Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

TANGO PËR DIKTATORIN

E ardhmja e muzikës shqiptare u shqyrtua të premten e datës 10 maj 1963. Mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror e hapi Sekretari i Parë. Dhe siç e kërkon mbarëvajtja e kultit të njëshit në kushte kolektivizmi, e hapi me modesti.

“Ne nuk jemi shumë kopetentë për çështjet e muzikës,” e fillon ai. (Më vonë, pasi kishin folur kopetentët për çështjet e muzikës, dhe kur udhëheqësi do ta merrte sërish fjalën, siç qe bërë zakon nëpër mbledhje të tilla, ai do i paraprinte konkluzioneve të veta vijë-ndriçuese me shprehjen “Unë nuk jam muzikant, por …”.)

Në takim mungon Hysniu (thuhet se është me shërbim) por kanë ardhur Dhimitër Shuteriqi (si kryetar i Lidhjes), sekretari i Lidhjes, drejtori i Teatrit të Operas e Baletit, si dhe dy kompozitorë: Çesk Zadeja dhe Tish Daija. Që këtu nuk do shumë mend të kuptosh se hierarkia partiake e sheh muzikën në rradhë të parë si çështje politikash administrative, duke i lënë kompozitorët në hije të shefave.

Njëri pas tjetrit flasin të ftuarit: muzika jonë ka arritje të mira; po zëvendësohet muzika e lehtë e huaj me tonën; rinia jonë më parë këndonte këngë italiane, ndërsa tani po këndon këngët tona të Festivalit. Natyrisht ka edhe probleme: të rinjtë tanë dëgjojnë akoma radio të huaja; na duhet muzikë që të këndohet kollaj, jo muzikë sentimentale dhe ritmike si xhazi perëndimor; na duhet sidomos përmbajtje e shëndoshë në tekste; kompozitorët të punojnë “që ta shkëputin rininë nga influenca e muzikës perëndimore”, etj., etj.

Bërthama e diskutimit është çështja nëse muzika e lehtë duhet të vijojë në bazë të zhvillimeve në muzikën bashkëkohore të huaj, apo nëse duhet të përqendrohet tek përpunimi i motiveve tradicionale. Në ‘63-shin, kjo nuk ishte thjesht çështje subjektive, dhe këtë fakt e kuptojnë mirë kopetentët e muzikës që janë vënë përpara Sekretarit që këmbëngul se nuk është kopetent (por …).

Kufijtë ideologjikë kanë ndryshuar me prishjen ende të freskët shqiptaro-sovjetike, por përmasat e riorientimit kulturor nuk janë ende fort të qarta. Kështu që beteja mbi radiot e huaja dhe këndueshmërinë e muzikës pasqyron diçka më shumë se impenjimin e zakonshëm të një partie-shtet mbi politikat kulturore.

Si për të treguar zemërgjerësi, Sekretari i Parë premton ndonjë fond më shumë për muzikën. (Shënim: Në Shqipërinë e vitit 1963 kishte gjithsej 137 piano. Mirëpo 90 ishin të prishura, në pritje që t’i ndreqnin shokët kinezë. Kështu që kishin mbetur në përdorim 47. Nuk merret vesh sa piano ndreqën shokët kinezë, apo nëse i ndreqën, dhe kur.)

Muzika është “ushqim për popullin”, udhëzon udhëheqësi. Ajo përçon “ndjenjat dhe aspiratat e popullit”. Duhet ruajtur folklori. Duhet thellim tek tradita. Duhet një muzikë “me të vërtet shqiptare që të jetë e afërt dhe e dashur për popullin”. Jo se karakteristikat kombëtare nuk ishin sjellë edhe më parë si virtyt, por tashmë ato janë bërë edhe nevojë gjeopolitike—nga Tropoja deri në Algjer.[1]

Izolimi i mëvonshëm kulturor shqiptar rëndom (dhe gabimisht) na është paraqitur si një lloj ksenofobie që shpërthen deri në marrëzi. Mirëpo çdo refuzim kulturor nënkupton edhe kontaktin me të huajën, marrëdhënien që është kusht për diferencimin. Autoritarizmi shqiptar është ndërtuar pikërisht me bazë figurën e udhëheqësit me botë, që arbitron me të huajën—qoftë me Perëndimin, qoftë me Lindjen—për hir të shqiptarëve sublimë dhe të keqtrajtuar.

Këtë di ta bëjë me një farë mjeshtërie edhe Sekretari, i cili e formulon populloren si diçka hibride: njëherësh të përjetshme po edhe përgjithmonë të rrezikuar. Pasi e ka paraqitur popullin si arbitër të shijeve artistike, pasi ka folur në emër të tij—populli ynë pëlqen këtë por jo atë; populli ynë është kështu por jo ashtu—ai e di se duhet ta shprehë fuqinë e lokales sipas një regjistri botëror.

Le të marrim, o shokë, L’Arlésienne të Bizesë. “Unë kam qenë në ato vende”, kujton ai të pranishmit në mbledhje, “dhe po ju them se kur dëgjoj muzikën e tij shikoj se si ai ka ruajtur karakteristikën e Provancës dhe si e pasqyron jetën e shijen e popullit francez”.

Ose të marrim Listin: “Në rapsodinë e tij ai është inspiruar në një natë, duke ndenjur me ciganet”. Listi qe kthyer në fshatin e tij dhe “duke kaluar gjithë natën me ciganet[2] ai mundi të gjallërohet.” Me një fjalë, Listi nuk e kishte kopjuar (“egër e thatë”) folklorin cigano-hungarez; “gjallërimin” që mund të ta japë vetëm muza nazike ai e kishte gjetur pikërisht, si të thuash, tek gjiri i popullit.

Përndryshe: Hajdni. “Ai më është dukur sikur punonte pak si me receta”, pranon Sekretari, duke e quajtur Hajdnin gjithsesi “një muzikant i madh.” Po me receta si të Hajdnit s’ka pse të punohet.

Sekretari pastaj i merr kopetentët e muzikës për dore në një tur ndërkombëtar skenash, stepash, e metaforash:

“Unë e dalloj muzikën franceze dhe italiane nga ajo gjermane, që i përngjan marsheve”. Dhe më tej: “Unë vë re se muzika ruse ka si karakteristikë basin, notat e ulta. Kjo bën që në këngë të pasqyrohet natyra e tyre e ftohtë. Veç kësaj, në këngët e tyre ata përdorin nota të tilla dhe kanë krijuar tinguj të tillë që tregojnë hapësirë të madhe, gjë që është e lidhur edhe me hapësirën e madhe të vendit të tyre. Kurse tek neve s’ka hapësira të mëdha, po gërçe, lumenjtë tanë janë të rrëmbyer e jo të qetë si Vollga. Kështu që tek ne nuk të zë vend nota e zgjatur, sepse nuk të lë vendi. Prandaj muzika jonë duhet të jetë diçka më e gjallë. Ju këto i ndjeni vetë dhe i shprehni në muzikën tuaj”.

(Këtu, një parantezë pak a shumë spekuluese që mund edhe të mos lexohet fare: Udhëheqësi duket se e kish kuptuar që herët se në një vend si ky, ku dëshira për t’u hapur ndaj botës matej vetëm me tmerrin se bota mund të të përpijë pa lënë gjurmë, të duhej të flisje rrjedhshëm jo vetëm për Bizenë dhe ballot e Perëndimit, po edhe për bejtet dhe çiftelinë. Që të udhëhiqje popullin, të duhej të flisje si popull. Vetëm pastaj mund të lëshoje pa hesap referenca alla frënga.)

“Puna e muzikës është një punë e rëndë. Unë bisedoj shpesh me Nexhmijen se kjo është një punë mjaft e vështirë”. Njeriu mund të shkruajë. (A fillon Sekretari ta shohë veten edhe si shkrimtar?) Po tjetër gjë është të kompozosh. “Muzikën nuk e bën dot kushdo”. Kopetentët e muzikës t’i diskutojnë këto çështje, sqaron ai, “kjo nuk është një gjë e keqe, sepse fundja edhe ju jeni shokë të luftës e të kalitur”.[3]

Për të ftuarit në mbledhjen e Sekretariatit, mesazhi jepet i turbullt: i duhet mëshuar tabanit popullor në muzikën e lehtë, por duke lënë një dritare gjysmë-hapur ndaj të huajës.

Jo çdo gjë perëndimore është dekadente: “Ka ballo dekadente, siç janë ato të Perëndimit, të cilat tani janë përhapur edhe në vendet socialiste ku janë në fuqi revizionistët. (… sqarohet më tej se si revizionistët po degradojnë, po mbyten deri në grykë në dekadencë të shëmtuar, ndërsa Kina dhe Koreja po ngrihen kundër tyre, po korrin fitore, etj. …) “Mirë e tha Bakiu [sekretari i Lidhjes], që tangoja është tango, po tangoja jonë duhet të ketë edhe intonacionet tona shqiptare”.

Artistët, me një llaf, të frymëzoheshin nga muzika e popujve të tjerë, por me kusht që kjo t’i ndihmonte të shprehnin ndjenjat kombëtare. Një dritare gjysmë-hapur ndaj botës ishte natyrisht një mundësi për të eksperimentuar, që do të thotë se ishte edhe një mundësi për të gabuar. Një dritare gjysmë-hapur vijoi të jetë edhe një mundësi shtesë për disiplinim të mëtejshëm, sidomos në fillim të viteve ‘70, e për të krijuar iluzione hapjesh të tjera, që vazhdojnë të popullojnë edhe sot kujtimet për diktaturën.

Kjo linjë—hapja dhe mbyllja ndaj botës e një vendi periferik e të pasigurtë—e vishte pushtetin me kostumin e negociatorit të fateve të mëdha, edhe kur shumica dërrmuese e shqiptarëve vazhdonte t’i vuante politikat që bëheshin në emër të tyre. Nuk është e rastësishme që ka mbetur si linjë mbizotëruese në diskutimin politik shqiptar edhe sot. Janë terma që mbajnë gjallë shpresën, që ushqejnë imagjinatën, që riprodhojnë pushtetin.

(Dedikim: Peizazheve të Fjalës, në 10-vjetor.)


[1] “Njerëzit tanë të artit dhe të kulturës do të shkojnë tani së afërmi në Algjeri dhe në vende të tjera; me këtë ne do të propagandojmë jo vetëm vendin tonë, por edhe çështjen e socializmit në tërësi, do të krijojmë për popullin tonë mbështetje në rast nevoje, do të krijojmë miq të rinj për Shqipërinë, si për kohët e mira, ashtu edhe për kohët e vështira. Populli algjerian ka një simpati të madhe për vendin tonë, atje ka edhe oficera e gjeneralë, të cilët i kanë thënë ambasadorit tonë se në qoftë se ka vend që u ka ndihmuar në luftën e tyre kemi qenë ne, emisionet e Radio-Tiranës; se në vendin e tyre kane vajtur edhe ansamble e artistë të vendeve të tjera, po njerëzit tanë do t’i presin me përzemërsi të veçantë. Dhe këtë ata e thanë jo duke gjykuar si “muslimanë” po duke u nisur nga lufta që ka bërë populli ynë dhe nga përkrahja që ai i ka bërë luftës së tyre çlirimtare. Muzika juaj, që ata do të dëgjojnë, do të bëjë punën e 10 vjetëve propagandë”. “Proces-verbal i mbledhjes së Sekretariatit të KQ të PPSH,” 10 May 1963, AQSH, F. 14/AP, OU, V. 1963, Dos. 19, Fl. 345.

[2] Protokollarët e Sekretariatit nuk kanë begenisur të përdorin shkronjën “ë” në proces-verbal, kështu që nuk është e mundur të sqarohet nëse Listi i Sekretarit të Parë e kaloi natën specifikisht me “cigane” apo, në një kuptim më gjithëpërfshirës, me “ciganë”.

[3] Rekomandimet e udhëheqësit përfshijnë:

  1. Tema e dashurisë në muzikë të mos eliminohet fare por jo dhe dashuri pa pushim. (“Kur ishim në një rast në Shkodër, në një koncert u kënduan 7 këngë dashurie”.) Mbase duhej dhe dashni, fundja, po kërkoheshin edhe më shumë këngë për punën dhe patriotizmin.
  2. Artistët i shërbejnë popullit.
  3. Do bëjmë një plenum per muzikën e lehtë.

10 Komente

  1. Te botimi (i ripunuar) i procesverbalit të kësaj bisede (në veprën 24), pjesa ku shpjegohet basi në muzikën ruse është qethur.

    Është lënë vetëm: “Unë vë re se në muzikën ruse, në tingujt dhe në melodinë e saj të shtruar, pasqyrohet edhe natyra e ftohtë e vendit dhe hapësirat e mëdha të tij.”

    Është hequr edhe vërejtja e habitshme se “tek ne nuk të zë vend nota e zgjatur, sepse nuk të lë vendi.”

    Tundimi për t’i lidhur karakteristikat e muzikës kombëtare me gjeografinë mbetet, por mjaft më i zbutur.

    Kush ka guxuar vallë të vërë dorë mbi mendimet e Hoxhës? Ndoshta Hoxha vetë, i cili ndërkohë do të ketë lexuar edhe ndonjë libër tjetër nga P.U.F. dhe është bindur se ajo puna e baseve në muzikën ruse ka nevojë për rishikim.

    Ose mund të ketë dëgjuar ndonjë këngë popullore shqiptare me nota të gjata (majekrahi? Iso?) dhe ka thënë: dale se nuk qenka tamam kjo teoria e notave të shkurtra.

    Dhe Enveri mund të ketë thirrur sekretarin e vet dhe t’i ketë thënë: ç’janë këto gjepura me basin në muzikën ruse? Dhe ai: po ju vetë shoku Enver… Unë nuk u shpreha kështu, do të ketë thënë shefi: këtë basin e ke nxjerrë ti nga xhepi më duket.

    Sipas gjeo-muzikologjisë enveriste, do t’i binte që muzika popullore myzeqare ose ajo e Bregut të Bunës, të dominohej nga basi, ndërsa muzika e Kurveleshit dhe e Shkallës së Tujanit nga notat staccato.

    Mbase Nexhmija – me të cilën ai thotë se bisedonte shpesh për muzikën – do ta ketë lexuar edhe ajo pasazhin në fjalë dhe do t’i ketë thënë: o Enver, hiqe më mirë këtë punën e basit në muzikën ruse, se do të të keqkuptojnë.

    Edhe një skenar tjetër konspirativ: shokët më të afërt, shokët e armëve dhe të kasolleve, mund ta kenë lexuar veprën 24 karatëshe në dorëshkrim dhe t’i kenë thënë Enverit: Taras, këto që ke shkruar për basin e rusëve, mund të na i marrin, andej nga Kremlini, si dorë e shtrirë.

    Dhe Tarasi do t’u jetë përgjigjur: po unë nuk kam gjë me popullin e madh sovjetik! Por ata: megjithatë, megjithatë… ndryshe sikur të kishe thënë që rusët e kanë zërin të hollë, si qosja! Se basi tregon virilitet dhe qetësi, me bas flet Muji (ndërsa me bariton Halili).

    Ose ndoshta Enveri do të ketë pasur në diskotekë ndonjë album nga Fedor Shaliapini, basi rus më i madh i të gjitha kohërave… dhe ka thënë: “me këtë nuk e hamë dot ne.” Pastaj do të ketë dalë në skenë Mentor Xhemali, dhe Enveri do të ketë menduar: “ky nuk u lë gjë mangut atyre.”

    Ashtu është rrëzuar edhe teoria e basit dhe e notave të zgjatura dhe e stepave; me kusht që Mentor Xhemali të ketë kënduar ndërkohë me nota shumë të shkurtra.

  2. Po mire o te uruar, cfare te keqe shikoni ne reflektimet e Enverit per muziken? Si cdo njeri i lexuar, ai kishte shijet e tij, parapelqimet edhe per muziken. Sot keto qe shkruante Enveri per List, Shopen apo Bah , pra keto kuturisjet vleresuese dhe perjetimet peronale kur degjon x apo y autor, i ben gjithekush me lehtesine e paperballueshme e te mosqenit kompetent.
    Sikurse shkruan dhe z. Vehbiu per albumin Matane malit , dhe me qasje interesante, pa qene muzikolog .
    Plus qe per Enverin punonte nje institut i tere dhe kur ai jepte mendin per nje problem kulturor, pertej leximeve individuale, merrte relacione dhe raporte nga instancat dhe personat kompetente.
    Perse duhen ridikulizuar fjalet e tij per mbeshtetjen ne folklor? Perse qenkerkesh absurde direktiva per zhvillimin e muzikes se kultivuar shqiptare , ajo muzike pra, qe sot ka mbetur dhe shyqyr o zot ( o shoku Enver qe u investove ne kete fushe ).
    Problemi sigurisht fillon tek direjtivat izolacioniste, ksenofobia dhe vendosja e muzikes ne sherbim te propagandes.
    Perse duhet te jemi kaq nihiliste sa te mohojme punen dhe arritjet ne fushen e albanologjise, arkeologjise, zhvillimit te folklorit etj., megjithe deformimet dhe kufizimet e kohes? Ti japim Cezarit ate qe i takon Cezarit!

    1. Shënimet e mia për albumin e Elinës nuk ka asnjë rrezik që të pasohen nga arrestimi i saj 5-6 vjet më pas, për shfaqje të huaja a ndikime borgjeze-revizioniste.

      Të njëjtat fjalë, Pika S, kanë kuptime të ndryshme, në varësi të statusit të atij që flet.

      Unë mund t’i shpall edhe luftë nesër Kanadasë, por ushtria amerikane nuk ka për të lëvizur nga kazermat.

      Direktivat e Hoxhës për muzikën janë komike, sepse ato vijnë nga një njeri i gjithëpushtetshëm, që kish në dorë fatin e muzikantëve dhe të drejtimit që do të merrte muzika.

      Ato formuloheshin në një instancë zyrtare nga më të lartat.

      Dhe shndërroheshin pastaj në materiale për organizatat bazë të PPSH dhe diskutoheshin si të ishin shkrime të shenjta. Krejt politikat në lëmin e muzikës themeloheshin mbi to.

      Po më duket e habitshme që m’u dashka edhe thjesht t’i shtoj këto komente këtu.

  3. Po normal qe habitesh , sepse thelle brenda vetes e kupton qe ne komentin tim behet dallimi mes diktatorit dhe ditektivave te tij me produktit kulturor e muzikor te krijuar ne monizem, produkt i cili nuk ishte i gjithi pleh propagandistik.
    Objeksioni im ka te beje me qasjen ndaj cmitizimit te Enverit dhe rrekjen per ta pare si lolo katundi qe sundoi nje popull per gjysem shekulli e cfare populli se! Disident por i heshtur, i papajtueshem me diktaturen por…pak frikacak! Keshtu perftohet se paku nga letersia postkomuniste. Me te drejte brezi ri pyet: po ju o te ngrate, nga ky lolo dhe dordolec qenkeshit trembur?
    Nejse, do kaloje nje shekull dhe sic ngrihet ne piedestal despoti Ali Tepelena ne metimin per te bere shtet, ashtu dhe tiranit Enver historia do t’i jepet ajo qe i takon. Tani eshte koha e Bruteve dhe Beluleve.

    1. Nganjëherë është mirë të ndahesh me të kaluarën duke qeshur – sidomos për ne që e kemi jetuar në kurriz.

      Por ju përmendni brezin e ri dhe çfarë i thuhet këtij për atë periudhë: ja një temë që ia vlen ta trajtosh!

      Unë, përveç ekskursioneve në muzikën e Elina Dunit, kam shkruar mes të tjerash tre libra që merren drejtpërdrejt me atë periudhë: “Rrëfimet e
      Maks Gjerazit”, “Shqipja totalitare” dhe “Sende që nxirrte deti.” Elidor Mëhilli ka mbrojtur një doktoraturë të shkëlqyer për sovjetizimin e Shqipërisë, e cila së shpejti do të botohet edhe në shqip.

      Besoj se edhe atij, edhe mua, na lejohet të bëjmë pastaj edhe ndonjë shaka për të njëjtat tema.

      Enver Hoxha mund të jetë hero tragjik; por ka edhe një anë komike – të cilën ia gjen, bie fjala, sa herë që kërkon që ta shohin si dijetar iluminist me kulturë të madhe.

      Kjo varet nga këndvështrimi: mund të qeshësh me librat e tij për naftën; por mund të qash me terrorin që po ai ushtroi ndaj punonjësve të sektorit të naftës. Them se duhen bërë të dyja.

      Për fat të keq, nga çfarë dëgjoj dhe lexoj prej brezit të ri, që nuk e ka jetuar atë periudhë por që duhej ta kish mësuar prej “nesh”, ky nuk e ka shumë idenë se si funksiononte sistemi i atëhershëm.

      1. Ardian, mire e ke ti qe thua se duhej t’ia kishim mesuar ne brezit te ri ate periudhe, veçse ketu lind problemi. A jemi ne gjendje ne ta bejme kete pune?

        Pasi e duartrokitem, e glorifikuam,iu beme ure, vrame e preme ne emer te diktatorit, ia vume ne jete direktivat pike per pike, e qame me lot kur vdiq dhe iu betuam mbi varr per besnikeri te perjetshme, ti ende shpreson se ne mund t’i mesojme gje brezit te ri? Mire e kishte Martin Camaj kur thoshte: “Sistemi jemi ne”. Sepse po te mos na kishte ne, ç’do te mund te bente i vetem Enver Hoxha? Prandaj shkruaj sa te duash ti, se sa te jemi ne gjalle, brezi i ri nuk ka gjasa te mesoje gje.

        1. Gjithsekush duhet t’i japë dum kësaj individualisht. Unë flas për veten time; dhe e përsërit se çdo lexues i ri sot do të mësonte shumëçka, sikur të lexonte qoftë edhe thjesht atë rrëfim që do ta bëja për Shqipërinë e dikurshme, siç e shihja atëherë.

          1. Ardian, janë për tu mbështetur punë si e juaja, apo shkrime e studime si ato të Elidorit.

            Por për t’u kthyer tek ajo që ka dash të thotë Relaspo. Vërtet ka pasur edhe ndoshta ka ende nga ata që shkruajnë “Rno vetëm për me tregue.” Por nuk jam i sigurt se sa nga brezi i ri ia kanë dëgjuar emrin At Zef Pllumit. Por jemi të sigurt që shumica e këtij brezi njohin mirë dhe admirojnë shumë nga ata që kanë jetuar dhe jetojnë për t’u treguar.

            Për fat të keq, këto 25 vjet nuk kanë qënë aspak të lehta për të treguar. Thjesht sikur t’i referohemi një cështje thelbësore si ajo e dosjeve që do mund t’i jepte dum institucionalisht ‘të treguarit të historisë së komunizmit”, e kupton që brezi për të cilin flet Relaspo e ka humbur tashmë shancin që kishte për të treguar. Në fakt konfirmon atë që thotë ai, se ne e duartrokitëm, e glorifikuam, iu beme urë, vramë e premë në emër të diktatorit. Edhe kjo i duhet treguar rinisë sot, sepse përndryshe gënjejmë veten.

            1. Ne të kaluarën nuk e ndryshojmë dot; por të paktën mund t’ia ruajmë kuptimin.

              Realiteti nën totalitarizëm ka qenë ai që kemi jetuar ne – që s’kemi qenë as heronj, as kriminelë; por e shumta bashkëpunëtorë në krimin që po bëhej ndaj nesh.

              Edhe ata që e kanë kaluar jetën në burg kanë qenë më të lirë se ne; pa çka se nuk mund të quhen protagonistë.

              Ka një pasazh te “Pavijoni i kancerozëve” i Sollzhenjicin-it, ku një personazh i kthehet kryesorit, për t’i shpjeguar pikërisht këtë: se burgu i jetës sovjetike jashtë burgut, ishte ndonjëherë më i rëndë se burgu brenda burgut.

              Unë nuk e them këtë; sepse nuk e them dot – madje edhe po të vijë puna për të zgjedhur midis vagonit në minierë dhe parakalimit të 1 majit, nuk e mohoj se do të kisha zgjedhur të dytin (po të më pyesnin, doemos).

              Hyj në grupin e madh të atyre që kujtonin se mund ta shpëtonin shpirtin, duke u konformuar nga pak; dhe duke e ruajtur integritetin së brendshmi.
              Edhe pse tani e di se kjo është praktikisht e pamundur të realizohet, sa i përket integritetit.

              Çfarë më trishton, është kur shoh shumë të tjerë, më të rinj se unë, që e humbin integritetin pa qenë të kërcënuar; por vetëm nëpërmjet tundimit.

              Me sa duket, frika është më e zonja se joshja, për të kultivuar rudimente të virtytit.

              Por mundësia që eksperienca e totalitarizmit të humbë bashkë me ne ekziston; sepse e vërteta është shumë e lodhshme, shumë e kushtueshme, dhe askush nga ne nuk është gati për sakrificë.

              Sot në Shqipëri memoria e periudhës totalitare është komercializuar, stilizuar, rekrutuar në shërbim të snobizmit. Një faktor më tepër për t’i dekurajuar të gjithë ata si ne, që nuk janë akoma gati për ta përjetuar të kaluarën si art dhe aq më pak për ta vënë të kaluarën e tyre në shërbim të së sotmes të shtresës në pushtet.

          2. Ardian, ti ke plotesisht te drejte, por nuk e di se pse keto kohet e fundit komentet e mia po keqkuptohen. Komenti im, edhe pse formalisht te drejtohej ty ne emer, nuk te drejtohej vertet ty, por komentit te Pika.s i cili te kritikonte se u talle me diktatorin dhe se neperkembe te drejten e tij te shprehte lirisht mendime muzikore.

            Degjojme shpesh pretendime te tilla si: “Vertet qe jane bere edhe gabime, por nuk duhet te harrojme epopene e lavdishme te luftes, perpjekjet per emancipim shoqeror dhe zhvillim ekonomik etj. etj.”, qe mbyllen gjithmone me pshehretimen: “Sot jane kohe te veshtira, por do te vije dita kur historia do t’i jape vendin qe meriton Enver Hoxhes dhe sistemit te tij”.

            Une desha te thosha se per sa kohe nuk do te jemi gati si shoqeri ta denojme pa rezerva ate regjim kriminal, sikurse kane bere te gjitha shoqerite normale ne kete bote, pra ta quajme krimin krim dhe jo gabim, per sa kohe qe nuk do te jemi ne gjendje t’i mbyllim gojen te gjithe atyre qe kerkojne ta relativizojne, ne mos ta rehabilitojne te keqen, nuk duhet te habitemi pse brezi i ri nuk ka ide te qarta.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin