Fjala e shkrimtarit të njohur grek Manos Kondoleon, mbi librin e Ardian Vehbiut “Ndërhyrjet e z. Shyti” dhe “Kusuret e z. Shyti”, gjatë prezantimit që u bë në Athinë, në datën 10 nëntor të vitit të kaluar, nga shtëpia botuese greke “Plethora”. Botimi në greqisht është një përmbledhje e teksteve të të dyja librave të z. Shyti në shqip, por që mban si titull të vetëm, “Ndërhyrjet e z. Shyti”.
Përktheu: Eleana Zhako
“Ndihesha lexues dhe shkrimtar i Perëndimit, por jo ballkanas”
Duke pasur si shtysë letërsinë, mund të njohësh veten, të komunikosh me tjetrin, të kuptosh fqinjin. Letërsia sjell afër individë dhe grupe të ndryshme njerëzish; krijon përqasje të një rëndësie të veçantë, zbut mosmarrëveshjet, mendësitë mbizotëruese dhe krijon ura lidhëse mes ideologjive ndarëse.
Si popull, nuk mund të pretendohet që lexojmë shumë letërsi. Megjithatë, në bazë të numrit të popullsisë, janë më se të shumtë, librat e përkthyer në greqisht nga letërsia perëndimore (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani), madje edhe plot vepra nga letërsia e vendeve të tilla, si: Japonia, Kina, Amerika Latine.
Në këtë prizëm, do pritej nga lexuesi grek, që t’i kushtonte rëndësinë e duhur edhe letërsisë së kombeve të afërta, siç janë psh, Bullgaria dhe Shqipëria. Por, nuk ndodh diçka e tillë. Përse-ja është një pyetje, që as unë nuk jam plotësisht i përgatitur t’i përgjigjem dhe të parashtroj arsyetime konkrete. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mos bëj gjithë këto përsiatje, tek jam duke lexuar librin “Ndërhyrjet e z. Shyti”. Letërsia shqiptare është përcjellë në Greqi, përmes një numri të rëndësishëm shkrimtarësh shqiptarë. Kur them “një numri të rëndësishëm”, më duhet të pranoj, që nuk jam në gjendje të justifikoj sasinë e këtij numri, nëse janë pak apo shumë, pasi nuk e di sa shkrimtarë bashkëkohorë ka sot Shqipëria, që të mund të jap një gjykim, dhe sa prej tyre kishin fatin dhe mundësinë të përkthehen në greqisht.
Natyrisht, që Kadareja është më i njohuri – dhe jo pa të drejtë. Së fundmi, kam zbuluar dhe disa të tjerë, ndonëse sipërfaqësisht, si: Besnik Mustafaj (1958) dhe Fationa Muçën (1988); por edhe Virion Graçin (1968), Ben Blushin (1969), etj. Të gjithë të lindur para ndryshimeve politike në Shqipëri.
Por, askush prej tyre nuk ka arritur deri tani, të përqafohet nga një numër i madh lexuesish grekë. Por, brenda kësaj problematike, nuk mund të lë pa përmendur edhe Telemak Koçën, një shkrimtar tashmë i afirmuar në Greqi, i cili shkruan libra në greqisht mbi jetën e minoritetit grek në Shqipëri. Librat e tij, njihen dhe vlerësohen prej lexuesit grek. Por sidoqoftë, janë libra që janë shkruar nga këndvështrimi i një minoritari të lindur në Shqipëri dhe jo të një shkrimtari shqiptar.
Me fjalë të tjera, mund të them, që si lexues, nuk kemi treguar ndonjë interes të veçantë për letërsinë e vendeve fqinje. Të paktën, përsa më takon mua, mund të them, që nuk më tërhiqte ideja e angazhimit me letërsinë e vendeve fqinje. Ndihesha lexues dhe shkrimtar i Perëndimit, por jo ballkanas.
***
Gjithë këto mendime më lindën pas leximit të librit të Ardian Vehbiut. Shkrimtari ka lindur në Tiranë, por këtu e shumë vite jeton dhe punon në New York. Por, ai shquhet për një krijimtari të dendur letrare, gjuhësore e publicistike. Libri e ka titullin “Ndërhyrjet e z. Shyti” dhe është një përmbledhje… Por çfarë përmbledhjeje? Po e nis analizën time nga kjo pyetje.
Tekstet e shkurtra që përfshihen në këtë libër, kujt kategorie letrare i përkasin?
Sigurisht, që nuk janë tregime; dhe as rrëfenja. Nuk kanë një plot, dhe as intensitetin dhe tensionin sentimental, që përkon me këto kategori. Vinjeta atëherë? Besoj se po, pasi e dua shumë këtë zhanër dhe jam rritur me vinjetat e Pavlo Nirvanës, Pavlo Paleologut, Eleni Vllahut..
Ky zhanër është gati i zhdukur sot ose është shndërruar në diçka tjetër, që nuk depërton në thelbin e të përshkruarit, por thjesht e përshkruan. Si vinjeta, i lexova tekstet e kësaj përmbledhjeje.
Por, le të kujtojmë edhe njëherë veçoritë e zhanrit të vinjetës; të përcjelli emocion, të përshkruajë kushtet ndikuese, të analizojë ose interpretojë. Të ndërgjegjësojë me mënyrën e vet.
Si vinjeta i lexova më tepër “tregimet” e z. Shyti. Vehbiu, mjeshtërisht, arrin të përçojë të gjitha këto tipare, përmes gjetjes së personazhit të z. Shyti dhe sendërtimit të tij.
- Shyti ka njëfarë moshe dhe falë njohurive të tij të gjera, arrin të japë një gjykim tërësor mbi ato çka ndodhin në vendin e tij, por edhe në botë. Është mendimtar dhe filozof. Mendimet dhe gjykimet e tij i ndan me auditorin e tij të kafenesë; nuk mësojmë rreth “filozofisë” të tij nga vetë personazhi – dhe kjo është një tjetër gjetje e Vehbiut – por, përmes këtij auditori.
Rrëfimi kryhet në vetën e parë shumës. Nuk janë thjesht mendimet e një personi, por të një bashkësie – mbi çfarë u tha, por edhe mbi ndikimin e tyre.
Ja pra, se si stili dhe struktura klasike e vinjetës (kronografisë), zhvendos këndvështrimin nga individi te shumica, nga mësuesi te nxënësit e tij. Një gjetje origjinale, dhe që ka një peshë të veçantë sociale. Ato çka rrëfen z. Shyti kanë origjinë kohore të ndryshme, por marrë së bashku, ndërthurrin të tashmen me të shkuarën, madje edhe me të ardhmen e shoqërisë. Mënyra e rrëfimit të z Shyti, i ka rrënjët në lashtësi.
Të kujton Akademinë e Platonit, vetëm se këtu – ja edhe një gjetje tjetër – dialogjet nuk kanë natyrë peripatike, por zhvillohen gjatë kohës, që dëgjuesit e z. Shyti pijnë espresso-n e tyre. Z. Shyti analizon, shpjegon me mënyrën e tij gjithëpërfshirëse, mbi gjërat që ndodhin në vendin e tij dhe vendin tonë fqinj. Por, nuk është vetëm kureshtja për vendin fqinj, që na shtyn të lexojmë tekstet me një frymë, pasi pavarësisht se z. Shyti i referohet një zone të caktuar, rrëfimet e tij kanë të bëjnë me një epokë të tërë, me gjithë Ballkanin, Europën dhe gjithë Perëndimin.
Dhe kjo është mënyra e duhur. Nga E Pjesshmja në Tërësi dhe nga Tërësia në Të Pjesshmen.
Do përqëndrohem në dy tekste që të shpjegoj lidhjen e të pjesshmes me të tërën dhe anasjelltas.
Te pjesa që flet për kalimin nga kafe turke në espresso:
Vërtet, tha z. Shyti, kjo espresso-ja që ka hyrë tani, duke zëvendësuar, më mirë të them, për të zëvendësuar Turqinë me Italinë, Lindjen me Perëndimin, sikur kërkon të na thotë se, së bashku me teknologjinë e përgatitjes së kafesë, po ndërron edhe mënyra si e shohim të ardhmen: jo më si mesazh të shifruar, në pritje të leximit ekspert; por si mjegull a njollë, kaotike, që nuk lexohet dot më.
Ndërsa tek pjesa me titull “Z. Shyti nuk i shmanget banalitetit, për hir të saktësisë historike”, pas përshkrimit kaq të gjallë dhe teatral të ekzaminimit rektal të një gruaje, ish-drejtoreshës së fabrikës së shajakut “Veiz Syko” (gjatë kohës së komunizmit) nga një doktor me emër, i cili gjatë ekzaminimit të zonës peri-anale të Aretisë kishte parë lajmin e vdekjes së një politikani të rëndësishëm kinez (kjo për arsye, pasi në atë kohë gazeta përdorej si letër higjenike), z. Shyti, duke folur në emër të të tërëve, konkludon: “z. Shyti qeshi pak dhe u përgjgj kështu: në kohën e komunizmit, ishin gazetat që fotokopjoheshin në prapanicat tona ndërsa tani janë prapanicat edhe pse jo doemos ose të paktën edhe jo tonat këtu, që fotokopjohen në gazetat”.
Teksti në greqisht:
http://manoskontoleon2.blogspot.com/2018/11/blog-post_30.html
(c) i përkthimit: Eleana Zhako
(Falënderojmë nga zemra Eleanën që e mundësoi këtë botim në shqip – sikurse ka bërë dhe kaq e kaq herë të tjera, për ne dhe gjetiu.)
Urime per perkthimin ne vendin fqinj te vepres suaj. Ne fjalen e shkrimtarit Kondoleon vihet ne dukje me te drejte edhe boshlleku I njohjes se letersise bashkehore ndermjet dy vendeve, ku ky perkthim mund te kontribuoje pozitivisht.
“z.Shyti qeshi pak dhe u pergjigj:Ne kohen e komunizmit ishin gazetat qe fotokopjoheshin ne prapanicat tona,ndersa tani prapanicat edhe pse medoemos jo te pakten,edhe pse jo tonat,fotokopjohen ne gazeta” ilustrim i perkryer sarkastik i periudhes postdiktaturë si vazhdimësi adrijo vetem ne Shqiperi.Shkrimi i autorit grek është shtjellues dhe dashamires,me nje thjeshtësi çarmatosëse,duke vënë në spikamë librin e A.Vehbiut,si vlerë e mirfilltë e letrave Europiane,ku menyren e shkrimit të librit,e sqaron përmes kronografisë,e njohur që në lashtësi me anë të Platonit:E Tëra si e Pjesshme dhe e Pjesshmja si e Tërë.Urime të çiltërta dhe të thella,për librin e fundit në dy pjesë,botuar në gjuhën greke,nga shkrimtari dhe publicisti Ardian Vehbiu.