Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Diaspora

BILETË PA KTHIM

nga Gresa Hasa 

Ka diçka kaq të trishtë kur miqtë të komunikojnë se do të largohen përgjithmonë nga vendi. E kam fjalën për vendimin final, biletën e prerë dhe valixhen gati. Kjo s’përbën lajm. Ikja ka qenë gjithmonë e pranishme në biseda. Ti vetë i ke nxitur ata të mblidhnin plaçkat një orë e më parë. Në pasditet e gjata teksa diskutonit plot zell përpara një birre të ngrohtë e pa shije, atëherë kur bota dukej lehtësisht e rrokshme dhe perëndimi shfaqej ëndërrimtar, me ngjyra që ti e di se nuk i mbart të gjitha; atyre çasteve pra, ikja bënte sens. Ajo dukej gjëja më e drejtë, më e zgjuar, më e mirë, ndoshta ngaqë ti nuk e besoje se do të realizohej vërtetë, deri në çastin kur ndodhi. Duket sikur midis teje dhe shokëve është thyer një marrëveshje e heshtur, një pakt që s’është zënë kurrë me gojë; sikur ata po të tradhëtojnë e po të braktisin. “Po ne kemi thënë që do të qëndrojmë gjithmonë bashkë, deri kur të bëhemi pleq e të shëmtuar…”, do t’i kujtosh. “Po protestat? Kritikat që i bëjmë qeverisë? Po takimet e grupit tonë tek i njëjti bar, ku i zoti na e vonon një e më dy porosinë e ndonjëherë na sheh edhe vëngër madje… Grupi s’është më i tillë nëse mungojnë pjesëtarët. Ai është kot.” Ti do t’i bësh të ndihen në faj edhe pse ndihesh vetë në faj për këto sjellje kaq fëminore. Fundja shokët po bëjnë atë që do të kishe bërë edhe ti po të ishe në vendin e tyre. Mbi të gjitha, ti e di që ata nuk i pret askush atje në tokën matanë. E di edhe se ata do të ndihen po njëlloj ligsht kur të shohin se takimet e grupit tuaj do të vazhdojnë pavarësisht ikjes së tyre, se ata do të jenë vetëm, atje ku sfidat fitojnë përmasa më të frikshme. Ti do t’i përqafosh dhe t’i premtosh se çdo gjë do të shkojë mirë, se bota është e vogël fare dhe dëshira e vullneti për t’i ruajtur lidhjet janë më të mëdha. Por di gjithashtu se asgjë s’është e sigurt, as fjalët që vetë nxjerr nga goja. Ka diçka kaq të trishtë kur miqtë të komunikojnë se do të largohen përgjithmonë nga vendi. Dhe “përgjithmonë” është fjala më kot që ekziston në fjalor.

Ndonjëherë, shumë herë madje, ikja është zgjedhje e imponuar. Ti ikën jo vetëm ngaqë nuk di si të qëndrosh më apo se veprimtarinë tënde do ta zhvillosh tjetërkund por edhe sepse vetë vendi yt të kërkon të largohesh. Ti mund të jesh shumë inteligjent për vendin, shumë i talentuar, shumë hokatar, shumë i mërzitshëm, shumë interesant ose shumë i pavlerë; mund të jesh gjithmonë diçka më shumë ose më pak por asnjëherë i mjaftueshëm për të qenë pjesë e tij. Shtëpia është tepër e vogël për ty. Thjesht nuk ka vend. Atëherë ti do ta kërkosh atë diku tjetër, diku ku persona si puna jote janë më të pranueshëm. “Ç’domethënë persona si puna ime?”, do të pyesësh. Persona që s’kanë rrënjë. Persona që e konsiderojnë të gjithë botën shtëpi por që bota nuk i trajton si të shtëpisë sepse i huaji është status që pasi e ke fituar aty ku qëlloi të lindësh e të rritesh, do të konkretizohet tej kufijve shtetërorë dhe politik të atij vendi. Ti mund të zotërosh mjaft mirë një sërë gjuhësh gati njëlloj si ajo amë; të jesh i kulturuar, i informuar dhe i dobishëm intelektualisht dhe praktikisht. Megjithatë, do të mbetesh ndryshe, i dyshimtë dhe i çuditshëm sepse tradita ose zakoni për ta përjashtuar tjetrin janë më të forta sesa kurioziteti për ta njohur e pranuar atë. 

Ndoshta kur vjen nga një copëz toke si Ballkani, nuk ndodhesh asnjëherë veçse në një vend: ti je gjithmonë këtu dhe diku tjetër, diku të papërcaktuar qartë, pa një emër konkret; diku që i përngjan më shumë dëshirës apo ëndrrës sesa një shoqërie ose shteti. E nëse lind vajzë në një shoqëri burrash, ikja nuk është thjesht opsion por detyrë njerëzore për t’i bërë vend lirisë. Nuk është gjithaq e ndryshme dhe kur lind djalë: dhunës i ndryshon vetëm forma dhe intensiteti. Ajo mbetet dhunë pavarësisht subjektit që prek. Ti rritesh duke u munduar t’i gjesh një emër dhe fotografi vendit tjetër; rregulla e ligje që të shkojnë më për shtat; një mjedis më të larmishëm e tolerant paçka se ikja mbase është vetëm një tentativë e radhës për të (ri)gjetur veten, jo vendin tjetër. Fundja, ne largohemi nga një vend apo nga mënyra sesi e perceptojmë veten e gjendjen njerëzore tonën brenda atij vendi? 

Ikja është arratisje, është dobësi, është të pranosh dështimin mund të shprehet shumëkush. Ndonjëherë ajo është e tillë por të kërkosh kushte më dinjitoze dhe normale ku të mund të ndryshosh e përmirësosh veten, në pamundësi për t’i instaluar ato kushte në vendin ku ndodhesh, është mbase një gjest konkret, i drejtë dhe i moralshëm për të provokuar ndryshimin edhe në këtë të fundit. Ndryshimet s’mund të nxiten së jashtmi nëse ato nuk ndodhin fillimisht së brendshmi. Ikja është vetëm një pjesë e kësaj iniciative. Ajo i përngjan një procesi të vazhdueshëm në kohë e që nuk përmbyllet me kalimin e kufirit se fundja edhe kufijtë janë të gjithëllojshëm: shtetëror, emocional, psikologjik, kulturor, etj. 

Mbase në këtë botë me mure ka aq dritare sa për të na pastruar shikimin në mënyrë që të shquajmë shpresën për të ruajtur një marrëdhënie të shëndoshë me shokët, veten e botën, meqë para së gjithash, rruga e ikjes ka gjithmonë më shumë se një drejtim.

1 Koment

  1. Ikja […] është një gjest konkret, i drejtë dhe i moralshëm për të provokuar ndryshimin edhe në këtë të fundit. Ndryshimet s’mund të nxiten së jashtmi nëse ato nuk ndodhin fillimisht së brendshmi. Ikja është vetëm një pjesë e kësaj iniciative.

    Problemi me ndryshimet është që këto zakonisht duan kohë për të filluar dhe për tu realizuar, aq më tepër në një vend si Shqipëria ku ndryshimi mund të mos vij fare ose të jetë regresiv – shih 26 vitet e fundit, me Metën president si qershia mbi tortën e prishur të tranzicionit. Prej këtej, largimi nga Shqipëria bëhet një veprim pragmatik i individëve që ikin: nuk e pret ndryshimin të vij te ty, por shkon vetë ti te ndryshimi. Edhe pse ky largim është njëkohësisht dhe një humbje e madhe personale për të ikurin – shoqëria, gjuha, ambienti familjar/i pasforcuar etj., avantazhe këto që nuk i gjen dot menjëherë në vendin ku shkon dhe ku do të të duhen vite, në mos dekada, për t’i krijuar prapë – këto mund të balancohen me avantazhet e vendit dhe shoqërisë së zhvilluar: puna, shkolla, standarti i jetesës, politikat sociale, infrastruktura në përgjithësi, mbrojtjen që të ofron shteti ligjor, të qenurit në të njëjtën gjatësi vale me shoqërinë përreth kur vjen puna te vlerat dhe vlerësimi social dhe moral etj.

    Ikja, për shoqërinë dhe vendin që le mbrapa, sidomos kur kjo është e vazhdueshme dhe masive si në rastin e Shqipërisë, kthehet në një katastrofë të vërtetë sociale dhe bëhet, me kohën, vetë ikja nga pasojë e varfërisë dhe/ose mungesës së perspektivës, në shkaktare të prapambetjes dhe të regresit të një shoqërie. Një rreth vicioz, prej të cilit është vështirë që të dal një shoqëri pa një shkundje të mirë, të brendshme ose nga jashtë…

    Shokut/shoqes së larguar suksese dhe gjithë të mirat aty ku shkon. (Welcome to the club! :d)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin