T’I DUAM EDHE KUR I KEMI

Kam ndjekur dhimbjen që ka përcjellë, në mediat, ikjen e parakohshme nga jeta të gazetares Arlinda Canaj.

Nuk e kam njohur, por tani që lexoj si e kanë përshkruar miqtë e saj të shumtë, do të kisha dashur ta njoh.

Për njerëz të tillë flitet shumë pak në publik – përkundrazi, vëmendja e mass mediave përqendrohet në persona që i përkasin, më së shumti, plehut.

Ne kemi turp nga e mira dhe e virtytshmja, në një kohë që tundohemi e tërhiqemi pas pisllëkut, maskarallëkut dhe pafytyrësisë.

Për Arlindën thanë se vuante nga depresioni dhe se vdekja e saj mund të ketë qenë vetëvrasje. Depresioni është sëmundje e rëndë, por shpesh ndikohet edhe nga qëndrimi i të tjerëve.

Shoqëria e sotme në Shqipëri, klima e përgjithshme sociale dhe fryma që motivon njerëzit janë të tilla, që njerëzit me çrregullime emocionale dhe mendore – neuroza, depresion, skizofreni, psikoza gjithfarësh – të ndihen të përjashtuar dhe të braktisur.

Pa çka se, shpesh, janë pikërisht këta – të brishtë dhe të pafuqishëm për të tradhtuar veten – që kanë nevojë për përkrahje, dashamirësi dhe mbështetje.

Për njerëz si Arlinda, rrallë ndodh që të lexosh diçka, kur janë ende gjallë. Madje as një të njëqindtën e çfarë shkruhet dhe thuhet, për kandidatët për deputetë, në fushata zgjedhjesh.

Jetojmë në kohë aq të ndyra, sa kur dëgjon fjalë të mira publikisht për dikë, menjëherë dyshon se ky po përgatitet për ndonjë post a ofiq, ose që ia ka kruar bishtin dikujt me pushtet.

Edhe pse elitat – në politikë dhe në ekonomi – i kemi shpesh të organizuara në grupe para-kriminale, ku sundon omertà-ja dhe besnikëria e brendshme, në përgjithësi nuk e tolerojmë dot dobësinë e kujt e humb një betejë të përkohshme me jetën.

Nuk ka një kufi të prerë, që ta ndajë çrregullimin mendor nga shëndeti. Nga njëra anë, njeriu më i shëndetshëm mendërisht do të ishte edhe më i mërzitshmi; nga ana tjetër, një psikotik i rëndë mund të dëmtojë rëndë, të tjerët dhe veten.

Por një shoqëri e shëndetshme e ka për detyrë morale që të kujdeset për të vetët; dhe sidomos për më të dobëtit.

Ndoshta Arlindës nuk i ka munguar asgjë nga të afërmit dhe shoqëria; çrregullime të rënda, si depresioni, ndonjëherë janë të vështira për t’u kontrolluar.

Por të gjithë ne të tjerëve na ka munguar prania publike e njerëzve si Arlinda: jo si të sëmurë me depresion, por si njerëz që ndajnë me ne normalitetin, ndonjëherë edhe banalitetin, por shpesh edhe virtytin e të jetuarit me nder dhe modesti.

Ashtu do të kemi edhe më shumë mirëkuptim, për të dashurit tanë të panjohur, që ndonjëherë vuajnë në heshtje dhe të rrethuar nga indiferenca, si çmimi që paguajnë për të shmangur përçmimin.

 

1 Koment

  1. Ne rradhe te pare i qofte dheu i lehte Arlindes dhe ngushellime familjes per dramen e traumen e rende qe do u duhet te perballojne.
    Mendoj qe tema e depresionit si semundje mendore prek disa nentema, qe sado te dhimbshme duhen cekur per tu perpjekur per te kuptuar me shume apo edhe per te ndihmuar me shume ata/ato qe mund te vuajne nga kjo semundje, si edhe te afermit, familjaret, shoqerine etj. Kuptohet qe fjalet tona nuk zevendesojne ato te specialisteve, por te pakten te themi dicka dhe jo vetem te akuzojme apo te presim qe te tjeret te bejne dicka.

    Kendveshtrimet per kete teme do jene te ndryshme. Fjalet me poshte nuk jane as kritike e as keshille doktori dhe ndoshta ndihmojne per te reflektuar me gjere.

    Ndoshta pjese e zemerimit per kete teme mund te lidhet me sondazhin e Gallup te para ca koheve ku dilte se rreth 50% e popullsise ne Shqiperi kishin shprehur deshire per te emigruar, tregues i nje gjendje problematike, apo jo mbeshtetese per ata qe vuajne nga semundje te tilla
    https://seenews.com/news/more-than-half-of-albanians-want-to-emigrate-gallup-571888
    Nderkohe ne bregun tjeter nga jetoni edhe ju:
    http://www.nydailynews.com/new-york/1-5-new-yorkers-suffer-mental-health-disorders-report-article-1.2432656

    Sipas specialisteve depresioni mund te trashegohet ne familje, nderkohe qe stresi luan rol te rendesishem. Edhe ndryshimi i kohes (stineve) apo nqs personi vuan nga semundje te tjera kane ndikim negativ dhe e rendojne ate. Fatkeqesisht biologjia e gjenetika e disa njerzve i ben ata me te predispozuar per tu prekur nga depresioni.

    Vetevrasja nga depresioni eshte nje gjendje ekstreme dhe jo normale ndaj situatave te ndryshme stresuese, prandaj eshte vendimtare te behet parandalimi, te shihen shenjat per vetevrasje qe tu jepet ndihma e duhur. Sipas statistikave nje pjese e viktimave kane tentuar edhe me pare te kryejne vetevrasje. Nqs personat shprehen per vetevrasje nuk duhen lene asnjehere vetem, duhen keshilluar qe te shohin nje specialist (psikiater e psikolog), dhe nqs gjendja eshte alarmante keshillohet qe te dergohen ne urgjence (spital). Ne vende te ndryshme te botes ekzistojne numra te njohur telefoni (24 ore non-stop) qe u japin mundesi atyre me mendime vetevrasese qe te flasin ne telefon e ne anonimitet me specialiste apo vullnetare (po ne Shqiperi?)

    Problem me disa persona me depresion eshte se i fshehin ndjenjat vetevrasese dhe duket sikur dicka shkon mire, duke cuar ne problemin tjeter qe per nje pjese te vogel te te prekurve nga depresioni vdekja behet e pashmangshme dhe e paparandalueshme. Prandaj eshte shume e rendesishme qe shoqeria, te afermit etj. ti kushtojne rendesi bisedave te tilla me mendime vetevrasese, te shqoqeruara me simptoma to forta si renie e ndjeshme peshe, deshire per te fjetur shume apo aspak etj etj

    Eshte e njohur tek grate qe depresioni post-partum (pas lindjes) te coje drejt nje gjendje depresioni, dhe ne disa raste depresioni vjen ne moshe me te vone pasi post-partum eshte lene pa kuruar qe ne rini.

    Stigma, tjeter problem, eshte e dykaheshme. Nje pjese e personave me depresion kane frike a turp te shkojne tek specialisti, nderkohe qe nje pjese e shoqerise apo te afermve mund ti shikojne ata/ato si te cmendur, i vene ne loje etj. Prandaj duhet rritur ndergjegjesimi i njerezve per seriozitetin e kesaj semundje qe mund te kurohet lehtesisht e me perqindje te larte suksesi, por ne fillim duhet diagnostikuar.…Ndonjehere edhe ilacet duhen nderruar disa here derisa te gjenden ato qe bejne efektin me te mire.

    Tjeter problem ne Shqiperi mund te jete tek marredhenia mjek-pacient. Ka mundesi qe nje pjese e terapisteve, psikiaterve, psikologeve, punonjesve social etj kane frike te marrin paciente te tille pasi nje pjese e tyre (e vogel) vdesin (statistikisht), dhe familja etj mund te fajesojne doktorin per kete. Duhet besim e bese nga familja e shoqeria tek mjeku/doktori, qe ata te bejne punen e tyre ne maksimum, mjekim e terapi, pasi edhe keta specialiste e vuajne humbjen e pacientit, por ama duhen pare sic jane, pale ndihmuese dhe njerez.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: