Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Art

GRADIVËS Ç’I PANË SYTË!

Mbase te krijimtaria artistike e W. Jensen-i ka edhe gjëra që mund të kritikohen, por jo gjenialiteti që tregoi kur zgjodhi barelievin, mbi të cilin do të ndërtonte novelën e tij të titulluar Gradiva. Eshtë një vepër arti që ekziston me të vërtetë dhe, jo vetëm për jehonën që pati dhe vazhdon të ketë në kulturën evropiane, por sepse është thjesht magjepse, i lejoj vetes që t’ua rekomandoj ta shikojnë të gjithë atyre që u bie rruga të kalojnë në muzeun Chiaromonti ( në galerinë që lidh pallatin e Belvederes me ansamblin e muzeut të Vatikanit).

Eshtë e vërtetë se atë (novelën) e nxori nga anonimati S. Freud-i, por problemi nuk duket të jetë aq i thjeshtë. E pakta gjë që mund të thuhet është se subjekti dhe subtiliteti i saj i lejoi atij të hapë një fushë të re të praktikës së psikanalizës, aplikimin e saj në interpretimin e veprave të artit.

Gradiva u botua më 1903. W. Jensen rrëfen në të se arkeologu gjerman Norbert Hanold pasi interesohet të ketë një riprodhim në allçi të veprës në fjalë (edhe sot, sikundër atëherë, një gjë të tillë mund ta porosisë kushdo, skundër bëri edhe vetë S. Freud-i më vonë), të cilën e vendosi në zyrën e tij. Duke e vështruar gjatë ai u përpoq të kuptonte misterin e ecjes të gruas në të, të cilën ai e quajti Gradiva (lat. ajo që ecën) një formë femërore kjo e Gradivus, me të cilën njihet Marsi.

Më tej, N. Hanold sheh ëndërr sikur gjendet në Pompei (në çastin e shpërthimit të Vezuvit në ’79) dhe aty sytë i zënë Gradivën, por nuk arrin dot ta njoftojë për rrezikun që e pret. Fort i turbulluar nga një ëndërr e tillë ai shkon fillimisht në Romë, por aty provon një ndjenjë të fortë vetmie dhe kjo e shtyn të vazhdojë udhëtimin e tij deri në Pompei, ku ndodhi takimi i pabesueshëm me një grua krejtësisht të njëjtë me Gradivën, të cilën e sheh duke dalë nga dera e një shtëpie me një hap të lehtë e gjithë hir. Ajo, jo vetëm i afrohet arkeologut tonë të ri, por edhe nis e i flet… Më tej do të kuptohet se vajza që i ishte shfaqur gjatë një ëndrre në mesditë (ora e fantazmave) nuk është veçse një mike e fëmijërisë së tij, ndjenjën e dashurisë për të cilën ai e lë të nëpërduket përmes një konstruksioni të tillë të ndërlikuar të fantazisë së tij… (nuk po shkoj më tej sepse dikur ia kam propozuar për përkthim një botuesi dhe jam gjithnjë në pritje, edhe pse dyshoj shumë nëse mund të ketë njerëz që interesohen për subjekte të tillë).

Arkeologu nis e përjeton një dramë të dhimbshme, sepse jashtë ëndrrës së tij ai gjendet thjesht para një barelievi në një pozicion e lëvizje aq të gjallë e të natyrshme sa të lë përshtypjen se vazhdon ekzistencën e saj në botën e të gjallëve, përtej kohës e hapësirës. Pastaj, në një kuptim më tokësor, ne sot mund të vlerësojmë edhe raportin aq harmonik të këmbëve me trupin (më shumë kelt se greko roman, siç i jep origjinën autori i novelës, edhe pse asgjë nuk dihet për vetë barelievin), asnjë gjurmë celuliti në pjesën e sipërme të kofshës, por edhe ndonjë defekt të vogël: gjiri i majtë më duket i zhvendosur ca majtas, më shumë se sa duhet (mbase mund të ketë qenë edhe një zgjidhje e skulptorit, për t’i dhënë më shumë hapësirë torsit), por kjo nuk ka të bëjë me idenë e këtij shkrimi.

I intriguar nga një subjekt i tillë, S. Freud-i u ul e shkroi një nga esetë më të shënuara të veprës së tij dhe pikërisht Déliri dhe ëndrra te Gradiva e Jansenit (1907) e cila shënon një nga punimet më të parë të psikanalizës së aplikuar në letërsinë artistike. Përveçse të tregojë rëndësinë e ëndrrave në domenin që po krijonte, S. Freud-i heq një paralele mes nocionit të kundërshtimit (refuzimit, mospranimit) me punën e arkeologut që përpiqet të rindërtojë të kaluarën duke u nisur nga mbetjet arkeologjike. Por shkon edhe më tej duke synuar të tregojë qëllimin e njëjtë të letërsisë dhe psikanalizës në eksplorimin e të pathënave të qenies njerëzore (gjë për të cilën dyshoj shumë).

Duket se është një punë që e ka bërë me qejf sepse në një letër që i dërgon një dishepulli të tij të njohur (kur ende nuk kishin nisur të kapeshin prej flokësh) K. Jungut, shkruan: “Këtë herë e dija se kjo punë e vogël meriton të lëvdohet. E shkruajta në dy ditë me diell dhe më ka dhënë shumë kënaqësi edhe mua vetë”.

Por duke se me kohë një kënaqësi të tillë nuk e kanë ndjerë të gjithë. Zëra kritikë janë ngritur gjatë gjithë shekullit të shkuar, madje edhe në këtë fillim shekulli, bile edhe në ditët tona. Madje ky shkrim u bë i mundur ngaqë vetëm së voni, më 2012, u bënë të njohura për herë të parë letrat që ky i fundit i kishte dërguar autorit në fjalë (vetëm pak kohë më parë ndesha rastësisht në to), sepse deri tani ishin të njohura vetëm letrat që Jansen-i i kishte dërguar Freud-it.

Para së gjithash, ka rëndësi të njihet mendimi i vetë Jansenit për analizën që iu bë veprës së tij. Dhe ç’është e vërteta ai nuk e sheh vetën plotësisht në ato që shkruan ati i psikanalizës. Në letrën e parë që i dërgon Freud-it ai shkruan: «… sigurisht, ky rrëfim i vogël nuk kishte « ëndërruar » të bëhej objekt i një gjykimi në këndvështrim psikanalitik, dhe aty-këtu ju i vishni autorit disa qëllime që ai nuk i ka patur, të paktën jo në mënyrë të ndërgjegjshme. Megjithatë, në tërësinë e vet, mund të them pa kufizim, që në esencë mund të jem në një mendje me ju që shkrimi juaj ka kapur thelbin e ideve të librit tim të vogël dhe u ka dhënë vlerësimin e duhur (saktë)”.

Vetë Freud-i nuk është se ka patur ndonjë mendim fort të shkëlqyer për këtë novelë. Te libri autobiografik, Freud-i sipas atij vetë, ai thotë se ajo është veçse “ një novelë e vogël pa rëndësi në vetvete”.

Kanë kaluar vite dhe duket se jo gjithçka ka shkuar mirë midis atyre të dyve. Në një letër tjetër dërguar Jung-ut Freud-i thotë se ai (Jansen-i): « pyetjes kryesore për të mësuar nëse të ecurit e personit në imazh ka diçka patologjike, ai nuk iu përgjigj fare » (mbajeni mend këtë).

Autorë të ndryshëm mendojnë se shqetësimi kryesor i Freud-it ka qenë verifikimi i ideve të tij, gjë që diku-diku e kupton edhe ai vetë. Në një letër tjetër që i dërgon Jung-ut më 21 dhejtor 1907 ai thotë se: “ Nga Jensen-i kam marrë përgjigjen e pyetjeve të mia, ato tregojnë se nga njëra ai nuk është fort i prirur të mbështesë kërkime të tilla e nga ana tjetër lë të kuptojë që marrëdhëniet janë më të komplikuara se sa mund të paraqiten një skemë të thjeshtë”.

Nuk është e lehtë të kuptohet përse është fjala, por ka të ngjatë që të jemi para strukturave të reja shpjeguese psikike të një teorie të ngritur nga Freud-i dhe para disa faktesh të tjerë që edhe pse të padukshme, kanë rol të fuqishëm në ndërtimin e novelës në fjalë nga ana e autorit të saj. Të paktën ky i fundit sheh mospërputhje midis tyre.

Për këtë po i bashkëngjitem një interpretimi që Sara Kofman bëri që më 1973, e cila ka mendim kritik për Freud-in që nga tërësia e novelës së Jansen-it ai merr vetëm elementë që i shërbejnë teorisë së tij. madje ajo vëren se ai ndërton një lloj subjekti tjetër nisur nga elementët të ndryshëm që jep Jensen-i te Gradiva.

Por në thelb, duke u përpjekur të gjejë elementë që mbështesin teorinë e tij, në rastin konkret elementë të refuzimit që motivojnë largimin e N. Hanoldit nga dashuria e tij e fëminisë, Freud-i përmend si shkak lidhjen e tij të fortë me shkencën e arkeologjisë. Ai shkruan: “…autori ynë ka lënë mënjanë motivet nga ku vjen refuzimi i dashurisë së heroit të tij: veprimtaria shkencore është në të vërtetë mjeti që përdor për refuzimin e tij”.

Ndërsa për Kofman, shkenca a më saktë një mënyrë e vështrimit të saj, duhet parë si arsye që e ka shndërruar Hanoldin në një person të nervozuar. Freud-i, thotë ajo, “harron” se Jansen ka dhënë shpjegimin e tij përse Norberti ka refuzuan dashurinë e tij; që nga fëmijëria ai ishte paracaktuar të ndiqte traditën familjare, gjurmët e të atit, që ishte një profesor i dëgjuar dhe personalitet i shquar i periudhës së antikitetit. Thënë ndryshe në gjuhën analitike, ai ka lindur i tredhur (në kuptimimin psikanalitik, i kastruar).

Freud-i nga an e tij e paraqit destinacionin e jetës së personazhit me terma të butë: “… tradita familjare e ka destinuar për arkeologjinë”.

Deri këtu jemi në praktikën e konflikteve dhe përcaktimit të një terminologjie sa më të përshtatshme që motivon qëndrimin e personazhit ndaj një dashurie të hershme, por vërej se disa gjëra kanë mbetur jashtë teksteve akademikë. Janë fort të habitshme disa konsiderata që nuk janë marrë shpesh në analizë. Akoma më i pabesueshëm duke një rast kur Freud-i paraqet disa ide ku në analizën e tij përfshihen edhe elementë të vetë jetës së Jansen-it, me të cilat ai përgjigjet të shpjegojë Gradivën.

Në versionin gjermanisht të Wiki-t (gt) thuhet pak si kalimthi se Freud-i te Gradiva arrin të shquajë dashurinë e romancierit për motrën e tij sakate (ju kujtoj pyetjen që i bëri Jansen-it nëse shihte diçka patologjike te ecja e Gradivës). Një ide e tillë nuk gjendet në esenë për të cilën folëm deri tani (Déliri dhe ëndrra te Gradiva e Jansenit (1907), madje as Wiki nuk jep ndonjë burim, por disa studiues e kanë gjetur një ide të tillë te një letër e 24 shtatorit 1907 që ai i dërgon Jungut (përsëri atij). Por, po në atë letër Freud-i duket se nuk është fort i sigurt, madje e quan idenë e tij si “konstruksion fort të guximshëm” dhe e pyet atë (Jungun) se ç’mendim ka.

Në veprat të tjera të Jensen-it (ka shkruar rreth 150) gjen elementë fort turbullues që edhe ato kanë mbetur pa u analizuar. Në disa raste, novelat e tij përfundojnë me vdekjen e heroit apo heroinës (në kuptimn letrar). Dhe si datë e një ngjarjeje të tillë jepet (jo vetëm një herë, 2 maji). Ajo që duhet shënuar këtu është se një datë të tillë, 2 maji, është dita e vdekjes së një mikeshe të tij të rinisë, Clara Louise Adolphine Witthöfft (16 nëntor 1838-2 maj 1857).

Duket pak e pashpjegueshme që një gjë e tillë që shënjon në mënyrë të pashlyeshme jetën e kujtdo, nuk është marrë kurrë në analizë nga S. Freud-i për shpjegimin e refuzimit të N. Hanoldit për t’u (ri) hapur emocionalisht. Vështirë të besosh edhe se një fakt i tillë ishte i panjohur për të. Do të qe më shumë se e çuditshme për një njeri që kishte dijeni edhe për një lloj problemi në eshtrat e kurrizit të këmbës së motrës së Jansen-it (se për një gjë të tillë bëhet fjalë, kur nxjerr përfundimin e mësipërm dhe habitet me qendrimin e autorit).

Një farë mënyre ky vështrim selektiv i fakteve veçse i jep të drejtë përfundimeve që nxjerr S. Kofman, por besoj se duhet shtuar se gjithsesi jemi ende më 1917, pra vetëm në përpjekjen e tij të parë të eksplorimit të letërsisë me mjetet e psikanalizës (që edhe ato me kohë ai do të vazhdojë t’i rishikojë e përpunojë).

Disa punime të tjera madhore, ende nuk janë konceptuar prej tij. Këtu para së gjithash e kam fjalën për « Krijimtaria letrare dhe ëndrra syhapur » (1910), Një kujtim i fëmijërisë i Leonardo da Vinçit (1913 ), Moisiu i Mikelangjelos (1916), Një kujtim i fëmijërisë së Gëtes, për të arritur te ajo që për mua ëshët vepër magjistrale, Dostojevski dhe problemi i atëvrasjes (1927).

Për t’i mbyllur këto shënime kam dëshirë të shtoj se mendimi i Freud-it për shkrimtarët ka evoluar në kohë. Në fillimet e tij procesin e krijimtarisë ai e sheh pothuaj se një formë të veçantë neuroze dhe shkrimtarët i cilësonte si « neurotikë të epërm », për t’u mrekulluar pastaj nga fakti se shkrimtarët i kishin bërë zbulimet më të mëdha të psikanalizës shumë kohë para se ajo të lindte (më saktë, të krijohej nga ai vetë).

7 Komente

  1. Me sa di unë, të paktën në US, në katedrat më të mirënjohura të psikologjisë psikanaliza e Frojdit nuk studiohet brenda kurrikulumit ngase konsiderohet si jo shkencore.

  2. Ecuria e psikanalizes ne Amerike eshte ca e çuditeshme. Kur ne fillim te shekullit te shkuar (1909) Frojdi shkoi atje (madje i shoqeruar nga Jungu e Ferenci) per te mbajtur disa leksione dhe perhapur zbulimet e tij ne fushen e personaliteteit, ai vuri re se tashme kishte nje popullaritet te madhe aty, veprat e tij te deriatehereshme ishin te perkthyera, madje ekzistonin edhe shoqerirat e para psikanalitike. Me tej diçka ndryshoi, psikanaliza u be fushe e lejuar vetem per mjeket, ndersa psikanaliza laike nuk u zhvillua, sikunder ne Evroper. Kjo nuk e pengoi zhvillimin e saj te vrullshem dhe formimin e disa personaliteteve nga me te medhate, si E. Fromm-i (me gjithe origjinen e tij gjermane), por megjiothate edhe pati nje vizion pak tjeter, pak me “popullor” nga psikanaliza evropiane qe e quante disi intelektualiste.
    Nje drejtim te tille pati edhe krejt zhvillimi i psikanalizes ne Amerike me H. Deutsch ne Boston,H. Maclean ne Cikago, Ph. Greenaere ne N. York, H. Klein, Babcock, Jacobson, Bruch, Malher (ky i fundit ne psikanalizen infantile) dhe plot te tjere te njohur boterisht dhe qe studiohen jo vetem en Amerike. Teori dhe psikologjia e Un-it qe zhvilloi Hartmenn dhe Loewenstein perben nga shtyllat e psikanalizes amerikane, por qe te gjithe kete cilesohen si korrente me vete dhe thone se kane zhvillim me te ndyshem se sa ai i toeorise se zhvilluar nga Frojdi.

    Mua kjo me duket e çuditeshme dhe shpesh me kujton ate shprehen qe thote: asgje nuk humbet, çdo gje transformohet, te cilen e kemi ne goje sa here e kerkon subjekti i bisedes. E megjitahte, te gjithe harrojne se aty eshte fjala per nje ligj te rendesishem te universit te zbuluar ne nga Lomonosovi a Lavuazieri, me duket, te cilet nuk i permend njeri.
    Keshte eshte edhe puna e shkollave psikanalitike amerikane ne raport me plakun Frojd…

    1. E vërtet, me aq sa di unë, psikoterapia në US ushtrohet vetëm nga mjekë të licensuar. Porse nuk kam dijeni se si studiohet dhe praktikohet në fushën e mjekësisë.

      Ndërkohë në fushën ë psikologjisë fokusi ka kaluar tërësisht drejt behaviorism-it sikurse vëreni edhe ju me disa nga emrat që keni përmendur. Kjo edhe i ka hapur rrugën përdorimit të gjërë të statistikës si shkencë në këtë fushë. Aq sa nuk jam i sigurt se sa është e mundur sot në US të studiosh seriozisht psikologji pa pasur njohuri në fushën e statistikave.

  3. Se kush dhe çfare ishte vertet Frojdi, e thote vete ne nje leter drejtuar nje miku (letra nuk gjendet me ne koleksion, eshte zhdukur ka shume mundesi nga admiruesit e Frojdit qe kishin frike nga demaskimi i kundeshtareve te tij):

    “ne realitet nuk jam as nje njeri i shkences, as nje shqyrtues, as nje eksperimentator, as nje mendimtar. Si temperament nuk jam gje tjeter veçse nje konkuistador – nje aventurier nese preferon – me te gjithe kuriozitetin, guximin dhe kembenguljen karakteristike te nje njeriu te ketij lloji”

    Nje njeri i shkences, nje filozof, nje intelektual i shquar nuk mund krijoje kurre nje Levizje, e me pas nje Revolucion, si ne rastin e Revolucionit Seksual, qe ne te mire apo te keq, eshte veper e Frojdit, siç eshte Revolucioni Komunist veper e çifutit tjeter Marks. Jane profesoret qe krijojne universitete dhe akademira shkencore e pordhi kali ne dere te hanit.

    Psikoanaliza eshte e deshtuar, si eshte tashme e deshtuar rrefimi i krishtere tek prifti, por mbetet merita e Frojdit si zbulues i kontinentit te te panjohur me pare te Inkonshit, njesoj si Kolombi zbuloi Ameriken pa ditur deri ne fund vleren madhore te zbulimit te tij. Mbas Frojdit çdo mendim, çdo veprim, çdo ndjenje nuk eshte me si me pare.

  4. Gjithsesi, shkrimi më lart fliste për qasjen psikoanalitike në kritikën letrare, jo për statusin e psikanalizës si “shkencë”. Janë gjëra të ndryshme. Pa folur pastaj që psikanaliza, përveçse shkencë, është edhe praktikë, edhe “art”, në kuptimin tradicional (etimologjik) të kësaj fjale. Por kjo s’ka lidhje me përdorimin e psikanalizës për të analizuar një vepër arti. Për Freud-in dhe analizat e tij letrare është vënë në dukje se ato nuk i shërbejnë ndriçimit të veprës letrare si të tillë, por më shumë diagnostikimit të problemeve psikologjike të autorit – çfarë do ta bënte qasjen vetë shumë të dyshimtë. Nga ana tjetër, interpretimi i një vepre arti si të ishte “ëndërr” – ose produkt procesesh psikike që nuk janë nën kontrollin e egos, nuk kufizohet me neurozat, reale ose të supozuara, të autorit (dhe as me ato të lexuesit). Mua më irriton pak megalomania e psikanalistit, që arrin deri atje sa çdo kundërshtim ndaj elukubracioneve të tij ta shpërfillë si “mekanizëm mbrojtjeje” të pacientit; çfarë i shërben psikanalizës si jelek anti-plumb, duke e imunizuar ndaj çdo lloj falsifikimi (në kuptimin popper-ian). Përndryshe, është e vështirë të kundërshtosh që, për shumë artistë, arti është një formë terapie ndaj problemeve psikike ose emocionale. Prandaj le të pyesim: a na intereson vepra, apo personaliteti i autorit? Dhe përballë kësaj pyetjeje, qasja psikoanalitike është diametralisht e kundërt me atë strukturaliste, që e shumta e konsideron autorin si një lloj kryefjale të gramatikës narrative dhe diskursive të veprës (khs. këtu edhe “vdekjen e autorit” dhe të tjera provokime franceze).

  5. Pse te mos jene te lidhura, por te je te zgjidhura neurozat e autorit me vepren e tij? Neuroza permbledh gjithe shpirtin njerzor ne total, si eshte e mundur qe kjo te mos kete refleks ne veper, per te mos thene qe eshte shkaku i krijimit te vepres?

    Si mund te kontrolloje ego procese psikike te çoroditura nga semundja e neurozes? Eshte njesoj si per trupin e semure qe nuk kontrollohet dot nga i semuri.

    Ty te irriton pak megalomania e psikoanalistit (ka te tjere qe i irriton shume dhe e konsiderojne Frojdin nje sharlatan), Frojdin si iluminist francez e irriton shume megallomania e konfesorit jezuit, prandaj metonte t’i zinte vendin. Me pak fjale te gjithe jane te irrituar nga Autoriteti, dhe situata eshte si ne Revolucionin Francez: Robespierin e irritonte megallomania e Mbretit – preji kaptinen pra -, Zhironden e irritonte megallomania e Robespjerit – preji edhe ketij kaptinen -, direktorati nuk irritohej fare se nuk kish me cilin te irritohej, kishin ngel vetem trupa pa kapitine por me organ seksual voluminoz qe çvedoseshin ne hapsira franceze dhe pastaj evropiane. Prit se ne fund vjen gjithnje Megalomani qe u pret te gjitheve organin seksual per t’i derguar ne lufte.

    “Vdekja e autorit” nuk eshte provokim francez, por eshte “vrasje franceze e Autorit”, eshte kompletim i Revolucionit Francez.

  6. I dashur mik,
    Më entuziazmojmë mendimet e tua, të prera bukur në kritikën artistike, me një gjuhë të pakrahasueshme me të tjerë dhe sidomos… ngacmuese e me një sfond erotik të këndshëm…
    …Me këtë rast do të doja që stina e shirave të mbaronte sa më parë (për çudi stina e shirave shkon përkrah me stinën e mendimeve psikanalitike !) dhe ne të mblidheshim mbrëmjeve te kafe Shkrimtari. Kafenenë e ka një piktor me fytyrë të lodhur që sheh dhe tregon shumë ëndrra, duke u marrë edhe me mendimet e shfaqura e të pashfaqura të Z. Freud-it, i çmendur pas pikturës moderne, një piktor gati i harruar sidomos nga punët e pakuptimshme të ditës e të natës, që sidoqoftë kishte sukses me galeritë e famshme të Kafenesë së tij Shkrimtari. Pas shiut ndihesha vetëm. Porosita një shishe me ajër arktik Kanadaje (për të mos parë ëndrra) dhe shikoja përjashta shiun imagjinar në kopsht, pasi i vërteti e kish mbyllur stinën. Miku im u ul pa u ndjerë pranë meje, duke thithur shishen me ajër (edhe ai). Dukej i menduar. Vështronte dhe ai atë që breronte në mendimet e mia me një melodi gjumëndjellëse diku përjashta dhe pastaj përplasej pa zhurmë në xhamat e mëdha të dritareve. Piktori kish veshur një këmishë ngjyrë mishi të puthitur pas trupit që nxirrte në pah trupin e përsosur që mund ta krahasoje me ecjen e famshme të Gradivës në Vatikan (e cila të duket sikur ecën përjetësisht), varur në qafën e tij prej atleti me dukje të përsosur, e punuar sigurisht nga ndonjë dorë mjeshtri… (Fragment i kapitullit të dytë tek punimi «Dinamika e Personalitetit» me autor Xh. Lleshi)…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin