MENDJE-KRISURIT (III)

Në Rusi dhe më pas në Bashkimin Sovjetik kategorizimi i dikujt si “emigrant i brendshëm” mbështetej në praktikën dhe rolin e emigracionit në jetën kulturore dhe intelektuale të vendit. Pa shkuar deri te të ikurit e periudhës cariste – mes të cilëve Lenini, Trocki dhe një numër i madh të majtësh të tjerë – po mjaftohem të përmend ata që u larguan nga Rusia fill pas marrjes të pushtetit nga “sovjetët” në tetor të vitit 1917: një pjesë e mirë e intelektualëve, profesorëve të universitetit, akademikëve, teologëve, shkencëtarëve, shkrimtarëve; përveçse shumë aristokratë dhe të tjerë të implikuar me regjimin dalës, që tani i druheshin dhunës bolshevike. Ca nga këta ikën sepse ishin totalisht të neveritur nga politikat e Leninit; ca të tjerë ngaqë u ftuan, në mos u nxitën të mbledhin plaçkat dhe t’ia mbathnin. Ndryshe nga regjimi i Hoxhës, që figurave të tilla u fuste plumbin pas kokës ose i hidhte në birucë, regjimi bolshevik në fillim druhej të përdorte metoda të forta, të cilat i gjykonte si kundër-prodhuese. Vetëm pasi Stalini konsolidoi pushtetin në duart e veta u bë praktikisht e pamundur për një intelektual të pakënaqur ose të papërshtatur, që të lejohej të mërgonte nga Bashkimi Sovjetik – e megjithatë, kish ende ca si Bulgakovi, të cilët e kërkuan këtë deri edhe në vitet 1930, me bindjen se njëfarësoj kërkesa do t’u njihej. Ndërkohë, emigrantët “e jashtëm” mbeteshin aktivë në fushën kulturore, shpesh pa iu kundërvënë haptazi regjimit të Moskës; madje kish prej tyre që ktheheshin në Bashkimin Sovjetik, pasi ishin sorollatur ca kohë kryeqyteteve të Europës – Prokofievi do të ishte një shembull i mirënjohur, por kurrsesi i rrallë as i vetëm. Edhe Gorki mund të numërohet mes atyre që “u kthyen” në atdhe, pasi qëndruan gjatë në Perëndim.

Shpresa, sado e mekur, e një emigrimi jashtë si ultima spiaggia, në rast se punët shkonin për dreq do të mjaftonte, në shumë raste, për ta ruajtur frymën kritike dhe shpirtin kundërshtues mes shumë intelektualëve në Bashkimin Sovjetik të Paraluftës. Edhe pas de-stalinizimit të filluar nga Hrushovi në mes të viteve 1950, u bë sërish e pranueshme, politikisht, që një politikani, aktivisti a intelektuali problematik a kritik ndaj regjimit t’i ofrohej opsioni i “emigrimit”, pa çka se këtë opsion shumë prej këtyre do ta përjetonin si dëbim. Në rrethanat e kohës, dëbimi do interpretuar si arratisje së prapthi; ose ikje nga “burgu” e imponuar nga autoritetet – kështu i ndodhi Solzhenjicinit i cili u dëbua dhe u dërgua, kundër dëshirës së tij, në Gjermaninë Perëndimore.

Lëvizja e disidentëve në BRSS nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të emigrimit masiv të hebrenjve nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970 dhe shtresës së të ashtuquajturve refuseniks (отказник në rusisht), të cilët ishin të gjithë ata persona, zakonisht hebrenj por jo doemos, që u ishte refuzuar leja për të emigruar, zakonisht për në Izrael. Si rregull, personat të cilëve u refuzohej kërkesa për çatdhesim pushoheshin nga puna dhe pastaj detyroheshin të gjenin ndonjë punë të thjeshtë, si fshesaxhi ose kamerier; përndryshe mund të dënoheshin për parazitizëm social. Lëvizja e refusenik-ëve pati vizibilitet të madh në Perëndim dhe jo rrallë i shërbeu si shtrat disidencës, ose distancimit kritik të intelektualëve, hebrenj dhe jo-hebrenj, ndaj Kremlinit dhe politikave të udhëheqjes sovjetike.

Yurchak-u, i cili nga autorët amerikanë që kanë studiuar Bashkimin Sovjetik post-stalinist duket të jetë ai që i ka kuptuar më mirë dinamikat e shoqërisë dhe të kulturës së atjeshme, vëren se një nga karakteristikat përkufizuese të disidentit në ato vite (1960-1980) ishte se ky e merrte literalisht diskursin autoritativ të pushtetit, dhe se po aq literalisht kërkonte ta kundërshtonte, në emër të një besnikërie ndaj “së vërtetës” dhe demaskimit të rrenave zyrtare. Të tillë ishin, mes të tjerësh, Solzhenjicini në BRSS dhe Haveli në Çekosllovaki. Megjithatë, shton Yurchak-u, ishin të shumtë ata sovjetikë që i konsideronin disidentët si irrelevantë. Yurchak citon antropologen amerikane Nancy Ries, së cilës një grua sovjetike i pat thënë, në vitet para perestrojkës: “Sakharovi për ne nuk ekziston.” Pastaj ai sjell në vëmendje një arsyetim të Josip Brodsky-t, poetit, i cili shpjegon se, për shkak se regjimi [sovjetik] perceptohet si stabël, atëherë disidenti thjesht “hiqet nga lista” (is written off) dhe trajtohet si i sëmurë nga “shumica e shëndetshme”. Për këtë mendësi nga poshtë, ka gjithnjë diçka “psikotike” te mania për të ekspozuar me çdo kusht të pavërtetat, gënjeshtrat dhe rrenat e diskursit zyrtar.

Të rinjtë sovjetikë, vazhdon Yurchak-u, nuk kishin shumë kontakt me disidentët e mirëfilltë, të tipit Sakharov; por mund të njihnin dhe të hynin në marrëdhënie me tipa “të disidentshëm” (disidentvuiushchye, dissident-like në anglisht), që mbanin qëndrim kritik ndaj regjimit, por pa e denoncuar haptazi. Nga pikëpamja e “shumicës së shëndetshme”, këta tipa – thotë Yurchak-u – ishin jo vetëm të çuditshëm, por edhe potencialisht të rrezikshëm, meqë kërcënonin stabilitetin e jetës normale. Sjellje të këtilla, si refuzimi për të paguar “kuotat e komsomolit”, mund t’u hapnin punë të tjerëve dhe të tërhiqnin për keq vëmendjen e autoriteteve. Të intervistuarit nga Yurchak-u pranojnë se sjellje të tilla ngjallnin jo aq frikë, sa “neveri” te të tjerët; dhe se tipa të tillë shiheshin si “me një vidhë mangut” nga moshatarët e tyre. Thotë një intervistuar: “Një gjë është të lexosh Dostojevskin dhe një gjë tjetër të japësh e të marrësh me heronjtë e tij.” Kish nga ata, pastaj, që gjenin paralele mes protestës politike dhe imoralitetit – siç mund të pritej nga subjekte me të cilët edukimi komunist kish pasur sukses; por pa përjashtuar edhe nevojën e parezistueshme për konformim, që mbase ishte edhe ajo pjesë e kushtëzimit ideologjik.

Gjithsesi, shoqëria sovjetike në vitet 1960-1980 ishte tejet më liberale se ajo në Shqipëri, ngaqë pushteti totalitar në Tiranë nuk ishte distancuar aspak nga metodat staliniste të kontrollit, të disiplinimit dhe të ndëshkimit të qytetarëve të vet. Për këtë arsye në Shqipëri nuk kishte disidencë, në atë kuptim me të cilin ky term përdoret për çfarë ndodhte, në të njëjtën kohë, në Bashkimin Sovjetik. Sikurse e kam cekur në pjesën e dytë të kësaj eseje, e vetmja alternativë që u ofrohej të pakënaqurve, të zhgënjyerve ose atyre që nuk e honepsnin dot regjimin ishte distancimi nëpërmjet largimit nga realiteti, ose mbylljes ndaj së tjerëve, skizo-disidencës ose krijimit të një të çare metafizike mes vetes dhe botës. Çrregullimet psikotike nuk ishin veçse një formë ekstreme e këtij distancimi; në ekstremin tjetër do të gjeje sjellje të tilla si “shfaqjet e huaja”, pasioni për gjithçka të huaj, për muzikën dhe letërsinë e ndaluar ose kultivimi i hobbies të vështruara shtrembër nga regjimi.

Jo më kot regjimi e kish shpallur “luftën kundër indiferentizmit” si synim me përparësi të punës politike dhe ideologjike të organizatave të Partisë dhe të Rinisë; sepse indiferentët jo vetëm që nuk merrnin pjesë në jetën kolektive dhe nuk entuziazmoheshin me “arritjet”, por edhe – potencialisht – merreshin me gjëra që nuk i shërbenin “ndërtimit të socializmit”. Kish mes tyre, në moshat e reja, nga ata që i quanin anglezë dhe që respektoheshin prej të tjerëve, mu për shkak të një farë mungese të entuziazmit që tregonin, ose pagatishmërisë për t’u angazhuar në punë edukative. Një nofkë tjetër, më keqësuese, për anglezin ishte menefregist, e cila sillte me vete një konotacion politik, mbase që nga kohët e fashizmit; përkundrazi, cilësimi i dikujt si person (në shprehje të tipit “ai është person, mër jahu”) shoqërohej rregullisht me admirim. E kundërta e anglezit ose e personit ishte gorja, një individ që gjithnjë përfshihej me entuziazëm dhe pozitivitet në performativët e jetës publike.

Një i ri rebelohej haptazi ndaj rendit dhe diskursit zyrtar ngaqë nuk e kish përvetësuar dot mirë teknikën e konformimit (ketman); ngaqë kërkonte “të vërtetën” pa e kuptuar dot diferencën kategorike midis performativit dhe refuzimit përkatës; ngaqë ishte natyrë rebele (ose sociopat) dhe nuk u nënshtrohej dot normave sociale; dhe më në fund, ngaqë ishte i vetëdijshëm se nuk do të ndëshkohej për këtë, siç ishte rasti i fëmijëve nga familje të nomenklaturës. Për këtë arsye, do t’i shihje jo rrallë këta të fundit të shoqëroheshin dhe të kalonin kohën me gjithfarë të papërshtaturish dhe sociopatësh, me të cilët gjenin gjuhë të përbashkët. Për fëmijët e nomenklaturës mos-konformimi ishte jo vetëm kursim energjish sociale, por edhe mënyrë për të rënë në sy. Në çdo rast, privilegji ishte po aq vnye sa edhe neuroza dhe, më keq akoma, psikoza; madje jo rrallë “çunat e Bllokut” bëheshin burim praktikash kulturore disruptive, si qarkullimi i pllakave të gramafonit dhe shiritave të magnetofonit me muzikë rock ose i literaturës Perëndimore përndryshe “të ndaluar.”

(fund; kjo pjesë është mirë të lexohet në vijim të dy të tjerave që i kanë paraprirë)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

11 Comments

  1. Sot po lexoja per “Jezusin plastik” te Lazar Stojanovicit, dhe per faktin se ai gjithsesi e prodhoi si film, qe pastaj u ndalua te shfaqej se ishte kunder Titos. Gjithashtu mori pjese ne levizje anti-qeveritare qe ne 1968, krahasoi regjimin jugosllav me nazizmin, dhe pasi u tall me Titon na e futen ne burg per tre vjet. Mendoni per alternativat qe Stojanovici kishte nen Enverin. Ne ishim te gjithe mish per kasapin tone suprem qe bente si i tekej. Tek ne ishte e veshtire te ishe qofte edhe “i krisur”. Kishte kushte me detajime ekstreme per si e sa mund te ishe “i krisur”. Shume te krisur prej taneve kane “vrare veten” duke u varur ose hedhur nga dritaret e hetuesive ose burgjeve.
    Gjithashtu ideja e dhenies se lirise per t’u perzene nga vendi komunist… imagjinoni cfare fati do ishte per me te fuqishmin ne prestigj nder shqiptaret po ta lejonin te kryente “perzenien nga atdheu”. Te krisurit kudo ne boten komuniste kane qene me me fat, me te lire e sidomos nuk i kishin krisur me cekic kokes, si te krisurit tane. Shume pak nder te krisurit tane mbijetuan. Dhe ata ishin totalisht te izoluar nga prodhimi real ne art, kulture apo letersi.

  2. [Po bëj një rikthim te tema e disidentëve pa pritur fundin e serisë së shkrimeve; apo ka mbaruar seria dhe “vijon” më lart ka mbetur aty nga shkrimi i mëparshëm?]

    Shkruan A.V.:

    Për këtë arsye në Shqipëri nuk kishte disidencë, në atë kuptim me të cilin ky term përdoret për çfarë ndodhte, në të njëjtën kohë, në Bashkimin Sovjetik. […] e vetmja alternativë që u ofrohej të pakënaqurve, të zhgënjyerve ose atyre që nuk e honepsnin dot regjimin ishte distancimi nëpërmjet largimit nga realiteti, ose mbylljes ndaj së tjerëve, skizo-disidencës ose krijimit të një të çare metafizike mes vetes dhe botës.

    Kjo është edhe esenca e “disidencës” shqiptare në regjimin komunist, që disidencë në Shqipëri nuk kishte sepse nuk lejohej të kishte. Në Shqipëri kishte kundërshtarë të regjimit dhe të pakënaqur, sigurisht, por jo disidentë në kuptimin që ky cilësim përdorej atëherë (dhe sot), pra për një person që publikisht kundërshtonte dhe kritikonte politikat e regjimit. Mohimi i rolit publik “ua hoqi” mundësinë kundërshtarëve që të bëheshin disidentë: kush guxonte të t’i kundërvihej haptazi sistemit eliminohej, burgosej apo internohej humbëtirave me gjithë familjen, bëhej i padukshëm për pjesën tjetër të shoqërisë; ndërsa “publiku” për kundërshtarët e heshtur rrallë i kapërcente caqet e mureve të shtëpisë, rrethit më të ngushtë familjar.

    I ati i një shokut tim të fëmijërisë dhe të rinisë, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik në fund të viteve ’50 – pra pas vdekjes së Stalinit dhe në kohën e reformave të de-stalinizimit të ndërmarra nga Hrushovi – dhe i kthyer më pas në Shqipëri, me një intelekt dhe horizont që nuk ndeshej shpesh në provincën shqiptare (ku e degdisën pas kthimit nga jashtë edhe pse, siç theksonte gjithnjë, ai i kishte mbaruar studimet shkëlqyeshëm), një nga ata persona të paktë në Shqipërinë e atëhershme që, siç i ka quajtur diku Kadareja, “shikonin çdo gjë dhe kuptonin çdo gjë”, por që gjithmonë ishte shumë i kujdesshëm që asnjëherë të mos shprehej drejtpërdrejt për politikën, ideologjinë apo sistemin, madje as me fëmijët e tij, siç më treguan më pas. Presioni i vazhdueshëm i sistemit, ligësia e fuksionarëve provincialë dhe frika për familjen në rast se ai “do të binte brenda”, e kishin bërë me hije.

    Pak kohë pas rënies së komunizmit, kur gjatë një diskutimi unë dhe djali i tij filluam të kërkonim disidentët shqiptarë, këshilla e tij – ai atëherë afër pensionit – për ne dy 18-vjeçarët ishte: “Po t’ju bie ndonjëherë në dorë libri Hrushovianët, kërkoni pjesën ku E.H. u rekomandon komunistëve hungarezë si të vepronin me disidentët dhe reagimin e tyre ndaj propozimit të Enverit. Aty do e gjeni pse Shqipëria nuk mund të kishte disidentë si Evropa Lindore”.

    Me xhirim të shpejtë, 28 vite më pas: Hrushovianët gjendet tashmë online dhe pjesën që ai na këshilloi të lexonim e gjeta në faqen 255. Bëhet fjalë për situatën në Hungari para (kundër)revolucionit të 1956-ës dhe rekomandimet e E. Hoxhës për “shokët hungarezë”:

    Në mbrëmje na shtruan një darkë në ndërtesën e parlamentit, në një sallë, ku binte në sy një portret i madh i Atilës, i vendosur në mur. Biseduam përsëri për gjendjen e rëndë që ziente në Hungari. Por dukej që ata e kishin humbur toruan. U them:

    — Ç’bëni kështu, si rrini duarkryq përpara këtij kundërrevolucioni që po ngrihet? Pse bëni sehir dhe nuk merrni masa?

    — Ç’masa të marrim? — tha njëri prej tyre.

    — Të mbyllni menjëherë klubin «Petëf», të arrestoni krerët turbullues, të nxirrni klasën punëtore të armatosur në bulevarde dhe të rrethoni Estergomin. Në rast se nuk arrestoni dot Minxentin, po Imre Nagin nuk e arrestoni dot? Pushkatoni disa nga krerët e këtyre kundërrevolucionarëve që të marrin vesh ç’është diktatura e proletariatit.

    Shokët hungarezë hapnin sytë dhe më shikonin me habi sikur donin të më thoshin: «Mos ke luajtur nga mendtë?».

    1. Të falënderoj për kontributin kaq të nevojshëm. Sidomos sot, që brezave të rinj po u jepet një histori fiksionale e atyre viteve, ku të këqijat reale i kanë zëvendësuar me të këqija imagjinare aq sa, neve që i kemi përjetuar ngjarjet, nuk na mbetet veçse ta zëvendësojmë kujtesën!

      Nuk do ta vazhdoj më serinë – edhe pse e kisha në plan një pjesë të katërt. Prandaj mbase duhet ta heq atë “vijon”…

      1. Nuk do te ishte keq te vazhdohej pikerisht ne llojen e kritikes qe lejonte regjimi. Pasi e kishte futur kritiken ne termin “konstruktiv”, me partishmeri dhe brenda vijes se partise, cdo kritike tjeter ishte armiqesi, prandaj edhe mjeti drastik. Problemi eshte se askush nuk e dinte vijen e partise (ose te udheheqjes). Kjo, konfuzioni ne lidhje me kritiken dhe disidencen, ka sjelle nje peshtjelli edhe per ne te rinjte, qe nuk ja kemi mire haberin asaj kohe. Ai diskutimi mbi poezine e I. Kadarese e ilustron me se miri, por ja edhe dy raste qe me shkojne ndermend.

        Se pari rasti i Thoma Delianes, ish-minister i arsimit. Flitet se e kane cuar te ruante dhente se donte te vendoste sistemin sovjetik te shkolles me 10 vite (ne BS kishte studiuar). Por nuk besoj se ka qene thjeshte ky fakt, te pakten nga arkivat del qe kjo ide kishte vite qe qarkullonte si opsion nder raportet e eksperteve. Ish-ministrja e arsimit, T. Cami, nuk e dinte pse e kishin persekutuar, ose nuk mbante mend a nuk donte te thoshte gje. Nje arsye mund te jete se vete ky mbeshtetej shume tek nje zv.minister qe ishte teknicien i mire, por qejfli (por edhe per keto sistemi dinte te mbyllte njerin sy). Dmth. te gjitha vec jo, por se bashku perbenin arsye per ta degdisur tjetrin ne Spac. Ama nuk mund te pretendohet se ishte kritika ndaj regjimit, apo ndonje arsye tjeter heroike.

        Te Panorama ishte nje interviste e ish-gjeneralit R. Parllaku, ku pranonte se kishte kryer krime lufte (vrare dy rober gjermane) e te tjera qe nuk i tregonte, por rrefente me krenari se kishte punuar ngushte me E. Hoxhen. Kete personazh e dallojne nga sejmenet e Byrose Politike, pse e cilesojne ushtarak (nje tip teknicieni qe i qendron imun dogmave apo politikave te personelit te regjimit), e keshtu na mberrin ne demokraci si hero dhe i pervuajtur. Cfare kritike ka ushtruar ky njeri p.sh. ndaj regjimit? Cilat ishin motivet?

        Qe te kalojme ne ditet e sotme, ka disa gazetare afer pushtetit qe hartojne pikerisht kesi kritikash “konstruktive” ndaj qeverisjes (M. Baze me shkon ndermend), duke kritikuar p.sh. jo politiken, por vendosmerine per ta realizuar, faji i se ciles lokalizohet diku ne nivelin e ulet te administrates. Kjo lloj kritike, ala-Zeri i Popullit gjate sistemit totalitar, eshte si te thuash “default” i cdo gazetari te asaj periudhe, te cilet nuk mund te dalin nga vetja pervetem kur behen pjese te luftrave e llogoreve; e keshtu i bie edhe ta hane ndonjehere.

  3. Ndoshta ne trajtimin e regjimit me kundershtaret – qofshin keta edhe te fabrikuar – meriton te sillet ne vemendje situata e vecante e krijuar me vetevrasjen e Mehmet Shehut. Nga deshmite e personave te ndryshme, por edhe nga mediat ka dale se pas atij akti dhe pas denoncimit te tij nga Enver Hoxha, regjimi nisi raprezaljet ne Mallakaster ku thuhet se pati nje lloj organizimi mbi baze krahinore qe e kundershtonte versionin e Hoxhes. Pati arrestime, internime etj.. Nuk di te kete patur raste te tilla me pare ne Shqiperi kur nga goditja e nje grupi apo personi te kete patur raprezalje mbi baze krahinore dhe afiniteti. Klani po, eshte goditur.

    Oponenca e mallaksatrioteve imiton ne menyren e vet oponencen e nenkuptuar te Shehut ndaj Hoxhes, apo nje rivalitet qe deri ne momentin e vetevrasjes per ta zgjidhur tragjikisht dilemen e trashegimit te pushtetit.

    Disidence nuk do thosha, por nje shembull sesi pavaresisht koraces se jashtme, relacionet njerezore, krahinore apo edhe personale, rivalizonin dhe kontrastonin me versionin zyrtar sidomos me manifestimet e tij te marrezise dhe iracionalitetit.

    1. Sa interesant kjo!
      A mund te me drejtoni diku ku mund te mesoj me shume per kete?
      Faleminderit shume

    2. Kam dëgjuar edhe unë, larg e larg, për Mallakastrën si vatër pakënaqësish politike pas daljes nga skena të M. Shehut. Përshtypja ime është se ata që u revoltuan, ose të paktën që u “distancuan” nga versioni zyrtar i poli-agjentit etj., e bënë ngaqë befas humbën privilegjet e tyre dhe legjitimitetin prej ajke, që u kish dhënë lidhja krahinore me Shehun. Ishin mësuar që të arrinin tek Enveri nëpërmjet Mehmetit. Shehu paskësh qenë bajraktari komunist i një zone kryelartë, me shumë tipare ende feudale. Prandaj vetëvrasja e tij (“vetëvrasja”) u hoqi shumëve arsyen për t’u ndier akoma në krye të punëve ose “tanët” – madje duke u mbyllur shumë dyer në Tiranë.

  4. Une mendoj se Shehu ishte i vetmi nga udheheqja komuniste e pas Luftes qe justifikonte aureolen e heroit te nje lufte qe u glorifikua. Por ai nuk ishte kurre i dashur ne Parti e cila u identifikua perhere e me shume si prone e Hoxhes. (Nuk di te kete qene ne krye te puneve dikush nga Mallakstra ato kohe pervec Shehut vete, Fecor Shehut qe iku bashke me te pak me vone dhe Veli Llakajt si shef Shtabi te Ushtrise i cili vete ishte nga Krasi i Tepelenes, por qe ka qene me Mallakastren deri vone).

    Kjo dhe karizma e tij e burrit te serte, e shqiptarit te dikurshem, bashke me operativitetin e jashtezakonshem kane ndikuar ne krijimin e nje identiteti unik dhe disi te huaj per standardin e kohes.

    Me kane thene se dikur kur shkoi ne Shkollen e Marines ne Vlore ku i kishin shtruar nje dreke per koke te drekes, u zverdh ne fytyre, nxori leket nga xhepi i la ne tavoline dhe iku. Gjeste dhe situata qe p.sh nje figure e sofistikuar si Hoxha as do lejonte ti ndodhnin. Nga ana tjeter liria per te “improvizuar” kesi gjerash me nje njeri si Shehu eshte edhe ane e forte ne raportet njerezore sepse ta zeme me Hoxhen qe ishte shume i larget, dicka e tille as qe mund te imagjinohej. Hoxha kultivoi largesine si mjet per te mbajtur lidhur imagjinaten e njerezve. Ai ishte ne qiell, Shehu ne Toke.

    Ndaj them se eshte e vertete qe ne Mallakster shikonin tek ai njeriun e tyre Lart, por jo per te marre favore vetem. Ishte edhe nje lloj krenarie lokale, nje vanitet nese duam, tipik per ato zona.

    Me kane thene se pas vetevrasjes se tij ne Mallakster vinte perdite Zylyftar Ramizi, shef i Sigurimit te Shtetit, vete nga Mallakstra dhe vellai i heroit Ramiz Aranitasi. Me kane treguar njerez qe kane qene ne mbledhje me te kur ai u bente thirrje dhe u terhiqte vemendjen si me lutje njerezve te zones qe “ta linin kete muhabet”, se “Partia do sqaroje gjithcka per te verteten e Mehmet Shehut”. Por jo duke kercenuar. Raprezalja nisi pak me vone, pasi u lexua se kundervenia do te mbetej ne pakenaqesi. Askush nuk besonte se Mehmet Shehu ishte poliagjent. Kjo ishte ceshtja, por nuk ishte e vogel. U thirren njerez per keshillim edhe pse vizitonin familjare te internuar duke u terhequr veshin se po gabonin.

    E vrau qeni, ja nje thenie qe u degjua nga goja e veteraneve ish-partizane. Ne media ka dale se ne ate kohe u krijua edhe nje organizate “Oshtima e Vjoses” mbi te cilen Hoxha nisi goditjen. Sa e vertete te jete?!
    Me shume sesa me pushtetin une mendoj se kjo situate lidhet me kohen e luftes. Pasi jemi ne nje zone kryesore te levizjes dhe eshte e veshtire qe t’u thuash njerezve se “njeriu juaj ka qene hale”. Po goditej nje pjese e te vertetes dhe narratives se pushtetit, qe jeton me gjate ne kujtese.

    A kishte dy rryma? Pra Hoxha dhe Shehu? E veshtire te thuhet.

    Rastesisht me kane rene ne dore kujtimet e nje ish-drejtori ne Ministrine e Brendshme, shkruar vetem per familjen. Aty kupton se edhe ne vitin 1980-81 fjala e Shehut ne Ministri ishte ligj dhe se Kadri Hazbiu ne nivel administrativ dhe hierarkik ishte ne lufte permanente mbijetese dhe mosbesimi edhe me dy bashkepunetoret e tij zv,ministra. Per nje ngjarje te rende ne Elbasan, Shehu dha urdher te arrestoheshin menjehere disa njerez, nderkohe qe Ministria po bente hetime. Hazbiu vete pasonte urdherin me ulerima, kurse nga ana tjeter kerkonte hetim rigoroz. Cka le te kuptohet se presioni dhe lufta mes paleve ishte e vazhdueshme dhe pergjonte cdo gabim. Ne ato kujtime shkruhet edhe se eshte kerkuar nga Kadri Hazbiu qe Fiqrete Shehu te shtrengohet te tregoje, por kjo pa i vene ekipit hetimor dosjet perkatese. Kerkohej pohimi dhe kaq. Klime mosbesimi e plote.

    Te njejten qasje ruan ndaj Hoxhes, apo menyres sesi ai vepronte edhe Sofokli Lazri ne kujtimet e veta botuar ne vitin 2003 mos gaboj. Lazri thote ne nje menyre apo tjeter se Hoxha e goditi Bregun, kur ne krye te puneve ne Vlore u vu Hysni Kapo. Ai rrefen madje nje takim apo kontakt me Hoxhen ne Kongresin e Permetit, qe i la te kuptonte ftohtesine e liderit komunist. Mirepo me pas Lazri mbijetoi dhe sot veshtire te gjesh dike nga Bregu qe ka qene ne pozite te doje Shehun e te percmoje Hoxhen. Si e qysh u krijuan keto raporte eshte e veshtire te gjurmohet, por duhet te pranojme se Hoxha ne fund zgjodhi ke do kishte besnike. Pra besnike mund te donin te ishin te gjithe, por ai edhe ketu zgjodhi vete.

    Shehu sfidoi edhe me ikjen e tij njefaresoj. Me karakterin e tij me shume sesa me arsyen. U vetevra. Ky ishte versioni zyrtar. I pari qe nga Nako Spiru. Pastaj doli poliagjent. Sa komunist ishte pra?

    Nuk eshte e qarte nese do te mund ti benin proces, do ta nxirrnin ne gjyq apo jo. Por me ikjen e tij disa zona, qe tradicionalisht e kishin identifikuar veten me pushtetin, pushuan se qeni aksionere nese mundt te themi keshtu ne disa te verteta zyrtare qe deri me ate moment i asocionin me Shehun. Dhe ketu del serish ne skene Lufta si ndermjetese e marredhenieve, si Gjeneza.

    1. Jo, une me fakt doja te mesoja dicka me shume per kete, te themi, zemerim te koordinuar te Mallakastres – zemerim qe, nese eshte i vertete, do ishte i vetmi rast qe regjimi komunist nuk e ka shkelur me zjarr e hekur.
      A ka mbijetuar ndonje dokument i Partise apo Sigurimit, apo makari ndonje memuar i ndonje zyrtari apo di une cfare, qe flet per kete pune…
      Kjo, nese eshte e vertete, e ndryshon komplet narrativen e historise se komunizmit shqiptar ne dy dekadat e fundit te tij.

  5. Mehmet Shehu ka qene kriminel lufte dhe misherim i njeriut turisez, te dhunshem dhe shpirtkazem. Ka masakruar dhe ka marre ne qafe shume te pafajshem. S’ka asgje redemptive as ne portretin e tij, as ne lektisjen e malokerise te Mallakastres pas tij – histori e dhjere shqiptare me qehallare e me sejmene.

  6. Here’s to the crazy ones, the misfits, the rebels, the troublemakers, the round pegs in the square holes… the ones who see things differently — they’re not fond of rules… You can quote them, disagree with them, glorify or vilify them, but the only thing you can’t do is ignore them because they change things… they push the human race forward, and while some may see them as the crazy ones, we see genius, because the ones who are crazy enough to think that they can change the world, are the ones who do.
    — Steve Jobs, 1997
    https://fs.blog/2016/03/steve-jobs-crazy-ones/

Comments are closed.