Kur mora vesh që Ermal Meta së bashku me një “italian” kish fituar Festivalin e Sanremos, menjëherë u ula ta dëgjoj këngën – diçka që, për kohët që jetojmë, do të thotë “u ula ta shoh këngën”, sepse sot ne të gjitha i shohim, madje edhe kur thjesht ia ngulim sytë, në YouTube, imazhit të një lotusi, të një mjellme që po e ha lotusin a të një plazhi brazilian, teksa kolona zanore përcillet si pa dashur në sfond. U ula pra, ta shoh këngën, edhe pse më duhet ta pranoj se entuziazmi me të cilin ulesha dikur ta shoh Festivalin e Sanremos tashmë më është humbur në arkën e kujtimeve. Mirëpo Sanremoja është Sanremo, të paktën ka aq vjet rrotull sa të përfaqësojë jo eventin por institucionin – la canzone italiana; dhe kënga fituese ka meritë, në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë ka fituar Sanremon. Prandaj edhe, gjithë duke ndenjur ulur për ta parë këngën, teksa “ata të dy”, ose dyshja Meta-Moro filluan interpretimin aq të sinkopuar, u kujtova, jo pa një farë llaftarie, se unë nuk e dija cili prej tyre ishte Meta dhe cili Moroja, dhe se tani ish tepër vonë për të pyetur; por më ngushëlloi bindja se të paktën njëri prej tyre duhej të ishte Meta, ose yni – artisti për të cilin duhej të ngazëllehesha, të ngashërehesha, të mallëngjehesha, të përdëllehesha, të jepja votën (të jepja besën?), të isha krenar që […], të njëjtësohesha, të vuaja në mënyrë kompasionante, të ndalja frymën; dhe për pak kjo luhatje iterative e syve të mi nga një fytyrë tek tjetra, në kërkim të një tipari nacional çfarëdo, të një gjesti idiosinkratik, të një tiku nervoz, të një difekti në shqiptim, të një modeli flokësh a kafshimi të buzës së poshtme, që do të më lejonte më në fund identifikimin, kjo luhatje pra, për pak sa nuk ma nxori për hundësh lezetin e këngës; që në fakt nuk ishte e keqe: një melodi me një farë intensiteti madje drame, por edhe e ngritur mbi rituale muzikore italiane të Jugut (arbëreshe?, no, grazie), dhe një tekst që po më lexohej si kryeartikulli i një reviste të vogël por luftarake studentësh, nga një universitet sërish i Italisë së Jugut, me të gjitha parullat e duhura dhe mesazhin politikisht korrekt. Melodi tërheqëse, zëra të kombinuar, ritëm dhe crescendo, çfarë t’i kërkosh tjetër një kënge? Ah, po Ermal Meta? Çfarë Ermal Meta? Që është shqiptar, pra. Por jo në kuptimin se po e këndon këngën shqip, a përfaqëson Shqipërinë, a ka dalë me kostum popullor kombëtar (ose është fotografuar në të), a është i dërguar i posaçëm i “Tiranës zyrtare”, a ka folur në emër të shqiptarëve të diasporës e të sporeve shqiptare nëpër botë. Jo në këtë kuptim, por vetëm që është shqiptar, dhe kjo duhet përshëndetur njëfarësoj, sepse ai atje këndon edhe për ty edhe për mua, dhe ua përplas keqazi në fytyrë të gjithë atyre italianëve që deri dje na tregonin me gisht si të ishim qen rrugësh dhe që ulërinin me frikë “mamma gli albanesi” dhe që na mbytën në det si të ishim një kargo me skllevër të paligjshëm. Ja kështu – dhe në fund të kësaj ligjërate imagjinare, ja ku e kapa edhe unë veten të mbërthyer në kllapat e zemëratës, dhe duke pritur që ta identifikoja këtë Ermal Metë të bekuar në momentin kur ky të kthehej dhe t’i pështynte italianit, ose ta qëllonte me grusht për ta hedhur përdhé: Shqipëri-Itali 1:0. Dhe aq më tepër shqiptar paskësh qenë ky Meta, më tha zëri i heshtur që më qortonte metodikisht, gjatë gjithë kohës që po shihja këngën, në rrethanat kur kjo vetë, kënga, nuk kish asgjë shqiptare, pse e kompozuar italisht dhe me një tekst italisht dhe e interpretuar në një skenë institucionale të këngës italiane para një publiku italian dhe e përcjellë nga televizioni italian dhe kështu me radhë; pra ky Meta, më tha gjithnjë ai zëri, i paska pasur të gjithë kundra, e megjithatë ia doli të fitonte, sepse shqiptarët… dhe këtu zëri nuk vazhdoi dot më, sepse u rrëmbush dhe i mbeti llafi në grykë. Ata të dy po e këndonin tani këngën edhe një herë, apo YouTube më kish kaluar te një video tjetër e interpretimit të tyre, dhe unë sërish nuk e kisha njohur dot vëllain tim të gjakut, por melodinë ndërkohë po e përcillja me zë; dhe ashtu pata aq guxim sa të kujtoj Sanremo të tjera, të vjetra, të pluhurosura, ku shqiptarët nuk i gjeje në skenë (me përjashtim kushedi të Anna Oxa-s dhe, le ta themi, të Al Banos) por i gjeje të ngulur para televizorëve bardhezi, të tërhequr e të magjepsur e të magnetizuar si fluturat e natës nga drita; dhe jo në kërkim të konfirmimit të krenarisë së tyre, dhe as për të qëmtuar shqiptarë të tjerë në eter, por thjesht për të shijuar muzikën e bukur, elegancën, veshjet, lulet dhe shkëlqimin e skenës; një publik i mbledhur ashtu pa dashur, gjysmë ilegal, por krejt legjitim në ambiciet e veta. Sepse, tek e fundit, kënga është për t’u shijuar, jo për të riprodhuar vetëdijen kombëtare dhe instinktet etnike. “Një shqiptar fitoi Sanremon” – qenkësha infektuar edhe unë nga kjo shkallë zero e histerisë, nga ky angazhim serioz i një publiku të cilin nuk e lidh asgjë me muzikën, nga rrafshimi totalitar i shijes dhe i qasjes ndaj spektaklit, në emër të identitetit; pa çka se ky entuziazëm kaq sportiv, për “një shqiptar që fitoi Sanremon”, nuk është veçse gëzimi i atij që habitet – pa arsye – se edhe shqiptarët dinë të këndojnë dhe të fitojnë, sikurse dinë edhe të jenë artistë dhe të komunikojnë me publikun e vet; dhe këtu më vjen gjithnjë në mend thënia e atij amerikanit, se “unë nuk do të pranoja kurrë të bëhesha anëtar i atij klubi që do të më pranonte si anëtar”, meqë e kam të qartë se atij zërit, që pothuajse nuk më la ta pëlqeja kanconetën e Sanremos dhe që desh më detyroi të ndërmerrja analiza gjenealogjike dhe gjenetike dhe t’ua matja kafkat interpretuesve për t’ua gjetur atë të shkretë indeks cefalik; atij zërit, pra, që u indinjua me mua që nuk po ndihesha krenar (nuk po ndihesha akoma krenar), atij zërit ende nuk i besohet, thellë-thellë, që një shqiptar mundet. Dhe ashtu fitorja e Metës në Sanremo përkon me disfatën e madhe të kitsch-it nacionalist.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës
Hahaha,Çfare zhgenjimi A.Vehbiu,E.Meta te pakten te ishte veshur,kuq e zi,te kishte nje tatuazh me shkaben dy krenare,apo kur mbaroj kenga,te bente me duar,simbolin e shkabes dykrenare,ose te thoshte”Faleminderit” ne mbyllje te kenges,si Elsa Lila dikur,turp ti vije nuk na nevojitet ky lloj integrimi i plote,sa te mos shquhet fare nga bashk’kendonjesi i kenges fituese,pastaj duhej edhe nje foto me flamurin kombetar,E.Meta ne mes te E.Rama&M.Kumbaros,ta shihnim tek ERTV,duke kenduar”Oh sa mire me qe’n Shqiptar”mos ndofta nga nje vale ksenofobie qe ka shperthyer ne ltali,lidhur me ngjarjen e Maçerates,ltalianet thane ti japim çmimin e pare,nje Arberori,aq me teper qe eshte i zeshket,floket e zeza korb kaçurrela,duket si nje ltalo-Jugor i qytetruar,keshtu kenaqen gjitha palet,sidomos Shqiperia,ku jetojne 20.000 italiane(mos e dhashte Zoti hamendsim ciinik antipatriotik).
z. Sulaj, ne që mirëmbajmë faqen “Peizazhe të fjalës” kujdesemi, mes shumë gjërave të tjera, edhe që lexuesi të ketë një eksperiencë sa më optimale të shfletimit dhe të përdorimit të faqes. Për këtë arsye, ka rëndësi edhe që komentet të kenë paraqitje të pranueshme. Prandaj po ju kërkojmë që të tregoni më shumë vëmendje me pikësimin në komentet tuaja dhe të shtoni hapësira pas pikave, presjeve dhe shenjave të tjera të pikësimit, në mënyrë që këto të duken mirë në faqe dhe të lexohen.
Jam dakort me analizen racionale te permbajtur ne artikull e megjithate me mbetet fakti qe edhe une (qe nuk i perkase grupimeve histeriko-nacionaliste) u emocionova kur degjova lajmin dhe pashe videon. E perseri, jo se kenga ishte ndonje spektakel i jashtezakonshem (megjithate nuk ishte e keqe), por sepse njeri prej taneve ia doli mbane, sepse para 20 vitesh ne Itali do te kishte qene diçka e pamendueshme qe nje djale me origjine shqiptare te fitonte Sanremon, sepse para 20 vitesh, te ishe “albanese” ne Itali ishte nje sharje. Meta nuk eshte as i pari e as i fundit shqiptaro-italian qe ia ka dale mbane me se mire ne skenen dhe biznesin italian, por me siguri qe eshte nje shembull i rendesishem pozitiv. E tregon deri diku se te pakten ne Itali shqiptaret jane integruar ose jane ne proces e siper integrimi dhe kjo eshte per t’u pershendetur. Nuk besoj se meriten e ketij integrimi e kane vetem shqiptaret, me gjasa ta kene ne menyre te barabarte edhe italianet te cilet, megjithese me shume e shume halle ne shtepine e tyre, nuk u treguan ne menyre kokefortesisht te mbyllur ndaj hireve te emigranteve te shumte qe u dynden ne Itali, e vazhdojne te dynden. E me siguri meriten e ketij integrimi nuk e kane institucionet shqiptare. Meriten e ka Ermal Meta dhe familja e tij dhe njerezit qe i kane qendruar prane, kane besuar dhe investuar ne te. Per ne te tjeret qe e shohim nga kjo dritarja e vogel virtuale mbetet vetem shpresa se ne Itali ka edhe mijera Ermalë te tjerë qe po perpiqen t’ia dalin mbane dhe se askush ose pakkush ka deshire apo qellim t’i pengoje vetem e vetem se kane lindur nga ana tjeter e Adriatikut.
Dakord. Një histori, një narrativë, një “moral tale”, me vlera nëse duam ngushëlluese, nëse duam edukative, nëse duam thjesht sentimentale. E llojit “from rags to riches.” Dhe po ashtu: një klishe, që sa më shumë kalon koha, aq më shumë shënjon vetveten. Sepse këto të shqiptarëve që arrijnë suksesin në emigrim tashmë i përkasin pazarit të historive të zhvleftësuara. Aë shumë ngaqë, prej gjithë narrativave që mund të sillen, është më e keqja për qytetarinë. Duket sikur frymëzon por vetëm sa çarmatos. Të sugjeron: “ju shqiptarët nuk jetoni dot bashkë.” Dhe më tej: “nuk krijoni dot bashkë, as shtet as kulturë.” Të njëjtët njerëz që qesin tani pushkë për Ermalin, nuk arrijnë dot të ndalin maskarallëkun, mu përtej derës së tyre. Festojnë që një shqiptar fitoi Festivalin e Sanremos dhe nuk pyesin që Festivali i RTSH-së ka kohë që është katandisur në një cirk pre-eliminator për Eurosong-un. Njerëz që i qasen muzikës dhe artit si të ishte sport kompetitiv (tek e fundit, për këtë i ka frymëzuar edhe Ministrja vetë, siç e kam cekur në një shkrim të para ca ditëve). Dhe që, në entuziazëm e sipër, harrojnë që bëhet fjalë për muzikë italiane, për t’u shijuar të paktën si muzikë.
AV: Duket sikur frymëzon por vetëm sa çarmatos. Të sugjeron: “ju shqiptarët nuk jetoni dot bashkë.” Dhe më tej: “nuk krijoni dot bashkë, as shtet as kulturë.”
Mundet, shumëkujt i sugjeron këtë. Megjithatë, vërtet ka mbetur kjo “fitore” për të na ndërgjegjësuar ndaj paaftësisë tonë për të bërë shtet e/o kulturë? Janë plot zhgënjimet e mëdha dhe të vogla, të herëpashershme e të përditshme, që më/na kujtojnë realitetin e hidhur. Me sinqeritetin më të madh, nuk e ndiej t’ia jap këtë përgjegjësi E. Metës dhe kujt gëzon për fitoren e tij. Të tjerat pastaj, “maskarallëkun”, “cirkun” etj. etj., janë të gjitha të vërtet, po ç’lidhje kanë me Metën. Po, Meta dhe fitorja e tij mund dhe do të strumentalizohen, siç ndodh pak a shumë gjithandej, por kjo nuk ia heq vlefshmërinë ndjenjave autentike. Për aq kohë sa janë të tilla, s’ka arsye pse t’i zhvlerësojmë apo snobojmë.
Këtë doja të thoja që në fillim: kënga mund të jetë thjesht një këngëz, Meta një këngëtar i ri as fort i shkëlqyer, situata e hiperbolizuar dhe manipuluar për të fryre me nacionalizëm barkun bosh të shumë shqiptarëve, e megjithatë, ka fatmirësisht ende njerëz që arrijnë të gëzojnë për suksesin e vogël të dikujt që dikur, në një tjetër kohë e hapësirë, mund të kishte qenë shoku i bankës, fqinji apo kushëriri… njëri prej nesh me një fjalë… nuk shoh asgjë të keqe këtu.
Ndoshta nuk ka ndonjë gjë të keqe, për ata që gëzojnë. Por edhe të shkruash diçka për këtë fenomen, siç bëra unë, nuk është njëlloj si t’u futesh atyre në shtëpitë, t’u përmbysësh tavolinat dhe t’u thuash “mos gëzoni.” Imja është një përpjekje – me humor – për të shtuar një pikëvështrimi që, le ta theksoj, është po aq legjitime sa edhe ajo e atyre që “gëzojnë.” Siç e prisja, i mora edhe ca fshikullime për këtë opinion – por edhe kjo është pjesë e marrëveshjes që kam me lexuesin. Synimi im, si këtu si gjetiu, është që të përpiqem të kuptoj çfarë po ndodh me ne të gjithë, ngaqë – gjithnjë nga këndvështrimi im – punët e kulturës janë si mos më keq. Dhe besoj se entuziazmi për arritje si kjo e Metës duhet interpretuar, më shumë se të përshëndetet. Ndoshta kjo, që njerëzit “gëzojnë” për ngjarje të tilla, është në vetvete arsye për t’u shqetësuar. Jo se kam gjë veçanërisht me muzikën pop, por ky nuk është gëzim për një këngë të bukur, as për një interpretim të bukur, as për një institucion të respektuar, si Sanremoja – ky është gëzim si ai i tifozit të futbollit që ngre flamurin “autocthonous”. Është shkalla zero e gëzimit. Nuk shoqërohet me ndonjë përjetim estetik, as me ndonjë emocion artistik: prandaj edhe titulli i shkrimit tim, që në fakt rimerr titullin e një albumi relativisht të vjetër të Edoardo Bennato-s. Dhe, aq më keq, është një lloj gëzimi të cilin po e kapitalizojnë, prej vitesh, politikat kulturore parazitare të qeverisë së sotme në Tiranë, me të cilat unë absolutisht nuk pajtohem. Se, në analizë të fundit, njerëzit gëzojnë edhe kur ia japin votën një qelbësire, por kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe macja e ngre fundin e shpinës përpjetë, kur ia kruajnë bishtin.
Nje cudi e madhe! Edhe kur kemi shume arsye te gezohemi, do te gjejme rast te luajme rolin e attij qe italianet i thone guasta festa. Jemi shkaterruar keqazi shpirterisht e menderisht qe gjejme te perbaltim me ironi, me ligesi te bukuren. KENGA FITUESE E FEST TE sanremos qe fituese per tekstin kuptimplote, aktual, te dhimbshem, per ate mesazh paqeje kunder dhunes e inutili guerre , dhe pa dyshim per muziken e bukur e origjinale. C,kerkojme me teper? Gjithe ketyre vlerave qenka gje primitive t,i shtojme edhe gezimin qe fituesi eshte nje shqiptar? Primitive e provinciale do te ishte po te vinte ne dukje kombesine kur kete s,e ben askush, sidomos ne nje festival te kenges italiane. Perseris:cudi e madhe me reagime qe tregojne
mungese ndaj kryesores: aftesise per t,u gezuar.
Besi per çfare po flet? Nese nenkupton shkrimin me siper, kam frike se del nevoja t’i kthehesh edhe nje here. Ka te ngjare qe, ne nxitim e siper, ju apo edhe ndonje tjeter t’i kete kaluar anash thelbit e tij.
Pertej thelbit Lyss, ( packa se praktikishte c’do fraze e shkruajtur mund te permbaj thelbin e vet ), kam bindjen qe vetkeqardhja ‘autocommiserazione’, eshte po aq antiproduktive sa edhe krekosja maniakale, pak me shume ekuiliber nuk do te bente keq !!!
…Ndersa mua sot me gezovi me shume fakti qe nje koleg dhe bashkatdhetar i imi, u kthye ne Shqiperi, me qellimin e mire per te kontribuar ne zhvillimin e vendit te tije .Ka nga ata qe kendojne por ka gjithashtu edhe nga ata qe Patriotizmin e deftejne me vepra !!
Tek entuziasmi per fitoren e kengetarit me origjine shqiptare, une verej ekzaltim te fshehur krahinorist. Kjo eshte ajo c’ka une kam verejtur, nga te gjithe reagimet qe kam mundur te lexoj .
Suksesi planetar i kengetareve shqiptare nga Kosova, na ka bere krenare te gjitheve por, per nje pjese prej nesh (shqiptare te shqiperise), nje sukses i tille eshte pritur sa me entuziazem, aq edhe me njefare terheqjeje ( ne kuptimin e ndrojtjes) emocionale, e kjo , qe ta themi troc, per shkak te dialektit ( me sakte do te ishte : per shkak te krahines, sepse, sipas mendimit tim, krahinorizmi eshte nje problem shume i madh i shoqerise shqiptare, pavaresisht se intelektualet, per turpin e tyre, heshtin per te).
Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi, Dafina Zeqiri, te gjithe keto kengetare te talentuara dhe te famshme nderkombetarisht te marra se bashku, per kaq e kaq kohe qe jane te famshme, nuk kane zgjuar kaq shume ndjeshmerine e shqiptareve te Shqiperise, sa nje kengetar i vetem, i talentuar, nga Fieri i Shqiperise, qe dmth nga Jugu i Shqiperise…!
Aty ku shume te tjere shohin nacionalizem tek fitorja e kengetarit me origjine shqiptare, une shoh, pervec kesaj, edhe krahinorizem.
Timur se me bere kurioz: Kush do ishte solidar me nje fierak? Pyes ne kuptimin tend te krahinorizmit…
Nje lushnjar psh, ose e shumta nje beratas.
n! , mund te mos e permendja origjinen e kengetarit Ermal Meta. Bile as te kisha thene nga Jugu. Sepse, ne kete rast, edhe po te ishte nga Shqiperia e Mesme, madje edhe ajo e Veriut, pak a shume te njejten ndjesi do te vereja, gjithsesi.
Ndjesia, per te cilen e kam fjalen, me ka mbetur krejt natyrshem, pa e kerkuar. Nuk po them as se eshte gje e mire, as se eshte gje e keqe; thjeshte po shpreh nje ndjesi.
Kengetaret nga Kosova, qe permenda me lart, po te kishin marre pjese ne ate konkursin e famshem te Krastes me kompozitoret me te mire shqiptare, “Ethet e se premtes” , do te skualifikoheshin qe ne audicione. Pa as me te voglin dyshim.
Nuk eshte thene ndonjehere, te pakten une se kam degjuar, por keta kompozitore dhe muzikante te shkelqyer si te tille, jane sjelle si tirane sa u perket shijeve muzikore, duke kultivuar tek shoqeria shqiptare ( e Shqiperise) nje lloj konservatorizmi shume te forte ne shije.
Ky eshte shkaku, qe shume kengetare shqiptare, duken sikur e kane shume te veshtire te pershtaten me trendet e reja muzikore; edhe kur e bejne, kur perpiqen ta bejne, e bejne duke imituar koleget e tyre nga Kosova, te cilet, nuk e kane dhe as e vuajne kete kompleksin qe vjen nga “tiranet” e nderuar dhe te respektuar te shijeve muzikore.
Keshtu, kur nje kengetar nga Shqiperia ( si E. Meta, prsh) arrin nje sukses te tille, entuziazmi tek shqiptaret tradheton kete kompleks ne shijet muzikore : ja, kjo eshte muzike e vertete … San Remo, Festivali (mitik) XI … !
Timur, edhe une qe kam mbledhur te gjithe muziken e botes (ato qe me pelqejne), dhe qe pak ose aspak me terheq muzika e sotme “moderne”, (rap jo e jo), i kam degjuar emrat e mesiperm (Rita Ora, Era Istrefi, Bebe Rexha, etj.) nga gazetat shqiptare. Cfar do te thote se shtypi shqiptar, TV-ja dhe radiot shqiptare u kane bere ketyre emrave mjaft jehone. Me kalimin e kohes u kam degjuar edhe disa nga kenget ketyre kengetareve, por me perjashtim te kenges “le mama” qe kendon Nora Istrefi me Genen, te gjithe te tjerat kane humbur jehonen e tyre brenda disa muajsh, (perjashto “ta ka lali xhan..” jehona e se ciles zgjati me shume andej nga Pakistani). Prandaj ia fute kot me ndarjen krahinore ne muzike. Biles po shtoj edhe kete tjetren, Kosova -bie fjala- nuk dallon per asgje, as per kulture, as per dije, as per shkence, as per politike, per asgje. Por dallon per poezite e Ali Podrimes dhe per muziken e saj, perfshi ketu grupet e ndryshme te muzikes.
r.th. , tani e pashe komentin tuaj, dhe po them dicka ne lidhje me te. Dua Lipa sapo fitoi nje cmim ne nje nga evenimentet me te medha te muzikes boterore. Ajo bashke me Rita Oren jane ne maje te klasifikimeve boterore te muzikes. Mbase, per “shijet e perpunuara” nga “tiranet” e shijeve muzikore ( te shqiptareve te Shqiperise) qe kane prodhuar muzike te cuditshme kinezo – italiane, kjo s’thote ndonje gje te madhe. Une mendoj ndryshe.
Vura ne dukje nje ndjesi timen te pafajshme , dhe ja ku po ma vertetoni ju vete, kur thoni : ” Kosova – bie fjala – nuk dallon per asgje…” !
Po ta mendonit ashtu sic e mendoj une, dhe bashke me mua edhe shume te tjere, Kosoven, thjeshte si nje zgjatim te Shqiperise ne Veri dhe kulturen qe prodhohet atje si pjese integrale te kultures kombetare, besoj se nuk do ta kishit kete paragjykim.
Gjithsesi, duke respektuar paragjykimin tuaj, dhe ne te njejten kohe, per t’ua hedhur poshte ate, une mund t’ju sjell nje shembull : Bekim Fehmiun.
Bekim Fehmiu eshte i vetmi aktor shqiptar, me te vertete i famshem nderkombetarisht. Ne, ne Shqiperi, me te vertete qe kemi shume aktore te mire, aktore te medhenj sic thuhet rendom, madje legjendare, sic thuhet po kaq rendom keto kohet e fundit, por keta jane te tille vetem per ne.
Edhe nje nga keta, qe nuk po i permend emrin per etike dhe respekt, aktor me te vertete i mire, kur vajti ne Hollivud te provonte fatin, e moren ne rolin e nje keqberesi te rendomte (megjithese ne ketu, ishim mesuar ta shikonim te luante role heronjsh ), dmth as te nje heroi negativ !
Por, edhe sopranoja e pare e famshme nderkombetarisht, nese i permbahemi standardit shqiptar te vetemburrjes, Inva Mula, eshte “bija e saj Kosove” .
Sa i perket shkrimtareve, meqe moret shembull, ketu jam dakord me ju. Bile ,mund te shtoj qe jo vetem nuk ka, por as ka per te patur, derisa shqiptaret e Kosoves te akulturohen standardikisht; qe dmth, zor se ka per te patur per nje kohe tejet te gjate.
Timur, pse mendoni që këngëtaret e përmendura nuk kanë zgjuar të njëjtën ndjeshmëri në Shqipëri? Keni ndonjë matje statistikore kështu?
Mua ky komenti juaj më duket cinik, i pabazuar në fakte, dashakeqës dhe tinzar, sa kohë që i fryn përçarjes krahinore edhe aty ku s’ka kurrfarë gjurme prej saj.
Vezet e qyqes, shkrimi i duhur per keto kohra …
Autori i këtij shkrimi përmes numeracionit “duhet të përdëllehësha, mallëngjehesha, ngazëllehesha, ngashërehesha etj etj” shpreh cinizëm me gëzimin e tepruar të shqiptarëve për fitoren e Ermal Metës. Nuk e kuptoj pse kaq shumë merren njerëzit me gëzimin e të tjerëve. A nuk është e drejtë ekskluzive e personale e drejta e gëzimit, mërzisë, mallëngjimit, trishtimit? A ka të drejtë dikush, kushdo qoftë, të marrë në gjykim ndjenjat e të tjerëve?! Mendoj se jo.
Në fund të fundit, më mirë një gëzim i paarsyeshëm sesa një mllef i arsyeshëm.
E megjithate, Ermali vetë (pra VETË Ermali) eshte shume here me teper shqiptar seç kujtojme ne. Prova në imazh dhe ze: ai flete me mirë shqip se 80% e shqiptareve ‘të vertete’
http://youtu.be/UZDhJZ5SMUM