SYTË E PLUTIT

nga Armend Mazreku

(Shënime personale mbi një vepër të Aristofanit)

Përse njerëzit e drejtë, të ndershëm dhe me cilësi të larta roniten pafund nga fukarallëku, kurse ata që s’vlejnë as pesë grosh gëzojnë me bollëk të mirat e kësaj bote?

Pse pikërisht hileqari, pra, veskeqi e budallai ecin pareshtur përpjetë; kurse zemërmiri, i virtytshmi dhe i dituri heq të zitë e ullirit dhe është përherë hekakeq?

Shpjegimet, natyrisht, janë nga më të ndryshme.

Disa – kryesisht liberalë për nga formimi – besojnë fuqishëm se përgjigjen për këtë gjë duhet kërkuar para së gjithash te zotësia individuale e gjithsecilit. Me fjalë të tjera, nëse një person është i kamur apo jo, sipas këtij botëvështrimi ideologjik, varet kryekëput nga aftësitë individuale të tij ose të saj. Shkurt, për këta vlen thënia: “njeriu është fajtor për gjendjen e vet.”

Ndërsa të tjerë – kryesisht hegelianë dhe marksistë për nga formimi – besojnë se kjo nuk është pasojë e (pre)dispozicioneve individuale të njeriut, por e formacioneve ekonomiko-shoqërore – të cilat janë dhe përgjegjëse për varfërimin e shumicës së njerëzve; dhe, po ashtu, pasurimin individual e klasor të një grushti tjetër njerëzish. Madje, këta, ku kam gjetur lumturisht edhe veten, ngulin këmbë që, një njeri pasanik, mund të mos jetë edhe i keq personalisht; por shoqërisht, në nivelin e marrëdhënieve socio-ekonomike, ai e ka të pamundur të mos jetë i tillë; meqë rregullat e sistemit ia diktojnë një gjë të tillë.

Krahas këtyre dy shpjegimeve kryesore, sidoqoftë, ekziston edhe një shpjegim tjetër – shumë më i vjetër mitologjik, [i] sipas të cilit Pluti, zoti e pasurisë, ishte ai që bënte pasurimin ose varfërimin e njerëzve.[ii]

Sidoqoftë, mitologjia rrëfen se, Pluti, duke qenë zot i pasurisë, ishte verbuar nga Zeusi (nga mëria e tepërt që ky kishte ndaj tij), duke i pamundësuar kështu Plutit që të bëjë dallimin midis njerëzve të ligj dhe atyre të drejtë. Dhe, si rrjedhojë, thuhet se Pluti, pa dashjen e tij, pasuronte njerëzit e ligj e resëtarë, kurse njerëzit e virtytshëm, të mençur dhe të drejtë i linte në skamje, mjerim dhe fukarallëk.

Më vonë, këtë shpjegim mitologjik do ta rimarrë mjeshtri i madh antik grek, Aristofani, dhe do ta kthejë në një komedi të mrekullueshme, Plutin.

Për ata që ende nuk e kanë lexuar, komedia fillon me prologun e Karionit, një skllav besnik, i patundur dhe respektues i rreptë urdhrash. Megjithëqë Padronin (Kremilin), duhet thënë, e ka njeri shpirtmirë e të drejtë, ai prapëseprapë e mallkon destinin e vet prej skllavi. Madje, në një rast ai rënkueshëm edhe shprehet: “ Nuk të lë fati të jesh zot i trupit tënd. Ky i përket vetëm atij që të ka blerë.”[iii]

Për të treguar se kjo botë punon sall për batakçinjtë dhe horrat, sidoqoftë, edhe vetë zotëria e tij, Kremili, ofshan se vetëm ata që përdhosin perënditë, demagogët, spiunët dhe të poshtrit vënë dhjamë. Megjithatë, ndryshe nga skllavi i tij, Karioni, Kremili nuk është se merakoset gjithaq për veten e tij, sa për fatin e panjohur të të birit. Kjo parehati, madje, do ta çojë atë t’i drejtohet edhe vetë Apollonit[iv] me fjalët:

Desha të di, mos ndofta, duhet që ta kthejë të birin të bëhet horr, zuzar, i poshtër, pra një hiç, se veç kështu, me ç’shoh, njeriu bën përpjetë.[v]

Sigurisht, Apolloni nuk i jep një përgjigje të prerë Kremilit, por i thotë që, njeriun e parë që ta takojë, duhet ta kapë dhe ta shpjerë në shtëpi.

Kremili, qyshdoqoftë, e ka të pamundur ta marr vesh kuptimin e vërtetë të këtij mesazhi. Në një situatë të tillë, Karioni provon t’i dalë në ndihmë, duke i thënë gabimisht se mesazhi i Apollonit nënkuptoka që “ta rritësh djalin sipas zakoneve të vendit,” si dhe e “mira e të mirave është të mos bësh asnjë të mirë.”[vi]

Një interpretim tipik realist dhe konformist ky!

Më pas, “skena” hapet për një personazh tjetër — një i verbër dhe i katranosur si mos më keq, i cili në fakt është vetë Pluti. Në fillim, Pluti natyrisht friket t’u tregojë se kush është në të vërtetë, por, mbas këmbënguljes së Kremilit dhe Karionit, ai më në fund e pranon:

“Dëgjoni, pra, unë jam Pluti.”[vii]

Të befasuar nga kjo përgjigje, Kremili e pyet më pas për shkakun e verbimit.

“Kur isha ende djalë,” sqaron Pluti, “ia thashë copë [Zeusit], se veç të drejtët, veç të mençmit e të ndershmit do t’i shpërbleja. Dhe ai më verboi, që mos dalloja më asnjë. Ja pra sa fort i ka zili njerëzit e mirë!”[viii]

“Po ta fitoje dritën e syve, a do të ikje nga të poshtrit dhe të shkoje te të drejtët?,”[ix] – e pyet më tej  Kremili.

“Pa dyshim. Ka kohë që me sy nuk i kam parë,” [x] – i përgjigjet disi i përdëllyer Pluti.

Mirëpo, me gjithë dëshirën e madhe të Plutit për t’u larguar, Kremili dhe Karioni ngulin këmbë që ai të qëndrojë, sepse, siç i thotë dhe Kremili, “sado që të kërkosh, njeri me sjellje më të mirë s’do të gjesh se mua.”[xi]

Sidoqoftë, duke u bazuar në përvojën e tij të mëparshme, Pluti u thotë se “të gjithë njerëzit kështu thonë në fillim, por pastaj sapo më kanë, sapo bëhen pasanikë, s’përmbahen më; përkundra bëhen më të ndyrët.”[xii]

Duke parë rrezikun real që Plutit mund t’i rikthehet shikimi, si dhe këmbënguljen e pashoqe të Kremilit e Karionit për t’u pasuruar, ndërhyn brutalisht një personazh tjetër, i quajtur Varfëria.

“Jam pikërisht ajo që sot do t’ju ndëshkojë, se u përpoqët të më shporrni prej këtej,”[xiii] – pohon kërcënueshëm Varfëria.

Sidoqoftë, me gjithë kërcënimet e Varfërisë – që me largimin e saj do të largohen njëherit të gjitha mirësitë dhe virtytet njerëzore (rikujtoni këtu fjalimin e famshëm regjisorit të famshëm italian, Roberto Benigni, i cili thoshte: “I falenderoj prindërit e mi që më kanë dhënë dhuratën më të çmueshme në jetë: varfërinë”) – prapëseprapë Kremili dhe Karioni do ta detyrojnë Plutin që të shërohet, në mënyrë që edhe ata, një herë e mirë, të arrijnë që ta shqelmojnë skamjen nga jeta e tyre.

Kështu, falë Eskulapit[xiv] shërues dhe dashamirës, Plutit i rikthehet drita e syve, me ç’rast edhe shprehet i penduar për të gjitha të bëmat e tij që kishte bërë deri atëherë:

Më vjen turp nga poshtërsitë që kam bërë, kur shoh me ç’njerëz verbërisht jam shoqëruar, ndërsa ata që meritonin shoqërinë i shmangia.[xv]

Sidoqoftë, me t’u pasuruar njerëzit e drejtë – në mesin e të cilëve, sigurisht, bënin pjesë edhe Kremili e Karioni – populli tani i përbuz ata që u pasuruan brenda nate (kjo të sjell ndërmend politikanët shqiptarë, të cilët deri dje merrnin ndihma sociale, kurse sot janë bërë milionerë).

Në veçanti, situata rëndohet për injorantët që hiqeshin deri atëherë si më të mençurit e dynjasë (që të rikujton analistët tanë nëpër studiot e ndryshme televizive); për predikuesit fetarë që mashtronin hallexhinjtë me predikimet e tyre idiotike (që të rikujton sërish predikuesit tanë fetarë); për gjykatësit që shpifnin ndaj të pafajshmëve (që të kujton prokurorët tanë, të cilët, në vend që të ndjekin kriminelët dhe politikanët e korruptuar, ndjekin hallexhinjtë dhe nevojtarët e shkretë); për të kamurit që përfitonin në kurriz të popullit (që të kujton po ashtu oligarkët tanë, që janë shndërruar në shpezë grabitqarë); dhe për të gjithë ata që, në mënyrë ose tjetër, kishin përfituar deri atëherë nga ligësitë e botës.

E megjithatë, më e shqetësuar se kushdo tjetër nga kjo situatë e re duket një plakë; e cila, në saje të pasurisë që zotëronte, ia kishte fituar zemrën një djaloshi (që, mjerisht, njashtu të rikujton fatin e shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Perëndim). Porse, me t’u bërë djaloshi i pasur, ai e braktis atë. Madje, në një rast, ky edhe i drejtohet me fjalët: “Të them të drejtën nuk kam punë me një femër që e kanë shtrydhur trembëdhjetë mijë meshkuj.”[xvi] Komedia përfundon pikërisht këtu, me plakën e vetmuar, e cila nuk e shkrep ymytin se, një ditë, mbase një ditë, djaloshi do t’i rikthehet, por që autori, mjerisht, nuk na tregon nëse dëshira iu realizua ndonjëherë.

Sidoqoftë, ajo që autori i kësaj vepre, por edhe veprave tjera të famshme (p.sh., Lisistrata, Bretkosat, Retë (vepra e preferuar e imja nga Aristofani, dhe të cilën do t’ua rekomandoja të gjithë lexuesve të Filozofisë), e kështu me radhë), arrin të transmetojë përmes kësaj vepre është që, turrja apo ngarendja mbas parasë, suspendon dhe anulon të gjitha virtytet e larta njerëzore; dhe kësisoj, shndërron njerëzit e zakonshëm në Harpagonër, Gobsekër, Grande, e sa e sa personazhe të tjerë të letërsisë, të përshkruara mjeshtërisht nga shkrimtarë të mëvonshëm.

 


[i] Siç dihet, në mungesë të refleksitetit dhe subjektivitetit njerëzor të shoqërisë e asokohshme greke, dominonin tri lloj shpjegimesh: a) shpjegimi mitologjik (p.sh., Hesiodi dhe Homeri), shpjegimi kozmologjik (p.sh., Parasokratikët, apo sic u referohet ndryshe Niçe: “Republika e Mendjeve Krijuese”), dhe c) shpjegimi antropologjik (p.sh., Sofistët dhe Sokratikët).

[ii] Është e rëndësishme që, Pluti (Πλοῦτος), zoti i pasurisë, të mos ngatërrohet me Plutonin (Πλούτων), zotin e nënbotës (Hades).

[iii] Aristofani, Pluti, përktheu Shpëtim Çuçka (Tiranë: Toena, 2000), fq. 19.

[iv] Në mitologjinë greke, por edhe në atë romake, Apolloni konsiderohet një nga perënditë më të rëndësishme. Ai është i njohur si zoti i muzikës, i të vërtetës, profecisë, shërimit, poezisë, diellit, e kështu me radhë.

[v] Aristofani, Pluti, fq. 21.

[vi] Po aty, fq. 22.

[vii] Po aty, fq. 25.

[viii] Po aty, fq. 26.

[ix] Po aty, fq. 27.

[x] Po aty, fq. 27.

[xi] Po aty, fq. 28.

[xii] Po aty, fq. 28.

[xiii] Po aty, fq. 63.

[xiv] Eskulapi (Asclepius) konsiderohej gjysmëperëndi, i lindur nga perëndia Apollon dhe nëna e vdekshme, Koronis. Mitologjia rrëfen që, gjersa Koronisi ishte shtatëzënë, ajo kishte rënë në dashuri me një burrë tjetër të vdekshëm, dhe ishte martuar me të. Ky gjest kishte zemëruar Apollonin, i cili edhe i qëllon për vdekje të dy ata. Sipas mitologjisë, thuhet që gjersa trupi i Koronisit digjej, Apolloni kishte bërë prerjen e parë çezariane, duke e nxjerrë foshnjën (Eskulapin) nga barku i nënës. Më pas, thuhet se Apolloni dërgoi Eskulapin te një centaur i mençur, për t’i mësuar atij artin e shërimit, gjë që më vonë ai edhe u bë një nga shëruesit më të famshëm.

[xv] Aristofani, Pluti, fq. 89.

[xvi] Po aty, fq. 120.

8 Comments

  1. Ah, letersia antike greke! E paperseritshme! Sa e thjeshte, e bukur dhe me kuptim!

  2. Aristofani eshte interesant po Shqiperia eshte si puna e Sodomes, ku Zoti ia uli pazarin Abrahamit ne vetem 10 njerez te drejte. As 10 njerez te drejte e te mire s’gjeti dot i shkreti Abraham, Zoti ia kishte me te futur se e dinte ate pune, po hajt mo. E bukura e Sodomes eshte se ishte qytet i pasur, keshtu qe s’ka korrelacion mes pasurise dhe drejtesise e miresise.
    Nje diskurs i tille ne Shqiperi e ve degjuesin para dy hipotezave, 1- ky ma ka me te futur, kushedi ku e ka hallin, 2- ky qenka nje leshko i pashoq. Nqs bindet se hipoteza 1 bie poshte, atehere automatikisht vertetohet hipoteza 2.
    Nqs niset me hipotezen 2 dhe sheh qe nuk je leshko, atehere vertetohet hipoteza 1 dhe kur s’e gjen dot se ku e ke hallin, thote ketij i duhet ndenjur larg para se te ma fuse, qenka kopil dreqi.

    Vendi ka nevoje per shpetim ne kuptimin e redenzione/redemption, po i vetmi autoritet qe ka mundesine ta beje eshte shteti. Nuk kemi nje çeshtje drejtesie, kulture a ku di une, kemi nje çeshtje shpetimi nepermjet faljes çliruese, pastrimit, dhe nisjes se nje rrugetimi te ri. Normalisht duhet edhe njefare shpagimi, duhet ndeshkuar ndokush.
    Shteti merr persiper te ndeshkoje disa dhe amniston te tjeret, fillon nga e para dhe nuk fal me, se pastaj behet si me indulgjencat mesjetare.
    Gjithe strumbullari i muhabetit eshte se mire shteti po kjo pune s’behet me frymen e shenjte, shteti ka nevoje per burra shteti, e ketu ngec gjithçka.
    Ka nje kategori te gjere qe nuk do falje, do ndeshkim, me kete kategori tallen politikanet, se kjo kategori do ndeshkim, mirepo as dy veta nuk behen bashke ta ngrene zerin ne menyre te pavarur e mbi te gjitha demokratike.

    Kemi nje popull thellesisht konservator e pak ose aspak progresist ( marksistet do perdornin, termat reaksionar e revolucionar), problemi i vetem i tij eshte se s’ka ç’te konservoje, po tenton te konservoje tranzicionin, po s’po gjen dot menyren si konservohet tranzicioni , prandaj nuk eshte rehat, po e provon me gjithe menyrat, po hiç. Paria u hedh ndonje teori ne ndihme mirepo tranzicioni nuk do qe nuk do te konservohet. Do presin falimentimin financiar te shtetit, s’kane rruge tjeter.
    Pas falimentimit te shtetit , do behemi rekordmene historike te konceptit shume trendy e modern te varferise, AUSTERITY.
    Keta kopilat e Perendimit, nuk te thone me do jesh i varfer derisa te vdesesh, por shteti ka nevoje per politika sheruese , per Austerity. E normal qe si mund te mos pajtohesh me nje koncept te ekonomise politike kaq modern, te bukur e trendy. E thua me ze te larte, Austeriti, tingellon bukur s’ke ç’thua, kurse Varferi eshte fjale kaq e shemtuar, apo me keq akoma, Skamje, sikur po thua zgjebe.

    Nejse, po fajin nuk e kane as politikanet e as populli,as Zeusi as Pluti, fajin e kane gjithnje intelektualet, se populli aq di, politikani gjen shesh ben pershesh, prandaj jane intelektualet, perndryshe ç’i do, s’po dime as ku t’i kategorizojme pari apo popull, jane bere si puna e priftit te ajo batuta e filmit, ore po prifti eshte popull apo jo.

    1. Edhe unë e mendoj këtë shpesh – çështjen e shëlbimit.

      Por më duket sikur pushteti i Perëndimit nuk i lejon punët që të zhvillohen normalisht – ose mbase i detyron punët që të zhvillohen, por sipas një logjike që nuk ka lidhje me Shqipërinë.

      Perëndimi e mban Shqipërinë në reanimacion – dhe ashtu do ta mbajë, sepse nuk sheh zgjidhje tjetër. Pa e menduar që nga reanimacioni i zgjatur viktima mund edhe të zgjohet si zombie.

      1. Falemnderit per fjalen shelbim, nga s’e kerkova.

        Perendimi po investohet ne nje proçes ndeshkimi sa per sy e faqe si ne Rumani, e nuk eshte se Rumania shpetoi , gjendja atje po te degjosh rumunet ne emigracion eshte po aq per ibret sa perpara. Ne Maqedoni pritet te plase lufta civile pas termetit qe solli Prokurorja speciale, kurse Vuçiçi po fshihet pas kryeministres lesbike.
        Cilado qofte axhenda e Perendimit ne Shqiperi dhe pazaret qe jane bere, une besoj se kur vjen puna per pushtet konkret ne territor, keta tanet mashtrojne edhe Dreqin, po nuk erdhi Merkelja me tanke, keta jo ne burg qe nuk i fut kush, po nuk leshojne asnje gram pushtet.
        Ne kete kuptim ekziston nje autonomi apo hapesire per te gjykuar tanet, po ajo hapesire do te ishte e mjaftueshme, besoj, per te kerkuar ate rol shelbyes te shtetit.
        Natyrisht, qe nje Perendim (qarqe te caktuara) i pare si pengese per progresin ne Shqiperi eshte teze te ciles koha po i ofron argumente e besueshmeri.

    2. “Kemi nje popull thellesisht konservator e pak ose aspak progresist” -hyllin

      Nuk jam edhe shume i sigurte per kete, sidomos pas shfaqjes se fundit ku nje njeri i veshur me tuta ia mblodhi thuajse te gjithe votat ketij populi kaq konservator.

      1. Ai me tuta shkoi ne Bruksel, socialistet ia japin voten edhe po te dale me breke, dmth nuk ia marrin parasysh ca lajthitje.
        Nga ana tjeter nje qe ben gallate gjithe kohen e flet per tepsi,kazan e timon, nuk mund te vendose kollare se krijon konflikt te forte mes imazhit dhe mesazhit. Ai foli si nje shofer furgoni qe ndalon ne gjelletore, porosit paçe-pilaf e nje dopio raki, ben qyfyre e thashetheme, u vesh edhe rrjedhimisht.
        Po e pame progresin e ketij populli tek tutat e Rames, atehere kemi nje problem me te madh akoma.

        Populli eshte thellesisht konservator sepse i dorezohet ne pak kohe cdo realiteti qe prodhohet e nuk merr inisiativen te jetesoje ose realizoje racionalen. Quaje pesimist, realist, pragmatist, jane te gjitha karakteristika te konservatorizmit.
        Jo se te jesh konservator ka ndonje vlere negative ne vetvete e te jesh progresist ke ndonje vlere pozitive, por kur e sheh qe gjerat jane se prapthi, eshte vete arsyeja qe te shtyn tek progresi, perndryshe nese gjerat shkojne per bukuri, arsyeja te çon tek konservatorizmi.

        Duke marre parasysh qe jemi thellesisht konservatore, qofte si histori e qofte si aktualitet, mesimi qe del eshte se kur te vije momenti i pashmanshem i ndryshimit (pas 1,10 apo 100 vjetesh), gjeja me e rendesishme eshte qe vitet e para duhet te jene absolutisht pozitive, perndryshe do perseritet nje cikel i ri vuajtjesh.
        Koncepti tjeter qe buron eshte se duhet denuar si iluzion i paster ideja qe ne mund t’i ndryshojme gjerat rruges e te mberrijme ne destinacion. Kur ne ndertojme nje gje mbapsht qe ne vitet e para nuk ka zot qe e mposht inercine qe i jep niveli i larte i konservatorizmit tone.
        Me kete iluzion ushqehemi zgjedhje pas zgjedhjeje, he se tani jane çik me mire, he se radhes tjeter do jete me mire, he sa ta kalojme edhe kete here. Ne te vertete çdo here qe ne genjejme veten me çikerrima formale, kalojne 4 vjet dhe kostoja e asaj çikerrime formale eshte nje popull gjithnje me i dorezuar, me pesimist, realist, pragmatist, nje LSI gjithnje e ne rritje e nje parlament gjithnje e me pak cilesor e perplot me yes men-a. Duke u marre me pemen harrojme pyllin, ndjekim ujkun, po çakalli ben kerdine.

        1. Ndersa une mendoj se ne rrafshin sociologjik, populli ne Shqiperi eshte me shume tradicionalist se konservator. Te dyja keto koncepte edhe pse te lidhura, nuk jane te njejta. Me sakte ky eshte nje popull me nje sfond teresisht tradicional por qe po ndryshon dhe e ka nje kembe ne modernitet, e ketej ndoshta burojne shume paradokse qe shfaqen ne keto vite te tranzicionit. Madje po e coj edhe pak me tej dhe po them se ajo qe vihet re ne keto vite i ngjan me shume nje postmoderniteti ne kuptimin e copezimit e bjerrjes se cfaredolloj institucioni apo boshti referencial.

          Konservatori ka besim tek institucionet ndaj perpiqet me cdo kusht ti ruaj ato. Kjo sepse historia (gjithnje sipas tij) e ka treguar qe institucionet ku ai beson i kane rezistuar kohes ndaj nuk ka nevoje te ndryshohen nga tekat e disave. Prandaj ai ve thekson ne familje, komunitet, fe etj. E pare ne kete veshtrim, konservatori eshte racional. Ndoshta edhe me shume racional se progresisti. Kjo sepse konservatori eshte logjik dhe empirik ndersa progresisti mund te jete logjik por nuk eshte empirik. Ai eshte me teper eksperimental dhe ne koke ka nje teori te paprovuar. Per ta provuar kete teori eshte gati te fuse gjithe populin ne laborator. Dhe ketu ndahen udhet e tyre, gje qe reflektohet me forte ne politike.

          Ajo cfare shikohet ne Shqiperi keto vite eshte pikerisht copezimi i ketyre institucioneve dhe pamundesia per ti ngritur ato qofte ne nje nivel mesatar. Shqiptaret nuk po ngrene me institucione, vetem po i korruptojne ato. E vetmja deshire qe reziston fort eshte figura e babait gje qe politikisht perkthehet kerkimi per lider te forte. Ky eshte tradicionalizem par excellence. Tradicionalisti eshte kryesisht irracional, Ai nuk pyet, nuk reflekton. Ai heq barren e mendimit ne koke te vet duke ia lene dhe njekohesisht rrasur kete detyre liderit. Ai thjesht ben ate qe eshte bere me kohe pa e vrare mendjen shume pse po e ben. Kur kjo i cenohet ai reagon keq. Por nuk reagon racionalisht, perkundrazi kerkon me ankth e histeri liderin ne menyre qe ai te mendoje e perballet me problemin. Se fundja-fundit prandaj eshte i pari i tufes. Tradicionalisti nuk do te mbaje pergjegjesi. Ai delegon pergjegjesi. Prandaj reflektimin e ka shume te veshtire e thuajse te pamundur.

          Shoqeri si keto tonat Veberi i ka quajtur shoqeri irracionale. Dhe ketu jam dakort me ty. Keto lloj shoqerish sipas Veberit pjellin lidera irracionale, lidera te forte. Kostumi dhe kollarja ne fushaten elektorale percojne formalizem institucional. Tutat te kujtojne te fortin e lagjes, inteligjencen intuitive. Nuk ka lidhje me termin tepsi. Perkundrazi nese nje njeri me kollare do thoshte “Une distancohem nga tepsia” ai do te kishte me shume efekt ne nje popull me besim institucional. Po ne keto vite vetem institucione nuk u krijuan dhe nese keto zgjedhje treguan dicka eshte dalja hapur edhe vizualisht e asaj qe politika bente “fshehur” gjithe keto vite.

          Ka dhe nje problem tjeter. Trendi boteror politik eshte i tille tani qe luhatet mes liderit te forte dhe atij aktorial. Kjo reflektohet disi edhe ne Shqiperi jo si ndikim direkt por indirekt. Shoqerite qe vuajne konfliktin tradite-modernitet tentojne te zgjedhin liderin e forte psh India, Filipinet e deri diku Turqia. (Te krahasohet me nje shoqeri konservatore si Britania ku tentativa e Tereza Meit per te bere lideren e forte-me teper si ndjekje e trendit -u shkermoq. Shoqeri me institucione me te konsoliduara tentojne nga lideri aktorial psh SHBA deri diku dhe Franca apo Italia. Sigurisht qe ne epoken e sotme mediatike keto dy lloje shfaqen edhe si kombinime. Lideri aktorial ben si lider i forte (rasti i SHBA-ve) dhe anasjelltas (rasti i Filipineve, Shqiperise etj.)

Comments are closed.