Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Muzikë

ORKESTRAT E TITANIKUT

nga Ilir Yzeiri

Kanë kaluar gjashtë muaj nga çlirimi i vendit dhe nën okielon “Gjasht Mujori Kultural” të revistës Bota e re njihemi me “Inaugurimin e Shtëpisë së gruas” që është vendosur në një godinë të bukur në “Rrugën e Durrësit“, pastaj mësojmë se më 28 janar 1945 çelet Biblioteka Kombëtare, e cila, siç marrim vesh, numëronte 100 000 vëllime nga 2 mijë që kishte më parë dhe se drejtor i saj është Aleks Buda. Biblioteka është pasuruar me anë të shpronësimeve, pra rrëmbimit të librave nga vilat e të pasurve dhe me koleksionin e librave të Mit‘hat Frashërit.

Kështu shumica e këtyre bibliotekave private që mbaheshin më tepër për të stolisur vilat e politikanëve t’onë, ose qenë të mëshehura nëpër qilarë si biblioteka e famëshme dhe misterioze e Lumo Skëndos, sot iu inkorporuan Bibliotekës Kombëtare dhe janë në dispozicion të publikut këndonjës.”[1]

Kreu i Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, figura madhore e kulturës shqiptare dhe e rreshtuar në krahun e kundërt me komunistët, përmendet ende me nderimin e rezervuar dhe në ligjërimin publik kulturor të paktën, ende nuk janë shtënë shenjat e karakterizimit politik agresiv. Aty thuhet “biblioteka e famshme” (dhe e tillë ishte) dhe “misterioze e Lumo Skëndos”. Nuk ka ngarkesë ideologjike apo politike në shenjueshmërinë e personalitetit të kësaj figure komplekse.

Po çfarë përmbante jeta kulturore e kryeqytetit në pranverën e vitit 1945, dhe pikërisht në prill të atij viti? Më 20 prill, fjala vjen, ditën e premte jepet “Koncert-Muzikal-Instrumental organizuar nga Ministria e Kulturës Popullore. Soprano Tefta Tashko, Gjorgjija Filçe-Truja. Tenor Kristaq Antoniu dhe me orkestër të drejtuar nga maestro U. Rampi”[2]. Sopranoja jonë ndoshta më e mira e të gjitha kohërave Tefta Tashko dhe një dirigjent italian. Lexojmë për një koncert nga një kuartet violinistësh shqiptarë. Kronika e Selahudin Totos thotë se entuziazmi i njerëzve është i madh dhe sallat e Kinemave “Kosova” dhe “Nacional” janë plot. Aty luhen pjesë të Ibsenit e të O’Neill-it. Një pjesë tjetër e suksesshme është “Topazi” përkthyer nga Nonda Bulka. Jehona për suksesin e Tefta Tashkos kuptohet lehtë. Dhe vetëm në mes të raportimit, fare natyrshëm, autori përmend edhe korin që këndon këngë partizane, si ajo për Brigadën e Parë Sulmuese; dhe këngë popullore të përpunuara. Ky kor drejtohet nga profesor Konstantin Trako, për të cilin artikull-shkruesi vëren se “duhet të ruhet nga një inflluks bizantin që çfaqet mjerisht në korin që drejton.“[3] Duket sikur semiotika e korit skenik tani duhet të ndryshojë dhe toni misterioz i kantikave fetare t’ia lërë vendin patetikës revolucionare.

Mirëpo, është vetëm fillimi. Më 17 maj jepet një tjetër koncert në ndihmë të Kryqit të Kuq dhe maestroja italian Umberto Rampi angazhohet me simfoninë e pambaruar të Shubertit. Giuseppina Kosturi dhe Kristaq Antoniu shquhen e para me “Ebben? Ne andro lontana”, i dyti me solon e preludit të Cavalleria Rusticana të Mascagni-t. Mësojmë se më 2 qershor jepet i pari koncert në Shtëpinë e Kulturës me Kristaq Antoniun, Valter Caletti-n dhe Mustafa Krantjen, të shoqëruar në piano nga italiani Mario Ettore. Më tej një poet i ri jugosllav mban një konferencë për letërsinë i pasuar, më 10 qershor, nga Sejfulla Malëshova që flet për “Problemin e kulturës në Shqipërinë e sotme”. Përkujtohet rënia e dëshmorit të luftës dhe piktorit Jordan Misja dhe vijojnë konferencat në Shtëpinë e Kulturës, ku këtë radhë inxhinier Andrea Xega flet për pasuritë e nëntokës shqiptare. Ndërkaq ka rifilluar aktivitetin botuesi i shquar tiranas Ismail Mal Osmani. Kanë pushuar së qarkulluari organet e paraluftës dhe në hapësirën shqiptare shfaqen gazeta të tjera, me emra që shenjojnë semiotikën e re të socrealizmit shqiptar në ngjizje e sipër. Organizatat shoqërore të krijuara rishtas, si ajo e gruas, e rinisë e fëmijëve apo e punëtorëve, pagëzohen me emra të rinj. Nuk ndryshon “Bashkimi,” e cila tani bëhet organ i Frontit Nacionalçlirimtar, pastaj vjen “Rinia” organ i BRASH-it. Fëmijët dhe adoleshentët kanë organin e tyre kombëtar me emrin “Pionieri”. Pionierët e Tiranës kanë edhe një organ tjetër: “Trimi i vogël”. Ushtria Kombëtare ka organin e saj të përjavshëm me emrin “Luftëtari”. Bashkimi i Sindikatave të Shqipërisë organin “Puna”. Del edhe gazeta “Sporti”. Në njoftimet për organet e reja është edhe ai për dy gazeta në gjuhë të huaj. Në Tiranë rrethi “Giuseppe Garibaldi” nxjerr gazetën “Unione” dhe në Gjirokastër nis të dalë gazeta “Laiko Vima,” për pakicën greke. Jemi ende në fazën kur bashkëjetesa mes frymës kulturore të pasluftës dhe traditës së trashëguar nga periudha e monarkisë është paqësore dhe të ngjan se asnjëra nuk përpiqet të zëvendësojë tjetrën apo ta përjashtojë. Por nuk mund të mos vëresh se emrat e organeve të shtypit shqiptar tani i referohen Luftës: “Luftëtari”, “Trimi i vogël”, etj. Në Krye të Ministrisë së Kulturës është Sejfulla Malëshova, dhe vizioni i tij për të është paqësor dhe jo konfliktual. Priret më shumë nga mbrothësimi kombëtar dhe shfrytëzimi i të gjitha burimeve dhe ndihmesa e të gjithë atyre që kanë dhënë vepra e kanë ndihmuar në krijimin e kulturës kombëtare. Sa i takon informacioneve kulturore ndërkombëtare, gjeografia e pasqyrimit të tyre është e gjerë dhe publiku shqiptar njihet sa me atë që ndodh në New York aq edhe me atë që ndodh në Beograd apo Paris. Shqipëria ndihej si pjesë e natyrshme e botës perëndimore e përparimtare.

Në gusht të vitit 1945 mbahet Kongresi i Parë i Frontit nacionalçlirimtar. E para ngjarje e rëndësishme politike e këtij viti, e cila kishte krijuar përshtypjen e triumfit të madh të forcave përparimtare dhe antifashiste. Në këtë kohë Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) ishte në ilegalitet dhe Fronti ishte organi më i lartë. Përkitazi me këtë Kongres ndodh diçka që disa studiues e kanë parë si fillimin e letërsisë me frymëzim idolatrinë politike. Në numrin 2 të revistës “Bota e re”, në faqen 8 në anën e majtë, në një kornizë lexohet njoftimi: Dhimitër S. Shuteriqi – ENVERIT e pastaj mbititulli:

Kjo kangë u shkruejt gjatë seancës së fundit të Kongresit të I-rë të Frontit, pasdreken e 9 Gushtit 1945, kur Enveri kryesonte mbledhjen dhe mbante fjalën e mbylljes së Kongresit. Enthusiasmi, dashunija, adhurimi me të cilat qenë mbushë ato çaste dhe ata njerës dëshmohen në këto vargje.

Enver,
do ngre për ty
nji kangë si ma do zemra mue,
si harmonija e zemrës s’eme të kumbueshme… etj.[4]

Poeti i ri Shuteriqi është në të drejtën e tij dhe shembuj të tillë të kushtimit letrar i gjen në historinë e letërsisë botërore. Majakovski kishte bërë të njëjtën gjë me Leninin. Në një shoqëri normale, demokratike, një traditë e tillë thjesht do të identifikohej si tradita e letërsisë politike, por duke parë zhvillimet e mëpasme në letërsinë shqiptare dhe duke ndjekur fatin e mjaft shkrimtarëve që do të shpalleshin kundërshtarë të komunistëve, vihet re se kjo traditë ngarkohet me një shenjueshmëri tragjike, duke u marrë si provë e ekzistencës letrare në një shoqëri që erdhi e rrëshqiti në diktaturë.

Në numrin 4 të revistës, nën titullin “Koncerti Konstantin Papajorgji” lexojmë një raportim për një koncert instrumental që është dhënë të dielën më 21 tetor në orën 18:30. Nuk është thjesht një raportim gazetaresk për një koncert harqesh, por një tekst që i përmban të gjitha elementet e kritikës muzikore. Autori: Lasgush Poradeci. Është me rëndësi të posaçme ky shkrim që ka formën e një lajmi të shkurtër, që është vendosur në fund të revistës dhe nuk është faqosur në rubrika të dallueshme, por në faqet e fundit si lajm i zakonshëm. Duke analizuar këtë raportim të shkurtër, mësojmë shumë për ekzegjezën e kulturës muzikore shqiptare, në kohën kur Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta dhe vendi gjendej në mjerim total.

Le ta analizojmë këtë raportim. Në fillim, autori na njeh me vendin dhe kohën, dhe na tregon se ky koncert po jepet për herë të dytë dhe se interpreti quhet Konstantin Papajorgji. Marrim vesh se të dyja koncertet janë mirëpritur dhe publiku ka mbushur sallat në të dyja rastet. Në këtë rastin e fundit “ka mbetur një pjesë jashtë sallës më këmbë”[5]. Autori është skrupuloz në raportimin e tij, nuk lë jashtë asnjë detaj. Na tregon se koncerti i dytë u dha në favor të asistencës sociale, pra për bamirësi, për mbledhje fondesh. Jemi tërësisht në atmosferën e vendeve demokratike, ku institucionet e bamirësisë dhe kontributi i artistëve janë pjesë e përditshmërisë. Na thuhet se mysafirët e huaj e ndoqën këtë koncert bashkë me zonjat. Pra, morëm vesh kush e jepte këtë koncert, ku, në çfarë vendi, kujt i drejtohej dhe në fund na tregon edhe efektin.

Si të parën herë, ashtu dhe të dytën, kjo çfaqje artistike u dallua me sukses dyke mbledhur autori duartrokitjet e shumta të pranishmëve.[6].

Ndërsa rrëfimin për përmbajtjen e këtij koncerti ose ajo që në teorinë e modelit të komunikimit shënohet me “çfarë” sipas Laswellit, autori e lë për në fund. Poradeci na shfaqet si gazetar brilant, kritik muzikor klasi. Me një stil konciz, përndryshe karakteristik edhe për poezinë e tij, ai e ndërton rrëfimin duke i dhënë çdo fjale një histori më vete.

Papajorgji, sipas tij, nderon “përpjekjet fillestare të artit muzikor shqiptar”, po ashtu ai vlerësohet sepse ka zgjedhur “subjekte të ndryshme kompozicionale” dhe ka një “zell entuziast dhe të pandalur” për vazhdimin e karrierës artistike. Pastaj përmenden pjesët e ekzekutuara prej tij: Fantazi në Fa madhor (vini re, madhor në vend të maxhor që përdoret sot), Ave Maria, etj. Ekzekutimin e tyre e vlerëson kështu. Njërën nga pjesët e vlerëson për frymëzimin, ngrohtësinë dhe variacionin mjeshtëror të temës. Ave Marian për gjerësinë dhe shpirtin e saj perëndimor. Një pjesë tjetër, Rapsodi Shqiptare, për hirin e motivit popullor, ndërsa atë me titull “Trandafili në Shkodër”, për stilin e kompozicionit modern, “gjë e cila vërteton mundësitë e rikrijimit të muzikës popullore shqiptare.”[7] Dhe për ta paraqitur të plotë atmosferën sqimatare të koncertit, madje për t’i shquar asaj tisin mondan, veçon një detaj:

Na pëlqen të shënojmë këtu përgëzimin që vetërisht i bëri autorit për Ave Maria-n e tij përfaqësonjësi i Misionit englez në Tiranë, një melodashës i pasionuar.”[8]

Sikur të ishim në Shqipërinë e sotme. Analiza vijon më pas me konsiderata të tjera, sërish dromca të një kritike profesioniste të arrirë. Kur vlerëson instrumentistët e tjerë të koncertit, përfshi violonçelistin italian Walter Caletti, se i interpretuan solot e tyre kështu:

I hepuar, i kadifeshëm hargu i Calettit, plot fuqi dhe energjik, i rrumbullt, voluminoz, shumë i përbrëndshëm zëri i dorës së djathtë – kurse Paparistua dha copën e tij në një largo të ndjerë, me precizion tonik të së majtës që mbështette vijën melodike, dhe gjithnjë me temperamentin dhe ndjenjën e hollë të muzikalitetit që e karakterizon.[9]

Duke analizuar tingullin që vjen nga dora e djathtë në violonçel dhe teknikën e dorës së majtë në violinë, ai bën një kritikë muzikore si një profesionist i mbaruar dhe i shton asaj edhe një vërejtje në fund kur thotë:

Nga fundi i koncertit konstatuam një incident deviacioni rithmik në violonçel dhe pjanofortë që paktas preku vërejtjen.[10]

Ky raportim për rubrikën kulturore të revistës mbyllet me një urim në të cilin Lasgushi rendit disa konsiderata. Ai e quan solistin “të kuximshëm”, “të padëshpërueshëm” dhe “pasuronjës të palodhur të muzikës shqiptare në rilindje.” Vështirë të merret sot me mend pse përdor cilësimin “të guximshëm”. Mund të supozojmë vallë se, në atë atmosferë ku kishin filluar të shfaqeshin retë e para të artit të angazhuar, koncertet instrumentale përbënin sfidë? Apo kontrastet që shenjoheshin përditë mes ajrit të lirisë dhe gjyqeve e dënimeve me vdekje, atmosferës së revanshit që kishte filluar të përparonte? Vështirë të thuhet. Pastaj ai e quan “të padëshpërueshëm”. Lasgushi si poet e kishte dëshpërimin shenjë konstante të ekzistencës së tij poetike, ndërsa violinisti që ai e çmonte jo. Dhe në fund, termi që përdor për të karakterizuar kohën e re, përmbysjen, fitoren e partizanëve, ajrin e lirisë, gjithë këtë ai e quan “rilindje”. Dhe e tillë ishte në fillim.

Shënim: Marrë me pak shkurtime dhe redaktime nga libri monografik Semiopragmatika e realizmit socialist, Onufri, Tiranë 2013 (f. 119-129). Falënderojmë me këtë rast autorin, që pati mirësinë të na lejojë ribotimin. Titulli është i redaksisë.

 


[1] Bota e re, nr. 1, korrik 1945, f. 51.

[2] Po aty, f. 52.

[3] Po aty. f. 53.

[4] Bota e Re, viti I, nr. 2, gusht 1945, f. 8

[5] Lazgush Poradeci, Koncerti Konstatntin Papajorgji, Bota e re, nr. 4, tetor 1945, f. 55.

[6] Po ai, po aty, f. 55.

[7] Po ai, po aty, f. 55.

[8] Po ai, po aty, f. 55.

[9] Po ai, po aty, f.55.

[10] Po ai, po aty, f. 55-56.

6 Komente

  1. Nje shkrim kaq i bukur! Nje panorame kaq terheqese e atyre viteve e veshtruar prej nje dritareje mediatike si “Bota e re”. Realiteti dhe emocioni me nota kaq piktoreske dhe me stilin e bukur te Ilir Yzeirit. Faleminderit

  2. Një shkrim mjaft interesant qê sjell atmosferën e kohës kapërcyell, kur shpirti epokês së përmbysur ende sillet në ajër , siç besohet se ndodh nê AfterLife. Rendi i ri ende nuk ka vendosur hegjemoninë e tij dhe homogjenizimin e proletculturës.
    Si në një film shikojmë koncerte me frymë europiane, zonja me peliçe që tronditen nga fjala e re ” shoqe”,gjuha e shkrimeve ende e pa drunjëzuar , ende nuk është përgatitur kallëpi “shqipes totalitare”
    Një nga dukuritë më interesante në atë kohë ishte fakti që PKSH ishte ende në ilegalitet, poshtë maskës së FANÇL.
    Lasgushi si intelektuali brilant i të shkuarës dhe Dh.Shuteriqi , ndonese beretên dhe llullën ala french styl e ruajti deri në fund, tipi intelektualit të ri që kërkonte koha. Me poezinë kushtuar Enverit, mu në fillesat e kulti të tij por sa larg Majakovskit që edhe kur i këndonte Leninit , mjeshtëria artistike e superonte ideologjinë dhe shërbimin ndaj kauzës. Një grimcë ilustruese e faktit se si socrealizmi shqiptar , më pas do të zhvillohej si një surrogato i modelit sovjetik.

    1. Qe PKSh ishte deri me 1948 akoma ne ilegalitet, por jo si grupim i panjohur politik, (anetaret e saj nuk ishin te njohur ne publik dhe gjithashtu nuk sqarohej se cili nga udheheqesit e larte ishte ne PKSh e cili jo), ky fakt ishte i shkruar ne cdo faqe libri shkollor nga vitet 50 e deri ne fund te 80-ave. Dhe justifikohej kjo -gjithnje sipas librave te shkolles- me armikun e gjithkudo-ndodhur. Asgje e vecante dhe interesante. Interesante duket ketu mosdija e brezit te ri per shume e shume fakte te se kaluares, perfshi (po e vazhdoj ketu komentin per shkrimin, per te mos u rikthyer edhe nje here) edhe shume aspekte dhe fakte te tjera, si p.sh. emrat e Ernest Koliqit (me duket se minister arsimi ne kohen e luftes), Gjergj Fishtes, Lumo Skendos (Mit’hat Frasherit -kryetar i Ballit Komb.), etj., ekzistonin ne tekstet shkollore te Letersise deri ne perfundim te vitit shkollor 1947-48. Me pas keto emra u hoqen.

      1. R.th pikësëpari unë nuk jam “brezi ri”. Fjala “Interesante” nuk i referohej ndonjê zbulimi të Yzeirit se PKSH ishte ende në ilegalitet por situates pas Luftës kur regjimi, sikurse në të gjithë vendet e ish Bllokut komunist lindor , vetëquheshin “demokraci popullore” , si njê maakë e regjimit komunist monopartiak që po instalohej. PKSH ishte në ilegalitet , institucionalisht , jo” nga armiku ” (se kuptova mirë këtë shpjegim nga ty) por si pasojë e idesë për krijimin e frontit të gjêrë antifashist gjatê LNÇL, sikurse ishte direktiva e Komiternit.
        “Interesante” për mua êshtë situata ku, pas atmosferês festive , ku bota e vjetër ende mbijeton dhe “bota e re” është në shpërgënj, PKSH qëndron në hije si hienë dhe pret momentin të hedhi tej maskên e ” demokracisë pooullore” dhe të instalojë sistemin monopartiak.
        Në Shqipëri faktikisht PKSH kishte të gjithë pushtetin në kontroll, fill pas luftës , ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes , ku u desh një peeiudhë tranzicioni deri në 1947-1948 ,pêr marrjen e pushtetit nga komunistêt me makinacione dhe mbështetjen e rusëve.

        1. Atehere, nje tjeter fjale mund ta kishte shmangur keqkuptimin, dhe kjo do te ishte: “cuditberse”, ose “me te pakuptueshme”, ne vend te fjales “interesante”, pasi do te tregonte me qarte opinionin tend per kete fakt, ilegalitetin e PKSh-s.
          Edhe ne komentin e dyte po te bej nje korrigjim te vogel. Edhe ne Shqiperi PKSh nuk e pati menjehere te gjithe pushtetin ne kontroll. Opozita ishte e dukshme nja dy vjetet e pare, sepse nuk kish ligj qe i ndalonte organizatat dhe partite e ndryshme. Me dy heret e arrestimeve te deputetve nisi konsolidimi i ketij pushteti, si dhe me arrestimet e shumta ne 1947-en.

  3. Ne asnje faqe libri shkollor (dhe jo vetem) nuk kam hasur te permendet qe PKSH ka qene ne ilegalitet deri ne 1948. Me duket shume interesant si fakt dhe ofron nje perspektive krejt tjeter per periudhen.

    Qenia e nje organizate politike ne ilegalitet, nje organizate kjo qe vetem pak kohe me vone do ishte ne gendje te merrte pushtetin, tregon per pranine e nje sistemi paralel. Shteti legal ose nuk ishte ne gjendje te shtrinte pushtetin e vet e te plotesonte funksionte e veta ne cdo sfere ne te gjithe territorin, ose ligji, simbas te cilit PKSH percaktohesh nje organizate politike e jashteligjshem, ishte i pa aplikueshem/ zbatueshem

    ..” asgje nuk eshte me shkaterruese per nje qeveri dhe per ligjet e nje vendit se sa miratimi i ligjeve qe nuk mund te zbatohen…” … tha ( jo une)

    Megjithmend interesante si periudhe. Nga ilegaliteti ne legalitet, e me pas ne pushtet absolut. Cfare ndodhi?
    A eshte pushteti thjesht ceshtje elitash me teper se sa ceshtje ideologjie apo zbatime te politikave? Po Vox Populi? A ka vend per te? Ciniku thote “JO”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin