nga Arjan Shahini
Seriali i dytë i Westworld (WW) kishte si tematikë kryesore lirinë e karaktereve për t’i thurrur vetë narrativat e tyre. Në “WW-I” krizat identitare ishin shpalosur në lidhje me qenien dhe kujtesën si shprehje e të parës. Ndërsa tek “WW-II” trajtohej problemi ekzistencial i lirisë së veprimit dhe i çështjes së agency: vështruar këto nga një perspektive probabilitare bajeziane subjektive. Pikëpyetjet mbi ekzistencën e robotëve në teatrin e WW vlejnë edhe për njerëzit në skenën e botës [shih Westworld and Philosophy (ed. J. B. South & K. S. Engels), pdf: https://polifilosofie.files.wordpress.com/2018/04/westworld-and-philosophy.pdf]. A është roli që përcakton identitetin? Apo është qëllimi, telos, i cili përcakton rolin dhe identitetin? Përgjigjja ndaj kësaj të fundit përmban edhe mundësinë e çlirimit nga robëria e parashikimit.
Në WW robotët nuk e dinë se po luajnë një rol me narrativa të paracaktuara, me lirinë për të improvizuar vetëm në funksion të kryerjes së rolit. Ngjashëm, si të ishin në një park “lojrash” (WW), mund të konceptohet edhe sjellja e individëve në regjimet totalitare. (Sikur propozon edhe A. Vehbiu te një trajtesë së fundmi bazuar mbi perspektivën sociologjike të E. Goffman.).
Në këtë prizëm mund të hulumtohen edhe raportimet e personave të ndryshëm në kontakt me të huajt gjatë regjimit totalitar. Nga raportimet e shoqëruesve, sportistëve e artistëve mbi marrëdhëniet e tyre me kolegë të huaj duket sikur ndiqej një skenar i paracaktuar, i vendosur jo vetëm nga formati i raportimit, por edhe nga pritshmëritë e eprorëve apo vëzhguesve në organet e Partisë apo të sigurimit.
Si udhëzime të pashprehura formalisht, këto pritshmëri janë kryesisht të nënkuptueshme nga reflektimet e raportuesve. Veç kësaj, shoqëruesit e vizitorëve, brenda apo jashtë Shqipërisë, ishin njëkohësisht edhe propagandues të regjimit, rol ky që vërehet herë pas here në reflektimet e tyre. Duke raportuar ata propagandonin mbi propagandën e kryer, çfarë në WW jepet në konceptin e pretendimit të të qenurit njeri, lopçar apo indian. Shoqëruesit e vizitorët mëtojnë të jenë.
Pse ndjekin një format të caktuar rrëfimi dhe skenari, këto raporte nuk pritet të paraqesin tablonë e vërtetë të kontakteve me të huajt. Por për studiuesit nuk ka burim tjetër të besueshëm (rrëfimet në të gjallë të atyre që i kanë përjetuar janë po aq të pabesueshme e të infektuara me lloj-lloj interpretimesh aktuale).
Konteksti ku ndërtohej skenari për perceptimin dhe realizimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore ishte politik. Marrëdhëniet me të huajt shfaqen tepër të politizuara dhe të orientuara sipas politikës së jashtme të Shqipërisë, duke pasqyruar skemën miq-armiq të regjimit (armiq: vendet revizioniste, imperialiste, borgjeze dhe agresive; miq: sipas rastit dhe aleancës së çastit). Ndonjëherë skema ishte shumë e ngurtë për shoqëruesit, të cilët kërkonin të konfirmonin e trajtonin ngjarjen e personalitetet sipas saj. Ishte më pas shoqëruesi që duhet ta zgjidhte këtë konflikt në mënyrën më të pranueshme. Në këtë mënyrë narrativa lejonte improvizimin, por gjithmonë në shërbim të kryerjes së rolit dhe përshtatjes me situatën e re, nën vështrimin gjykues të regjimit.
Për ta ilustruar, nga vizitorët jugosllavë priteshin provokime politike, e nëse këta nuk provokonin, ishin shqiptarët që provokonin (skenari i parashikonte me të njëjta probabilitete të gjitha alternativat, çfarë i lehtësonte punën raportuesve). P.sh. kur arbitri jugosllav K.Z (2.5.1968) nuk kishte shfaqur ndonjë interes për biseda politike, raportuesi e interpreton sjelljen e tij gjithsesi si të atillë: “Lenë me kuptuar se këta janë të porositur që të jenë korrektë në arbitrim me qëllim që para popullit tonë sportdashës të paraqiten sa më mirë dhe të mos nxitin urretjen e popullit tonë sportdashës kundra revizionistëve.” (Informacion mbi Qëndrimin në Shqipëri të Arbitrit Jugosllav Kostantin Z.; T.Gj., [AQSH, F. 511, D. 129, V. 1968, fl. 52-51]).
Po ashtu edhe sportistët nga të dyja kahet perceptoheshin se ndërmerrnin misione politike. Në një vizitë të ekipit Dinamo për një ndeshje me ekipin e Borit (relacion i 28.8.1969, ku hamendësohet se përkthyesi kosovar ishte agjent i UDB), shoqëruesi shprehet se: [sic] “Ata i kishin vene vetes si detyre, ndoshta edhe me orientim nga lart qe te na prisnin sa me mire. Motoja e tyre ishte ate shka nuk mun ta bejne ambasadoret tane ne Beograd e Tirane mund te arrihet nepermjet ekipeve sportive.“ [511/117/1969, fl. 67-68]. Ndërsa kur ekipi i volejbollit Partizani i Beogradit qëndroi në Shqipëri për disa ditë (6-8.12.1967) shoqëruesi (N. Pilku) shprehet se: “Duhet thënë se qoftë përgjegjësat, qoftë lojtarët nuk kishin asnjë farlloj pregatitje politike dhe kur neve hapnim ndonjë bisedë të tillë ata i shmnageshin përgjigjeve. [511/124/1967, fl. 80-82].
Në Jugosllavi sportistët shqiptarë priteshin shumë mirë nga bashkëkombësit e tyre kosovarë, për këtë regjimi udhëzonte që sportistët t’i shërbenin diplomacisë (kur zakonisht ata duhet t’i shmangin kontaktet me të huajt). “Gjatë qëndrimit tonë në Beograd, pjestaret e ekipit simbas udhëzime të mara prej këndej si dhe me porositë e shokëve të legatës tonë në Beograd, shpërndan 500 distiktiva të dala me rastin e 500 vjetorit të Skënderbeut si dhe distiktiva “Bëhuni gati për punë dhe mbrojtje” si dhe 200 copë fotografi të shokut Enver Hoxha.” [V. Afezolli, 511/124/1967, fl. 103].
Skemat politike të interpretimit i dinin edhe vizitorët e huaj për t’i përdorur në favor të tyre, e këto raportoheshin përpiktazi nga shoqëruesit. P.sh. në ndeshjet e futbollit të Shqipërisë me Gjermaninë, raportohet (15.12.1967, “në përgjithësi qëndrimi i tyre ishte i mirë”) se: “Gjatë takimeve nga futbollistët pati shprehje të tilla “pse t’ja jepni fitoren Jugosllavisë e cila është armike e juaj”., “jugosllavët [,] armiqtë tuaj [,] gjatë një ore e gjysëm janë miqtë tuaj”” [511/129/1968, fl. 69-70].
Shoqëruesit bëheshin ndonjëherë objekt i dyshimeve të vizitorëve, që gjithashtu prisnin që shoqëruesit e tyre të luanin një rol të paracaktuar. Shoqëruesi (N.P) i skuadrës holandeze Blokkeer të volejbollit, për një ndeshje me Dinamon (6-8 Janar 1967), raporton se “Këtu në bisedë e sipër përgjegjësi i tyre që ish edhe president i Shoqërisë Blokkeer mbasi tha fjalë të mira për pritje tha: se kush “nga neve ishte i policisë sekrete[?]”, pse kështu i kishin thënë në Jugosllavi, se: “posa të hyni në Shqipëri do tu shoqërojnë njerëz të policisë sekrete”. Atëhere Shoku Vaskë, megjithëse ishim prezantuar një herë në Hanin e Hotit, bëri edhe një herë prezantimin duke i treguar edhe funksionet e shokëve që i shoqëronin. [511/124/1967, fl. 71].
Skenari përcaktonte një tjetër format për marrëdhëniet me miqtë, si p.sh. kinezë (me të cilët komunikohej në rusisht apo frëngjisht), arabë etj. Në këtë kontekst shoqëruesit, zakonisht të imunizuar nga përplasjet me doktrinat armike (revizioniste apo perëndimore) përpiqeshin të konfirmonin bindjet e tyre, duke ia përshtatur atyre të regjimit. Kur këto bindje nuk pajtoheshin me realitetin, shoqëruesi ja atribuonte këtë injorancës ose ndonjë tipari tjetër të personalitetit.
Kur ansambli i këngëve dhe valleve të Laosit “Neo Lao Hak Sat” erdhi në Shqipëri (5.3.1966) raporti në pjesën më të madhe shpreh përshtypjet pozitive të vizitorëve dhe kritika u fokusua te niveli artistik i tyre [“shumë të dobët” e “amatorë të mbledhur nga fshatrat”]. Por shoqëruesi (A. R), i cili ishte udhëzuar të propagandonte për regjimin, apo donte të konfirmonte madhështinë e E. Hoxhës tej kufijve, shqetësohej pse përgjegjësi i grupit nuk përmendte Enver Hoxhën në fjalimet e tij.
“… në fillim [përgjegjësi] u tregu i rezervuar. Zakonisht në fjalimet e tij ai theksonte që ‘partia, qeveria e populli shqiptar përkrahin popullin Laosian në luftën e tij anti-imperialiste’ dhe e falenderonte për këtë përkrahje. … Më vonë ai bëri nji farë evolucioni dhe filloi të theksojë ‘populli shqiptar nën udhëheqjen e partisë dhe të K.Q. me në krye shokun Enver Hoxha ka korrur suksese të mëdha në luftën për ndërtimin e socializmit’… Me gjithë këtë duhet theksuar se gjatë gjithë fjalimeve … asnjëherë nuk përmendi politikën e jashtëme të partisë dhe qeverisë sonë, asnjëherë nuk e përmendi me emër revizionizmin modern dhe luftën që duhet zhvilluar kundra tij.” [511/123/1966, fl. 2].
Është në këtë kontekst të miqësisë që shoqëruesit gjejnë hapësira të kritikojnë përzgjedhjen e artistëve apo sportistëve në saj të meritave të tjera veç atyre artistike apo sportive. Gjithashtu, kur vizitorët marrin edhe rola të tjera nga ato politike, krijohen konflikte që shprehen më pas në pakënaqësi (në WW këto janë në formën e “glitches”, dialogë të paparashikuara që shkaktojnë konfuzione tek robotët). P.sh. Në vizitën e Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Kinën mike (21.12.1966-24.02.1967), për të cilin ishte përgatitur një “program luftarak” [511/114/1966, fl. 103] shoqëruesi shprehet se: “Futja e disa elementeve ne grupin e turneut për ne Kinë është bërë e pastudjuar mirë, është parë vetëm ana e përbërjes politike të njerezve dhe në disa raste është injoruar ana e nivelit të përgatitjes së tyre artistike.” [P. Pejo, 511/124/1967, fl. 56].
Në shumë raste politizimi i ngjarjeve sportive tejkalonte masën, siç ishte p.sh. refuzimi për të luajtur ndeshje me shtetet revizionistë apo imperialistë. Në futboll këto nevoja të ekipit shqiptar zgjidheshin nëpërmjet goglave të shortit që manipuloheshin lehtë nga drejtuesit e FIFA-s, por në sporte të tjera këto shkaktonin kokëçarje tek organizatorët. P.sh. në olimpiadën e 19-të shahut në Siegen (5 deri në 25 Shtator 1970), ekipi shqiptar refuzoi të luajë me shahistët e Afrikës së Jugut pas ndarjes në grupe, dhe nuk dëshironte të luante me ekipet e ShBA-së (Fischer), Spanjës, Rodezisë, Bashkimit Sovjetik (Spassky) dhe Izraelit. Pas një diskutimi të madh ekipi shqiptar u pranua të luajë me kë donte. Përndryshe ekipi shqiptar (Pustina, Duraku, Vila, Adhami, Omari, Muça, Zadrima) kishte gjetur një mjedis mikëpritës (“Mund të themi, se nga vendet që kemi qenë n’asnjërin nuk kam gjetur një ambient kaq të ngrohtë.” B. Hoxha, 511/166/1970, fl. 20). Ky diskutim u paraqit edhe në një gazetë lokale (“Albaner sorgten für politischen Paukenschlag” (Shqiptarët u bien tam-tameve politike). Por olimpiada u shoqërua edhe me ngjarje të tjera, si p.sh. grisja e flamujve të 20 shteteve [Berliner Zeitung, 11.09.1970, Jahrgang 26 / Ausgabe 251 / fl. 8], mashtrime (“nëse ndonjë lojtar i yni shkruante një lëvizje më tepër, kryetari i grupit vinte te unë dhe më tregonte këtë” [shih B. Hoxha më sipër], etj.)
Skenari gjithashtu parashikonte që marrëdhëniet me të huajt duhet të ishin dinjitoze dhe të fshihnin nevojat materiale të shqiptarëve. Kështu shmangej vendosja në pah e epërsisë ekonomike të të huajve nëpërmjet këmbimeve jo të barabarta apo dhuratave, çfarë mund të shkaktonte që vizitorët shqiptarë të dilnin nga roli i tyre dhe të vendoseshin në marrëdhënie më njerëzore me kolegët e tyre, apo edhe të kompromentoheshin nga shërbimet sekrete.
P.sh. gjatë një vizite të një ekipi të futbollit dhe basketbollit rumun në Shkodër, për ndeshje me skuadrat e Vllaznisë (10-13.06.1968), u problematizua çështja e dhuratave: “Çështja e këmbimit të dhuratave problem i ngritur nga përfaqësuesit e ekipit Rumun, ku nga ana e jonë u shpjegua se në kuadrin e revolucionarizimit të jetës sonë i është bërë dhe po i bëhet një luftë e madhe shpërblimeve të pa drejta të individëve që ndikojnë në prishjen e ndërgjegjes socialiste dhe se vendin kryesor tek ne e zen stimuli moral që kalit njeriun tonë socialist. Na u lutën që të na i japin dhuratat pamvarësisht nëse do ti japim ose jo…” [511/129/1968, fl. 62-63].
Ky këndvështrim analitik, duke iu qasur roleve dhe skenareve të ndryshëm, na ndihmon për të kuptuar jo vetëm kontekstin social e politik të raportimeve mbi marrëdhëniet me të huajt (tjetrin), por edhe krizat e krisjet nga linja e interpretimit dogmatik të kohës. Kjo vlen sidomos për ndodhi që kanë nevojë për një studim sistematik, sikur shmangiet nga normat socialiste të sjelljes: si vjedhje (Dinamo, 1971), kontrabandë orësh (Budapest, 1971), biseda me femra të huaja të sportistëve netëve vonë (Rumani, futbollistët e 17 Nëndorit, 1970), bisedat “e tepruara” të ndonjë shoqëruesi që raportoheshin menjëherë tek eprorët apo deri edhe dekonspirimi i ndonjë shoqëruesi si i policisë sekrete nga paaftësia e tij për ruajtur disiplinën tek artistët e sportistët.
(c) 2018, autori
Fotoja në kopertinë: Fillimi i ndeshjes Ajax – 17 Nëntori, Amsterdam, 30 shtator 1970 (Kupa e Kampionëve të Europës).
E forte kjo me grupin e shahut: luani me ke te doni! Nese vertet ka ndodhur keshtu!