Vdekja është pështjelluese sidomos kur vjen papritur dhe jeta që merr është fare e re. Duket sikur na kujton pikërisht atëherë kur s’duam, se jemi krejt të përkohshëm. Të tillë tronditje shkaktoi edhe vdekja e Atjon Zhitit, 19-vjeçarit për të cilin udhëtimi me motor 20 dhjetorin e vitit 2014 rezultoi të ishte fatal[1][2]. Heshtja do të kishte qenë reagimi më i respektueshëm për rastin por kur kjo thyhet, e folura bëhet detyrë.
Një vit më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, së bashku me kryetarin e Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipin dhe Administratorin e Njësisë Nr.2 Elez Gjozën, e panë të arsyeshme të përuronin njërën prej rrugëve të qytetit me emrin e Atjonit. Në fjalën e tij Veliaj u shpreh se “…ditë të tilla bëjnë të mundur që çdokush të kuptojë se çfarë e bën [dikë] qytetar dhe çfarë e dallon nga të qenit thjesht banor i një qyteti me një milion banorë.”[3]Afërmendsh, identifikimi i një rruge me emrin e një personi ngjall kureshtjen për të mësuar mbi kontributin e tij. Çfarë supozohet të sjellë ndërmend ky emër përpos një kronike të zezë? Asgjë në fakt. Kjo tragjedi mori goxha vëmendje jo sepse Atjoni ishte një personazh publik me kontribute qytetare dhe ky vendim erdhi për t’i ngritur lavd figurës së tij, por sepse i ati i Atjonit është personazhi që u bë shkas për qokën. Atjoni nuk ishte një viktimë si shumë viktima të tjera aksidentesh automobilistike. Ai ishte dhe mbetet i biri i Visar Zhitit, shkrimtar dhe ish i persekutuar politik. Madje lajmi kobzi u shpërnda në media kësisoj: u njoftua se i biri i Visar Zhitit kishte humbur jetën dhe jo që një i ri ishte aksidentuar me pasojë vdekjen. Nuk ka një Atjon pa Visarin. Rrjedhimisht, ajo se çfarë e dallon dikë nga dikush tjetër në këtë qytet është prestigji familjar; emri i familjes dhe njohjet e duhura, në të kundërt dikushi nuk është një emër i përveçëm; nuk është një emër rruge mbi të gjitha por thjesht një shifër statistikore në edicionin e lajmeve. Veliaj vetëm sa e nxori në spotlight një realitet që të gjithë e vërejmë e madje e dëshmojmë mbi kurrizin tonë.
Për ne qytetarët e tjerë, pagëzimi i rrugës me emrin e Atjonit ishte një gjest absurd dhe thjesht i papërshtatshëm. A është e drejtë që një kryetar bashkie të shfrytëzojë pushtetin për qoka vetëm sepse ai mundet? Bashkia është një institucion publik që mbahet me taksat e qytetarëve. Po aq shqetësues është trajtimi i një viktime automobilistike si “hero” (?!) i qytetit. T’i japësh gazit me shpejtësi në autostradë, në gjendje jo të kthjellët e pa mjetet mbrojtëse nuk është heroizëm por pakujdesi që të rrezikon kokën. Në ka diçka që meriton të sillet në vëmendje nga kjo fatkeqësi është pikërisht mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, rrugët e shtruara keq (prej korrupsionit, menefregizmit apo mungesës së profesionalizmit) etj. Dhimbja e madhe e familjes dhe të afërmve sikurse keqardhja e të tjerëve dhe dëshira për t’i ngushëlluar nuk duhet të shërbejnë si justifikim për abuzimin me pushtetin në rastin e bashkisë. Megjithatë, rruga u përurua pavarësisht poteres që shkaktoi dhe nuk u desh shumë për të shkuar te një tjetër sentimentalizëm me natyrë publike mbi Atjonin. Tashmë prej “heroizmit” u kalua te “gjenialiteti” i të ndjerit. Pas publikimit të një libri me ese dhe statuse Facebook-u të tij për 20-vjetor, [4][5] familja ka vendosur që tashmë të publikojë një tjetër libër, këtë herë me vizatimet e të birit[6], të kuruar me parathënien e Ismail Kadaresë e të vlerësuar nga kritiku i artit, Gëzim Qendro. Lançimi publik i Atjonit njëherë si “hero” dhe më pas si “gjeni”, nxitur më tej prej personazheve si çifti Kadare apo profesor Qendro që nuk hezitojnë të mungojnë në një ekspozim të tillë, e shndërron vdekjen nga tragjedi familjare apo personale, në ngjarje kulturore publike. Pra s’jemi në vaki apo në përkujtimore ku familjarë dhe të afërm po shprehin mendimet e tyre për të ikurin (mendime që mund të jenë të të gjitha llojeve – pak na intereson) por në një qokë publike me protagonistët përkatës. Fjalët e gjestet nuk i drejtohen më vetëm familjes së Atjonit por PUBLIKUT. Dhembshuria shndërrohet në manifestim për publikun. Në të njëjtën kohë vetë Atjoni mbetet nën tutelën patronizuese të figurës së të atit edhe në vdekje. Dhe kur Visari del në prapaskenë, në qendër rikthehen “rojtarët e portave të pallatit”, mbuluar me petkun e një dhembshurie dhe njerzillëku të mbidramatizuar. Atjoni nuk ishte as piktor, as shkrimtar… Ai ishte një i ri në lule të moshës që ndoshta në të ardhmen mund t’i përqafonte të gjitha këto role, edhe të piktorit, edhe të shkrimtarit apo edhe të heroit nëse gjithçka s’do të ishte ndërprerë atë mëngjes fatkeq në autostradë. Dhimbja dhe dëshpërimi i familjes, nevoja ngushëlluese për keqardhje, janë të kuptueshme. Por “nderet” me natyrë publike të Kadaresë, Qendros dhe më herët Veliajt mbeten të tepruara dhe absurde. Ato nuk kujtojnë Atjonin por konfirmojnë pozitat e pushtetit të të pranishmëve në këtë event. Të mëkuarit e Atjonit si gjeni të pazbuluar, e kthen fokusin tek ata që janë “të autorizuar” për të zbuluar “talente” e “gjeni” të këtij lloji… Te “gjenitë e vërtetë” ose “të mëdhenjtë e pakundërshtueshëm” si për shembull, çifti Kadare.
Pushteti ndërhyn në përcaktimin e hierarkive kulturore çfarë krijon edhe përshtypjen se “ata lart” janë si “një familje e vetme” dhe që “shkojnë shumë mirë” me njëri-tjetrin; me të vetmin dallim se miqësitë e tyre private dhe performimet përkatëse duhet t’i konsumojë edhe publiku. Kjo ngjan me ritualet e aristokracisë dhe është arrogante; e tepërt. Gjithashtu, ç’kuptim ka zhurma për një libër personal me vizatime në një kohë kur artistëve bashkëkohorë nuk u kushtohet fare vëmendje? Në një situatë politike dhe shoqërore të këtillë, artisti dhe qytetari ekzistojnë vetëm nëse pushteti ua njeh ekzistencën dhe bashkë me të meritën (dhe nëse kjo e fundit mungon, do ta shpikim!). Pushteti e shfaq veten kur vepron arbitrarisht. Çdo përpjekje e jotja si qytetar nuk vlen, në qoftë se nuk “miroset” nga “ata lart”, që dalin edhe si enablers të artit dhe kulturës. Rasti i Atjon Zhitit është vetëm njëri ndër rastet që e dëshmon këtë arrogancë. COD-i si një hapësirë kontrolluese e artit dhe kulturës nën hundën e kryeministrit, është një tjetër shembull që e përforcon edhe fizikisht imazhin në fjalë. Bienalet artistike si ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, jo për shkak të ndonjë vlere apo perspektive të re që mund të ofrojnë për artistin por sepse riekspozojnë fuqinë e pushtetit në mënyra nga më të larmishmet, janë sërish një shembull që na përplasin në fytyrë sesi arti dhe kultura (e me to gati çdo gjë tjetër) nuk ekzistojnë pa vulën e pushtetit. Edhe ti si qytetar nuk ekziston nëse pushteti s’të identifikon si të tillë. Cila është diferenca midis teje dhe banorëve të një qyteti me një milion banorë? Veliaj u kujdes të na e thoshte sa më qartë këtë. Pushtetit sidomos nuk i pëlqen të keqkuptohet ose në rastin tonë, të kuptohet drejt.
Më vjen keq që rrethanat nxitën një diskutim të tillë. Largimi i papritur nga jeta i një të riu është një lajm i kobshëm që na prek të gjithëve. Mos ndodhtë që të provojë kush fatkeqësinë e humbjes së një të dashuri, sidomos të fëmijës. Por ky “teatër” është i gabuar dhe qesharak e nuk i bën nder askujt, të paktën jo të ndjerit.
(c) Peizazhe të fjalës
[1]http://www.tiranaobserver.al/vdes-ne-aksident-atjoni-djali-i-shkrimtarit-dhe-ish-ministrit-te-kultures-visar-zhiti/
[2]http://shqiptarja.com/Aktualitet/2731/sot-n–1500-p-rcillet-atjon-zhiti-ja-fjal-t-e-poetit-p-r-t–birin-n–jet–261275.html
[3]http://gazeta-shqip.com/lajme/2016/03/05/perurohet-rruga-e-atjonit-ne-nder-te-djalit-te-shkrimtarit-visar-zhiti/
[4] http://balkanweb.com/site/dy-poete-nga-bota-pershendesin-librin-e-19-vjecarit-te-perhershem-atjon-zhiti/
[5] http://www.gazetadita.al/botohet-pas-vdekjes-libri-i-atjon-zhitit/
[6]http://www.gsh.al/2017/07/20/botohen-vizatimet-e-atjon-zhitit-vleresime-nga-kadare-e-qendro/
Përshëndetje Gresa,
Dua të të bëjë një replikë mbi këtë shkrim.
Përgjatë gjithë shkrimit, që duhet thënë, i mungon dhembshuria dhe është i mbushur me thonjëza përqeshëse që shkaktojnë përzierje të stomakut, duket që ti kurrë nuk je ndalur ta mendosh Atjonin si të ndarë prej të atit. Duket se je ti vetë që e sheh nën petkun e të atit, Visarit, dhe këtë e ve edhe në sytë e publikut. Nëse të gjithë e shohin Atjonin nën lenten e figurës së të atit përse ti nuk del jashtë kësaj turme e të mundohesh ta shohësh si një njeri më vete? Përse nuk zhytesh në shkrimet e tij për të kuptuar atë për të cilën ai qëndronte? Ndoshta po ta marrësh këtë hap nuk do të të duket një “gjest absurd dhe i papërshtatshëm” emërtimi i rrugës. Thua “Çfarë supozohet të sjellë ndërmend ky emër përpos një kronike të zezë? Asgjë në fakt.” duke insinuar se Atjoni nuk la pas asgjë me vlerë intelektuale, gjë që nuk është e vërtetë, sepse mendimet në formë eseshë të Atjonit janë të mrekullueshme. Por përpos kësaj, është edhe një anë tjetër që ti e ke neglizhuar totalisht, sepse je fokusuar vetëm në një përbaltje të thjeshtë: ana njerëzore e Atjonit. Është pikërisht kjo që prindërit e tij po përpiqen të kremtojnë, dhe që ata që e njohën e kujtojnë përditë. Emërtimi i asaj rruge nuk është një ngushëllim zyrtar për familjen ose një tentative për të ngritur një kult heroi rreth tij (atë pikëpyetjen dhe pikëcuditësen duhet t’i kishe vënë nga dy herë kur shkrove “hero” se nuk e kuptoj dot se si dole në atë konkluzion), se nuk ka pllaketë që ua zvogëlon dhimbjen atyre, por është metaforë e shpresës së pavdekshme së rinisë. Tregon që ndonëse Atjoni u shua, shpresa dhe qëndresa e tij rinore nuk do të shuhen, por në formë simbolike do të jetojnë mbi atë pllaketë, e do të mishërohen te cdo njeri që u frymëzua prej tij.
Denoncon gjithashtu edhe botimet dhe eventet e mabjtura në nderim të Atjonit. Thua diku në artikull “Nuk ka një Atjon pa Visarin”, por ja që paska, se përmbajtjen e librit nuk e shkroi Visari, por ishin shkrime të Atjonit. Vizatimet që u publikuan, nuk u publikuan për të bërë një album bestseller që do korrë sukses internacional, u publikuan si një shenjim i anës humanitare të Atjonit në një event të hapur për publikun por me karakter personal në bar Radio. Kjo shfaqje publike e sentimentit personal nuk duhet parë si një teatër aristokrat, por si një përpjekje e familjes së tij për të ballafaquar publikun me Atjonin. Përpjekje për të njohur njerëz si puna jote me një njeri që jo vetëm ata e konsiderojnë të denjë për t’u njohur publikisht. Atjoni nuk po vjedh vëmendjen që meritojnë autorë të tjerë, po e ndan vëmendjen me to.
Më duhet të të bëjë gjithashtu një kritik të hapur për tonin e përdorur përgjatë artikullit. Ti ke të drejtën tënde të shkruash c’të duash për kë të duash, por ka caqe etike që nuk duhen shkelur. Detaje të aksidentit (të cilat i ke të pasakta) mund të kursehen, sic mund të kursehen epitetet dhe insinuatat për njerëzit e prekur nga ajo fatkeqësi që ndodhi. Një sugjerim i imi do ishte të informoheshe më mirë para se të shkruash artikuj me denoncime kaq të forta e me ton kaq të rëndë, sidomos kur në qendër të tij është një 19 vjecar që ka ndërruar jetë.
Qofsh me të mira.
Kur vjen puna për sentimentalizëm, ne shqipot jemi kampionë bote.
Artjonit i botuan një libër me proza, tani edhe një me vizatime. Nesër mund të dalin edhe partitura. Çdo gjë mund të ndodhë. Prindët kanë të drejtë të paprekshme që t’ia mbajnë kujtimin gjallë.
E gjithë kjo mbetet në suazën e dhimbjes private. Dhimbja për Artjonin sado e madhe nuk funksionon dot si motiv kulturor.
Ja të përfytyrojmë sikur nesër të dilte një kritik arti dhe ta bënte këtë librin me vizatime fërtele – të thonte që ato që paraqiten aty nuk vlejnë as sa letra ku janë shtypur.
Indinjim kolektiv? Patjetër. Do ta akuzonin për pandjeshmëri ndaj një të riu, ndaj dhimbjes së prindit, ndaj kësaj, ndaj asaj.
Ose një kritik letrar që të thonte se prozat e Artjonit nuk bëjnë. I njëjti reagim: turp, do t’i thonin, që fyen dhimbjen e familjarëve.
Jemi shumë sentimentalë si shoqëri, por reagimet si më lart janë pa të sharë. Vetëm se, po të jenë reagimet legjitime, nga pikëpamja morale, atëherë edhe libri me proza edhe ky me vizatime nuk janë evente kulturore.
Ose më mirë: janë po aq evente kulturore sa vjershat që shtojnë ndonjëherë të afërmit, mbi pllakat e varreve. Nuk do të ishte e hijshme, që t’i kritikoje ato vjersha për sentimentalizëm ose për sherbet. Nuk do të ishte DELIKATE.
Shkrimi i 6. Hasës më duket mua se prek një shqetësim tjetër: kontradiktën midis dhimbjes private dhe nevojës të paarsyeshme që kjo dhimbje të performohet në publik.
Me bashkëpunimin e peshave të rënda të kulturës shqiptare.
Dhe të politikës në Tiranë.
Këtu është problemi. Nuk mund ta pengosh dikë që ta ngrejë problemin, duke sjellë argumentin e dhimbjes private të prindërve të Artjonit.
A_Pasho, si kam thënë edhe në komentin më sipër, Gresa ka të drejtën e saj të shkruaj c’të dojë për kë të dojë, por duhet të jetë konform me disa rregulla etike dhe deri diku disa të tjera profesionale. Më korigjoni në qofsha i gabuar, por mendoj se kushdo që merr mundimin të shkruaj një artikull të tillë duhet minimalisht:
1. Të ketë parë albumin ose të ketë qënë prezent në eventin e mbajtur për të kuptuar më mirë natyrën e tij,
2. Të ketë dalë përtej portaleve online të lajmeve për të marrë detajet e ngjarjeve,
3. Të hulumtojë, ndoshta nga miq të përbashkët, më shumë për Atjonin.
Por, le ta zëmë se të gjitha të mësipërmet nuk jan rekuizita, unë prapë nuk e kuptoj dot ku qëndron shqetsimi i Gresës. Mendoj se problemi më i madh i shkrimit të Gresës është që nuk di me kë e ka më parë problemin. Nga njëra anë denoncon fenomenin social të identifikimit me statusin social të familjes (që është i vjetër sa vetë familja e shoqëria dhe nuk është ekskluziv shqiptar), nga ana tjetër denoncon pushtetin, nga ana tjetër denoncon qasjen filozofike të vajtimit publik të humbjes së dikujt. Nuk mjafton vetëm një thumbim me fjalë në thonjëza për të ngritur dhe denoncuar këto problematika, duhet mendim I mirështjelluar dhe një sintezë përfundimtare e mendimit. Një mendim kritik i hapërdarë duke zgjedhur një temë të tillë për ilustrim është recetë për një shkrim të dobët, dhe pikërisht një shkrim i tillë na paraqitet. Kur fut në ekuacion edhe mungesën e informacionit të saktë dhe shkeljen e caqeve etike atëherë shkrimi kalon në një disaster.
Gjithësesi, përtej cilësisë së shkrimit, ajo që më shqetëson mua është trajtimi që Gresa u bënë ngjarjeve për të ilustruar problemet. Të gjitha ngjarjet janë parë vetëm nga një kënd: nga këndi i hijeve që e bëjnë ngjarjen një ilustruese të problemeve. Emërtimi i rrugës përshembull, shihet vetëm si një qokë publike ose shfaqje e korrupsionit/abuzimit të pushtetit, por nuk konsiderohet fare mundësia që të jetë një simbolikë për shpresën rinore të pashuajtshme. Ajo që tha Veliaj shihet vetëm si treguese pa ekuivok e fenomenit të identifikimit me statusin social të familjes, ose sic insinuon Gresa, si mjerim moral i një populli dhe parie që përqafon akoma shfaqje aristokracie; nuk konsiderohet fare mundësia që Atjoni vërtet ishte shembull qytetarie dhe deklarata nuk u bë vetëm sepse mbante mbiemrin Zhiti. Publikimet dhe eventet publike shihen vetëm si vajtime publike të një fakteqësie personale, ose si “teatër aristokrat”, nuk shihen fare si kremtim i një dickaje që mund të ishte, festim i shpirtit të një njeriu që arriti të frymëzonte. Mund të vazhdoj të prekë të tjera ngjarje që u jepet një ngjyrim negativ për hir të shkrimit, por besoj se është e qartë që trajtimi i pjesshëm i secilës ngjarje është bërë qëllimisht.
Do të doja ndonjë përgjige nga Gresa për replikat e mia.
Ja psh, Tirana eshte nje kryeqytet qe ka nje goxha rruge hyrese dhe qe i kane vene emrin Dritan Hoxha. Si per ironi kjo rruge takohet edhe me disa rruge te tjera me pak te rendesishme te cilat quhen Lord Bajron, Teodor Keko etj. Dua te them qe perpara kesaj baterdie, kjo e Atjonit duket si nje gabim i vogel drejtshkrimor.