Lexuesve të rregullt të revistës “Peizazhe të fjalës” do t’u kujtohet një debat i para ca vjetëve, që lidhej me një kapitull të librit tim Sende që nxirrte deti të përkthyer në italisht dhe të botuar nga revista “Lettera internazionale”, një manipulimi të përkthimit në paragrafin ku flitej për Ismail Kadarenë dhe thënien e tij – që i atribuohej në mënyrë herë të gënjeshtërt herë defamatore – për refugjatët e korrikut 1990 si “jashtëqitje e kombit” dhe një artikull të Minella Aleksit që e pat diktuar këtë pasaktësi dhe pat lajmëruar menjëherë lexuesin e gazetës “Panorama” (mund t’i lexoni disa nga shkrimet e atëhershme këtu, këtu dhe këtu).
Për ata që nuk u kujtohet debati, por edhe për të tjerët që u kujtohet, kam një lajm tejet të gëzueshëm: Minella Aleksi i është kthyer temës sërish, në një artikull të gjatë sinoptik të botuar sot në gazetën “Dita” (Mbi tezën “Miti nacionalist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare”(*)).
Artikulli është mjaft i gjatë dhe prek shumë çështje, por diku nëpër të, shfaqet edhe çështja e jashtëqitjeve dhe e “shpifjes” sime ndaj Kadaresë. Po e citoj të plotë paragrafin nga Aleksi:
Besoj se mbahet mend debati i zhvilluar në Tiranë mbi shprehjen “Jashtëqitje e kombit” që studjuesi A. Vehbiu sëbashku me shkrimtarin italian A. Leogrande të “Lo Straniero” e futën në një botim në “Lettera Internazionale” si thënie e bërë nga shkrimtari Kadare. Mendoj se naivët mund të pranojnë që revista ‘Lettera Internazionale” ishte apasionuar mbas një shkrimtari të rëndomtë shqiptar e që kërkonin që ti botonin një ese me me kontrabandën e “jashtëqitjen” brenda.
Bllofe të tilla të pa skrupullta nga të dy anët e Adriatikut mund të bëjnë vetëm mashtruesit si dyshja Leogrande-Vehbiu. A. Vehbiu ishte bashkëpunëtori më aktiv i Klanit Lubonja-Marco në revistën “Përpjekja” me mision që të përhapte sa të mundëte shpifjen ndaj shkrimtarit Kadare. Kishte disa vjet që këtë mashtrim të “jashtëqitjes..” A. Vehbiu e qarkullonte kudo ku mundëte duke e ngatërruar veten në një labirint hamendësirash mashtruesish. U bë aq qesharak me alibinë e përkthyesit fantazmë Aldo Doda (alias A. Vehbiu) sa, i turpëruar publikisht bordi i revistës me siguri ka vendosur një flamurëz të kuq mbi emrin e tij. Se keqardhëse është por nuk ia kemi lexuar më emrin në ndonjë botim të asaj reviste.
Vëreni si në këtë paragraf, i veshur me mantelin e inkuizitorit, Aleksi më quan “mashtrues”, dhe pohon se unë këtë të jashtëqitjes kisha “disa vjet që e qarkullo(ja) kudo ku mund(ja)”; mes mashtrimeve të mia të supozuara, është edhe shpikja e përkthyesit sipas tij “fantazmë” Aldo Doda, pas të cilit paskësha qenë unë vetë. E kështu me radhë.
Mirëpo e vërteta qëndron ndryshe.
Të fillojmë nga jashtëqitja vetë: teksti në fjalë është nxjerrë nga libri im “Sende që nxirrte deti”; dhe unë atje thënien e Kadaresë e cilësoj haptazi apokrife.
Kapitullin për t’u përkthyer e pat përzgjedhur publicisti dhe shkrimtari italian Alessandro Leogrande (i cili boton në shqip me të njëjtën shtëpi botuese si unë), për ta botuar në revistën “Lettera internazionale”, një revistë që në Itali ka njëfarë prestigji të pazakontë në qarqet letrare dhe kulturore.
Përkthimin e artikullit e ndërmori revista – duke pajtuar si përkthyes Aldo Dodën. Ndryshe nga çfarë përrallis Minella Aleksi, Aldo Doda është person real që jeton (ose të paktën jetonte në kohën kur u përkthye artikulli) në Romë.
Siç më pohoi vetë më pas kur u lidha me të, Aldo Doda i kish dorëzuar revistës një përkthim korrekt të artikullit tim. Ndryshimi fatal, ose përfshirja në paragrafin e fundit e fjalëve që unë si autor nuk i kisha thënë gjëkundi, ndodhi pasi përkthimi ishte dorëzuar në redaksi (këtë e ka pranuar pastaj publikisht redaksia vetë, në faqen përkatëse) – por unë sot e kësaj dite nuk di se kush e redaktoi tekstin, edhe pse, ndryshe nga botuesja e revistës, gjithnjë besoj se ky person ende misterioz e deformoi tekstin tim në mënyrë të qëllimshme, duke shtuar atje gjëra nga xhepi i vet kundër Kadaresë.
Në fakt, i gjithë procesi i përgatitjes së esesë sime për botim te “Lettera Internazionale” u krye pa pjesëmarrjen time; unë as i kisha parë dhe as i kisha kontrolluar dorëshkrimin dhe bocat, sepse nuk ma kish kërkuar njeri.
Kur konstatova – pas artikullit të parë të atëhershëm të Aleksit – mospërputhjen flagrante midis origjinalit shqip dhe tekstit të botuar italisht, u lidha me redaksinë e revistës dhe njëkohësisht i shkrova drejtpërdrejt I. Kadaresë, si person i prekur nga ky manipulim, për t’i shpjeguar se unë nuk kisha gisht atje. Përgjigjja që mora prej tij ishte dhe mbetet konfidenciale, por unë gjeta mirëkuptim.
Letrës sime në atë kohë (dhjetor 2014) botuesja Biancamaria Bruno iu përgjigj kështu:
Caro Vehbiu,
sono molto dispiaciuta dell’accaduto. In trent’anni di vita della rivista è la prima volta che un autore protesta contro una nostra traduzione. Purtroppo è successo. La prego dunque di accettare le mie scuse. Ho ricostruito che l’incidente è stato causato dal fatto che il testo ha richiesto parecchie letture da parte della mia redazione. Infatti, la traduzione dell’amico Aldo Doda era buona, ma c’erano alcune frasi che in italiano risultavano di faticosa lettura e comprensione. Tra queste, c’era anche la frase incriminata. Non c’era dunque alcuna intenzione di manomettere il senso delle sue parole su Kadaré: è per un errore che nel testo tradotto finale è saltata la parola “apocrifo”. Se crede, può naturalmente rendere pubblica questa mia replica.
(Më vjen shumë keq për çfarë ka ngjarë. Gjatë 30 vjetëve jetë të revistës, është hera e parë që një autor proteston ndaj një përkthimit tonë. Për fat të keq, ndodhi. Ju lutem, pra, të pranoni të falurat e mia. Zbulova se incidenti u shkaktua nga fakti që teksti kish nevojë për disa lexime nga ana e redaksisë sime. Në fakt, përkthimi i mikut Aldo Doda ishte i mirë, por kish disa fraza që në italishte mezi lexoheshin dhe kuptoheshin. Mes tyre, edhe fraza e akuzuar. Nuk kishte pasur, pra, asnjë qëllim për të shtrembëruar qëllimin e fjalëve tuaja për Kadarenë; por për shkak të një gabimi, në tekstin përfundimtar të përkthimit u la jashtë fjala “apokrife”. Nëse e gjeni me vend, natyrisht mund ta bëni publike këtë përgjigje timen.)
Revista reagoi pastaj duke nxjerrë, në faqen e saj, një apologji për gabimin, dhe më pas, me kërkesën time eksplicite, e ndreqi gabimin në tekstin e artikullit, i cili tashmë gjendet, i korrigjuar, në faqen zyrtare të revistës, i paraprirë nga falja që revista u kërkon palëve të prekura; dhe vetë paragrafi i inkriminuar është zëvendësuar.
(Përkthimi: Ndihemi të detyruar të ribotojmë, në tërësi, të rishikuar dhe të korrigjuar nga autori Ardian Vehbiu, tekstin e mëposhtëm, meqë ai përmbante, në paragrafin mbyllës (që këtu e kemi shënjuar me blu) të versionit në letër të gazetës, disa gabime të rënda që ndodhën në fazën redaksionale. I kërkojmë të falur autorit, lexuesve dhe Ismail Kadaresë.)
Për mua dhe sa më takon mua, kaq mjafton për ta sqaruar incidentin dhe për t’i dhënë lexuesit të “Lettera Internazionale” një përkthim më të saktë të esesë sime për jashtëqitjet.
Nuk di sa i njeh Aleksi këto zhvillime – edhe pse, sa kohë që ka marrë përsipër të shkruajë për “jashtëqitjet” sërish, duhet t’i dijë (por ai nuk duket ta kuptojë konceptin e përgjegjësisë autoriale në lidhje me një tekst të përkthyer; ndoshta ky koncept i tejkalon aftësitë e tij intelektuale). Artikulli im në revistën italiane mund të lexohet sot e kësaj dite lirisht; njëlloj sikurse mund të ndiqet lirisht polemika, sqarimet dhe kundërsqarimet e mia, në arkivin e revistës “Peizazhe të fjalës.”
Përkundrazi, mund të them me siguri se Aleksi shkruan me dashakeqësi – dhe, sidoqë më akuzon mua si mashtrues, është ai që mashtron.
“U bë aq qesharak me alibinë e përkthyesit fantazmë Aldo Doda (alias A. Vehbiu) sa, i turpëruar publikisht bordi i revistës me siguri ka vendosur një flamurëz të kuq mbi emrin e tij,” thotë ai për mua, pa çka se emrin e përkthyesit e lexon edhe tani në krye të artikullit tim, siç mund ta shohë kushdo – pa folur pastaj për tekstin e apologjisë zyrtare nga redaksia e revistës.
Veç kësaj, si lexues i rregullt i kësaj reviste që hiqet (kur thotë që s’e ka parë më emrin tim në ndonjë botim të saj), çuditërisht Aleksit i paska shpëtuar që “Lettera internazionale”, pas numrit me esenë time, nuk ka dalë më për tre vjet rresht (këtë informacion sapo e gjeta në faqen hyrëse të revistës në ueb). Nuk ma merr mendja që shkak i këtij hiatusi të ketë qenë indinjata e arsyetuar e komunitetit të shkrimtarëve të mëdhenj europianë, ndaj esesë sime!
Tani, nëse “Lettera Internazionale” e ka pranuar gabimin në tekstin italisht dhe ka kërkuar të falur (Kadaresë, Dodës dhe mua), nëse Aldo Doda është person real, atëherë ç’nevojë ka për t’iu rikthyer kësaj teme të konsumuar krejt? Kujt i shërben ky zhvarrim i tanishëm, aq më tepër nga një amator në thelb krejt i panjohur?
Po të pranojmë, për një çast, se Aleksi ka të drejtë në insinuatat e tij, atëherë do të duhej të pranonim se edhe vetë revista “Lettera Internazionale” qenkësh bërë pjesë e një komploti të rrezikshëm antishqiptar, për të denigruar shkrimtarin I. Kadare në Itali, në bashkëpunim me A. Leogranden dhe A. Vehbiun – ky i fundit deri edhe duke krijuar një përkthyes fantazmë, Aldo Dodën.
Më tej akoma, me deklaratën apokrife të Kadaresë për jashtëqitjet unë jam marrë vetëm shkarazi, dhe vetëm për ta përgënjeshtruar – çfarë e kam bërë edhe këtu te “Peizazhet.” Prandaj tingëllon i çuditshëm pohimi i Aleksit se “kishte disa vjet që këtë mashtrim të jashtëqitjes A. Vehbiu e qarkullonte kudo ku mundëte”. Më akuzon kuturu, për diçka të paqenë – dhe me një gjuhë e stil plenumesh, ku shpikjet (dhe shpifjet) e paraqitura si fakte nuk ka nevojë të provohen, sepse burojnë nga zelli për të dënuar (në kuptimin që faktet i provon zelli).
Aleksi më quan pastaj edhe “bashkëpunëtori më aktiv i klanit Lubonja-Marco në revistën Përpjekja” – sepse kjo me sa duket i duhet për ta kopsitur pretencën e komplotit; pa çka se Marco-n unë nuk e njoh as e kam lexuar, ndërsa me revistën Përpjekja kam bashkëpunuar herë pas here, me kënaqësi të veçantë; por këto vjetët e fundit kam botuar atje vetëm dy herë: në një numër kushtuar emigracionit shqiptar në Itali (të kuruar nga Eda Derhemi), ku kam përkthyer, një pjesë të mirë të librit që kisha shkruar italisht me Rando Devolen dhe botuar në 1996 (“La scoperta dell’Albania”); dhe në një numër të mëvonshëm, ku kam botuar një ese timen për fletë-rrufenë. Madje, meqë jemi në temë, libri ynë La scoperta dell’Albania, dalë relativisht herët, ishte nga të parët që merrej me mistikën e invazionit shqiptar në mass mediat italiane; në një kohë kur, gjithnjë sipas autorit të artikullit të tanishëm “Drama e eksodeve shqiptare të përsëritura rizgjuan në qarqe të caktuara politiko-kulturore italiane ndjenjën e fjetur të revanshit.”
Dhe, ngaqë kam jetuar në Itali në vitet 1990-1996, duke punuar në një universitet të njohur si Istituto Orientale di Napoli dhe duke mbajtur lidhje të forta me botën akademike dhe albanologjike të atjeshme, mund të them me siguri të plotë se teza e Aleksit në të njëjtin artikull, sipas së cilës
Koha tregoi se nën nxitjen e atij reaksioni të madh që kishte shkaktuar romani i Kadaresë [“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, A.V.] ishin studjues kryesisht arbëresh shqipfolës që praktikonin studimin e kulturës e letërsisë shqipe në universitetet e Palermos, Napolit, Kozencës e të Romës baza kulturore e elaborimit të projektit çmitizues antishqiptar
është e pabazë – në Napoli ku jepja unë mësim, Kadareja ishte pjesë e përhershme e programit të letërsisë shqipe, me leksione të Italo Fortino-s; dhe në Romë, me leksione të Giuseppe Gradilone-s; Matteo Mandalà-ja, nga Universiteti i Palermos, ka shkruar tani vonë parathënien e librit të Kadaresë Mosmarrëveshja; Elio Miracco gjithashtu ka shkruar gjatë dhe lëvdueshëm për romanin Kështjella. Kudo ku kam shkuar, në katedrat universitare të shqipes në Itali – Napoli, Romë, Cosenza, Palermo – kam gjetur vetëm dashamirësi, në mos adhurim, për veprën e shkrimtarit nga Tirana.
Përndryshe, Aleksi, të cilin Wikipedia shqip e prezanton si “një personazh publik, me profesion doktor, që ka botuar artikuj me tematika të ndryshme në shtypin shqiptar”, ndoshta duhet t’i kushtojë më shumë kohë profesionit të vet fisnik, në vend që të dënojë marrëzisht tek të tjerët mëkatet e veta.
Të njëjtën histori – të sajuar dhe të mbajtur gjallë artificialisht dhe me energji të madhe nga vetë Aleksi – e gjen të rimarrë edhe në faqen për mua në Wikipedian shqip. Aty thuhen gjëra të pavërteta, si “Vehbiu njihet si një nga kritizerët më të flaktë të Ismail Kadaresë dhe veprës së tij” (ma quando mai?); dhe e tërë faqja është ndërtuar rreth incidentit me jashtëqitjet; duke iu dhënë incidentit peshë e ekzagjeruar, në raport me fakte të tjera të biografisë sime publike, përfshi botimet e mia në non-fiction dhe fiction dhe punën me “Peizazhe të fjalës.” (Në fakt, analizat dhe preokupimet për veprën dhe figurën publike të Kadaresë zënë një vend relativisht të vogël në këto shkrime, studime dhe botime.) Megjithë përpjekjet që kam bërë për ta ndrequr faqen, në mënyrë që ajo të informojë saktë lexuesin, nuk kam arritur dot ta çaj murin prej gome të redaktorëve anonimë. Kushdo që e kontrollon këtë seksion të Wikipedia-s shqip, po e përdor për interesa partikulariste dhe private: ajo faqe është e xanun.
Në këto rrethana, që nuk duan shumë komente as shpjegime, mua nuk më mbetet veçse t’i kërkoj publikisht zotit Kadare që të distancohet nga këto budallallëqe, të cilat veç ia dëmtojnë reputacionin mes lexuesve të paktën në Shqipëri; shpresoj që dikush nga lexuesit e këtyre radhëve t’ia çojë fjalën time. Shkrimtarët aq të njohur, si ai, priren të rrethohen nga gjithfarë shfrytëzuesish, sharlatanësh, sikofantësh dhe qelbësirash – prandaj e kuptoj që edhe ai vetë nuk do të vononte të neveritej, po të kish durim t’ia lexonte Aleksit elukubracionet deri në fund. Tek e fundit, edhe Marksit kaq ia patën sjellë në majë të hundës ithtarët e vet, fanatikët dhe budallenjtë, sa u detyrua të thotë se “nuk ishte marksist.”
Një shënim i fundit: më vjen keq për gazetën Dita, me të cilën edhe kam bashkëpunuar, që boton një artikull ku unë quhem haptazi “mashtrues”: është një dëm që i bëhet figurës sime publike. Kjo ndodh mu kur në libraritë është shpërndarë libri im i fundit Fjalë për fjalë (Botime Çabej) dhe kur sapo kemi festuar, në Tiranë, 10-vjetorin e revistës “Peizazhe të fjalës”: Ndoshta ndonjë si Minella Aleksi do të kish parë te ky përkim datash diçka më tepër se një koincidencë.
(*) Pas protestës sime, redaksia e gazetës “Dita” vendosi ta heqë shkrimin e Aleksit nga faqja (edhe pse unë nuk ua kisha kërkuar). Prandaj edhe e zëvendësova lidhjen fillestare me një PDF.
Ardian lexoje nje here kete: http://www.maitre-eolas.fr/post/2007/11/07/781-le-refere-contre-wikipedia
Ne Fance ligji e detyron fondacionin Wikipedia qe ti heq fyerjet apo te pavertetat dhe njekohesisht demshperblehesh, nese ata vete nuk i heqin pasi i ke informuar zyrtarisht. Ma merr mendja edhe ne ShBA duhet te vleje e njejta gje.
Aldo Doda eshte njeri real, e kam njohur, djale i mire dhe korrekt dhe mesa e mbaj mend nuk ka pasur ndonje pasion mitizuesi apo çmitizuesi, qe te fuste hundet neper perkthime. Nuk e dija qe ka fituar post-doc.
Minelles i rrika ora 12, me gjithe keto pergenjeshtrime qe jane bere duhej te mos merrej me llafe lart e poshte.
Edhe një enigmë tjetër: shkrimi i Aleksit më rezulton të ketë dalë vetëm në edicionin online të gazetës “Dita”, jo në atë të shtypurin.