ALEANCAT POPULLORE

nga Arjan Shahini

Rezultatet aktuale të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë dhe numrin e madh të personave që janë shkarkuar për korrupsion, për kontakte me krimin e organizuar dhe mangësi profesionale, tregojnë se sa më lartë në hierarkinë e gjyqësorit, aq më i korruptuar gjykatësi. Vendimmarrja për zgjedhjen e individëve, në këto nivele, është politike. Prandaj tërheq vëmendjen një dukuri interesante që të kujton aleancën e vjetër të burokratëve me regjimin totalitar. Ai sot paraqitet në kapjen e drejtësisë, në politizimin e skajshëm të administratës publike dhe në lidhjen e fortë të bisnezeve me tre partitë kryesore, duke përfshirë këtu edhe mediat që kryesisht u përkasin këtyre sipërmarrjeve.

Lista e gjykatesve qe kane kaluar vetingun ne vitin 2018

Rezultatet e procesit të vetingut deri në Dhjetor 2018.

Pretendohej, qoftë nga regjimi, e qoftë nga kundërshtarët e tij, se pushteti totalitar i Partisë së Punës bazohej në aleancën me klasën punëtore dhe zbatimin e luftës së klasave. Sot, shumë të djathtë e perceptojnë regjimin e dikurshëm si një shtypje ndaj klasave të përmbysura, që përfaqësonte shtresën e tregtarëve, kulakëve e fshatarëve të pasur. Ata e shohin veten si pasardhës së një aristokracie dhe elite që regjimi u përpoq ta shuaj në aleancë me vulgun ziliqar.

Por a kishte vërtet një aleancë të tillë që e mbante regjimin në pushtet dhe nxiste luftën e klasave? A ka qenë kjo aleancë një faktor i rëndësishëm për stabilizimin e pushtetit, së paku në vitet e para (më pas regjimi mund t’i kthehej edhe vetes, sikur ndaj “pashallarëve të kuq”).

Nga një vrojtim jo sistematik i statistikave mbi politikat e ndëshkimit dhe ato të shkollimit, mendoj se ka pasur një aleancë të kadetëve të Partisë kundër fshatit, por jo medoemos pro proletariatit. Kjo mbështet tezën se, me stabilizimin e aparatit shtetëror aleanca mbajti hapur mundësitë për mobilitet social të klasës punëtore, kryesisht për të ushqyer radhët e partisë, por themeloi një aleancë të re me burokratët në dëm të fshatarësisë dhe shtresave të varfëra. Kjo aleancë vazhdon ende, e mund të shërbejë si shtysë për analiza të mëtejshme nga kjo perspektivë.

Kujto.al, që është kthyer në një arkiv interesant të krimeve të komunizmit, ka publikuar së fundmi disa lista të personave të dënuar në periudhën 1946-50 (rreth 250 persona). Këto lista janë transkriptuar nga regjistrat e mbajtur në atë kohë dhe përmbajnë të dhëna për dënimin me burg, shtresën sociale dhe akuzën.

Sikur vërehet nga grafiku i mëposhtëm, pjesa më e madhe e të përndjekurve në këtë periudhë janë të varfër, kryesisht fshatarë dhe qytetarë të varfër. Për nga mosha, shumica janë të rinj dhe mosha mesatare e të dënuarve është 30 vjeç, por mediani është 26 vjeç. Ndërsa mesataren e viteve të dënimit këto grupe e kanë njësoj. Përqindja e banorëve të fshatit në këtë grup (66%) korrespondon afërsisht me popullatën e asaj kohe (70%).

 

Liste e personave të dënuar me burg gjatë viteve 1940-50

Ndërsa deri nga vitet 60 këto raporte duken të ketë përfaqësuar segmentet përkatëse të popullsisë, nga vitet 70 kemi një rritje të “persekutimit” të klasës punëtore dhe fshatare. Ndoshta  aleanca me proletariatin qëndron vetëm në ideologji. Në statistikat e dënimeve për çështje penale, nga vitet 80, ka rritje të numrit të të dënuarve me origjinë klasore nga proletariati dhe këtu ata përfaqësohen më shumë se raportet e tyre në popullatë, sidomos në krahasim me kooperativistët.

Të dënuar në vitet 80 sipas origjinës klasore.

Në arsimin e lartë studentët në fundvitet 80 vinin kryesisht nga familjet e nëpunësve të shtetit, edhe pse njëkohësisht ishte rritur numri i nxënësve që përfundonin shkollat e mesme të përgjithshme. Kjo dukuri është vërejtur edhe në vendet e Europës Lindore që kishin një traditë të gjatë në pabarazi të tilla. Sot statistika të tilla, mbi statusin social të studentëve, nuk mblidhen. Edhe politika të ngjashme si “affirmative action” në SHBA, apo gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri e Bashkimin Sovjetik për mbështetjen e klasës punëtore, nuk ka (përveç kuotave të veçanta për familjarët e ish-të-burgosurve politikë).

Studentë të regjistruar në Universitetin e Tiranës sipas origjinës klasore

Të dhënat nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Tiranë, Arkiva Vendore. 1988.

Për ta përmbyllur, një pjesë e kusureve më sistemin politik sot vjen nga regjimi i dikurshëm dhe aleancat politike ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore (klasave). Tani pyetja është, a është kjo formë analize, që përdor konceptin e “përkatësisë klasore” për të shpjeguar dukuri politike, po aq konspirative sa edhe ata që besojnë në kontrollin e përqëndruar politik të një grupi individësh, p.sh. “Katovica”? (Për të dhënat e paraqitura në këtë shkrim: shih listën këtu).

2 Komente

  1. Diktatura e proletariatit nuk udhehiqej nga proletariati. Kur Michels nxori ligjjn e hekurt te oligarkise, analizoi partite e majta si ato qe hiqeshin e hiqen si me demokratike. Katovica mund te ekzistoje, mund te mos ekzistoje por struktura oligarkike ( elitiste) e partive dhe politikes eshte ligj, te cilin kane 100 vjet qe e sulmojne, por faktet jane fakte. Kjo prirje e sotme nga ish majtiste perendimore drejt demokracise direkte apo pjesemarrese, tregon qe Michelsi ka pare drejt, se sado demokratike te duket ne pamje te pare apo ne fillesa, cdo parti e cdo sistem strukturohet fatalisht ne oligarki, pushteti real ne duart e te pakteve. Qe ne universitet do te shkonin shumica femijet e nepunesve ky ishte ne logjiken e ligjit te hekurt te oligarkise. Kjo do te riprodhohej biologjikisht nepermjet universitetit/diplomes se femijeve te nepunesve. Ketu nuk ka konspiracion, ketu ka fakte per nje fenomen qe eshte vertetuar qysh para 100 vjetesh. Ky eshte fenomen universal, ne cdo kohe e ne cdo sistem, gjithe puna eshte qe si te mbahet ndonje dritare hapur qe te mos qelbet politika nga era e mbyllur. Vota jep ndofare ajrosje tek elita politike, por vetem ne ato vende ku vota eshte e lire. Demokracia ne teresi eshte koncept i diskutueshem, vota e lire eshte i vetmi fenomen i rendesishem demokratik. Sa me e lire dhe e cliruar te jete vota e sa me shpesh te votojne njerezit, aq me teper injektime demokracie ka sistemi politik (apo partia politike).

  2. Drejtesia ne lemin e drejtesise bazohet ne ligje te sakta e te qarta. Kur keto ligje -sipas avokat Ngjales ne nje shkrim/interviste te para pak ditesh- jane bere sot nga aleatet tane gjermane dhe amerikane, kur vete legjislacionet e ketyre dy vendeve jane nje xhungel e padepertueshme per qytetarin e thjeshte, kur ne keto vende je i lire te besh cfare te duash po pate para dhe pushtet, sic e tregoi dhe vendimi i fundit i para pak diteve i gjykates se Dyseldorfit per mosgjettjen e as edhe nje njeriu fajtor ne vdekjen e 21 vetave dhe plagosjen e qindra te tjerve ne korrik 2010 ne Duisburg, panvarsisht se filmimet (shiko youtube) tregojne qarte gabimin, ose papergjegjshmerine, ose pregatitjen e policise ne kete krim-tragjedi, kur -pra- ne keto vende perendimore behet drejtesia sipas qejfit te Maliqit, cfare do presesh nga Shqiperia!?!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: