritetit.

Dhe jo vetëm: duhet të kesh aq reziliencë psikologjike, sa t’ia pranosh vetes dështimin.

Jo të gjithë e kanë këtë virtyt të elasticitetit. Sipas një studimi të mirënjohur të kryer me pedagogët e Universitetit të Nebraskës, më shumë se 90% e tyre e vlerësuan veten si mbi mesataren, sa i përket aftësive të tyre pedagogjike.

Edhe kur nuk je në gjendje ta njohësh autoritetin, ka një kriter tjetër – më mizor – për inkompetencën: dështimi.

Nëse ti arrin rregullisht i fundit në garën e vrapimit 400 m, nuk mund të bësh me faj të tjerët, as pistën, as atletet që ke veshur.

Mirëpo në jetë rezultatet nuk janë kurrë aq të qarta sa në atletikë: dhe shumë prej nesh do të mbrohen ndaj efektit psikologjik të dështimit duke bërë me faj të tjerët, rrethanat, ose “armiqtë”.

Markezi La Rochefoucauld pat shkruar: “Të gjithë ankohen për memorien, askush nuk ankohet për forcën e gjykimit” (Tout le monde se plaint de sa mémoire, et personne ne se plaint de son jugement).

Kjo maksimë më vjen në mend, sa herë që nuk e kam problem të pranoj se jam vrapues shumë i keq i distancave të gjata!

Disa lloj aftësish janë më të rëndësishme për egon, se disa lloj aftësish të tjera. Çfarë do të thotë se jo gjithnjë inkompetentët dështojnë në vlerësimin e kompetencës së tyre.

Sërish La Rochefoucauld: Sedra është më e zonja se njeriu më i zoti në botë (L’amour-propre est plus habile que le plus habile homme du monde).

Por nëse ti e ke pasion, të themi, baletin, do ta kesh gjithnjë më të vështirë të pranosh se nuk i ke dhuntitë e nevojshme për këtë art.

Unë s’e kam çarë ndonjëherë kokën as për vrapimin 400 m, as për të luajtur, për shembull, bixhoz. Por më është dashur një farë kohe për të kuptuar në rininë e hershme se, edhe pse luaja shah mirë, nuk do të arrija dot kurrë të konkurroja me mjeshtrit.

Dhe meqë jemi te shahu, ka qenë Burn, një mjeshtër anglez i shahut i shekullit XIX, që pat thënë se “nuk më ka qëlluar kurrë të fitoj një lojë me një kundërshtar të shëndetshëm.” Kjo, duke iu referuar zakonit të mirënjohur të shahistëve, edhe atyre më të mëdhenj, për t’ia atribuar humbjen një gripi, ose drekës së patretur mirë, ose dhimbjes së veshkave, ose majasëllit.

Një nga interpretimet fare anësore të efektit Dunning-Kruger mund edhe të reduktohet kështu: a është statistikisht relevant korrelacioni mes inkompetencës dhe paranojës?

Këtë mundësi nuk e hedh dot poshtë me argumentin se disa paranojakë janë tejet inteligjentë; meqë ekziston edhe kundër-argumenti që, po ajo inkompetencë që nuk të lejon të dallosh inkompetencën tënde, nuk të lejon as të njohësh autoritetin dhe mirëbesimin e kujt po të vlerëson.

Shumë nga ata që nuk kanë vesh muzikor, bëjnë paqe me veten dhe heqin eventualisht dorë nga ambicia këmbëngulëse për t’u bërë Mark Knopfler-i ose Lisa Gerrard e dytë; për të ndjekur shtigje të tjera në jetë.

Por ata pak që rezistojnë dhe ia dalin mbanë, mund të përfundojnë në mallkim për të tjerët. Tha.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


[1] Një analizë më e thelluar e këtij efekti, së bashku me vlerësimet kritike të rezultateve dhe të keq-interpretimeve që i janë dhënë gjendet këtu.

 

8 Komente

  1. tani, mund te dali cdokush e te thote se shkrimi me lart lidhet me komentet ne temen e meparshme, por une nuk e besoj. 😀

    thank you captain obvious, tha.

  2. Nje shkrim shume i mire, permbledhur ne nje fjali, per ne njeri qe nuk e di sa sdi! Sa shume jane shtuar kohet e fundit por fatkeqesia me e madhe jane ata qe kemi siper, se ska trima qe tu thone, sa keq kane katandisur…

  3. Megjithate, une nuk e kuptoj ngulmimin e njerezve te tu japin ketyre xhevap dhe si rrjedhim, rendesi, ne formen e ofrimit te platformes.
    Nese e kupton qe personi eshte jashte fushe, pse rri dhe debaton me te? Pse i flet, dhe pse e le te te flase?
    Per ta edukuar? Per ta diskretituar? Per tu argetuar?
    Nuk e kuptoj.

  4. Ndonese eshte nje shkrim bukur i shkruar, (per kete nuk mund t’ia hame kurre hakun A.V.-t), me kujtoi disonancen konjktive te Fatos Lubonjes ne nje shkrim te tij. Zakonisht pozita e caktuar e dikujt ne shoqeri lehteson trajtime te tilla, ndaj atyre ne pozitera pa pozite. (Sa madheshti ka ne keto raste nje poezi e D. Agollit, pikerisht per keto pozicione “te larta” dhe “te ulta” ne shoqeri!). Duke verejtur -bie fjala- pozicionin e tanishem te aktivistes me te re ne ceshtjen e ambientit, Greta Thumberg, (suedeze, 16 vjec), veme re se, pervec preokupimit te saj (paksa autist) per paksimin e CO2, kemi me shume edhe nje shtytje dhe reklamim te saj nga mediat dhe forca tw tjera prane shteterore/ qeveritare, kjo nga fakti se ajo vjen nga nje familje mjaft e njohur, si dhe nga fakti qe luhet per fitim parash ne kete rast -shiko disa vidio ne youtube. Kemi me mijra te tjere qe bejne perpjekje praktike ne paksimin e CO2-it, por nuk afirmohen fare si Greta, disave u mbeten shpikjet sirtarve te zyrtarve, sic i pershkruan aq bukur Robert Eskarpit tek romani “Literatroni”. Kemi ne Shqiperi njerez qe e paten rrugen te shtruar edhe gjate diktatures, (diktature e zbutur gjate viteve te fundit), kemi njerez qe iken per lesh, ndonese ishin studionjes te paepur. Kishim ne sallen e Bibl. Komb. studente qe nuk rrinin me shume se dy ore per te lexuar dhe sot hiqen si profesore me diplloma e tituj, kishim edhe Zoi Xoxan 80-vjeöar qe rrinte palevizur mbi kater ore ne fjalorin e tij, por qe sot nuk e di kush ku gjindet ky fjalor i pabotuar! Kemi njerez qe per karriere citojne si papagalli cilindo emer zyrtar e tw degjuar, pa patur kurre guximin te diskutojne ne detaje nje problem cfardo, ashtu sic kemi njerez qe as u intereson pozita dhe titulli, por duan ta diskutojne nje problem ne detaj. Kemi njerez qe kur ngecin, hedhin relata te tera mbi gjysmaket dhe te patalentuarit, (turma injorante mahnitet nga ‘ta), ashtu sic kemi njerez qw as kane kohe dhe as e kane mendjen tek keto budadalleqe, -duket ketyre te fundit u mungon geni i karrieres dhe jo vullneti per dije! Kemi njerez qe perdorin fjale te medha gjate gjithe jetes se tyre, kemi dhe nga ata qe jane shkeputur nga keto fjale te medha, per faktin e thjeshte, se 1. gjuha shqipe ka fjalet e veta dhe 2. sot ka rene arsimimi dhe nuk do te kuptohen nga masa, po ti perdorin keto fjale.
    Une per vete jam dakort me te gjitha ato qe shkruhen me lart; biles shkrimi me pelqeu. Por nuk me pelqen qendrimi i autorit, qe duket ka me qejf monologun dhe vetlavderimin, se sa diskutimin e lire. Dhe, panvarsisht se per ke e ka Ardiani shkrimin me lart, per mua, per ndonje tjeter, apo per disa si puna ime, te pakten tek mua (ne ato te ralla komente) ai e ka pare se i pranoj mendimet e te tjerve, kur me duket se tjetri ka te drejte. Per te tjerat pastaj, jo-po specialisti, jo-po kompetenti, jo-po i plotesuari dhe gjysmaku, keto ai mund ti rrahe me ndonje nga Rruzhbulli.

    1. Nuk do të kisha “ndërhyrë” në një rast të ngjashëm por nuk e mohoj dot zbavitjen që më shkaktoi ky koment i cili tingëllon paranojak. Kam paragjykimin t’i trajtoj kësisoj të tilla qëndrime nga njerëz që mund të besojnë se bota sillet rreth tyre e që i njohin vetes rëndësi të paepur. “Kujt i djeg, le ta mbajë”, thotë një shprehje. Nëse artikulli i ndërmend një pjese të lexuesve të gjitha ato raste kur këta janë sjellë si shembujt që kritikohen më lart, reflektimi i heshtur ndaj kësaj gjëje do të bënte më sens se sa apologjitë e shkruara në mënyrë patetike, në mos keqardhëse. Zgjodha ta hidhja këtu në publik këtë mendim të beftë, marrë shkas nga të gjitha herët kur vë re qëndrime të këtilla, të cilat për çdo herë, për dreq, më ngacmojnë. Por sidomos, kur shquaj tendencën për t’iu larguar çështjeve që trajtohen në shkrim e për t’u marrë me shkruesin (cilidoqoftë ky).

      1. Problemi eshte me i thjeshte, G.H.! Ardiani ka disa here qe po me del borxhit, duke ma thene hapur dhe pa ekuivoke, se njohurite e mia jane te pamjaftueshme ne lemin e etimollogjise, jane gjysmake, se une duhet te komentoj neper forume te tjera dhe te mos e ul nivelin e ketushem, etj-etj. Pra, shkrimi i mesiperm eshte edhe per mua! Deri ketu nuk ka gje per tu shqetesuar, as per te vene alarmin, kur kritika behet hapur, packa se me nje doze arrogance. Ndaj dhe une nuk kam pse te fshihem! (Edhe po te fshihesha, ju serish do t’me ironizonit me shembullin e strucit qe futi koken ne rere!) Por problemi eshte, se komentet e mia kane qene modeste, sic e ka thene po vete Ardiani, biles ne temen e fundit une u ndala vetem tek fjalet pa kombesi, duke shtruar si prove kerkesen per sqarimin etimollogjik te fjales “mama”, meqe fjales “baba” gjuhesia zyrtare ia kish gjetur burimin nga Turqia. (Deri me tani nuk kam marre pergjigje dhe jam i sigurte qe nuk kam per te marre as ne te ardhmen!) Tani, perpara kesaj modestie te komenteve te miat, perpara dhe kesaj kundervenie tuajen (Ardiani e ndonje tjeter, tashme edhe ju), a nuk kam dhe une te drejte t’ju tregoj se ju jeni prane atij kufiri (ne mos brenda kufirit) te atyre te perkedhelurve, si rasti/ rastet qe permenda ne koment?! Nuk po kuptoj, kush duket ketu i prekuri dhe kujt i djeg! Nuk po kuptoj se kush eshte ketu ciniku dhe me cmire, dhe kush ai qe nuk merret me keto budadalleqe te shkuara kohes, si pozita, diplloma, titulli, etj.?! Nuk po kuptoj, se kush i ngacmon keto tema “personaliteti” dhe “cilesie” te te diturit dhe te paditurit?! Nuk e kuptoj se kush flet ketu si qehaja hipur kalit dhe kush si njeri me kembe ne toke?! Ngelet vetem t’ju them, qe ju keni te drejte dhe te me falni, qe te mos prekeni se padashur qellova ne rrugen ku ju po kalonit kaluar! Por here tjeter nuk do t’ju dal me perpara, qe te jeni e kenaqur, duke menduar se e gjithe rruga, pse jo bota, eshte e juaja!

        1. Më tepër se një revoltë ndaj trajtimit apo qëndrimit që Ardiani pretendoni se ka ndaj jush, ky koment është fund e krye viktimizues dhe i mërzitshëm. Për shembull, mua si ndjekëse e rregullt e kësaj faqeje, do të më intrigonte më shumë të lexoja një kundërpërgjigje finoke, të ndërtuar mbi bazën e argumenteve reale, ndoshta me një dozë sarkazme nëpër të po të qe e mundur… Kësisoj, ju jo vetëm që do ta përqafonit këtë sfidë, por siç thuhet në anglisht “you would totally own it”. Mbase, një debat i njëmendtë do të kishte dalë atëherë dhe jo një debat dosido, por i atij llojit që do të ngjallte kërshërinë e publikut dhe angazhimin real të tij. Kjo gjë do të më dukej më e vlefshme dhe interesante se sa qurravitjet e tipit: “Ky më shau mua!”.

          Ndaj, për aq kohë sa një qëndrim i një natyre të tillë mungon te kjo përgjigje, e konsideroj të lodhshme dhe fare kot, endjen pafund me komente të cilat thjesht bien sërish në hullinë e daljes shëmtuar nga tema.

  5. Shkrimi më lart më solli ndërmend këtë imazhin: http://i.imgur.com/NRA04M3.jpg

    Gjithashtu, më kujtoi qëndrimin e qeverisë dhe pjesës dërrmuese të politikanëve shqiptarë, të cilët të ballafaquar me dështimin e paaftësinë e tyre politike, nuk patën kurrë guximin të pranonin se patën gabuar (paçka se në rastin e politikës, kjo mbetet një çështje disi më e komplikuar se kaq).

    Në dhjetor 2018 teksa mijëra studentë u ngritën në protestë kundër ligjit famëkeq për arsimin e lartë, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit, në vend që të pranonin dështimin skandaloz dhe t’i nënshtroheshin kërkesave të protestuesve, pa bëzanë, reaguan duke i fryrë më tej gënjeshtrave të tyre dhe duke na thënë se si politika e sjellje më të shkëlqyera se ato të Ramës apo Nikollës, nuk do të gjenim kurrkund në botë!

    Kur Berishën dhe eksponentët e tjerë të Partisë Demokratike (ende në qeveri pas ngjarjes së 21 Janarit), i akuzuan për vrasjen e katër protestuesve të pafajshëm nga godina e qeverisë, këta reaguan me fyerje ndaj viktimave dhe justifikim e glorifikim të vetvetes në postet përkatëse.

    Mua më duket se sjellje të këtila, ndonjëherë, më tepër se thjesht manifestim paaftësie, janë mënyra manipulative, dashakeqe dhe perverse për t’ia hedhur paq.

    Nga ana tjetër, duke u zhvendosur nga spektri politik e duke zbritur në marrëdhëniet banale të përditshmërisë sonë, në rastet kur përballemi me paaftësinë dhe frikërat tona, ne përfundojmë duke u ngërthyer fort pas egos, duke mbrojtur dhe kultivuar më tej atë lloj imazhi për veten që “nuk na i trazon ujërat”. Nuk e di saktësisht se pse ndodh kjo. Ndoshta ngaqë t’i vësh shqelmin egos, kërkon të atillë “soul searching” për të cilin nuk ndihemi gati apo ngaqë jemi pondreqshmërisht të vegjël, plot drama, ndërlikime dhe marrëzi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin