Këto ditë që u nda prej nesh – kaq herët, kaq hidhur – Gëzim Qendroja, më shkuan duart te një antologji e përgatitur me kujdes të madh e dashuri nga Ardian Klosi dhe Elsa Demo, Shqipëria kujton, 1944-1991 (K&B, 2009), me tekste e copëza nga 28 autorë shqiptarë të atyre viteve. Shkas për këtë botim ishte bërë 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, por synimi i përgatitësve ishte ta ftonin lexuesin në një reflektim për Shqipërinë nën diktaturë.
Klosi pat ftuar atëherë mikun e vet dhe bashkëpuntorin Gëzim Qendro për ta pasuruar antologjinë me portrete të shkrimtarëve që ishin përfshirë; dhe ashtu kemi sot në dorë një dëshmi jo vetëm të përkushtimit që shkoi te ky botim, por edhe të një talenti më pak të njohur të Gëzimit, të cilin lexuesi sot e vlerëson para së gjithash si estet, kritik dhe historian të arteve pamore. Portretet nuk janë aq shtesë ilustruese në libër, sa ç’përfaqësojnë një përmasë unike të historisë së letrave shqip dhe të konfliktit – gjithnjë dramatik – midis shtypjes së lirisë së mendimit dhe vullnetit individual për ta ruajtur mendjen dhe dinjitetin nën këtë shtypje; sepse ato shkojnë përtej emrave dhe zërave autorialë në tekstet, për të na i sjellë autorët në njerëzinë e tyre individuale, duke na kujtuar se ata që u persekutuan drejtpërdrejt dhe ata të tjerët që e vuajtën dhunën totalitare si prangë të mendimit, ishin njerëz si ne, fytyra që mund t’i shihje në rrugë, persona me të cilët mund të uleshe në tavolinë a të punoje në të njëjtën zyrë, të festoje në të njëjtat festa e të shkoje në të njëjtat funerale. T’i shohësh sot është si të shfletosh me mallëngjim një album të familjes që dikur e ruaje në sirtar, për ta fshehur nga sytë e denoncuesve dhe burracakëve; njëlloj siç ishin ruajtur sirtareve disa nga copëzat letrare të kësaj antologjie. Një pjesë e Shqipërisë që ishte, por edhe e sidomos një pjesë e Shqipërisë që mund të kish qenë.
Së bashku me Elsën, zgjodhëm disa prej portreteve për t’ia risjellë lexuesit – këtë herë si homazh për autorin e tyre Gëzimin; dhe si përkujtesë që në kulturë kontributet mund të jenë gjithnjë individuale dhe të specializuara, por përfitimet i tejkalojnë gjithnjë caqet e një libri, të nje ekspozite, të një galerie a të një salle teatri a koncerti; dhe pasurimi i të gjithëve ne ndodh nëpërmjet bashkëpunimit. Për mua, kjo është edhe një mënyrë tjetër për ta kujtuar së bashku me ju Gëzimin, përtej hapësirës personale dhe miqësisë që kishim.
(c) për shkrimin, përzgjedhjen e imazheve, nxjerrjen nga antologjia dhe formatimin e tyre, 2018, Peizazhe të fjalës; për imazhet, autorët e antologjisë dhe shtëpia botuese. Riprodhimi i këtushëm bëhet pa qëllim fitimi dhe me mirëkuptim.
Portrete ne grafike,te mrekullueshme,nje ilustrim pamor i autoreve te gjitha moshave gjinive,me karakteristikat dhe veçantine e gjithseicilit,isha fatlum qe gjate shfaqjes se nje filmi,bashkpuntorja e palodhur,e te ndjerit idealist i mirfillte,i artit letrar dhe fuqise se tij te pashterrshme,Ardian Klosit,gazetarja me e mire e kultures e viseve Shqiptare Elsa Demo,me dhuron,me bujari te pashoqe,nje ftese,qe edhe une nje artdashes i thjeshte te behesha pjese e nje gostie,plot hir si nje meshe solemne me autoret e gjalle,familjare te tyre dhe te atyre qe kishin ndruar jete,ne promovimin e librit,nuk e dija qe Gezim Qendro,nje njeri i ditur i kulturuar,qytetar i mirfillte,njeri i perkore ishte autori i portreteve,te larushise se tere zerave te letersise,gjate 50 viteve komunizem,si nje deshmi e patjetersueshme.Faleminderit E.Demo&A.Vehbiu drite paçin ne amshim A.Klosi&G.Qendro!