E DREJTA PËR TË MOS EMIGRUAR

Të shqetësuar për refugjatët që po hyjnë në Itali përmes Mesdheut, politikanët në Itali po i kthehen shpesh argumentit të “së drejtës për të mos emigruar”, shkelja sistematike e së cilës i shndërron këta refugjatë në viktima, që para se ta nisin rrugën e mundimeve drejt BE-së.

Kjo në kontekstin e një debati ku të tjerë politikanë dhe zëra nga shoqëria civile ngulin këmbë për të drejtën e refugjatëve për strehë dhe përkrahje, por edhe për azil politik.

Gati-gati, duket sikur përvijohet kundërvënia edhe juridike, midis së drejtës për të emigruar (për ta zgjedhur vetë se ku do të jetosh) dhe së drejtës për të mos emigruar, ose për të qëndruar në atdheun tënd.

Në fakt, të drejtën e një individi (a të një grupi) për të mos emigruar si e drejtë themelore e ka argumentuar, tani së fundi, Papa Emeritus Benedikt XVI, madje edhe në referim ndaj Papës Gjon Pali II, i cili në 1998, duke iu drejtuar Kongresit Botëror të Migrimeve, pat thënë: “e drejta parësore e njeriut është të jetojë në atdheun e vet: e drejtë që bëhet efektive vetëm po të mbahen vazhdimisht nën kontroll faktorët që shtyjnë për të emigruar.”

Duke e argumentuar më tej këtë të drejtë, Ratzinger-i ka përmendur edhe se imigrantët, sidomos ata të parregulltit, janë kontingjenti më i viktimizuar, të cilit i nëpërkëmben rregullisht të gjitha të drejtat njerëzore.

Pavarësisht nga kundërtitë që mund të shoqërojnë figurën e Ratzinger-it si autoritet në çështje të Kishës e të Fesë dhe paladin të humanizmit (ose edhe të Gjon Palit II, xhanëm), e drejta për të mos emigruar e meriton të përfshihet në të drejtat themelore të njeriut.[1]

Në masë të madhe, dhe sado i detyruar nga rrethanat, ikja nga vendi i vet ose emigrimi e ndan jetën e njeriut më dysh; madje edhe sikur i ikuri t’i plotësojë aspiratat për të krijuar një jetë “më të mirë” ai vetë ose familja e tij, në atdheun adoptiv.

Qindra mijëra qytetarët shqiptarë që enden zyrave të refugjatëve dhe të imigrimit në Europë, duke kërkuar azil, janë edhe provë e gjallë që shteti shqiptar, sot për sot, po ua shkel qytetarëve të vet me të dy këmbët të drejtën për të mos emigruar (duke dështuar në funksionin e vet elementar si shtet).

Dhe kjo nuk është lojë fjalësh; shumica e atyre që ikin nga Shqipëria, e bëjnë sepse nuk shohin më shpresë për veten dhe familjen, në atdhe; çfarë edhe u krijon bindjen se diku gjetiu do të mund të jetojnë më mirë.

Pa çka se ikja, madje edhe në formën më beninje të imigracionit të brendshëm (nga fshati drejt qytetit, nga mali drejt fushës), e amputon individin ose familjen nga komuniteti dhe institucionet përkatëse, duke e çrrënjosur nga humusi social, si burim i kodit etik, i konvivialitetit dhe i gëzimit të së qenit së bashku.

Një pjesë e mirë e të ikurve – si migrantë dhe si refugjatë, si të rregullt dhe si të parregullt – mbeten në skajet e komuniteteve pritëse, madje edhe atëherë kur u shmangen kampeve, kapanoneve, qendrave sociale dhe formave të tjera të institucionalizimit.

Në Itali, kjo e drejtë për të mos emigruar merr ndonjëherë trajtën e shprehjes “aiutiamoli a casa loro” (t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre), të cilën e dëgjon edhe nga populistët edhe nga elitistët, edhe nga e djathta edhe nga e majta.

Pavarësisht nga abuzimet që mund të jenë bërë me këtë slogan, ideja në vetvete ka meritë: zakonisht, flukset e rritura të refugjatëve janë pasojë e krizave ekonomike, papunësisë, luftërave civile, instabilitetit institucional.

Aq më tepër, në një botë ku distancat gjeografike relativizohen nga teknologjia, opsioni i ikjes bëhet gjithnjë e më tërheqës, si zgjidhje përballë stresit të papërballueshëm të përditshmërisë.

Janë me miliona ata që, kur u shkelet e drejta për të mos emigruar, e marrin në sy të ushtrojnë “të kundërtën” e saj, të drejtën për të emigruar.

Edhe në një vend mjaft të pasur dhe të zhvilluar si Italia, që kohët e fundit ka ardhur në fokus si zonë e nxehtë e kontaktit të refugjatëve të Mesdheut me trojet e BE-së, kriza ekonomike dhe papunësia mes të rinjve ka sjellë shkelje të brendshme të asaj të drejte: vetëm nga qyteti i Palermos emigrojnë çdo muaj, drejt veriut të Italisë ose gjetiu në Europë a në botë, rreth 1000 të rinj dhe të reja.

Ideja neoliberiste, se krizat migratore do të zgjidhen edhe ato vetvetiu nga ekonomia e tregut, tashmë ka pësuar fiasko. Që qarkullimi i lirë i njerëzve të sjellë të mira jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe shpirtërore të ngjashme me ato të qarkullimit të lirë të mallrave dhe të ideve, duhet që njerëzve t’u respektohen të drejtat elementare në tërësinë e tyre – përfshi edhe të drejtën për të mos u larguar nga atdheu.

Çfarë do të kërkonte qasje më të butë dhe më kapilare; meqë zakonisht nuk bëhet fjalë për refugjatë të dëbuar nga trojet e tyre, por vetëm për njerëz që nuk mund të jetojnë dot më atje ku janë. Por a mund të realizohet kjo qasje në rrethanat kur institucionet e BE-së i ka përfshirë paniku?

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa leje.


[1] Si e drejtë negative, sa kohë që largimi nga vendi yt shihet si i detyruar nga faktorë të jashtëm; por si e drejtë pozitive, sa kohë që vendimin për t’u larguar e merr vetë subjekti (në kuptimin që nuk është se e dëbojnë forcërisht). Zakonisht, kushtetutat e vendeve Perëndimore garantojnë të drejtat negative (të cilat mbahen si më “themelore”), ndërsa të drejtat pozitive mbrohen me ligje më specifike.

30 Komente

  1. Ne asnje vend te botes nuk lejohet hyrja pa vize apo pasaporte, keshtu qe emigrimi eshte boterisht i ndaluar . Kete ne shqiptaret e dime mire, po te ishte ndryshe do ishim zhvendosur thuajse teresisht ne Amerike dhe Angli. Azili politik, fetar etj eshte i lejuar, se njihet si e drejte universale, pavaresisht se shtetet e vendosin vete se kujt t’ia japin azilin e kujt jo. Kosovaret kane perfituar prej azilit politik per t’u vendosur ne Europen gjermanike, ne te Shqiperise ngecem ne Greqi dhe Itali, meqe ua gjetem telat, por edhe prej lehtesise se marrjes se letrave qe ofron psh ligji dhe sistemi italian, ndryshe nga veshtiresite e pafundme ne Gjermani e sidomos Angli. Diferencen mes emigrimit ekonomik te ndaluar dhe azilit politik te lejuar e kapem 6-7 vitet e fundit per te provuar azilin ne Gjermani. Cdo vend ne varesi te nevojave per krahe pune vendos se kujt t’i njohe azilin politik e kujt t’ia mohoje. Ne thelb e drejta e azilit politik supozon vale te caktuara dhe kthim mbrapsht. Pra eshte e drejte per te shpetuar koken dhe pastaj te kthehesh mbrapsht nga ke ardhur, nuk supozon vendosje te perhershme ne vendin prites. Tjeter gje qe nevojat per krahe pune ne vendet me papunesi reale afer zeros, u japin precedencen azilanteve. Azilanti nga ana e vet mund ta kerkoje azilin atje ku do, ose ku ndihet me i sigurte, eshte nje praktike e re kjo qe ta bllokojme azilantin sa del nga shteti i vet apo ne kufijte e BE-se. Gjate viteve te Jugosllavise kosovaret nuk I bllokonte kush ne Itali apo Austri, vende kufitare me ish Jugosllavine, por shkonin deri ne Angli e Suedi. Azilanti ka qene kategori e paprekshme ne Europe, po Merkelja, May dhe grate skandinave e kthyen ne lojen ‘e ka kush e ka’ ( e ka Albania me qera). Hajdeni tha Merkelja se ju presim ne, sikur azili eshte batute apo sllogan per te marre duartrokitje. Tani qe u be mullar, gjejme se kujt t’ia ngopim.

    1. E ke vënë re Hyllin që në shqip të gjithë emrat e shteteve (me fare pak përjashtime) dhe të kontinenteve janë në gjininë femërore? Ç’hall të ketë (pasur) gjuha jonë thua?

      1. Halli i madh i shqipes eshte qe i jep gjini edhe gjerave qe nuk kane gjini.

        1. Gjuha me siguri ka arsyet e saj që ne i quajmë “halle” kur nuk iu u gjejmë dot shpjegim dhe mirë bëjmë, vetëm se duhet dalluar se halli është i yni dhe jo i gjuhës.

      2. Ke te drejte edhe ti Teuta. Ka te drejte edhe dulja, per kategori te ndryshme ku duhet gjinia asnjanese, mund te krijojme gjinine gjuhesore LGBTQ, qe te modernizojme dhe aktualizojme shqipen, psh duke perdorur prapashtesen -ay, keshtu per gega/u e toska/u qe krijon probleme do te kishim toskay dhe gegay.

        1. Kam dëgjuar gra ministre dhe drejtoresha këtu në Shqipëri, që i referohen vetes si “ministër” apo “drejtor” dhe që më është dukur gjithmonë një prezantim qesharak ku nuk besoj se u ka ndonjë faj gjuha. Halli i vërtetë dhe aspak gjuhësor është kur ministreve/drejtoreshave u vishet gjinia mashkullore artificialisht, duke shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe akoma më keq duke i katandisur në marioneta të zbehta në duart e të tjerëve.

          Duke lexuar komentin për “Merkeljen, May dhe grate skandinave”, m’u kujtua ai shoferi i taksisë tek filmi “Kapedani” që për gjithçka që shkon keq thotë: Cherche la femme!

          Tani që u gjet kush e ka fajin, duhet që sy e veshë të presim çdo të thotë Avropi (formë derogative e Europës, ku i ndryshohet gjinia në mashkullore) dhe të paguajmë për gjuhën e gjatë dhe mëndjen e shkurtër, sipas mënyrës tonë.

        2. Teuta eshte normale kur vendosesh ne nje vend pune me hater,se do plotesohen kuotat, se je miku i drejtorit, se i duhet dhene dora te riut etj, pesha e falimentimit ne ate pune bie edhe mbi kategorine e mikut, te riut apo kuotave roze. Nqs Obama duhej te fitonte se s’kishte fituar asnjehere nje zezak , cdo falimentim I takon edhe atyre qe thane ta veme se duhet nje zezak. Nqs kryeministri I ardhshem shqiptar do zgjidhet nje burre me dy pashe mustaqe, me emrin Celo, sepse ka ardhur koha te favorizojme burrat e zakonit, s’po mend qe falimentimi do te bjere edhe mbi mustaqet e Celos. Ashtu sikunder Rama I vuri vizen favorizimit te nje kryeministri piktor, artist.

  2. Merre me mend ku kemi arrit edhe Papa do me qene korrekt politik kur flet per te drejta, dhe jo per detyra. Mire qe nuk thote qe njeriu duhet te kete te drejten per te sakrifikuar se jena keq per shenjtore. Ja prit o Pape sa te krijojme kushte e duhura.

    1. Unë Papët i dëgjoj gjithnjë, kur nuk flasin për punë të Kishës. Por këtë herë m’u duk kurioze edhe kundërvënia, kaq haptazi, e qëndrimit të Ratzinger-it dje me qëndrimin e Bergoglio-s sot. Ky i fundit është angazhuar ballazi me nevojën për “mikpritje”, duke e shtyrë Ratzinger-in e djeshëm drejt pozicioneve populiste (të Legës). Dhe, pavarësisht nga ky debat tani, mua gjermani më duket shumë më i thellë se argjentinasi.

      1. Ratzingeri ka qene nivel shume me i larte nga çdo pikpamje edhe se polaku para tij, por, siç ndodh shpesh, me te miret nuk kane fat. Vlera e Ratzinger ka qene e eklipsuar nga polaku qe pati fame ne rrezimin e komunizmit, dhe sot eshte eklipsuar nga prirjet liberalizuese te argjentinasit.

        Por pavarsisht nga zhurma mediatike dhe simpatite popullore ose elitare Vatikani dhe papet nuk ja var me njeri ne praktike, nuk e ndjek askush ne praktike si me pare, biles edhe bigotet e moshuar te meshes se te djeles, sot “jane me rinine” per ceshtje kardinale, pra ne praktike jane kunder papes, nuk bejne çfar ai thote.

  3. Ratzingerin e hoqen qafe se ishte tradicionalist/rigoroz/ortodoks dhe eurocentrik, vune argjentinasin qe eshte me catholicos/universalist, me i pershtatshem per nje Kishe qe fuqine e ka ne Ameriken Latine dhe Afrike. Ne Afrike po behet ”lufte” mes katolikeve dhe sekteve te ndryshme protestante, ne veçanti Pentekostalet dhe Karizmatiket, te cilet, njehere e nje kohe do ishin percaktuar si heretike.
    Nuk eshte aq pa interes politik, rruga qe ndjek Bergoljo-ja, sepse ne Itali vijne afrikanet dhe qendrimi ndaj tyre eshte jetik per fatet e Kishes Katolike ne Afrike. Ne fakt duket se afrikanet kane dobesi per Pentekostalizmin, i cili eshte perhapur edhe ne kurriz te katolikeve afrikane, aq sa rryma e perbashket Pentekostale+Karizmatike duket te jete disa qindra milione afrikane.

    Nderkohe qe emigracioni duket se ka nxjerre mbi uje ndarjen e vertete te Europes ne Qender e Periferi dhe perandorite apo entitetet hegjemone, zakonisht çmontohen duke filluar nga periferia.
    Anglia nuk pranoi te jete periferi dhe iku,se bashku me 3 popujt e tjere joangleze qe permban Britania e Madhe, Greqine po e mbajne ne spital as te gjalle , as te vdekur, vendet e Vishegradit, Poloni, Hungari, Ceki e Sllovaki, jane ne pozitat e Orbanit dhe jane vendet e radhes qe mund te largohen, Italine e mban ne BE, vetem borxhi i madh publik dhe euroja, perndryshe do ish perplasur me Francen dhe Gjermanine ne menyre frontale, Spanja ka nevoje per idene e BE-se qe te mos i shkeputen etnite.

    Qendra si çdo qender ka vesin qe t’i hedhe plehrat ne periferi, te mos investoje ne periferi, te cilat pashmangshem degradohen.

    Neo-liberistet apo liberalet bene ate qe dine te bejne me mire, te prishin ekuilibrat reale, ne favor te ekuilibrave te para ne enderr.

    1. Hyllin, liberalet shofin endrra, por edhe realiteti ose zhgjendra qe pretendon qe sheh ti eshte me keq se enderr, eshte nje enderr e keqe, makth.

  4. Kshu tha edhe gomari kur po e shqyente ujku: beje Zot te jete enderr e keqe. Ketu behet fjale per gabime themelore politike, sociale dhe ekonomike, qe Brexit vuri ne pah. 1 – struktura politike me hegjemoni franko-gjermane ne rritje. Hap televizorin perdite gjen Veliajn,Ramen dhe Merkelen( ne mungese Makronin). 2- integrimi i emigranteve eshte bere keq ose shume keq. 3- politikat ekonomike dhe fiskale, vecanerisht austerity, dolen te ishin nje katastrofe e vertete. Ne Angli laburistet mbeshteten politikat e austerity sipas keshillave te BE-se dhe FMN, per te zbuluar pas disa vjetesh se demet nga keto politika ishin 76 miliard sterlina dhe FMN-ja doli te pranonte publikisht gabimin. Ne Itali qe nga Monti e Leta tek Renzi e Gentiloni qe kane qeverisur me mbeshtetjen e Brukselit dhe Merkeles, zgjidhjet jane pare vetem brenda austerity, duke thelluar problematiken,sidomos papunesine. Goditja e te varferve dhe investimeve shteterore sipas manualit liberal solli probleme si me konsumin si me investimin, logjikisht shtoi papunesine. Rritja ekonomike pa ulje te papunesise eshte normale per liberizmin, po nuk eshte aspak normale per popullin, I cili do ne radhe te pare punen per vete, pastaj rritjen ekonomike per te gjithe. Ky eshte edhe momenti ku shtresat ne nevoje I bene dalje te majtes ne shumicen e vendeve europiane, sepse e majta kaloi nga socialiste ne liberale, ne nje kohe qe kalimi me I logjikshem do te ishte nga socializmi ne kejnesizem.

    1. Nuk e humbet asnje rast per te na treguar makthin e reales (perzjere me makthet e tua personale). Edhe tani qe te vihet ne dukje, nuk pushon se makthuari per politike si pensionistet ne vakti.

      1. Edhe ti nuk humbet rastin per te treguar qe ne te vertete je psikolog dhe jo psikopat.

        1. Sidoqofte psikolog eshte nje zanat i nderuar, krahasuar me zanatin e xhaxhi veteranit, qe as zanat nuk eshte, por eshtje nje gjendje e mjere.

        2. O psikologu psikopat, je aq i perditesuar sa edhe ushtari japonez ne nje nga ishujt e humbut te Paqesorit, qe ne vitet ’70 mendonte se Japonia ishte ne lufte me Ameriken.
          Si psikolog qe je duhet ta dish se nqs humb aftesine per te dalluar ku mbarojne kufijte e endrrave dhe fillon realiteti, atehere po shfaq simptomat e skicofrenise.

          Meqe do te flasesh per makthet e mia, ja ti je nje nga makthet e mia, se le monizmin komunist per monizmin liberal dhe kur them ti, nenkuptoj te gjithe ata qe si ti kaluan nga monizmi humbes ne monizmin fitues, qe per fat te keq jane shumica derrmuese e shqiptareve. Makthi im eshte mungesa e pluralizmit, mungese qe mundeson prej 30 vjetesh te ike Baka e te vije Zeka. Ti prodhon nje shoqeri skizofrenike, qe nuk di te dalloje endrren nga realiteti dhe qe nuk del dot nga zhgualli ideologjik; njesoj si breshka qe e vetmja gje qe di te beje eshte te mblidhet ne zhguall.
          Po Shqiperise nuk i duhen breshka, i duhen njerez me shtylle kurrizore.

          Problematika qe ngrihet ne kete teme eshte shume e mprehte, ka vulosur Brexit-in dhe nqs nuk jepet nje zgjidhje te pranueshme nga te gjithe e shperben BE-ne.

          Por ka te beje edhe me shqiptaret qe ne vitet e Rames kane vrapuar per azil, plot 157 mije kane kerkuar azil ne 5 vitet e Rames.
          Keta shqiptare kane edhe te drejten per te mos emigruar, qe do te thote zgjidhje e problematikes se papunesise, e cila eshte shtysa kryesore qe i çon njerezit ne emigracion.
          Po ça zgjidhje mund te jape sistemi ekonomik liberal, kur ky sistem nuk ka fare zgjidhje per papunesine, kur thote qe po ishe i papune mbathja jashte shtetit, po nuk gjete pune ne qytetin tend, bej plackat e provoje ne Tirane, se nuk i dihet.

          Ky eshte sistemi qe e ben Ramen te thote, kurbeti eshte shume i mire, s’ke pune, shko jashte. Ky eshte sistemi qe e ben Ramen te mos ndieje asnje presion per investime shteterore ne infrastrukture, t’i lere per ibret e faqe te zeze, keshtu te liroje fonde te cilat mund t’ia jape oligarkeve te vet, per gjithfare konçesionesh dhe te fuse te dyja duart ne buxhetin e shtetit.

          Ky eshte sistemi qe propogandon vleren e shtuar ne dem te punesimit, avantazhin e krahasuar ne dem te prodhimit vendas, duke demtuar vazhdimisht si prodhimin, si punesimin, si investimin, ashtu edhe rritjen ekonomike.

          Vetem brenda nje sistemi te tille, qe prodhon breshka te trembura e jo njerez, mund te dalin politikane qe te thone do hapim vende pune duke mos investuar. Vetem ne nje sistem breshkash, mund te fitoje dikush duke thene se do hape 300 mije vende pune duke mos bere investime shteterore, duke rritur taksat per investitorin dhe duke rritur energjine elektrike per biznesin prodhues.
          Sepse ky eshte sistem ku del psikopati, qe s’di te mbledhe e te zbrese po te jep leksione matematike, statistike, ekonomie e financash shteterore dhe nderkombetare.

          Ky eshte makthi im o psikologu psikopat, qe ne 30 vjet kemi prodhuar vetem breshka ideologjike dhe oligarke.

        3. Hyllin te mungon L.A. e s’ke me çilin diskuton? Jam i lumtur qe une, ne zevendesim te neoliberalit L.A., te sherbej si pretekst per te prodhuar debitin ditor te diskursit politik realist.

          “Po Shqiperise nuk i duhen breshka, i duhen njerez me shtylle kurrizore”.

          Jo vetem Shqiperise – qe eshte nje nje hiç, nje shprehje gjeografike siç ka thene Gjergj Fishta – por tere botes i duhen tre breshka mbi te cilat te mbeshtetet, sepse mbeshtetet mbi diskurse me shtylle kurrizore liberale – antiliberale, kombetariste – antikombetariste.

  5. Me duket se kur perplasen dy te drejta te kunderta gjithmone krijohen probleme qe mund te zgjidhen vetem sipas interesit te më te fortit kur nuk ka arbiter me tager per te vendosur. Psh e drejta ime per te bertitur sa me fort perplaset me te drejten e fqinjit tim per te pasur qetesi, ose per te mos degjuar, Ne mos e zgjidhte policia kete problem, atehere o une vazhdoj te bertas e fqinji im me i dobet s’ka c’ben vetem shan nga nona ne heshtje, ose po qe me i forte vjen me fut nje dru qe me le me ze te ngjirur per jete. Kjo sa per te dhene idene se ka shume te drejta qe te marra veç e veç mund te aplikohen pa problem por kur ndeshen me njera tjetren mund te krijojne situata te pakendshme per palet e perfshira.

    Ne rastin per te cilin ben fjale shkrimi, e drejta per te mos emigruar fillon te egzistoje pikerisht ne castin kur dikush e shkel kete te drejte, dmth kur dikush detyron me force dikë tjeter te emigroje. Ne kete rast “emigrim” shnderrohet ne nje eufemizem, sepse ne te vertete tashme nuk kemi te bejme më me emigrim por me dëbim, pra une do te thosha me shume se e drejta per te mos emigruar, kjo eshte e drejta per te mos u debuar. Me duket se emigrimi i mirefillte kryhet atehere kur individi e merr kete vendim me deshiren e vet, qofte edhe nga e keqja, por pa u debuar me dhune, dhe ne kete rast doreheqja me vullnet te lire nga nje e drejte (nese kjo egziston) jo vetem nuk e shkel kete te drejte po edhe e pushon si te tille, gjithmone kjo per individin ne fjale.

    Me e nderlikuar eshte “e drejta per te emigruar”, sepse edhe kjo eshte e veshtire, per te mos thene e pamundur qe te permbushet automatikisht, ne kuptimin qe edhe ne rastin me te mire te mundshem, dmth ne rastin kur nje shtet pranon emigrante ne menyre te organizuar (USA, Canada, Australi etj.) perseri kerkon ndjekjen e nje procedure, a procesi te paracaktuar derisa e drejta realizohet plotesisht me marrjen e nenshtetesise se shtetit ku ke emigruar. Ne raste te tjera jo aq fatlume, emigrimi fillon si shkelje e nje ligji te shtetit prites. Eshte e zorshme qe ne kete rast te pajtosh “te drejten TIME per te emigruar” me “te drejte sovrane te SHTETIT PRITES per te kerkuar zbatimin e ligjit te vet ne teritorin e vet”. Pikerisht ketu egziston “ZONA GRI” ku perzjerja, a perballja e ca te drejtave te njeres pale me ca ligje (te drejta) te pales tjeter krijojne teatrin e atij qe bertet fort dhe atij qe nuk do te degjoje.

  6. …”http://don-colacho.blogspot.com/2010/01/god-religion.html…” … tha

      1. Ne fakt lidhja nuk ishte sa per ilustrim, dhe kishte te bente drejtperdrejte me diskutimin ne fjale.
        Ne kuptimin qe perballja e dy vikareve te Krishtit eshte nje perpjekje per nje problem qe nuk ekziston. Nuk ekziston se tashme kisha katolike eshte e neshtruar plotesisht ndaj logjike se njeriut. Dhe per te ta ilustruar disi, solla nje lidhje te aforizmave te Nicolas Gomez Davila, nje reaksionar katolik par exellence, nga te fundmit qe pat guzimin te thote ate qe mendon.
        Po te kishte orientimin Peizazhet e Fjales, do t’i kisha perkthyer e do t’i kisha sjelle nen nje kategori si ajo, te themi, e “Mendimeve te Pakrehura”. Po kjo nuk shkon. Do te ishte njesoj si te argumentoja se nazizmi ekonomikishte ishte me produktiv se kapitalizmi apo socializmi.

        Sa per ate nese a kam dicka per te then nga vetja ime, sigurisht. Nje opinion e kam edhe une..
        Me shqeteson tejet fakti i permbysjeve perpara syve te mi te nje sistemi te vlerave me te cilat jemi lindur, rritur dhe do te vdesim. Duke filluar nga cfare eshte e mire dhe cfare eshte e keqe,cfare eshte e bukur dhe cfare eshte e shemtuar, cfare eshte e lejueshme dhe cfare eshte e palejueshme, raporti i shtetit ( tamam, tamam administrates se shtetit) me mua, ana morale dhe ajo legale e ketyre. Shoh per shembull se cfare po ndodh neper universtitet ketu ku jam une, Te themi ndryshimin e mendesise midis studenteve te STEM fields dhe arteve. Dhe me ze frika. Jo per vete. Se une mund ta fsheh veten ne nje shpelle. Por per femijen tim. Apo femijet e femise tim..Me shqeteson pamase ajo pamundesia e qyteterimit perendimor per te ruajtur e per te mbrojtur veten. Si nje njeri, tashme i shkuar ne moshe, qe nuk i del dot zot vetes kur e ze halli.

        Sa per emigrantet si ne Europe ashtu edhe ne SHBA, , ne opinion tim ky nuk eshte emigrim, por invadim.
        Kushdo qe eshte familjar me librat e historise, sheh ne gjendjen e tanishme nje paralel shume te ngjashme me periudhen e vonet te antikitetit te Romes. Nuk ka kornize ligjore apo administrative qe ta rregulloje ate.Cdo perqasje ndaj ketij problem ne te tilla rruge, eshte e destinuar te deshtoje dhe ka per te deshtuar.

        Ne filmin tim, te bardhet ka shume mundesi te perfundojne si nje kaste “prifterinjsh”, with smth like repository of humanking (ops, wrong word nowadays) knowledge in their possession.

        1. Ksamil nuk besoj se ka vend te flasesh per invazion te racave te tjera dhe per humbjen e races se bardhe, sepse ky eshte diskurs i vjeter racist i grupeve ekstremiste ne Perendim.

          Hidhi nje sy ketyre, po i deshe ne anglisht i gjen menjehere vete

          https://www.focus.it/scienza/scienze/nuovi-studi-su-genomi-completi-dei-neanderthal

          http://www.lescienze.it/news/2014/01/29/news/geni_neanderthal_uomo_moderno_mescolamento_ibridi_malattie_sterilit-1987737/

          http://www.lescienze.it/news/2017/10/06/news/presenza_varianti_geni_neandethal_uomo_moderno-3692903/

          Tek kjo e fundit :

          – …innanzitutto la presenza di varianti genetiche neanderthaliane nel genoma degli esseri umani che controllano il fototipo (colorito di carnagione, capelli, occhi, facilità di abbronzatura, tendenza alle scottature solari) e la sintesi della vitamina D.

          Me pak fjale elementet kryesore qe ndajne racen e bardhe nga raca e zeze, ngjyra e lekures, syve fhe flokeve, sinteza e vitamines D, lehtesia e nxirjes dhe prirja per t’u djegur nga dielli, jane elemente neandertalese.

          Njeriu gjenetikisht i paster, 100% Homo Sapiens Sapiens eshte zezaku subsaharian, perndryshe njerezit e races se bardhe jane 96-99 % Homo Sapiens Sapiens dhe 1-4% Homo Neanderthalensis.

          Praktikisht, ne nje diskurs racist, raca ariane eshte kthyer ne llumin e racave njerezore, sepse aty gjenden me shumice gjenet e njeriut te Neandertalit.

          Ka nje shprese per racen ariane, qe jane mongoloidet, meqe distanca gjenetike e mongoloideve me zezaket, qe jane njesia matese e pastertise njerezore, eshte me e madhe sesa distanca e races ariane. Per momentin, nuk ka material gjenetik te mjaftueshem per njeriun e Denisovit, i cili eshte gjetur ne zonat mongoloide dhe Homo Florensis per popullatat oqeanike, qe te hidhet nje hipoteze shkencore e sigurte, dihet vetem distanca me e madhe gjenetike e mongoloideve me afrikanet.

          Teknikisht, ne nje diskurs racor, duhet qe te pranohet nje perqindje zezakesh, por jo mongoloidesh, ne menyre qe te rritet perqindja e pastertise njerezore ne Europe.

          Ajo qe eshte per te qeshur ne gjithe kete muhabet eshte se ku Carleton S. Coon, antropologu fizik me i madh, thoshte se racat njerezore nuk jane thjesht produkt i gjeografise dhe klimes, por i llojeve te ndryshem te njeriut, te shumte e mbanin per te marre, racist, llogjexhi, llafazan etj. Mirepo gjenetika po i jep te drejte dhe llafazanet e te marret dolen ata te tjeret.

        2. “Po te kishte orientimin Peizazhet e Fjales, do t’i kisha perkthyer e do t’i kisha sjelle nen nje kategori si ajo, te themi, e “Mendimeve te Pakrehura”. Po kjo nuk shkon. Do te ishte njesoj si te argumentoja se nazizmi ekonomikisht ishte me produktiv se kapitalizmi apo socializmi.”

          ksamil, pse nuk shkon? Me duket pa lidhje kjo fraze me çfar pason shkruar prej teje, qe me duket se shkon.

        3. Eshte i pamundur diskutimi normal, konfuzionit te komentit te ksamil (qe megjithate mbetet nje koment shume i mire qe ka kap per rrenjesh problemin), Hyllin i mbivendos nje koment qe eshte komplet apsajt, dhe nuk merret vesh eshte i qellimte per te mjegulluar problemin, apo e ben per te treguar aftesite e tij linkuese te djathta pro zezake.

          Sidoqofte pritet te vije ne mejdan L.A. me palle ne dore “ne kerkim ne Linkut te humbur”.

  7. Une u mora me argumentin e ksamilit per emigrantet; nje argument I vjeter i white nationalism qe tashme lexohet rendom ne komente lexuesish ne gazetat perendimore. Racat e tjera, vecanerisht zezaket po invadojne dhe do zhdukin racen e bardhe, prandaj duhet te mblidhemi kunder tyre, armiku ideal kur emigranti eshte edhe zezak edhe myslyman. Mirepo gjenetika po shtron ceshtjen a ka ndonje vlere ruajtja e races se bardhe, kur elementet formues te saj jane gjene neandertalase, te cilat sot s’kane asnje vlere funksionale (Nqs kane pase ndonjehere per homo sapiens sapiens) ? Ceshtja e races se bardhe behet ceshtje estetike , pra ceshtje shijesh, te cilat kane vlere te vogel publike dhe politikisht te pavlera. Per me teper qe gjenet neandertale nder ne duket se shtojne rrezikun e skicofrenise, rrezikun e obezitetit, ate te kolesterolit, te cilat jane kthyer ne probleme te dores se pare ne Perendim. Zezaket I kane keto probleme te uleta per shkak se nder ta mungojne keto gjene neandertale qe shtojne rreziqet e tilla.

  8. “Mirepo gjenetika po shtron ceshtjen a ka ndonje vlere ruajtja e races se bardhe, kur elementet formues te saj jane gjene neandertalase, te cilat sot s’kane asnje vlere funksionale”

    Kam përshtypjen se duhet vendosur “eugenics” në vend të “gjenetika”.
    https://en.wikipedia.org/wiki/Eugenics

    1. Eugjenetika qe njoh une eshte ajo qe po behet ne Perendim ku po nderhyhet ne embrion qe femija I ardhshem te jete I races ariane dhe kjo nderhyrje eshte legale. Nje shoqeri kaq e marrosur pas estetikes eshte mese normale qe do te vihet poshte nga barbari. Tha Cim Peka pas humbjes se Gjermanise me Meksiken, normal qe humben se lojtaret gjermane e kishin mendjen te modeli I flokeve jo tek loja e vlerat gjermanike ne futboll. Qe te rikthehemi tek zezaket, ata perfaqesojne jo vetem njeriun e paster gjenetikisht por edhe njeriun qe eshte i perqendruar ne gjerat praktike e funksionale, cka I jep avantazhe evolutive. Ne fund te fundit keta arianet s’kane c’ti japin me botes dhe si gjithe individet, popujt e racat qe maksimumin e kane prapa ne kohe, rrine e merren me lloj-lloj gjerash siperfaqesore, cic-mice e thashetheme.

  9. Keni dalë disa herë dhe sistematikisht nga tema prandaj po i mbyll komentet. Ju kujtoj se nuk mund ta përdorni këtë hapësirë si chat room. Në të ardhmen, nëse tema ju duket pa interes, mund të ma thoni lirisht ose thjesht ta injoroni.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin