Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

LEGIO PATRIA EORUM

nga A.A.B.

Nuk është ide aspak e mirë të shkosh me këmbët e tua drejt një debati si ai që pasqyroi E. Qesari para pak kohësh këtu. Por, duke parë një numër të artikujve dhe komenteve që kanë dalë mbi ujë që atëherë, si dhe komentet këtu chez nous, m’u duk me vend një sqarim, shpresoj, jo shumë i mërzitshëm. Më tepër se ndërhyrjen në debat, ky kërkon një pasqyrim shumë të pjesshëm të diturisë sonë mbi Britaninë romake dhe ushtrinë e dislokuar atje gjatë ndërtimit të Murit të Hadrianit, 122-128. Përtej kësaj, kërkon dhe një përmbledhje të valës aktuale të revizionizmit historik që ndoshta qëndron në themel të përplasjes së këtij fillimgushti.

Nga njëra anë kemi atë që është pasqyruar në ekran, një version qëllimisht i gabuar i një të vërtetë, për konsum shkollor. Nga ana tjetër kemi të vërtetën jo fort të qartë historike që nuk e mbështet apo provon këtë të parën, sesa e përligj në një kuptim të përgjithshëm të fjalës. Hamendja për praninë e një centurioni apo tribuni afrikan në Britani është vetëm e nevojshme apo e dobishme për të vulosur në mendjen e publikut të thjeshtë mosbarazimin e romakut me europianin, perëndimorin apo, më gjerë, të bardhin (pas-)kolonial. Së fundmi, vetë ndërlikimi dhe pasaktësia e një konteksti bashkëkohor racialisht të ndjeshëm në raport si me bazën historike, si dhe me të përjashtuarit e liberalizmit të përditshëm de rigeur, i shtojnë disa nivele të reja kuptimore (e jo doemos të dobishme) diskursit fillestar.

Duke analizuar shkurtimisht burimin parësor, filmin, mund të vërejmë që protagonisti zulmëmadh mban veshur një lorica musculata, parzmoren e bronztë me riprodhimin anatomik të trungut të trupit përsipër. Kjo, mungesa e pelerinës ushtarake, dekoratave dhe e vitis-it, kërbaçit prej hardhie, shenjës së ofiqit, e bëjnë fort të pangjarë që ai të jetë centurion. Ndoshta, por vetëm ndoshta, mund të mos i ketë veshur atë ditë dhe të bëhet fjalë për një primus pilus, pilus prior apo primus ordinarius të legjionit, përkatësisht centurion i centurisë së parë të kohortës së parë të legjionit, njëri prej centurionëve të parë të nëntë kohortave të tjera apo njëri prej katër centurionëve të tjerë të kohortës së parë të legjionit. Këta ishin oficerët e mesëm më me përvojë dhe më rrogë më të lartë brenda legjionit, të vetmit që mund të kishin mundësi të bënin një koracë të atillë. Nëse jo i tillë, atëherë kemi të bëjmë me një tribunus angusticlavus, njëri prej pesë tribunëve të gradës së ulët (josenatoriale) të legjionit ose një praefectus castrorum, prefekti i kampit me përvojë legjionare njëzetë e pesë vjeçare që kishte shërbyer paraprakisht si primus pilus.

Mundësitë janë, nga të dhënat epigrafike—zakonisht funerare—që kemi, që të mos ketë qenë tribun. Kjo për shkak se posti i tribunit ishte një prej treve të cursus honorium-it ushtarak, tres militae-it, dhe caktoheshin shpeshherë në qendër. Postet më të larta të rendit të centurionëve ishin ato që caktoheshin në fushën e betejës apo në fushim mes burrash që kishin një çerek shekulli bashkë.

Pikërisht se ishin kaq me përvojë e të respektuar (apo urryer) mes ushtarëve, centurionët lëviznin jo vetëm ndërmjet kohortave, por edhe legjioneve. Kështu, ndërkohë që ushtarët e thjeshtë zakonisht vinin nga vendi ku ishin vendosur prej vitesh legjionet e tyre, centurionët kishin një prejardhje më të shumëllojshme.[1] Në rastin e Britanisë, kjo është gjë e mirë. Prej tre legjioneve që ndërtuan Murin, dy, II Augusta dhe XX Valeria Victrix, kishin mbi tetëdhjetë vjet atje, që nga pushtimi i perandorit Claudius. Vetëm njëri, VI Victrix, u soll në Britani nga Hispania bashkë me Hadrianin në 119-n.

Rrjedhimisht, përbërja e dy të parëve ishte me fort të ngjarë britanike (megjithëse ka dëshmi të përforcimeve gjermanike për legjionet në Britani), ndërsa njëri hispanik. Është disa herë më e mundshme që një afrikan që shërbente në Britani të ketë qenë oficer sesa ushtar i thjeshtë. Kjo, duke patur parasysh gjithashtu se Britania ishte një ndër kufijtë më të paqetë dhe me përqendrim më të madh trupash në perandori, pas atij të Rini, gjë që përkthehej në një numër më të madh rekrutësh të nevojshëm për të mbushur radhët dhe, veçanërisht, një numër më të madh oficerësh për të zëvendësuar të rënët.[2]

Këta zëvendësues, në përputhje me prirjet e përgjithshme të perandorisë, ishin në shumicën e tyre provincialë, zakonisht në raportin 2:1. Sesa prej kësaj shumice oficerësh të huaj në Britani ishin afrikanë nuk është e mundur të përcaktohet. Mund të thuhet vetëm që, nëse ishin, duhet të ishin nga pjesa më e vogël, për shkak të një paragjykimi të përhapur që i vlerësonte legjionet ‘e Lindjes’ si më pak të përgatitura nga ato ‘të Perëndimit,’ në praktikë ato të matanë detit Mesdhe, përfshirë ato afrikane, me ato të kësaj ane. Centurioni ynë në majë të murit ishte me të vërtetë i rrallë, edhe asokohe.

Çështja në fjalë, natyrisht, nuk ishte ajo e pranisë së shumë etnive dhe racave në provincën perandorake të Britanisë. Kjo është një prej atyre të vërtetave të padiskutueshme historike që kanë aq kohë që janë pranuar si të tilla sa të jenë përzënë pa shumë ceremoni nga diskutimi akademik i specialitetit. Madje, që të mos duket i rrënjosur në valën bashkëkohore të historiografisë ky pohim—paçka se detyrimisht është, megjithëse jo plotësisht—këtë e merrnin për të mirëqenë vetë romakët. Një nga provat më të dashura të mbrojtësve të kampit shumetnik në përleshjen e fundit është ajo e një vizite të perandorit Septim Sever në Murin e Hadrianit, që tregohet në Historia Augusta:

“Post murum apud Luguvallum visum in Britannia cum ad proximam mansionem redirect non solum victor sed etiam in aeternum pace fundata, uolens animo quid omnis sibi occurreret, Aethiops quidam e numero militari, clarae inter scurras famae et celebratorum semper iocorum, cum corona e cupressu facta eidem occurrit.”[3]

“Pasi kishte parë murin dhe Luguvallum-in në Britani dhe ishte drejtuar nga banesa e tij më e afërt jo vetëm fitimtar, por edhe me paqen e përhershme të themeluar, duke vrarë mendjen çfarë oguri do të haste, një etiopian, i njohur mes gaztorëve me nam dhe i famshëm për shakatë e tij, u duk mes një numri ushtarësh me një kurorë qiparisi të bërë vetë.”[4]

Etiopiani shakator i Septim Severit, për një romak, nënkuptonte një afrikan nënsaharian, ai që sot do të identifikohej si ‘i zi’ (black African) dhe jo berber, fenikas, egjiptian apo cilido prej grupeve etnike të zotërimeve romake në Afrikën e Veriut. Ky ushtar që gjendej në Luguvallum, pra, dëshmon në mënyrë të drejtpërdrejtë praninë e një afrikani në Britaninë romake, megjithëse jo të rangut të duhur për filmin vizatimor me metrazh të shkurtër të BBC-së. Për fat të keq, fjalia pasardhëse ndaj asaj që citoj më sipër tregon sesi perandori, i nxehur nga oguri i papritur i zi në ngjyrën e lëkurës së ushtarit, urdhëron t’ia zhdukin sysh, gjë që nuk është se jep ndonjë pamje fort të bukur të paragjykimeve të kohës, por prapëseprapë ruan të paprekur thelbin e pranisë së tij atje.

Marr këtë si shembull të parë në vend të Quintus Lollius Urbicus-it të famshëm për arsyen e thjeshtë se, pavarësisht listës pazakonisht të plotë e të hollësishme të posteve dhe detyrave këtij dinjitari të dalluar të perandorisë, si dhe një mauzoleu vërtet të madh pranë Tiddis-it të tij të lindjes, nuk kemi asnjë provë të padiskutueshme të etnisë së tij. Siç e pohon prof. Beard-i në blog-un e saj për Times Literary Supplement, ne kemi vetëm hipoteza dhe pretendime mbi përkatësinë berbere të Kuintit. E njëjta gjë vlen për vetë Septim Severin, perandorin e parë afrikan të Romës. Afrikan në këtë rast nënkupton jo më shumë se që ai ishte lindur në Leptis Magna, prej një familjeje romake e rangut të ulët aristokratik (equites), e që diku thellë në radhët e paraardhësve të tij (nga ana e t’et, se e ëma ishte italike) mund të ishte libik apo berber. Jo vetëm kaq, por vendlindja e tij emërmadhe dhe ajo emërvogël e Q. Lollius Urbicus-it i përkisnin të njëjtës provincë perandorake, Africa Proconsularis-it që shtrihej nga Algjeria lindore në Libinë perëndimore, duke i bërë patriotë. Kështu, afrikanësia e të dyve, legat dhe perandor, është shumë më tepër përcaktore e mjedisit të parë formues të tyre sesa e një kohezioni etnik-shoqëror individual të secilit.[5]

Ngjyra e lëkurës së tyre, kaq interesante sepse ishin në pozicione autoriteti thuajse absolut, është jo vetëm e papërcaktuar qartë—një pyetje me pak interes, en tout cas—por edhe e ndërlikuar. Sa me ngjyrë ishin këta dy afrikanë krahasuar me vendasit jo tmerrësisht romakë? Sa me ngjyrë ishin në Afrikën e tyre të lindjes? Sa me ngjyrë ishin krahasuar me ‘origjinalin’ italik të popullsisë romake? Po këta romakë të parë të gadishullit, sa me ngjyrë ishin ata vetë për galët, gjermanikët apo britanikët keltë që i panë për herë të parë matanë Alpeve?

Një përcaktim i të tillë forme kërkon një hierarki ngjyre që shpie, dashur padashur, turravrap drejt një racizmi institucional që ende ngjyros thjerrat e një numri disiplinash akademike. Nuk është një perspektivë për t’u parë me ëndje. Ç’e bën akoma më të padobishme, është fakti që nuk është në gjendje t’u përshtatet identiteteve të ‘lëngshme’ që shoqërojnë gjithnjë projektet perandorake.

Kështu, prania e vërtetuar e atij etiopiani që aq nevrikosi një libik, e ajo e një afrikani aq të besuar për një gal të Narbonensis-it[6], në Murin e Hadrianit, humbet rëndësinë e saj përballë detit me zbulime arkeologjike dhe studime që kanë përvijuar sa kanë mundur peizazhin etnik të Perandorisë Romake. Fortesat legjionare në afërsi të sinorit mund të kenë pasur dy duzina përkatësi gjeografike brenda tyre. Problemi historik, si i tillë, nuk ekziston. Bëhet fjalë vetëm për kërkime të mëtejshme dhe plotësimin e të dhënave arkeologjike, statuore dhe epigrafike që na rrëfejnë rrugët e shumëllojta të këtyre romakëve deri në skajet e perandorisë së tyre.

Në të vërtetë, i gjithë aparati shkencor që na solli në këtë përplasje absurd virtuale është goxha interesant, madje solid. Bëhet fjalë për ‘arkeologjitë e racës,’ nevojën për të gërmuar të gjithë valëzimin racor të fshehur nën gëlqeren historiografike të tre-katër shekujve të fundit. Muri i Hadrianit është një kandidat veçanërisht i përshtatshëm për këtë lloj trajtimi për shkak të rolit që ka si monument kombëtar në ndërgjegjen publike britanike.

Argumenti thotë që ky rol i ka themelet e tij në arkeologjinë dhe historiografinë amatore të shekujve XVII-XVIII, ku kërkohej vjetërsia dhe legjitimiteti i entiteteve të reja absolutiste që ishin krijuar, e mandej në studimet thellësisht serioze të XIX-it, që justifikonin dhe i jepnin një raison d’être qytetërues dhe përmirësues imperium-it botëror të Europës. Në këtë pikëvështrim, ndarja fizike midis britanikëve romakë dhe barbarëve të përtej-Murit ishte çasti themeltar i qytetërimit britanik që do të mbizotëronte mbi botën mbarë, një lloj miti-krijues paradoksal, në të cilin konsolidimi i pushtimit të jashtëm të suksesshëm shënjon një komb të ri, të lidhur bashkë dhe të bërë eprorë prej këtij trupi të huaj.

Në këtë mit, përkatësia romake dhe pozita e saj kundrejt asaj vendase barbare nyjëzohet me atë anglo-saksone perandorake dhe marrëdhënien e kësaj të fundit me racat nënshtetase (subject races). Duke qenë se një nga elementët kyç të kësaj—siç e tregon eufemizmi—është ai racor, një qasje e tillë kuptimore iu huazua me detyrim edhe periudhës romake. Natyrisht, dallimi kryesor mbetej ai i çiftit romak-barbar, por pati dhe një rrëshqitje drejt diskriminimit të elementit joeuropian të perandorisë.

Muri i Hadrianit, për shembull, mund po aq mirë të quhej i Severit, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e asaj që shohim sot prej tij u ndërtua pikërisht prej Septim Severit. Pse atëherë nuk u quajt kështu? Hipoteza drejton gishtin nga vendlindja hispanike e grekofilia e Hadrianit dhe ajo libike e Severit. Është natyrisht vetëm një mundësi, një që nuk do të na pëlqente të ishte e vërtetë me gjasë, por ilustron kontekstin e një vale të freskët revizionizmi në studimin e Britanisë romake.[7]

E shprehur në këtë formë, kërkesa ngjan e arsyeshme pavarësisht mëdyshjes që mund t’u shkaktojë shumëkujt—përfshirë dhe mua—vërtetësia e diskutueshme e kësaj teze. Nga ana tjetër, qasja e skenaristëve dhe regjisorit të filmit vizatimor aq kontrovers, nuk ndihmon ndonjë gjë të madhe. Thënë ndryshe, zëvendësimi i figurës tipikisht të bardhë të pater familias-it ushtarak me një të zezë, në kuptimin bashkëkohor që i japim ne këtij identiteti—megjithëse jo në Shqipëri—është gjithaq e dëmshme. E dëmshme sepse korrigjimi i peizazhit racor të epokës romake që përpiqet të arrijë ia del mbanë vetëm në kurriz të të vërtetave të tjera historike që sfumohen rrugës.

Përfundimi i detyruar është që një rishikim i pjesshëm i materialit që disponojmë mbi periudhën që po diskutohet jep vetëm pak përcaktime, e gati asgjë konkrete. Përsa i përket debatit bashkëkohor, nuk ndihmon fare. Ngjyra e lëkurës e atij centurioni nuk është më e përcaktueshme sot nga ç’ishte pesëdhjetë vjet më parë. Suksesi, për mendimin tim, qëndron pikërisht në atë që kjo pasiguri historike është e dukshme. Ndoshta thjeshtëzojmë, por pesëdhjetë vjet më parë pyetja nuk do të ishte ngritur aspak, veçse për arsye krejt të tjera. Ndërsa zhurma që shpërtheu, sado e kotë, vjen prej cenimit të një aspekti shumë më monolitik e themeltar të britishness-it dalë kohe sesa çfarëdo sherri periodik shqiptar.

Fundja, ata e patën me të vërtetë një perandori të ndërtuar pjesërisht mbi këtë iluzion, ndërsa ne vazhdojmë merremi me fanitje.


[1] Për një diskutim më të thellë të përbërjes së klasës së centurionëve romakë: Amiram Ezov, “The Centurions in the Rhine Legions in the Second and Early Third Century,” Historia: Zeitschrift für Alte Geschichte, 56, 1, 2007, fq. 46-81.  

[2] Taktika luftarake romake, e mbështetur në dominancën e këmbësorisë së tyre të rëndë, ishte e kushtueshme në oficerë legjionesh.

[3] Anonim, Historia Augusta, Londër & Harvard, Loeb Classical Library, 1921, vëll. I, fq. 425.

[4] Përkthimi është i autorit nga origjinali latinisht dhe origjinali i përkthimit anglisht të David Magie-it.

[5] Do të isha i prirur ta lexoja në të njëjtën dritë si korsikanizmi bonapartist, me ndryshimin e vetëm se elita vendase e Afrikës Prokonsullore ishte ku e ku më e asmiliuar se nobilau korsikan vitet e para të paspushtimit.

[6] Q. Lollius Urbicus-i ishte legatus Augusti pro praetore (titulli që zëvendësoi atë të prokonsullit senatorial në provincat romake) dhe konsull, midis të tjerash, nën sundimin e perandorit gal Antonin Piu.

[7] Për një version më të hollësishëm shikoni artikullin: Divya P. Tolia-Kelly, “Narrating the Postcolonial Landscape: Archeologies of Race at Hadrian’s Wall,” Transactions of the Institute of British Geographers, 36, 1, 2011, fq. 71-88.

5 Komente

  1. Përgëzime të vërteta për shkrimin dhe imtësinë e tij këqyrëse. Ndjemëni nëse shtoj disa rreshta aspak polemizues (vetë shkrimi juaj nuk qe i tillë) megjithëqë, paramendoj, shtjellues.

    Përtej vetë thelbit të “sherrit” rreth dokumentarit të BBC-së, çka ngacmon më tepër është rendi i shtrimit të diskutimit. Mund të themi se shkëmbimi i zjarreve u zhvillua në dy plane: njëri, le ta quajmë, skolaresk dhe tjetri në anonimat; i pari mes kredecialesh, i dyti mes nickname-esh. Përgjatë muajit, këto dy plane nuk ndejtën pa u ndërthurur, duke humbur kësisoj ngurtësinë e tyre – demokracia e rrjetit shkakton dhe shpërbërje/përzierje “kastash”, dihet! Çka dhe solli shthurjen përfundimtare të çfarëdolloj bonsens-i dhe kthjelltësie, fort të nevojshme gjithsaherë që një temë e së shkuarës merr të tatëpjetën në rrahjen publike të së tashmes. Siç dhe thekson Beard-i në artikullin që ju përcollët: “I don’t much like the line which goes ‘I’ve read more than you on this topic so I am right’. But in this whole exchange I did resort sometimes to asking ‘Have you read any book on the history of Roman Britain?’. A few people had the grace to say they had not. And there were glimpses of some obvious ignorance and misunderstanding. More than one person, when the subject moved to Sub Saharan Africa, posted a map of the Roman empire and said that I must be an idiot to think that there could be Sub Saharan Africans in Roman Britain, as the Empire didn’t reach that far. It would have taken more than 140 characters to explain why the conventional boundaries of the Empire as marked on the map are misleading and whey more of the world was ‘Roman’ than those conventional boundaries indicate.”
    Gjithmonë Beard-i – ashtu si kolegë të saj – mbetet e qartë në logjikën përgjithësuese të çfarëdolloj pohimi përcaktues në këtë drejtim. Që do të thotë se një qasje shkencore kundrejt një entiteti historik (let alone politik) siç qe Perandoria romake në mesjetën e saj (i.e. shek. II-IV) e ka objektivisht të pamundur të mohojë 1. multietncitetin e perandorisë (por duhet të ecim më ngadalë nëse këtë e vendosim në pozita sinonimie me multikulturalizmin) dhe 2. lëvizshmërinë e brendshme. Va da sé që qëmtimet e mundshme bashkëkohore na e vërtetojnë këtë tezë vetëm në një aspekt makro, teksa në nivelin lokal s’mundet veç të mbledhim ato thërrime (siç Nicholls-i parashtron këtu: http://blogs.reading.ac.uk/the-forum/2017/07/28/how-diverse-was-roman-britain/ ku jepet dhe një version i tij rreth ndodhisë së etiopasit të Severit) që gjithsesi nuk e kundërshtojnë.
    Thënë kjo, duhet gjithashtu të saktësojmë se debati u gjymtua në dy shkallë përplasjesh: nga njëra anë midis atyre që pranonin ose kundërshtonin shumësinë etnike tout-court të Britanisë romake; nga ana tjetër midis atyre që s’vinin në dyshim praninë e “të tjerëve” në një shoqëri përndryshe monoetnike, por shkëmbenin “bibliografira” rreth çështjes nëse kjo prani përbënte apo jo asokohe një shtresë të qenësishme të shoqërisë britanike. Thënë shkurt, jemi të qartë se deri në Jork ndodhej një romak me ngjyrë, por ky ishte në shoqëri të mirë apo përbënte veç një fenomeno da barracone? Mua më duket se debati serioz u përmblodh përreth kësaj përplasjeje të dytë. Çështë e vërteta, dokumentari i BBC-së nuk e paraqiste familjen e “afrikanit” si një shembull të kudogjendshëm, por, me ç’duket, titrat që shoqëruan postimin d tij në website të tij shtyheshin deri në këtë pikë.

    Dhe gjithmonë me lejen tuaj, doja të shtoja diçka vërtet të fundit:
    Nga fundi i ndërhyrjes suaj ju ngreni pyetje – natyrisht provokuese – përreth arsyes së emërtimit të Murit në nder të Adrianit (hispanik ky) dhe jo Severit (që qe libik), duke ngritur me gjysmëpeshë nënpyetjen tjetër, sipas së cilës kjo “përzgjedhje” a mund të fshihte pas një shkallëzim “parapëlqimesh” (italiku in primis, paskëtaj hispaniku dhe veç mandej libiku në këtë farëlloj taksinomie ngjyresash). Kuptoj arsyen retorike të këtij provokimi, por s’i shmangem dot një shpjegimi të motivuar historikisht. Po mundohem të jem sintetik:
    Adriani e ndërtoi Murin duke marrë lavdet e të qenit themelues i tij. Severi veç rregulloi (sistemoi, restauroi) disa pjesë dhe në vazhdim shtoi të tjera, gjithsesi mbi një vepër ushtarake që tashmë e kishte përftuar “atësinë” e vet. Emri i Severit, gjithsesi nuk ishte i panjohur për vepra të tilla. Siç e dimë, pak vite pas nisjes së punimeve të Murit të Adrianit, romakët nuk i ndalën ecejaket e tyre më në veri të tij. Rreth 160 km më larg, ata përuruan një tjetër mur, të cilin shumë shpejt e braktisën, duke u tërhequr përfundimisht në jug të Murit të Adrianit. Ky mur “skocez” mori asokohe emrin e perandorit Antonin (Piut), megjithse emri i Severit, sërisht rindërtues edhe i këtij, për shumë kohë nuk iu shqit. Në gjirin e autorëve të vonë latin, të cilët mesa duket përmbysin tezën tuaj, emërtesa e Murit si “severin” e kalonte atë “antonin”, duke e errësuar përfundimisht këtë të dytin (http://www.kmatthews.org.uk/arthuriana/wall_literary_sources.html). Fati historik i emrit të Severit, edhe pse qe më së shumti rindërtues sesa ndërtues, nuk duket pra të ketë qenë i njollosur nga vendlindja e tij, edhe pse, afërmendsh, kjo s’përbën një provë për multietnicitetin masiv të Britanisë romake.

    1. I dashur Edon,

      Ju falemnderit për fjalët e mira. Duke qenë se shkrimi im mori shtysë pikërisht nga një i juaji i mëparshëm e, sipas meje, duhet lexuar gjithnjë pas këtij tuajit në rrethana optimale, e mirëpres veçanërisht përgjigjen tuaj.

      Në përgjigjje të komentit tuaj, më duhet të pranoj që debati kryesor që përmendni, ai i pranisë dhe rolit shoqëror të këtyre nënshtetasve të asimiliuar perandorakë, të cilët u “lexuan” si të huaj nga masa e gjerë e kritikës që iu bë asaj videoje të ngratë, nuk më intereson as ai në një masë të konsiderueshme.

      Thënë ndryshe, po ta lëmë faktin historik mënjanë, i gjithë debati sillet rreth aplikimit të qëllimshëm të normave diskriminuese, konkretisht racore, anakronike – apo të paktën të një interpretimi bashkëkohor të këtyre hierarkive të hamendësuara – në studimin e Britanisë romake. Janë qasjet e të dyja palëve në zhvillimin e këtij debati ato që kanë një rëndësi parësore për mua.

      Artikulli i D. P. Tolia-Kelly-t që citoj përfaqëson një valë revizionizmi që mua më lë të ftohtë. Jo se nuk i vlerësoj premisat prej të cilave merr udhë e ç’qëllime ka, por sepse më krijon përshtypjen e të qënit panevojshmërisht radikale në shtyrjen e lavjerrësit nga kahu i kundërt. Është tregti e keqe ajo ku pranon të zëvendësosh një lloj humbjeje me një tjetër paraprakisht.

      Hipoteza e arsyeve të emërtimit të Murit që rimerret në shkrim është në përmbyllje të artikullit të saj dhe është padyshim një nga pikat me të cilat bie më pak dakord. Lidhja për burimet letrare mbi Murin e Severit që sillni ju, e për të cilën ju jam mirënjohës, më bind që shtrimi i pyetjeve nisur nga një kuadër shkencor me një qëllim kaq ekzigjent shpie në një anshmëri burimore të pavullnetshme, që ka po atë pasojë praktike si “masazhimi” i burimeve arkivore.

      Pavarësisht këtyre rezervave ndaj një elementi dytësor, për mendimin tim, të tezës së saj, interpretimi paskolonial i Murit si monument kombëtar britanik dhe një sërë paralelizmash historikë që rridhnin prej kësaj e që ofronin një shpjegim më të kënaqshëm për shpërthimin anakronik të publikut britanik, m’u duk i vlefshëm dhe akademikisht i mbrojtshëm. Krijonte, gjithashtu, një hallkë lidhëse mes romakëve dhe nostalgjisë perandorake të britanikëve, e cila shprehte shkurtimisht një shtresë kulturore jo doemos të njohur për lexuesit shqiptarë.

      Edhe më e rëndësishme për temën në fjalë ishte një përmendje disi shkarazi që bënte autorja të një projekti mësimor për shkollat fillore e dytësore në Mbretërinë e Bashkuar, që nisej pikërisht nga ky rishikim racor i monokromit të historisë së Britanisë romake. Videoja, rrjedhimisht, duhet të jetë në vazhdën e zgjerimit të këtij projekti nga projekti pilot fillestar në shkallë kombëtare.

      Retrospektivisht, më vjen keq që ngjyrimi që mori ky debat mbi – ç’është e vërteta – një shembull tipik të “affirmative action” ishte historiografik dhe jo sociologjik. Kjo ngatërresë vorbash nuk ishte e dobishme për askënd. Po ashtu, më vjen keq që prof. Beard-i dhe një numër ekspertësh romakë të tjerë u detyruan të përfshihen në mbrojtjen, të drejtë për mua, të një përpjekjeje kaq të ngathët për normativizmin e një pikëvështrimi të ri historik.

      P.S.: Nicholls-i ishte, në fakt, burimi prej nga e mora atë historizën e Septim Severit në Britani dhe lidhja e dytë (që, mesa duket, nuk punon) në artikull – do të mundohem ta zgjidh shpejt.

  2. Ne kohen e Mark Aurelit 5500 kalores jazige/sarmate u levizen ne Britani dhe nuk u kthyen as pasi mbaruan vitet e sherbimit ushtarak. Nuk di nese kjo e ben me multietnike apo multiracore Britanine, sepse sarmatet jazige ishin race e bardhe por tjeter. Nuk mbaj mend me saktesi por kohorta te ndryshme dalmatike dhe panonike jane stacionuar ne Britani,sepse Roma nuk levizte vetem legjionet por edhe kohorta, edhe trupa ndihmese barbaresh te ndryshem, ne varesi te nevojave ushtarake.
    M’andej legjionet me te mira romake ishin ato te Danubit te mesem, nga Vjena ne Sirmium apo me ne lindje, Portat e Hekurta, ne Britani ishin ”pensioniste”.
    Miti renan lidhet me terheqjen strategjike te Romes, perballe gjysem nomadeve gjermanike, jo me ndonje kapacitet te madh gjermanik te atyre atyre aneve. Roma ishte e paafte te zgjerohej ne territore me bujqesi aq te prapambetur sa popullata te ishte ende gjysem nomade. Mos te harrojme se kur Varro kishte 3 legjione ne Gjermani, Tiberiusi kishte 10 legjione ne Iliri.

    Ceshtja e revizionizmit historik eshte kthyer ne gangrene per njohjen historike, jane bere te gjithe revizioniste, nuk po merret vesh se kush revizionon ke.
    Per t’u revizionuar jane ata qe bejne lidhje te shkurter mes anglo-saksoneve dhe britanikeve te kohes se Romes, te cilet ne fakt ishin prekelte te keltizuar ne latinizim e siper e nuk kishin kurrfare lidhje me anglo-saksonet.
    Me ngjan se te gjitha palet nisen nga kjo lidhje e shkurter, a thua se asokohe Britania popullohej nga anglo-saksone. Nqs ajo periudhe do te kishte njefare rendesie ne kohen e sotme, anglezeve u duhej bere pyetja, po ju çfare kerkoni ne Britani ? Perndryshe ai zezaku si ushtarak i Romes ishte ne kohen dhe vendin qe i caktonte Perandoria e tij.

    Debati akademik, ne kushtet kur Roma nuk bente diskrimin racor ne kushtet per te qene ushtarak i saj eshte i nje kotesie te jashtezakonshme, sepse logjike qe s’ka per te gjetur asgje me rendesi si per te konfirmuar si per te hedhur poshte nje hipoteze ne lidhje me pranine e zezakeve ne Britani, ne Iliri, ne Gali apo ne secilin cep te saj.

    Problematike nuk jane burimet, te cilat rezultojne te pamjaftueshme per te mbrojtur apo hedhur poshte hipotezen, problematike eshte vete hipoteza, e cila eshte e ndertuar shume keq nga pikepamja logjike, sepse nuk bazohet tek asnje deduksion. Si mund te ngresh nje hipoteze duke marre premisa te pafalsifikueshme ne kuptimin poperian ?

    Persa i perket BBC-se, ka bere gjithnje dokumentare shume cilesore, me kete propagande ku anglo-saksone e zezake dalin bashkejetues qe ne kohe te Romes, ka dale shume keq. Ne rast se zezaku mund te qendroje, theksi shume i forte british i personazheve, sidomos i skllavit mentor, qe dukej nga çdo ane si anglez spitullaq i epokes koloniale, eshte jashte vendit.

    Debati eshte mes shurdhit dhe qorrit, andaj nuk ka per te sjelle asgje dhe as i shoh ndonje vlere.

    1. I dashur Hyllin,

      Kalorësit sarmatë të Mark Aurelit nuk i shtojnë as një gram Britanisë romake, qoftë në shumëllojshmëri etnike, qoftë në racore, se janë me dyzet vjet vonesë – të paktën – për temën që është në diskutim.

      Lidhur me njësitë romake në Britani, që nuk ju kujtoheshin mirë, mund t’ju ndihmoj unë. Për fat të mirë gjeta një lidhje në internet që citon gjerësisht nga artikulli që pata shfletuar dhe vetë gjatë shkrimit të kësaj e eseje e që po ua bashkangjis: http://roman-britain.co.uk/military/british_legions.htm

      Po ta lëmë mënjanë debatit mbi ngjyrën e atij personazhi vizatimor – e përmend më sipër që nuk më tërheq tmerrësisht -, më bëri përshtypje paragrafi që keni shkruar lidhur me prirjen bashkëkohore të rishikimit të historisë. Detyrohem, si i fushës, të them pa pikën e mëdyshjes se asgjë prej atyre që keni shprehur mbi këtë punë nuk qëndron.

      Në ka gjë, sot për sot, që nxit sadopak analizën kritike dhe pikëvështrimin origjinal në çështje që i përkasin lëmit historik, në nivel universitar e pasuniversitar, është pikërisht “gangrena” e revizionizmit. Nuk ka gjë më të lehtë, më të lodhshme, më frustruese e më bjerrakohëse sesa monotonia e punëve shkencore që përforcojnë një tezë të pranuar.

      Problemi është që kjo lloj qasjeje, në vend që t’ua presë studiuesve timonin për nga thellimi e elaborimi i argumenteve, siç edhe u takon gjatë një procesi të zakonshëm evoluimi të një teze, i çon ata drejt një riformulimi mekanik të argumenteve ekzistuesve. Krijohet një atmosferë departamentale festive, madje, në ato pak raste kur bibliografia e studimit merr mundin të përfshijë ndonjë burim dytësor të ri.

      Rishikimi i historisë, sado me cene që është, të paktën jep cytjen fillestare drejt një ri-interpretimi të fakteve dhe teksteve të disponueshme. E kuptoj që kjo mund të duket si gjë e vogël për problematikat specifike të historiografisë shqiptare – mungesa e studimeve të thelluara në vend të mbizotërimit klasik të dogmave të mbarëpranuara, si në Perëndim -, por është nga të paktat strategji afatgjata që luftojnë krijimin e një gjendjeje amullie në studimin e fushës.

      Vetë revizionizmi, me thënë të drejtën, nuk kërkon më tepër se një anëtarësim në bibliotekë – qoftë dhe ndonjë lidhje të shpejtë me database-ët e artikujve shkencorë të fushës në internet, fundja – dhe një gjysmë dite për t’ia gjetur fillin historikut të studimeve të temës. Pamundësia për ta bërë një gjë të tillë është, sinqerisht, nga ato gjëra që i ngelin në klasë studentët e sotëm të historisë. Ndoshta, vështirësia në rastin tuaj ka të bëjë me mosformimin e duhur për t’i shfrytëzuar burimet historike, që është një gjë krejt normale, por prapë nuk e përligj atë çka thatë.

      1. I nderuar A.A.B

        Kam pershtypjen se duhet te bini dakord me Edonin per periudhen ne fjale ,sepse ai e trajton si shek II-III, kurse ju beni llogaritjen e viteve. Sa i sigurte jeni ju qe ne video behet fjale per periudhen kur u ndertua muri, sepse une degjova diçka si 1800 vjet me pare, keshtu qe jo vetem qe jam brenda, por kam frike se jam me heret se ç’duhet, meqe jaziget ne fjale u derguan 1844 vjet me pare, qe i bie 40 vjet me heret e jo me vone.

        Nje vemendje e posaçme ndaj periudhes mund te deshmoje qe jeni i specializuar per periudhen ne fjale, vendin ne fjale apo Perandorine ne fjale, por kjo nuk ngre ndonje peshe te madhe ne lidhje me nje film vizatimor qe hidhet ne treg per konsum ideologjik.
        Ju thoni ne artikull se hamendesimi per pranine e nje ushtaraku zezak ne Britanine romake, kryen funksion ne mosbarazimin e romakut me te bardhin.
        Ketu une nuk di nese flet revizionisti apo specialisti, meqe te specializuarit ne nje periudhe e vend, nuk ia kane ngene revizionizmit pasi jane marre aq shume per t’u specializuar ne ate argument, saqe nuk dine ne kane vertet ndonje gje per te thene e qe nuk eshte thene me pare, jo me te fillojne te fantazojne nga e kunderta.
        Ketu per mua ka nje pohim krejt te papranueshem revizionist, sepse eshte fakt i mirenjohur qe Roma nuk u shtri ne asnje vend te populluar nga zezake, vetem Egjipti kishte prani te vazhdueshme emigrantesh nubiane e me pak etiopiane, e ç’mund te sillte Saharaja ne Magreb e Libi dmth zezaket ishin popullata emigrante, relativisht te paperfillshme.
        Prandaj njerezit mund te vazhdojne lirisht ta perfytyrojne romakun si mesdhetar, si eshte harta racore e Mesdheut sot, ashtu ka qene edhe ne kohe te Romes.

        Kur flas per gangrene te njohjes historike i referohem pikerisht revizionizmit qe nderhyn halldupçe ne argument, ne nje kohe qe njohja historike ka thjesht nevoje per pastrim te vazhdueshem te skorieve ideologjike, por jo per permbysje revolucionarizuese.

        Ju flisni per revizionizem si interpretime te reja bazuar ne njohjen aktuale. Kjo do te thote te kalojme ne proçesin e njohjes nepermjet deduktimit, te marrim premisa te njohura e te arrijme ne konkluzione. Kjo menyre njohjeje eshte mjaft e vlefshme, por sikunder kam shkruar me lart, ne radhe te pare duhet te dish te ndertosh hipotezen.
        Nqs premisa e pare eshte se Roma nuk bente diskriminim racor dhe etnik ne kriteret per rekrutimin ushtarak,premisa e dyte eshte ekzistenca e zezakeve si banore te Perandorise, atehere konkluzioni logjik eshte qe Roma kishte ushtarake zezake.
        Ne momentin qe vendosim kete kokluzion si premise e metejshme dhe si premise e dyte qe Roma nuk i kushtezonte levizjet ushtarake me humorin racist ose jo te krahinave, atehere konkluzioni logjik ushtaraku zezak gjendet kudo ne Britani, ne Gali, ne Iliri, ne Siri, ne Tunizi e me radhe.

        Prandaj nuk kuptoj se çfare rendesie ka sasia e cilesia e burimeve, per te vertetuar ekzistencen e ushtarakeve zezake ne Britanine romake. Qe te hedhesh poshte ekzistencen e ushtarakeve zezake ne Britani duhet te nderhysh tek hedhja poshte e premisave te mesiperme.

        Ne kete kuptim them qe gabimi qendron tek hipoteza dhe nuk mjafton sasia e shkollimit dhe e dokumentacionit per te bere nje historian. Katedrat e gjithe botes jane plot me profesore qe s’arrijne dot te behen historiane.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin