Përgatiti, Eda Derhemi
Më poshtë botohen dy tekste të çmuar si për vlerën dokumentare për pikturën tonë dhe mendimin estetik shqiptar, si për njerëzillëkun e dashurinë mes njerëzve që shprehin, si për historikun e Tiranës dhe tironasve të hershëm që ndonjëherë vazhdojnë të ruajnë me hijeshi dhe përulje disa tabijate që sa vijnë e rrallohen. Teksa notoj prej kohe në ujërat e moshës së mësme, nga historitë që më fort më interesojnë janë ato që më ndreqin një dije të pasaktë. Këto dy shkrime kallëzojnë edhe sa patriotë e të hapur qenë tironasit e viteve të Luftës, dhe sa bënë për çunat e malit dhe komunistët klandestinë. Nuk e dija mirë këtë dikur: e kishin fshirë, s’ma thoshin mjaft nga frika a turpi ndoshta. Më vret të shoh si u fshikulluan në dekadat e Çlirimit, e si ditën me e ul kryet pa e ul shpirtin. Edhe për këtë arsye u emocionova kur lexova shkrimet. Më dha shpresë e gëzim edhe të shihja një çunak nga Tirana që një mëngjes të qetë tirone merr e i shkruan letër e i kërkon drejtim Henry Matisse-it, e që pastaj bredh, jep e mëson nëpër botë pa asnjë kompleksitet provincial, kur bota e tij kish qenë deri atëherë qyteti i vogël me avlli të ulëta, rrugë me baltë e kalldrëm, me hurma e fiq që s’kish shumë që qe kryeqytet i një vendi edhe më të varfër se ai vetë. Kjo vetëdije e rëndë dhe e thellë nuk është rastësi e as shmangie. Ajo karakterizon njerëz që respektin për veten nuk e ndërtojnë me mund e racionalitet, nuk e kanë as të mësuar e as të imituar. U buron nga integriteti i vet si qenie dhe nga mëkimi natyral i moralit, dashurisë dhe së bukurës prej një rrethi njerëzor të ngjeshur e të principshëm që herët në fëmijëri.
Shkrimi i parë është një mejtim i bukur i piktorit të talentuar Sadik Kaceli në çastin kur, pas 50 vjetësh, rikthehet në Paris, qytetin ku, para Çlirimit, për pesë vjet pat kryer studimet në pikturë. Sadik Kaceli, për fatin e tij të mirë e të keq, u la në hije nga diktatura e proletariatit të jepte mësim në Liceun Artistik, por u lejua të krijonte. Nuk ia vlerësuan sa duhet punën, sido që ishte e jashtëzakonshme, por as e vranë a sikterisën, si të tjerë pjesëtarë të familjes tiranase të Kacelëve. Shkrimi i dytë hedh dritë në të shkuarën e Sadik Kacelit (dhe familjes) si njeri, nëpërmjet disa episodeve si foto të shkëputura, sjellë e shpjeguar me dashuri për piktorin, prej një admiruesi të tij të hershëm, Astrit Deliallisit, profesor emeritus në Institutin Bujqesor. Të dy shkrimet janë si dy sy të ngrohtë që na vlejnë të shohim me dashuri një botë ndoshta e ndonjëherë të harruar, që na bën mirë.
Ia admiroja e shikoja shpesh pikturat Sadik Kacelit në Galerinë e Arteve. Që fëmijë adhuroja protretin e fshatarit; dy, në mos gaboj. Më vonë e vlerësova për realizmin, humanizmin, por edhe për pangjashmërinë me manierat dhe kanunet e realizmit socialist. Më bënte krenare. Por s’dija asgjë për të. Ka disa muaj tash, që mendoj e kërkoj nga mundem info për diçka që po shkruaj, e kështu fati më hodhi të kem nevojë të flas me një Kacel. Këtë fundviti në Tiranë, im atë, po ashtu tironas i vjetër, më sugjeroi të flas me Buronin, sido që nuk e njihte nga afër. Ime motër i gjeti numrin e i shkrova Buronit se kisha nevojë për një intervistë. Më priti menjëherë. Ishte një burrë i pashëm e energjik, me mençuri të qetë, e një estet i natyrshëm. Nuk e njihja. Ia gjeta studion me ndihmën e frutashitësit të bllokut në rrugën “4 Dëshmorët”. E intervistova në studion e vet, jo më shumë se 5 minuta ecje nga shtëpia ime. Në atë intervistë, që nuk lidhet me këto shkrime, u njoha edhe me këto dy materiale që po botoj këtu. Buroni, edhe ai piktor si i ati, me një spektër të pasur dhe të shumëllojshëm krijimesh që rritet dhe është vazhdimisht në kërkim, i kish botuar të dy shkrimet në dy faqe FB-u për Sadikun si piktor dhe për Kacelët (Kacelt, siç thonë tironasit), që administron bashkë me familjarë të vet. Mendova që do mbaronim në rreth gjysmë ore, por ishte kënaqësi e veçantë të diskutoje me Buronin për të atin dhe familjen. U preka nga pozitiviteti i asaj bisede. Kish aq shumë dashuri e mirënjohje në mënyrën si Buroni fliste për të atin dhe njerëzit në përgjithësi. Nuk dëgjova një qarje, një sulm, një fjalë të keqe në gati dy orë që ndenja me të. Pasi pashë pikturat e Buronit, një piktor i pjekur me nje galeri të gjerë si nga stili ashtu edhe nga tematika, ai më ftoi të shihja pikturat e të atit. Ishin në katin e dytë të studios së gjerë të mbushur me punë. Studioja imitonte një lloj shtëpie karakteristike tiranase, si hajat i lartë dykatësh, me shkallë që çonin në rrethoren me parmakë të katit të dytë, mbi një faqe të së cilës dy dritare funksionale thithnin dritën nga Veriu. U ngjitëm lart, siç edhe ndihej qartë nga çdo fjalë se qe edhe pozicioni jashtëkontekstual ku Buroni vendos të atin si prijës të vetin dhe si piktor. Kur ecte para pikturave të të atit, disa varur, disa mbështetur mbi parmakë, i rivlerësonte dhe adhuronte sikur sa t’i kish parë. Më bëri përshtypje që atë e bir kishin stile shumë të ndryshme, sido që plot motive janë të përbashkëta. Më mbeti mendja si Buroni fliste për të atin. E kisha shok dhe mik, thoshte, me një dritë që nga sytë i binte mbi gjithë shprehjen. Fatlumë të dy, mendoja unë.
Kam bërë pak ndryshime në dy shkrimet, kryesisht drejtshkrimi, pikësime dhe disa qartësime. Standardin e vjetër si dhe të folmen tironase, atje ku shfaqet në të dy shkrimet, e kam lënë siç ishte. Jua përcjell me dashuri këto dy shkrime shkruar po me dashuri për njerëz të bukur.
[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
Shkrimi 1
Refleksion prej Sadik Kacelit pas vizitës së vet në Paris më 1990, e para pas studimeve kryer atje para Çlirimit: “Pas kthimit nga Parisi”
Tashma po mbush të tetëdhetat dhe kur hedh vështrimin mbrapa në kohët e kalume shikoj plot ngjarje, punë, andralla, gëzime, deziluzjone, suksese nëpërmjet te cilave njeriu kalon nëpër jetë.
Nganjëherë kthehem me mendime në vitet më të hershme të jetës sime, kur nji fëmijë kambëzbathur e flokpaqethur, pasi kisha vrapuar duke lojtur, apo si kisha vrarë gjunjët duke u hedhur nga ndonji pemë, ulesha diku në hajatin e shtëpisë dhe soditja disa sende që, meqë më tërhiqnin tepër, më shkëpusnin pothuaj fare nga bota reale duke më futur në nji tjetër imagjinare, prallore.
Ishin disa shishe kolonje e kuti pudre të markave Piver e Coty, të cilat shiteshin në dyqanin aty pranë, rreth vitit 1922.
Forma të çuditshme e të kandëshme xhami të ngjyrosur, që ishin punuar me dashuri e për tu bamë të dashura, me art e për të ngjalle ndjenjë.
Dhe un fëmije, si nji fëmije i shekullit, i shikoja i mahnitur duke mu ngulitur në mendje nji fjalë e pakuptueshme që i shoqronte gjithmonë, Paris.
Dhe mbresat shkrihen.
Sende magjepsëse dhe Paris, Paris dhe sende magjepsëse bëhen sinonim, dhe misteri mbetet mister.
Ç’ësht Parisi, ç’ësht e bukura , ç’ësht arti që vëshitrë se ësht përcaktuar përfundimisht, e ç’ësht njeriu që i kërkon këto ?
Por nji fëmijë nuk e vret menjen tepër.
Qi mund të stepet në fillim pastaj vihet në rrugë për ta kap të mahnitshmen, ose i futet punës për të zbërthyer lodrën që e çudit.
Fëmija dhjetvjecar që mësuesi i shkollës e kishte lavdëruar para klasës se kishte vizatuar në drrasë të zezë heroin kombëtar Skëndërben, mori nji laps e letër dhe filloji të riprodhoj shishet prizmatike e bukuroshe, me atë fjalën e cuditshme e të pa kuptueshme Paris, të cilën e shkruante me bukurshkrim shpesh edhe në fletoret e shkollës.
Në shkollën e mesme, kur fillova të njoh nga pak gjuhët evropiane, Parisi tashma u ba nji qytet i mirënjohur për mue, aq sa mund të njihej prej revistave, sepse tashti e shihja nëpërmjet historisë, kulturës, artit.
Enciklopedia Britanike, me punët e Henry Mattisit e Pablo Picasos, me ato shpjegimet e hollësishme për shkollat e pikturës, me ilustrimet me ngjyra e veçanërisht për impresionizmin francez që kishte arrijt pjekurinë, ndikuan te unë edhe në interesimin tim për artin, edhe në admirimin tim për Parisin.
Me ndrojtje i shkrova nje letër Mattisit për të më pranuar si nxanës dhe se u kënaqa kur mora përgjigje! Përgjigja ishte negative megjithëse shumë xhentile, por e ndjeja veten të lumtur që mora nji përgjigje prej mjeshtrit.
Ai më thoshte se letrën time, megjithatë, ia kishte përcjell Andre Ihote-it dhe prej tij mora nji tjetër letër ku më njoftonte se më pranonte si nxanës në atelien e tij.
Megjithatë për arsye të ndryshme më 1936 pashë Parisin.
Fillimi në Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve të Bukura nuk qe shumë i lehtë, isha i huej e nuk dije gjuhën frënge, isha i vetëm e s’dija të orjentohesha, e në këto rrethana u rregjistrova si nxanes i lirë e duhet së pari të fitojë emërimin si student definitiv.
Por me nji anë vendosmërija e nga ana tjetër mirësjellja e dashamirësia e pakrahasueshme e miqve të rinj francezë, duhet të themi dhe e shoqeve të ateliesë, që kur shokët qeshnin me të madhe për shqiptimin tim të fjalëve frënge ashtu sikur flet nji fëmijë, më merrnin nën mbrojtjen e më sugjeronin pa u lodhun, më ndihmonin ta mësoj shpejt gjuhën frënge.
Kalova zemër dredhur dhe provimet dhe mirë mund të themi, sepse mora medaljen e parë të figurës së vizatuar, gja që nuk ishte e pakët, pasi ky konkurs ishte për të gjithë ateliet e shkollës si për ato të pikturës edhe të skulpturës, dhe në sajë të kësaj medalje, u bëra student definitiv i shkollës së arteve të bukura.
Këto ishin vështirësi të miat të veçanta, por studentëve të rij të artit u duhej të kalonin një kohë të vështirë nën diktatin apo ma mirë nën “tiraninë” e të “vjetërve”
Në nji parullë të madhe të shkruar mbi murin e atelies thuhej: “Të rinjt nuk do të flasin veçse kur t’u vijë radha, dhe radha e tyre nuk do të vijë kurrë.”
Kjo parullë përfaqësonte nji pjesë të ligjeve të pashkruara të shkollës që ishin ekuivalente në rregulloren e shkruar dhe në harmoni të plotë me të, e që përkrahnin atë që mund t’a quajmë “L’Esprit de l’Ecole”.
Ishte ky shpirti i shkollës, që si besoj dhe mendoj tani, i duhesh nji të riu me nji farë talenti dhe dëshire për artin, për t’u brumosur e për t’u formuar si artist i vërtetë në rrugën e tij të mëtejshme, ishte ky shpirti i shkollës që i kishte dhanë namin në botë kësaj shkolle.
Por atëhere në fillestarët, mërziteshim pamasë nga mundimet që na shkaktoheshin nga të vjetrit, për shembull, t’u lanim penelat atyre, të këndonim në kor sa herë që t’u donte qejfi atyre, e përgjithësisht t’u bindeshim ca urdhërave të tyre kot me kot.
Këto ishin në traditën e shkollës, dhe kishin për qëllim për t’u ulur hundën secilit në veçanti e të gjithëve së bashku, “blanc bec”-ve që kujtonin se në art tashma, mund të kapnin qiellin me dorë.
Por as unë, as shokët e mi Pierre Tremois, Verdier, skocezi Eadie, Portali me Raymonden, Renault, Couderc, Murat, Bastien Brayer e të tjerë nuk i kuptonin këto argumente, por provonim peshën e tyre, e kështu deri nga fundi i vitit të dytë kur filluam të ndiheshim edhe më të vjetër dhe të urdhëronim të rinjtë e porsa ardhur.
Sot shokët e mij francezë dhe të huej të atelies janë bërë artistë të shquar e pedagogë të njohur dhe me punën e aftësitë e tyne nderojn artin, si Albert Mulphin, drejtues shkollash arti, Tremois, akademik i Frances, Remy aktor i kinematografisë, si dhe profesori Rene Sedille po ashtu i mirënjoftun si mësues vizatimi etj.
E kam parasysh si të gjallët Z. Sabatte, profesorin tonë të mirë që na thoshte shpesh “du sentiment, du sentiment”; dhe unë pyesja veten, pse ma thoshte profesori kaq dendur këtë, ashtu si dikur të rinj pyesnin Manen për teknikën dhe vizionin, dhe mjeshtri u përgjigjej: “Il n’y a qu’une chose vraie : faire du premier coup ce qu’on voit. Quand ça y est, ça y est. Quand ça n’y est pas, on recommence; tout le reste est de la blague.”
Besoj se kam përfituar nga porosija e profesorit tonë dhe do të desha edhe mendimin e shokve të mij të vjetër, kur të bëj nji ekspozitë në Paris. Është nji borxh që ja kam shkollës, Parisit!
Erdha përsëri në Paris në Korrik të vitit 1990, i ftuar nga miku im piktori Omer Kaleshi, dhe porsa shkela në aroport, e ndjeva vehten sikur sishe larguar kurrë nga Parisi.
Nji ndjenjë, por jo thjesht subjektive! Parisi ka dicka të përherëshme, suigeneris, megjithëse ka ndryshuar në shumë drejtime. E pandryshuar ka mbetur linja e zhvillimit të tij, e kulturës e traditës, por Parisi asht edhe s’asht ai i dikurshmi.
Dikur ato ndërtesat e mëdha, dëshmitare dhe simbole kohësh dhe ngjarjesh historike, kishte marrë nji ton, nji penelatë të errët nga pluhuri i kohës, që u kishte vënë vulën e nji pleqërie të nderuar e të fortë, kurse tani, tjetër gjë, Parisi rrezaton si nji buzëqeshje pranvere, Parisi i vjetër, Parisi i Ri, Parisi i përjetshëm. Paris!
Kalova përsëri nëpër rrugën Bonapart, hyra në kafenen Mishon, ku me studentët hanim tartina me recel, pinim kafe që na jepte Madame Bebel, dhe luanim nga pak me letra.
Gjithcka kish ndryshuar në kafenen e dikurshme, dekori, banaku, pronarët e klientat, me përjashtim të atmosferës së ngrohët e miqësore.
Pyeta për Zotin Michon, Zonjën Bebel e birin e tyre, Danielin që e kishim shokun tonë të vogël, por asnji s’i njihte.
Një parizien , rreth 40 vjec, më pyeti sesi e kisha punën dhe nëse mund të më ndihmonte, dhe kur i shpjegova kush isha dhe se desha të mësoj për miqtë e mij të dikurshëm pronarët e kafenes, ngriti supet dhe më ofroj nji Bordo.
Në oborrin e shkollës më ra menjëherë në sy se statuja në majë të kollonës mungonte, sigurisht për ndonjë restaurim, dhe se pllakat e mermerta me emrat e të rënve në luftën e parë Botërore, nxanës të shkollës ishin mbush me emna të tjerë dëshmorësh të rënë për Francën, më vonë.
“Allez enfants de la patrie” më erdhën ndër mend fjalët e Marsejezës dhe tonet e saj me tingëllonin në vesh. Im bir, piktor edhe ai, më thoshte nji herë se kur kish hyrë pas pesë vjetësh në Institutin e Artit në Tiranë, kishte ndjer nji nostalgji, që s’shprehej kollaj me fjalë.
Kurse unë, pas pesëdhetvjetësh po shikoja përsëri në shkollën time, korridoret, oborret dhe ateljet, shoh rrugën Bonapart nga kati i dytë si dikur. Është e kuptueshme tronditja, justifikohet mallëngjimi. Ju përshëndes o shkollë e dashur, o kohë e rinisë sime, kohë të bukura të dikurshme.
E shëtita Parisin rrugë më rrugë, nganjiherë edhe me ndihmën e metrosë, duket vizituar muzeumet e galeritë e tij, të vjetra dhe ato të hapura ma vonë.
Luvri që dikur e njihja nga fillimi në fund dhe nga fundi në fillim, tashti sikur e pashë për herë të parë qoftë prej rregullimeve e ndryshimeve, qoftë për veprat e reja që ishin shtuar.
Apo muzeu D’Orsay, me ndriçimin e tij të përsosur ku nji vepër i shpalos lirshëm vlerat e saj.
Muzeu Picasso i jep vizitorit nji ide të plotë të gjenialitetit dhe veprës së piktorit por dëshirojsha që të shija edhe veprat e Matissit, këtij koloristi të madh, të mbledhura së bashku.
Po kështu do doja të shihja nji galeri të artistëve kontemporanë që përfaqësojnë sod denjësisht artin Francez.
Duhet të them se më bëri përshtypje të madhe Lagja Defense, ku gërshetohen në harmoni dhe me shije arti dhe teknika, urbanistika dhe kultura. Nji vend jetese dhe njikohësisht nji vend çlodhjeje.
Nëse harku i triumfit dhe Tour Eifel jan monumente të Lavdisë së Francës dhe të zotsisë së francezëve, Lagja Defense asht monument i së ardhmes dhe banesa ultra moderne e njerëzimit në planin estetik dhe të komoditetit; këtë duket sikur na e thotë edhe harku i Defenses, vëllaj ma “i vogël” i harkut të Triumfit.
Dhe ndërsa largohem mendoj se asht e vështire të shprehësh me pak fjalë kujtimet e dikurshme e përshtypjet e tanishme, ashtu sikur janë pak disa ditë për t’a riparë Kryeqytetin e botës.
Megjithatë të përshëndes Paris i shtrenjt për gjithcka më ke dhanë, si dashurin, miqësin dhe kulturën që më pajise. LAMTUMIRË PARIS!
Mirë u pafshim!
[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
Shkrimi 2
Shkruan Buron Kaceli në Facebook në faqen me emrin e të atit në dhjetor 2018: “Po e publikoj me një falenderim të përzemërt për prof. Astrit Deliallisin, për këtë dhuratë të çmueshme për familjen Kaceli.”
In memoriam për familjen Kaceli.
Nga qafa e Kasharit në hyrje të Tiranës, bien menjëherë në sy 3 simbole të qytetit: “Xhamia”, “Sahati” dhe “Vllazën Kaceli”.-Ndërtesa Kaceli, një pallat i lartë për atë kohë ngrihet mbi ish pazarin e vjetër në rrugën “28 Nentori”.
Në rrethana të çuditshme u njoha me këtë ndërtesë dhe familjen Kaceli. Në vitet 42-43 babai im u burogs për veprimtari anti-fashiste. Për nevoja ekonomike punova si cirak në dyqanet Kaceli duke përfituar si në rreth miqësor. Njoha në fillim 3 vllezërit: “Aliun, Romën dhe Jonuzin”. Vetë ndërtesa dhe arredamenti përfaqsonin një subjekt tregtar të përparuar. Aktiviteti konsistonte me tregtimin Kinkaleri Kartoleri. Në krahasim me të tjerët këtu zhvillohej një tregti moderne me tipare perëndimore me artikuj klasi që importoheshin kryesisht nga Italia. Pra Kacelt përfaqsonin atë grup qytetarësh që donin t’i jepnin Tiranës një përparim Europian. Punohej në aneksin salon 1 katësh, në banak, vitrina e minivitrina të mbajtura me kujdes.
Vëllezërit ishin të sjellshëm me klientelën. Menaxher kryesor ishte Aliu, në kasën fiskale rrinte Roma, ndërsa Jonuzi gjendej më rradhë në dyqan. Ndërtesa e madhe që edhe sot e kesaj dite e ruan madhështinë e saj, shërbente si magazinë plot me mallrat e importuara.
Si tregtar, si familje e si qytetarë gëzonin respekt dhe përpiqeshin të kontriubonin në zhvillimin e Tiranës së tyre.
Herë pas here hynte ne dyqan një djal i ri i gjatë i hijshëm veshur me elegancë me mustaqe spic të kohës. Shpejt e njoha. Ishte vëllai i vogël Sadiku! Vura re se ishte ai shpirti i arredamentit dhe ekspozimit. Jepte vërejtje e këshilla për mirëmbajtjen dhe organizimin e brendshëm.
Një ditë Sadiku u ndal gjatë me mua. Pasi më pyeti për familjen time të cilët i njihte mirë, më fërkoi flokët e më tha “mos lër shkollën se pa të nuk ecet përpara”. Nga ajo ditë fillova ta ndjek me simpati të vecantë. Mora vesh se Sadiku kish mbaruar gjimnazin e Tiranës me rezultate ekselente dhe në meritë të tyre kishte fituar medalje dhe nga mbreti Zog i Parë, një çmim në grup për të gjithë ekselentët: “Udhëtimi 1-mujor nëpër Europë.”
Nuk e di pse gjatë kohës fillova të ndjej një simpati të vecantë për figurën e Sadik Kacelit. Ishte shumë njerëzor dhe komunikues, ishte shpirti i zhvillimit modern të tregtisë në familjen Kaceli. Si intelektual me horizonte moderne perëndimore dhe si njeri me sensin e artistit, Sadiku pasqyronte me vërtetësi karakteristikat e vëllezërve Kaceli si Tiranas të mirë e të qytetëruar.
Duhet të kujtoj një ngjarje interesante që lidhet me ndjenjat humanitare të Sadikut. Ushtria kishte filluar të ç’organizohej dhe dezertimet ishin masive. Në këtë situatë hamullie ushtarakët italianë u vunë nën presionin e gjermanëve të cilët kudo që i gjenin i pushkatonin si dezertues e tradhëtarë. Rastësisht Sadiku kishte njohur një oficer Italian në moshë të tij, nga Legnano (afër Milanos) me mbiemrin Cintola (emrin ia kam harruar) që ishte piktor me akademi të arteve të bukura. I terrorizuar u mor në mbrojtje nga Sadiku dhe u fsheh në magazinat e “Vllezërve Kaceli” deri pas luftës. Dilte rrallë nga frika dhe punonte si restaurator të veprave të artit të dëmtuara. Me kujtohet sesi me talentin që kishte, rehabilitoi një amazonë franceze prej porcelani me kokë të këputur duke improvizuar në qafë një varëse medallion shumë të bukur si dhe një nimfë mbi një guaskë deti që i binte fyellit me krahë të thyer përmjet një gjarpri që mbështillej natyrshëm rreth krahut të thyer. Mua më pat falur një grafikë me karbon ku në fund binte në sy firma e tij e cuditshme: “100la”. Vazhdimisht ai shprehte falenderime e respekte për mbrojtjen dhe ndihmën që jepej nga Sadiku e të tjerët. Pas luftës arriti të riatdhesohet shëndoshë e mirë duke marrë me vete admirim, mirënjohje e dashuri për njerëzit e mirë Kaceli dhe sidomos për kolegun artist, piktorin e talentuar Sadikun, i cili e përjetoi me dhimbje por dhe me miqësi njerëzore largimin e oficerit piktor italian.
Për mua, në moshë adoleshente e gjithë familja Kaceli ka qenë një eksperiencë e vyer. Njoha 4 vëllezërit shpirt njeriu, disa nga djemtë e tyre të Rames e Aliut. Kujtoj Fadilin, talent në futboll, Gëzimin, balet maestër i talentuar, e të tjerë.
Dua të vecoj Sadikun. Ai ka qenë profesori i parë që nxiti tipare intelektuale në ndërgjegjen time ende të brishtë. Me këshillonte dhe më qortonte në kohën dhe vendin e duhur. Për këtë i mbeta mirënjohës gjithë jetën. E dëgjoja me vëmendje, mësova nga ai, ndaj sot e kësaj dite e kujtoj me veneracion.
Pas clirimit si kudo në Shqipëri pllakosi si papritmas zhgënjimi. Andrrat u daravitën, lufta nga çlirimtare u transformua në shkatrrimtare. Slogani pa dallim feje, krahine e ideje rezultoi mashtrues se brenda atyre 3 fjalëve të mëdha si relike të kombit tonë fshihej flama komuniste që metastazat e saj të rrezikshme vazhdon ende ta shqetësojë shoqërinë shqiptare. Familja Kaceli si kudo në vend por më ashpër në shqipërinë e mesme e veriore vuajti kalvarin e regjimit të shpronësimeve, u tatuan, u denigruan. Edhe pse me pikëpamje liberal-demokratike kishin ndihmuar luftën në të gjitha format e mjetet regjimi antidemokratik i luftoi sistematikisht deri në pushkatim.
Por le të kthehemi dhe një herë tek “Unë dhe Sadiku”. Gjatë jetës time të mëtejshme vazhdova shkollimin. Më kujtoheshin shpesh këshillat e tij për shkollën, për jetën, për sjelljen, urtësinë, drejtësinë e çfarëdo. Nuk e di pse një ndjenjë e mrenshme më shtynte drejt dëshirës për t’i ngjarë, për ta pasur si model të jetës time. Shpresoj që sado pak t’ia kem arritur qëllimit.
Diku nga viti i tretë i shkollës së mesme më ra në dorë romani i Vedat Kokonës “Nga Tirana në Stokholm”. Po e lexoja me qejf sepse aty trajtohej një ekskursion i gjimnazistëve ekselentë ndër të cilët ishte dhe Sadiku. Romani trajton mbresat e intelektualëve të rinj përmes një udhëtimi nëpër Europë.
Kokona me mjeshtëri ka skalitur karakteret dhe tiparet e shokëve të tij ekskursionistë. Gjatë ndalet në figurën e piktorit, gjimnazistit të shkëlqyer Sadik Kaceli. (Gjatë leximit më kujtoheshin bisedat me Sadikun, por ai kurrë s’ma kishte përmendur romanin dhe aq më pak episodin). Romani përshkruan Sadikun si një djalë të gjatë, shumë simpatik me një palë mustaqe të holla sipas kohës, me sy të shkruar depërtues veshur me elegancë. Flokët e tij disi rrebelë e të padisiplinuar i jepnin hije të rëndë, por që duart me gishta të gjatë e të hollë i lëviznin lehtë e zgjateshin tek lapsi që vizatonte portrete. Po kaq me hollësi shkruhet për botën e tij të brëndshme si shok i dashur, i urtë e i butë, me shpirt artisti njerëzor i gatshëm për altruizëm e bamirësi.
Vedat Kokonës nuk i ka rrëshqitur pa vënë re dhe një episod sa i bukur po aq njerëzor e kurioz. Në Stokholm grupi i studentëve ishte pritur miqësisht nga Konsulli Suedez i kulturës në shtëpinë e tij. Gjatë drekës e pritjes, vajza e konsullit, një bukuroshe 16-17 vjecare, bjonde me sy të kaltër, e hollë e shtatlartë, u afrua shumë me Sadikun. Pak si të vecuar ata bisedonin me një farë intimiteti përmes tyre, dy të rinj që shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Si duket frengjishtja i përafronte dhe lehtësonte komunikimin. Në një moment të duhur Sadiku nxjerr lapsat dhe letër vizatimi dhe fillon të portretizojë vajzën bukuroshe. U desh njëfare kohe dhe vajza shpërtheu në hare e gëzim duke u treguar të gjithëve entuziazmin për portretin e saj të bukur. Ai portret i hedhur brenda pak çastesh ishte vërtet i përkryer. Që nga ajo pritje vajza u dashurua pas Sadikut dhe nuk iu nda gjatë gjithë kohës që ishin miq në shtëpinë e konsullit suedez.
Vitet kalonin, unë përfundova në agronomi dhe e mbylla si pedagog në universitetin bujqësor. Sadiku ndoqi me sukses karrierën e tij artistike. E ndiqja me deshirë dhe gjithë respekt aktivitetin e tij. Në mos gaboj ishte viti ’72, tetor, kur shkova me shërbim në fermën e Lukovës në brigjet e Jonit. Pas punës, vonë në mbrëmje shkova në dhomë të flija. Ishte një dhomë ferme, barake me dy krevatë e një tavolinë me dy karrige e një broke uji me dy gota pranë. Dhoma ndriçohej nga një dritare që shihte nga deti. Hapa derën, ndeza dritën dhe papritur dalloj në krevatin tjetër një kokë me flokë të thinjur pa ia parë fytyrën. Me qetësi për t’mos e zgjuar fillova të shtrihem për gjumë. Në çast koka lëvizi dhe më përshëndeti,- “Mirëmbrëma”. I ngula sytë, e njoha dhe i çuditur për këtë koincidencë, e përshëndeta. Pas disa fjalëve të zakonshme e pashë që s’po më njihte. Pa iu prezantuar i fola për gjëra intime që dëshmonin se e njihja shumë mirë. Duke i thënë se kush ishte, se e njihja familjarisht, se dija shumë “sekrete” të tij e tjerë. Ai në kulm kurioziteti e padurimi më kërkoi emrin. Sa e dëgjoi, u ngrit e më përqafoi aq përmallshëm, saqë u përlot. Ndenjëm deri vonë duke biseduar me kënaqësi. Donte të dinte shumë për statusin tim dhe u gëzua që kisha arritur në një shkallë të pëlqyeshme akademike.
Sadiku kishte ardhur në Lukovë me leje krijimtarie, pranë brigjeve të Jonit, peizazhit që i pëlqente aq shumë.
Pas atyre netëve që kaluam bashkë në rivierën e Jonit, nuk u takuam më.
Me lëvizjen studentore të viteve ’90 u gëzova shumë kur mora vesh se Buroni, i biri i mikut dhe profesorit tim Sadik Kaceli, ishte përfshirë aktivisht si nënkryetar bashkie së bashku me Brojkën e tjerë dhe në kontribut të qenësishëm për Tiranën dhe vendin tonë.
Kjo ishte me pak rreshta të memorjes time familja Kaceli. Në simbolin “Vllazën Kaceli” mishërohet saga e njerëzve të nderuar, të mirë e punëtorë, si tiranas tipikë, të ndershëm, mikpritës e të besës, që lartësojnë kombin shqiptar.
Me respekt e falënderim,
Profesor Astrit Deliallisi
Tiranë 25/06/2012.