Mbrëmë lajmëruan se ish ndarë nga kjo botë regjisori George A. Romero – babai i zombie-ve në kulturën perëndimore moderne.
Ky i zombie-ve, edhe pse i ushqyer brenda një kulture mirëfilli pop komerciale si ajo e zhanrit horror në kinema dhe në letërsi, erdhi dhe u shndërrua në një nga mitet më të fuqishme të bashkëkohësisë.
Kontaktin e parë me zombie-t e Romero-s e kam marrë në mes të viteve 1980 në Vlorë, duke parë një film kuturu, të transmetuar pas mesnate nga një stacion televiziv pirat në brigjet e Puglia-s (disa thoshin se transmetonte nga një anije – çfarë asocimi i lumtur me piratët e dikurshëm!). Imazhi me miza vinte dhe ikte, filmin e kishim kapur diku nga mesi dhe nuk po merrnim vesh ç’po ndodhte tamam, përveçse që ngjarjet zhvilloheshin në një tunel; shihnim disa ushtarakë të alarmuar dhe përbri tyre, figura njerëzish gjysmë të kalbur, të mbërthyer në shtretërit e një spitali ushtarak…
Pastaj befas një nga këta “të sëmurë” u ngrit përgjysmë, në shtrat, duke tërhequr pas vetes tubat e serumeve dhe të sensorëve, dhe ne ia pamë rropullitë që iu derdhën nga barku i çarë dhe iu ngatërruan me zorrët plastike dhe kabllot, pa i bërë kjo këtij as edhe përshtypjen më të vogël, teksa zuri të lëvizte ngadalë, si i dëmtuar, i ngecur, i panatyrshëm, në një përpjekje për të arritur diçka të pakuptueshme, me një shprehje krejtësisht të zbrazët në gropat e syve.
Ishte, të paktën për mua, një lloj shoku visceral i paprovuar më parë: ose tmerri nga njeriu i kthyer së prapthi, në brendësinë e vet përndryshe të padukshme. Asgjë në eksperiencën time të deriatëhershme, të mbrojtur madje sterile, nuk më kish përgatitur për këtë banjë visceraliteti, ose paralizë si prej mishi gjigant, të varur në frigoriferin e një thertoreje ultra-moderne.
Më pas do të merrja vesh që kisha parë pjesë të filmit “Day of the Dead” të George Romero-s; i treti dhe me siguri jo më i miri i serisë së tij me zombie.
Do të shihja pastaj, pak vjet më vonë, “Dawn of the Dead”; një satirë e shoqërisë së konsumit për të cilën ia vlen të mbrosh doktoratën në sociologji – dhe një nga kryeveprat e kinemasë pop të së gjitha kohërave.
Edhe pse figura e zombie-t, të njohur alternativisht edhe si i pavdekur a i zhvdekur, i ka rrënjët në folklorin haitian (për disa afrikan) të një njeriu që ka vdekur dhe pastaj është ngjallur sërish, por jo plotësisht; dhe megjithë kontributin e pashlyeshëm të mitit të Frankestein-it, sërish Romero-s i mbetet merita që e futi zombie-n jo vetëm në zhanrin horror, por edhe në imagjinatën kolektive të planetit.
Zombie është produkt i një eksperimenti biologjik të dalë nga kontrolli, i testit të dështuar të një arme bakteriologjike a një toksine super-sekrete; ose i një infeksioni nga një organizëm i ardhur nga hapësira; ose edhe i një rrezatimi radioaktiv; viktimë e një sëmundjeje epidemike që në fillim e vret bartësin e vet, pastaj e ngre sërish në këmbë, por pa e ringjallur mirë; tjetri i reduktuar në kërcënim vdekjeprurës; mishërim i instinktit kanibalesk, që kërkon të ushqehet me ty të gjallin, dhe që të infekton edhe ty me kafshimin e vet, për të të shndërruar gjithashtu në zombie.
Një figurë e vetme, që arrin të përmbledhë në vetvete tmerrin biologjik, ose që kemi nga sëmundjet infektive dhe kafshimi i qenit të tërbuar që do të na shndërrojë edhe ne në qen, në bishë të etur për gjak, në nënvetëdije të transmogrifuar në mish; tmerrin mjekësor, përpara një trupi të riparuar keq, që e ka humbur integritetin e vet dhe harmoninë, për hir të së mbijetuarit me çdo kusht; tmerrin ekzistencial, sartrian (l’enfer c’est les autres), ose frikën nga Tjetri me të cilin deri dje ndanim gjithçka, por që tani kërkon të na gëllabërojë; tmerrin agorafobik, që ndiejmë përballë turmës që na rrethon, për të na mbytur me thjesht praninë dhe shtrirjen e vet oqeanike; tmerrin psikologjik a psikiatrik, që përjetojmë përballë dikujt deri dje të afërt për ne, që e humb mendjen, për t’u tërhequr, incommunicado, në errësirën e katatonisë skizofrenike ose të një halucinacioni permanent ose të një mbidoze të drogës; tmerrin social, ose nga “invazioni” i barbarëve, i refugjatëve, i atyre që vijnë nga bregu përtej, i boat people, që sjellin me vete sëmundjet dhe, në thelb, vdekjen tonë.
Zombie-t, që vijnë rrotull duke tërhequr këmbët zvarrë, në mjediset e dikurshme, të veshur me rrobet e dikurshme, janë mizëria anonime që mbushte deri dje rrugët e qytetit të madh ose korridoret aq të kuratuara të qendrave tregtare: simboli i preferuar i jetës metropolitane, ai i masës në lëvizje, ku gjithsekush e shtrëngon fort pas vetes atë atom individualiteti që i lejohet. Te “Dawn of the Dead”, një film që shtjellohet praktikisht i gjithi në një qendër tregtare (mall) në periferinë e pafund amerikane, rimerren të gjitha këto tema kaq fertile: të ikurit, që shijojnë momentalisht parajsën e bollëkut si liri për të plaçkitur ose si komunizëm aksidental (gjithsekush sipas nevojave); zombie-t që mësyjnë dyqanet, duke u përballur herë pas here më manekinët; dhe kanibalizmin, si shkallën e fundit të konsumit.
Çfarë janë pikërisht zombie-t? Pse pati kaq sukses ky mit, ose në duam, ky “mem” në kulturën e sotme? Përgjigjja do të tingëllojë si klishe: zombie-t jemi ne vetë, të zhveshur lakuriq; ose edhe: zombie-t janë të tjerët, skllevërit, të papunët, ata të racës tjetër, imigrantët, refugjatët, ilegalët; viktimat e katastrofave natyrore, të uraganeve dhe të tërmeteve dhe të thatësirave biblike; ose edhe: zombie-t janë jashtëqitja e qytetërimit të sotëm të konsumit.
Në ShBA, ku për zombie-t janë botuar tashmë me qindra vepra letrare të zhanrit dhe prodhuar me dhjetëra filma horror, miti ka bashkëtingëlluar mirë me paranojën e mbijetesës (survivalism), për të marrë trajtën e njohur si zombie apocalypse, ose një kolaps total i shoqërisë, i ekonomisë dhe i shtetit, si pasojë e dyndjes së qytetërimit prej zombie-ve; të cilët nuk kanë kulturë tjetër, përveç dëshirës që të të hanë ty.
Si filmat e Romero-s, ashtu edhe kultura e ndërtuar rreth tyre dhe mitit të zombie-t në përgjithësi, na ofrojnë një pasqyrë ku të shihemi; meqë kriza na përfshin edhe ne vetë, të mbijetuarit – dhe në reagimet tona ndaj rrezikut total shfaqemi ashtu siç nuk do të kishim dashur të ishim. Pa folur pastaj që, përballë zombie-ve, qytetërimi i mbijetuar organizohet në forma represive, ku autoriteti ushtarak komunikon edhe ai në mënyrë sadiste me të mbijetuarit.
Zombie-t ia heqin qytetërimit atë varak të hollë të sofistikimit, të cilin e kishim ditur për çelik të kromuar; dhe ne, pa çka se nuk na pëlqen çfarë shohim, nuk i heqim dot sytë nga ekrani. Romero, dhe të tjerët më pas, nuk kursejnë as kapitalizmin, as shtetin, as pushtetin, as shkencën dhe as fenë, për të na lënë vetëm, ballë për ballë me zombie-n që mund të jetë edhe e dashura jonë, nëna ose fëmija, miku më i ngushtë, mbrojtësi ynë i deriatëhershëm.
Që nga filmat horror dhe mitologjia e bashkëkohësisë, zombie-t po shërbejnë tani edhe si instrument për të kuptuar fazën bashkëkohore të kapitalizmit: pas krizës financiare të vitit 2008, u fol seriozisht për “zombie banks”, institucione të zhvdekura, falë reanimacionit financiar nga shteti; sikurse flitet edhe për “zombie capitalism,” ose një rend ekonomik botëror që e ka humbur vetëdijen, ose aftësinë për të arritur synime. Anembanë botës, shtete të dështuara mbahen në këmbë artificialisht, herë si “të vdekura dhe të pakallura,” dhe herë tjetër si të kthyera mbrapsht, me zor, që nga vdekja; shtete që motivohen vetëm nga instinktet primordiale të urisë dhe të nevojës për të kërkuar “ushqim.” Ose, do të shtoja unë, edhe art zombie, i krijuar nga dëshira dhe makutëria e tregut, si nënprodukt i kontratave të nënshkruara dhe honorareve të majme, të fshehura gjëkundi në ishujt Cayman; përpjekje për ta rikrijuar një madhështi sublime të dikurshme, duke ia ngjitur copat mekanikisht, si Frankenstein-it; dhe shkencë zombie, që kërkon të mbajë të gjallë trupin e njeriut, pa u merakosur shumë për vdekjen e mendjes.
Madje nga instrument kognitiv, metaforë dhe formë e një ideje, zombie i ka shpërthyer tanimë vargonjtë e diskursit, për t’iu rikthyer botës “reale”, ose asaj skene së cilës deri dje i referoheshin në mënyrë figurative; pa çka se në formë karnevaleske, të teatralizuar, histrionike; sikurse e kemi parë dhe vijojmë ta shohim në protestat, performancat dhe inskenimet në sheshet dhe rrugët e qyteteve të mëdha, gjatë summit-eve me valencë globale. Mishërim i një polariteti të detyruar, sa herë që shkëlqimi i të mëdhenjve të botës, që mblidhen së bashku për të ndarë dhe rindarë llokmat, nuk mund veçse të përftojë zombie në anën tjetër të rrugës; me policinë dhe ushtrinë gjithnjë në mes, si një lloj kufiri njerëzor, por edhe si qenie hibride, që ngërthejnë në vete edhe pushtetin e hekurt të së të mëdhenjve përtej, edhe kafshimin helmues të shtazës së zhvdekur.
Edhe pse figura e të vdekurit që ngrihet nga varri, por i gjymtuar dhe i rrëgjuar në qenien e vet, nuk është e re në kulturë; njëlloj sikurse nuk është e re figura e vampirit a njeriut ujk (vurkollakut), që ushqehet me ty dhe që të çnjerëzon thjesht duke të kafshuar; ose ajo tjetra, pak më moderne, e njeriut të kthyer mbrapsht nga vdekja me magji (ose me shkencë) dhe që nuk ka më vend në këtë botë, përveçse si forcë absolutisht shkatërruese ose armë në duart e entropisë – pavarësisht nga kjo permanencë e zombie-t, Romero pati meritën për ta integruar dhe artikuluar zombie-n në modernitetin kapitalist; duke e shndërruar në një prani reale për të gjithë ne që tashmë nuk mund të pretendojmë më se nuk dimë.
Ka një detaj që më tërheq shumë në mitin e zombie-ve modernë: janë gjithmonë të tërhequr nga truri. Nuk di a është një shtojcë moderne që i është bërë mitit apo është vecori e mbartur nga gjeneza, por pak rëndësi ka, për mua është detaji më interesant i zombie-ve. Fakti që mësymja është selektive dhe tipari dallues është pikërisht truri më duket fantastike fare. I shton një dimension tjetër figurës tashmë alegorike të zombie-t, duke i dhënë sëmundjes së zombie-llëkut një karakter pak më natyral; që nuk kërkon thjesht të mbijetojë por edhe të përhapet në mënyrë selektive. Zombie-t sulmojnë të vetmen gjë që mund t’i ndalë: trurin e shëndoshë. Sidomos parë lidhur me atë që keni shkruar, për shëmbëllimin midis figurës së shoqërisë moderne kapitaliste dhe asaj së zombie-t, ky detaj më duket qershia mbi tortë.
Nga ana tjeter a nuk eshte paradoksale e ndoshta me doza humori te zi, fakti qe nese duhet te eleminosh zombit, duhet edhe ti te sulmosh trurin e tyre, te vetmen gje qe atyre nuk iu duhet?
Me sa kam parë (por jo verifikuar) zombie-t kanë nevojë për sistemin limbik (brainstem), për të lëvizur në mënyrë të qëllimshme, ose drejt “ushqimit”. Në disa versione, kanë nuhatje shumë të zhvilluar. Në disa versione të tjera, kur nuk kanë ushqim, bien në një lloj letargjie, nga e cila zgjohen prej stimujve të ndryshëm nga mjedisi, si zhurma ose dritë, etj.; çfarë presupozon veçanërisht dëgjim të mprehtë. Disa ekspertë mendojnë se truri i zombie-ve reagon ndaj neurohormoneve adrenalinë /dopaminë. Prandaj unë do të spekuloja dhe do të thoja se zombie-ve truri jo vetëm u duhet, por edhe kompenson për organet e tjera që i kanë të dëmtuara keq ose edhe jashtë përdorimit.
Nuk di pse eshte perdorur termi “kinema pop” per filmat e Romeros por, pervec faktit qe zombie-t e tij jane POPullarizuar shume qe prej vitit te larget 1968 (viti kur u realizua “Night of the Living Dead”), vete filmat e regjizorit ne fjale i perkasin më se shumti kinemase-autor (edhe pse, per te qene te sakte deri ne fund, filmat e tij i perkasin “kinemase se Vertete” dhe kaq). Dua te them: vete Romero, me perjashtim te “Creepshow” (film me buxhet te larte), nuk ra kurre viktime e sirenave te filmave komerciale: pentalogjia e filmave te tij me zombie eshte “pur cinéma”. Per fatin tone te mire!
Më duket interesante që, përpos faktit që i tërheqin këmbët zvarrë, zombit e mitologjisë dhe ata të përditshmërisë nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Këta të përditshmërisë nuk bëhen zombi nga çvdekja, por nga zhytja në telefonat e mençur, ku e humbin vëmendjen, me ç’rast i vetmi organ që ju ik nga trupi është truri, sepse organet tjera ju funksionojnë si më së miri. Pastaj, veti e këtyre të përditshmërisë është edhe injorimi total që ju bëjnë njerëzve, bile edhe po u përplasën me ta.