KAFKA, ROTH, UNË DHE IBRAHIM DALLIU NË HIMARË

nga Ilir Yzeiri

Kur nisesh për pushime relativisht të gjata në bregdet, ndër gjërat që mendon, janë sidomos orët e para të mëngjesit në çadër dhe një lloj joshjeje e veçantë që të kap aty për të lexuar. Kam pyetur veten shpesh se përse bregu i detit dhe qëndrimi poshtë çadrës ta jep këtë joshje, por nuk e kam kuptuar kurrë. Nganjëherë më duket se ai rrip toke, që në rastin e Himarës është i mbushur me gurë të bardhë e me valë të kaltra, është një «jo vend» në kuptimin që i jep Mark Ozhe (Marc Augé) këtij termi. «Jo vendi», nuk e di nëse është i duhuri term për të zëvendësuar «le non-lieu» të Mark Ozhe, është një hapësirë që nuk i përket askujt dhe nuk ka identitet të ngulitur. Nëse do të rikujtonim Fukonë (Foucault) dhe nocionet e hetereotipisë apo të utopisë dhe analizën e tij për raportin e kohës me hapësirën dhe kuptimit që u japim ne këtyre nocioneve, atëherë bëhet më e qartë se përse ai rrip toke, pra bregu ku shtrihemi të gjithë për të marrë rreze, është një « jo vend », ashtu siç janë aeroportet, stacionet e trenave, të autobusëve, hotelet, mjetet e transportit, etj. Në këto «jo vende» identifikimi ynë nuk bëhet me përkatësinë hapësinore të territorit, por me simbolet e identifikimit, si letërnjoftimi, fjala vjen. Sot në plazhet publike ti e ndien që je ende në një « jo vend », pra e ndien veten si në një avion që të çon diku apo si në një aeroport. Vetëm se, në ndryshim prej tyre, këtu, të gjithë janë të zhveshur dhe lëvizin me kostume banjoje. Ky identitet i ri që përftojmë sapo vemi në breg të detit, lidhet pikërisht me këtë ndjesi që provojmë të gjithë, pra, që ne tani jemi në hapësirën e askujt, jemi në atë vend që nuk përfill asnjë nga normat e jetës në një vend të identifikuar. Ndoshta kjo ndjesi të shtyn që të mbështillesh në të shumtën e herës edhe me lexime gjithfarësh, apo të jetosh një realitet iluziv dhe të ndihesh se befas ti nuk ke asnjë lidhje me vendin dhe hapësirën me të cilën identifikohesh në kuptimin e utopisë.

Askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë ndodh me parapëlqimet tona për të zgjedhur një aksh libër, por të gjithë jemi në një mendje se, përkundrazi, disa herë, librat që na zgjedhin ne për t’i marrë me vete në ditët e pushimeve, kanë një lloj joshjeje edhe të vjetëruar disa herë, por përkëdhelin më shumë edhe egon tonë të paqartë dhe të turbullt po ashtu. Mbi tavolinën time të rrëmujshme, veç të tjerash, ishin mbledhur dhe rrinin tok tri libra : « Procesi » i Kafkës, një botim i vitit 2000 i poezive të zgjedhura të Hafiz Ibrahim Dalliut, marrë nga librat « Dokrra hinit », « Grenxat e kuqe të Tiranës », « Një andërr e ime » dhe një libër i Filip Roth (Philip Roth) – « Ankimi i Portnoit ». Megjithëse i kisha lexuar që të tre, nuk e kuptova as vetë se përse i mora me vete dhe i mbaja në çadër thuajse çdo ditë dhe përse nisa t’i lexoj përsëri. « Procesi » të mahnit me stilin. Në shqip është përkthyer nga Gjergj Vlashi dhe botuar nga « Globus R. » që është shtëpia botuese e Petraq Ristos, në mos gabohem. Mirëpo, duke lexuar Kafkën dhe procesin për fatkeqin Jozef K., pa dashjen time, herë pas here, u hedh një sy edhe lajmeve në mediat on- line që të mbysin nga të katër anët dhe që të vijnë edhe atëherë kur ti nuk do. Celulari pulson dhe aty të hyn një lajm për një ngjarje që sapo ka ndodhur. Më së shumti janë lajme me « Veting ». Dhe mua më përzihen dy regjistra rrëfimesh. Në të parën, në rrëfimin e Kafkës është një fatkeq që sapo zgjohet një mëngjes në një dhomë të errët të një pensioni, në vend që të nisë rutinën e përditshme, të ngrihet, të pastrohet, të hajë sillën e të niset në punë, në vend të këtyre vepimeve, sapo hap sytë, në dhomën e tij të gjumit sheh dy inspektorë sekretë që i komunikojnë se që nga ky çast ndaj tij është hapur një « proces » dhe se ai që nga ai çast nuk është më si më parë: është i arrestuar. Do t’i duhet të paraqitet në gjyq për një « proces » që është hapur kundër tij. Janë shkruar e do të shkruhen faqe të tjera për të zbërthyer misterin e « Procesit », por ajo që është e vështirë të kuptohet e të gjendet në një vepër letrare, është se çfarë e ka shkaktuar këtë ndjesi te Kafka. Kritika sociologjike është e mangët, psikanaliza nuk na ndihmon, filozofia ndoshta, ndërsa të gjithë ndihmi të sigurtë kur strehohemi te misteri i krijimit. Paralelet gjithmonë janë vulgare dhe asnjëherë nuk i shtojnë gjë veprës. Mirëpo, unë shoh dhe lexoj lajme me « Veting », me procese që nuk iu bëhen Jozefave të Shqipërisë, por gjyqtarëve e prokurorëve, atyre që mund të urdhërojnë një ditë në mëngjes një togë policësh që të shkojë herët në mëngjes dhe sapo të hapësh sytë të të kumtojnë se ndaj teje është hapur një proces dhe ti je i arrestuar. Është mirë të veshësh një xhaketë të zezë i thanë inspektorët Jozef K-së kur ai ndërroi këmishën e natës dhe po kërkonte të vishte diçka tjetër. « Vetingu » është një « proces » dhe nga i njëjti « proces » vuajti dikur Jozef K. Në Shqipëri gjyqtarë e prokurorë po i nënshtrohen një procesi, por ky është më i shkurtër sesa ai që vuajti i gjori Jozef. Këtu, në këtë proces, gjyqtarë e prokurorë tregojnë se si i kanë vënë pasuritë përrallore, vilat, shtëpitë, makinat, paratë. Dhe këtë ata e quajnë « proces ». Unë nis të bëj paralele mes « procesit » të Jozef K.-së dhe « procesit » të Vetingut dhe më duket se e kam zgjidhur misterin e krijimit. Njeriu gjithmonë është i shtypur nga rregullat dhe nga sistemi që ndërton vetë. Jozef K më dhimset sepse është në një « proces » për një ngjarje apo për një veprim që ai nuk e ka kryer kurrë. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët tanë janë në një proces për të vërtetuar se ata kanë qenë më të zotët se ne dhe se sistemi që kemi ndërtuar, vetëm sa po na tregon që ky proces, në fakt, duhet të na bëjë fajtorë ne, jo ata. Nuk e kam kuptuar asnjëherë se përse duhet ta vriste në fund Kafka Jozef K.-në. E mbyll librin dhe në atë vend ku ndodhem nuk shoh askënd që të jetë të paktën në pamje i trembur dhe i hutuar si Jozef K.

Hedh sytë më tej dhe shoh librin e Hafiz Ibrahim Dalliut. Më mahnit shpirti europian i këtij poeti klerik mysliman. Sensi i satirës dhe i humorit, përqeshja dhe gjuha e ëmbël e dialektit tiranas më bëjnë të ndihem keq kur mendoj se sa pak flasim për këta poetë. Në fakt nuk flasim fare. Në librin që përmenda, është një poemth i vogël me titull « Nji bisedë mbi kafehane të vjetra » që vizaton një Shqipëri e cila si stereotipi apo si model e si klishe, për fat të keq, ngjet me Shqipërinë e sotme. Jemi në vitet ’20, gati 100 vjet më parë dhe poeti vëren qysh në fillim se shqiptarët duhet të punojnë dhe puna duhet të bëhet kuptimi i jetës :

Shqiptarët, herët a vonë
Gjithandej punë kanë kërkue.
Fugo, lufto më nj’anë o më nj’nj’anë
Me djers t’ballit kanë jetue.

Dhe sot shkojnë për Amerikë
Punojnë, fitojnë bukë hallall
Po ktu nuk ka ndonji fabrikë
Prandaj rrijnë njerzit batall.

Këto janë lloji i poezive didaktike që fotografojnë realitetin dhe e tregojnë atë edhe me anë të rrëfimit dokumentar dhe nga kjo pikëpamje të ndihmojnë më shumë për të kuptuar atmosferën e asaj kohe, mënyrën e jetesës, shkurt, të japin një pasqyrë realiste të Shqipërsië së asaj kohe. Siç shihet, jemi thuajse në Shqipërinë e sotme. Emigracion, mungesë investimesh dhe papunësi. E vetmja mundësi punësimi është administrata. Njësoj si sot.

S’ka ngel tjetër sot n’Shqipni
Përveç me u ba nëpunës.
Dhe kjo s’futet n’dorë zotni
Veç m’u ba bishtlëkundës.

Pra puna e shtetit, ashtu si sot, varet nga mënyra se si sillesh me ata që qeverisë. Njësoj si sot. Nëse nuk emigron, apo nëse nuk punon në ndonjë zyrë, është vështirë të gjesh punë. Ndaj dhe kafehanet janë plot, thotë poeti. Dhe është shumë impresionuese fotografia që i bën ai kësaj ane të jetës së Tiranës të mbushur me kafehane të qelbura e të pista, përplot me tym duhani e njerëz kapadainj që mburren me lloj-lloj historish. Janë personazhe folklorikë e të mbufatur nga koha, të ardhur nga lloj-lloj visesh të ish-Perandorisë, që, në formë antropologjike, kanë ardhur deri në ditët tona dhe i sheh në të shumtën e herës në kafehanet e Tiranës, por sot në formën e lloj-lloj vanitozësh e trimash të ardhur nga të katër anët e Europës, me zinxhirë në qafë e sy të zgurdulluar. Ndryshe nga fotografia e Hafizit, Tirana e sotme është gjithë luks dhe kafehanet e ndyra e të pista janë bërë lokale luksoze e super moderne, po shqiptari ka mbetur po ai. Trim në kafe dhe llafazan që përzien gjithë punët e vetes dhe të të tjerëve dhe që kalon me lehtësinë më të madhe gjithë punët e koklavitura të globit. Nëse në vitet njëzet shqiptarët e ngratë i mbanin sytë nga Turqia dhe ëndërronin të kthehej prapë koha e Dovletit, sot përsëri sytë e shqiptarëve rrinë nga një Dovlet tjetër.

Dhe në fund Filip Roth, ironia dhe autironia me veten. « Ankimi i Portnoit » një autorrëfim për brishtësinë e njeriut dhe vetironi për maskën klasike të parardhësve të tij judej. Edhe sot e kam në mendje portretin e tij dhe zërin gati të shuar në intervistat që kam ndjekur dhe tani e kuptoj se përse e kam lexuar aq pak këtë shkrimtar.

Ikën ditët e pushimeve dhe ashtu si të gjithë, edhe unë u ktheva nga « jo vendi » në vendin me identifikim të qartë. Kur u ula të shkruaj këtë sprovë për një ese, u kujtova se më shumë se gjysmat e emocioneve dhe të atyre që kisha dëshirë të shkruaja, i kisha humbur rrugës. Nuk i gjeja dot më sepse emocionet e njeriut në një « jo vend » janë krejtësisht të ndyshme nga ato të një utopie të ngulur. Edhe kaq sa kam shpëtuar, më duket shumë…

Himarë, korrik 2018

© Autori

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin