A mund ta njohësh mirë një gjuhë, pa njohur mirë kulturën e përftuar në të dhe prej saj? Ja një pyetje që çdo përkthyes do t’ia ketë bërë vetes, madje shpesh.
Përgjigjja më bën të mendoj për përkthyesit e letërsisë amerikane në Shqipërinë totalitare, një pjesë e të cilëve nuk kishin qenë kurrë në SHBA dhe kishin një përfytyrim shumë “libresk” për kulturën e atjeshme.
Kur vjen puna për kulturën, fjalorët dhe enciklopeditë dhe në përgjithësi leximet ndihmojnë deri në një farë shkalle; sepse shumëçka varet nga intuita e përkthyesit dhe nga vetëdija e tij se çfarë nuk di.
Një shembull i skajshëm mund të ndihmojë për të sqaruar çfarë kam parasysh.
Filmin e njohur të Ridley Scott-it, Blade Runner (1982), e kam parë për herë të parë në Itali, në vitet 1990.
Me sa mbaj mend, italianët ia kishin lënë titullin në anglishte: Blade Runner.
Edhe pse dija anglisht në atë kohë, dhe isha në gjendje t’i përktheja dy fjalët e titullit veç e veç, sërish nuk arrija të kuptoja se çfarë lidhje kish titulli me filmin vetë.
Meqë për mua blade ishte para së gjithash “teh” dhe runner “vrapues”, e kisha ndërtuar një interpretim pak a shumë si “ai që vrapon mbi tehun e thikës”, ose në një shteg të pamundshëm, të panegociueshëm.
Më pas u njoha edhe me historinë e këtij filmi dhe me faktin që Ridley Scott ishte frymëzuar dhe mbështetur në një roman të Philip K. Dick me titullin Do Androids Dream of Electric Sheep?
Filmi ka mbetur nga më të preferuarit prej meje. Falë motorëve të kërkimit, arrita të marr vesh edhe se titullin Blade Runner Scott-i e kish marrë – në fakt blerë – nga një roman i Alan E. Nourse, The Bladerunner, të cilin pastaj e kish përshtatur në skenar filmi poeti William S. Burroughs.
Në këtë roman, protagonisti siguron instrumente kirurgjikale (blades) për një mjek që ofron shërbime mjekësore “në të zezë”, brenda një qytetërimi distopik ku mjekësia disiplinohet egërsisht nga politikat federale eugjenike.
Runner, në këtë kontekst, ka kuptimin dealer, shpërndarës, shitës; dhe blade runner është ai që shet instrumente kirurgjikale në tregun e zi.
Skenaristi i filmit të Scott-it e sugjeroi këtë si titull për filmin që po fillonte të xhirohej dhe Scott-it – që ndërkohë e kish refuzuar titullin e romanit të Dick-ut ngaqë tejet i gjatë – i pëlqeu aq shumë, sa i bleu të drejtat, për të shmangur ndonjë përplasje të ardhshme me romanin e Nourse-it dhe skenarin e Burroughs-it; por asnjëherë nuk u shpjegua se ç’lidhje kish dealer-i i instrumenteve kirurgjikale të paligjshme me filmin vetë.
U tha aso kohe se Scott-it thjesht i kish pëlqyer titulli, pavarësisht nga çdo shpjegim i ofruar ose i munguar.[1]
Nëse publiku amerikan i filmit e dinte se ç’ishte blade runner apo jo, kjo nuk është shumë e qartë; sepse titulli është nga ata që folësit të anglishtes i duket sikur duhet ta njohë e ta kuptojë.
Në çdo rast, për një shqiptar si unë, blade runner mbetej i pakuptueshëm; aq më tepër që unë nuk e dija aso kohe që runner mund t’i referohej atij kuptimi të foljes run që ka të bëjë me tregtinë në të zezë.
Për mua, runner ishte vrapues dhe kaq.
Sikurse nuk e dija që blade mund t’i referohej, veç tehut të thikës dhe briskut, edhe një instrumenti kirurgjikal – që edhe ai “pret.”
Dhe kjo padije imja nuk kish aq të bënte me atë që edhe blade edhe runner në titull janë fjalë të figurshme, të dyja eufemizma (metonimike). Eufemizmi në këtë kontekst ka lidhje me nevojën për të emërtuar, në mënyrë figurative madje tejet shprehëse diçka që është tabu, ose që i referohet një tabuje.
Ky figuracion i vështirë për t’u kapur, me dy fjalë përndryshe të rëndomta, është karakteristikë e slang-ut. Dhe slang-u, aq i pranishëm në kulturën pop amerikane, ka qenë praktikisht i panjohur për shumë nga ata që mësonin zellshëm anglishten në Shqipëri.
Dhe nuk e kam fjalën aq për fjalë të caktuara të slang-ut, por për vetë konceptin e një dialekti social të themeluar mbi refuzimin e regjistrit normal të komunikimit dhe fshehjen e diskursit nëpërmjet metaforizimit – si zëvendësim i fjalëve me të tjera, në bazë të ngjashmërive ndonjëherë kriptike, ndonjëherë tjetër vulgare; por gjithsesi edhe me synimin për ta tabuizuar regjistrin normal.
Në kontakt me anglishten, unë nuk prisja që të më dilte përpara një diskurs ose një tekst në slang; çfarë edhe shpjegon pse shumë tekste këngësh të kohës nuk i kuptoja, edhe kur më binin në dorë të shkruara dhe me fjalë që, veç e veç, i dija.
Si, për shembull, këto dy strofa nga Come Together, e Beatles-ve[2]:
Here come old flat-top, he come grooving slowly
He got ju-ju eyeballs, he’s one holy roller
He got hair down to his knees
Got to be a joker, he just do what he please
He wear no shoeshine, he’s got toe-jam football
He got monkey finger, he shoot Coca-Cola
He say, “I know you, you know me”
One thing I can tell you is you got to be free
Ishte efekt i regjimit gjuhësor totalitar që slang-u të mbahej larg përdorimit të përditshëm, sepse si çdo refuzim tjetër i “normales”, vinte si politikisht i njollosur.
Paligjshmëria në Shqipërinë e atyre viteve ose mbetej tërësisht e fshehtë, ose ndëshkohej ashpër; dhe dukuri të tilla tabu si seksi, prostitucioni, kumari, përdorimi i drogave, kontrabanda dhe të tjera të ngjashme – të cilat shërbejnë si gjeneratorë të slang-ut – nuk kishin shumë kontakt me jetën “normale.”
Ose të paktën me jetën normale brenda asaj flluske sapuni, ku e gdhinin dhe e ngrysnin ditën të rinjtë e statusit tim social, që merreshin pastaj edhe me përkthime nga anglishtja.
Prandaj për mua blade runner përfundoi në “atë që vrapon në tehun e thikës” – ose si metaforë poetike; unë e interpretova ashtu thjesht nga dëshira, jo ngaqë më kërkohej doemos përkthimi.
Edhe pse nuk e njihja as slang-un dhe as mënyrën si përdorej slang-u, të paktën e dija se përkthimi nga anglishtja në shqip, për një produkt të Shqipërisë së atyre viteve, herët a vonë do të ngecte në pengesa të tilla, që u detyroheshin diferencave kulturore dhe mosbashkëmatjes.
Tani dyshoj se, edhe po të ma kishin shpjeguar kuptimin e mirëfilltë të blade runner si “shitës instrumentesh kirurgjikale në të zezë”, nuk do të kisha kuptuar gjë; sepse nuk do ta kisha rrokur dot as arsyen pse dikush duhej të blente sende të tilla dhe as arsyen tjetër pse shitja e këtyre sendeve do të konsiderohej e jashtëligjshme.
Sido që ta rrotulloje, tha, përkthyesi do të dilte i humbur.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës.
Shënim: Ky shkrim vjen në vijim të një diskutimi për përkthimin të hapur nga Ilir Baçi në Facebook, të vazhduar prej meje në këtë faqe (Pa e ditur gjuhën) dhe që po e zgjerojmë sot me dy shkrime të tjera, nga Ilir Baçi dhe nga unë, të botuara krah për krah.
[1] Nga sa kam kërkuar, ende nuk e kam zbuluar nëse ky emër, blade runner, në romanin e Nourse-it, ka qenë sajim i autorit apo fjalë “e gjetur” në slang. Me gjasë, do të ketë qenë një “pseudo-slang”, si ato që sot i gjen me shumicë në romanet e zhanrit cyberpunk.
[2] Që, për t’u shpjeguar, kërkojnë më shumë shënime në fund të faqes se “Ferri” i Dantes.
“A mund ta njohësh mirë një gjuhë, pa njohur mirë kulturën e përftuar në të dhe prej saj?”
S’do mend qe kjo pyetje nuk mund te kete veçse nje pergjigje negative, sepse gjuhet natyrore si kode komunikimi nuk mund te funksionojne jashte sistemeve kulturore perkatese ne te cilat jane ngjizur. Mirepo edhe plotesimi i ketij kushti elementar nuk eshte i mjaftueshem. Duhet pasur parasysh se çdo perkthim eshte njeherazi edhe nje akt krijimi, pasi nje tekst i perkthyer eshte gjithmone i ndryshem nga teksti origjinal. Pra skemes narrative te Eco-s me tri qellimet e njohura, ne rastin e teksteve te perkthyera i duhet shtuar doemos nje qellim i katert: “Intentio traductoris”. Me vijne ne mendje shume shembuj, edhe nga perkthimet ne shqipe, por ngaqe rrezikoj ta bej terkuze, nuk po zgjatem.
” Dhe nuk e kam fjalen aq per fjale te saktuara te slang-ut,por per vete konceptin e nje dialekti social te themeluar mbi refuzimin e regjistrit normal te komunikimit…”.
Po jap nje mendim timin ,thjeshte si lexues i letersise.
Kam pershtypjen se veshtiresia ne rastin e mesiperm ka te beje me shume me nje pune “hamalleku” te perkthyesit,e cila mund te jete edhe shume e lodhshme,porqe nuk mund te barabitet,gjithsesi,me veshtiresine e zakonshme(intelektuale) qe ka te beje me njohjen e kultures se komunitetit,te cilit i perket shkrimtari i perkthyer.
Tek “Viti i Mbrapshte”,ka nje episod,diku tek nje faqe e gjysem( a me pak,se mbaj mend mire),ku nje personazh flet pa pike e presje,tek spiunon per intrigat e klerikeve ne myftinine e Tiranes.Lexuesi shqiptar natyrisht qe e kupton dhe e shijon humorin e lezecem te Kadarese,por nuk e di sesa mund ta kuptoje,e aq me pak te shijoje nje lexues i huaj,kur e lexon te perkthyer,sepse,nuk e di sesa ka qene ne gjendje perkthyesi,bile edhe ne rastin kur ky eshte shqiptar,t’ia percjelle lexuesit te huaj mendesine e personazhit ,komunitetit dhe rrethit te tij kulturor dhe raportet qe ka ky me komunitetet dhe rrethet e tjera kulturore e,mbi te gjitha,me kulturen mbizoteruese qe ka nje tradite me shume se njeshekullore qesharakezuese ndaj personazheve te tilla dhe kultures qe ato i perkasin (eshte interesante,se ky personazh mu kujtua kur degjova nje regjistrim,qe shkaktoi debat ne rrjetet sociale dhe mediat,ku nje klerik shqiptar bashke me ca futbolliste te kombetares talleshin me prifterinjte greke;menyra sesi fliste dhe bente shaka kleriku,me kujtoi personazhin e lezecem te Kadarese;i njejti stil te foluri…).
Megjithese me origjine nga Veriu,bile me origjine me te hershme nga Kosova,edhe pse kisha njohuri te pergjithshme per Kosoven,sidomos kulturore,kur degjova per here te pare humor nga Kosova,as nuk me behej per te qeshur;pastaj, prape e prape,e perseri nuk me behej per te qeshur.Pastaj,vura re qe shume nga ata qe ishin ne te njejtat rrethana dhe kontekst kulturor si une,”vuanin” nga e njejta gje.
Nese Shkodra do te ishte jashte kufijve te Shqierise,edhe humori i saj i famshem(megjithese,per nje pjese admiruesish me duket i shtire a snob),nuk do te bente per te qeshur,te tjeret jo se jo,por edhe mua dhe ata si une me origjine nga Veriu.
Duhet te jesh i perfshire ne jeten e nje komuniteti,qe te kuptosh dhe perjetosh,pse jo dhe shijosh,humorin,ironine dhe nuancat e tyre.Sado gjeni te jesh,eshte mision i pamundur t’i kuptosh,perjetosh e aq me pak t’ua percjellesh te tjereve,vec duke e marre me mend nga leximet.
Ne lidhje me pyetjen e mesiperme, se a mund ta njohesh mire nje gjuhe pa njohur mire kulturen e perftuar ne ‘te, do thoja se vete fjala “mire” na e relativizon problemin, por meqe eshte fjala ne lidhje me perkthimin, ketu duhet thene se jo cdo liber mund te perkthehet pa e njohur mire kulturen e ati vendi te vepres/ librit. Nje liber kriminalistik, p.sh. mund te perkthehet perfekt, edhe kur perkthyesi nuk e njeh mire kulturen e vendit te librit, por jo cdo zhaner tjeter.