LETËR PËR ÇESK ZADENË

I dashur profesor  Çesku,

Nuk ke qenë profesori im, por kam dëgjuar shumë të flitet për ty nga studentët e tu, im atë ndër të parët, sa më vjen e natyrshme të të drejtohem kështu. U bënë 20 vjet që je larguar dhe meqë nesër do të festonim ditëlindjen tënde të 90-të, vendosa të të shkruaj këtë letër.

Të konsiderojnë si “babain” e muzikës shqiptare. Në fakt nuk do doja të të identifikoja kështu. Ndoshta ngaqë nuk e mendoj muzikën shqiptare si “pjellë” të një babai, që më çon te arketipi, apo autoriteti absolut, por si krijesë të muzave. Qofshin nëntë, si antikitet, apo më shumë kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që të jenë burim i dijes mbi tingullin dhe me aq sa e njoh krijimtarinë tënde, mund të them se ti e kishe këtë dije.

Qysh herët principet e tua krijuese synonin të përvijonin imazhin kombëtar nëpërmjet muzikës, një prirje kjo që i pati rrënjët te romantizmi muzikor europian, por që u shtri gjerësisht edhe në muzikën e shek. XX. Kjo të lidhi fort me folklorin. E lidhe idenë e kombëtares në muzikë me karakteristikat tingullore që mbartnin praktikat tradicionale; me mënyrën si ato organizoheshin në struktura të caktuara shprehëse; si merrnin kuptim.

I mbete gjithmonë besnik këtyre principeve, duke i mbrojtur edhe në nivel publicistik. Kam parasysh debatin mbi muzikën instrumentale-simfonike, në fillim të viteve ’70, në faqet e gazetës “Drita”. Ishte një diskutim jo i zakonshëm për kohën, i cili përfshiu kompozitorë dhe studiues në zë. Mbështesje rëndësinë e melodisë  dhe fillimisht  e interpretova këmbënguljen tënde si tepër konservatore. Duke dëgjuar ama vepra të tilla si Sonata për violinë e piano, Suitat korale-orkestrale, sidomos no. 7, Baladat për violonçel e piano, 3 skicat për orkestër,  disa të njëkohshme me debatin dhe disa të mëvonshme, kuptova që ky insistim yti kishte të bënte me një proces që për ty ishte i domosdoshëm, për t’i njohur thellë këto karakteristika tingullore. Pa këtë njohje nuk mund të kishte risi dhe nuk mund të kalohej në një etapë tjetër. Ishe i vetëdijshëm që një “traditë” e caktuar krijuese nuk mund të përbënte risi nëse ishte thjesht e bartur, apo, më keq akoma, plagjiaturë. Përkundër, duhet të ishte diçka e përbrendësuar në mënyrë inteligjente dhe një nga mënyrat për ta bërë një gjë të tillë sipas teje ishte duke dëgjuar “në mënyrë të re atë çfarë është e njohur tradicionalisht.”

Para pak ditësh, po dëgjoja një koncert me veprat e tua. Ishin ato më populloret dhe më të hershmet në fakt: suita nga muzika e filmit Skënderbeu dhe simfonia no. 1. Tek dëgjoja sidomos këtë të fundit, m’u kujtua sërish shprehja jote: “dëgjimi në mënyrë të re i asaj që është më e njohur”. Simfonia no. 1, përtej entuziazmit për t’u listuar në radhën e të parave është vepër në një stil romantik, të afërt me krijimtarinë e kompozitorëve nacionalë rusë të fund shekullit XIX. Mirëpo ajo shërbeu për të fabrikuar variante mbi mënyrën si “duhej” dhe mund të tingëllonte epikja dhe lirikja në muzikën shqiptare; si duhet të ishte simfonizmi, e kështu me radhë. Ndoshta pa dashjen tënde, këto variante u kthyen në shabllone brenda ligjërimit muzikore, kryesisht për të përligjur modelet e asaj që duhet të ishte muzika realist-socialiste. Ti ndërkohë, i mbylle “hesapet” me simfoninë si një detyrë shkollare dhe u përpoqe që të krijoje individualitetin tënd, duke kërkuar njëkohësisht pavarësinë ndaj traditës  ruse-sovjetike.

Periudha jote më prodhimtare përkoi me një situatë komplekse për zhvillimin e muzikës, ndaj së cilës ende nuk ka filluar ndonjë qasje rivlerësuese. I mbështetur dhe i privilegjuar në profesionin e vet nga shteti, artisti ishte i lidhur me një kordon umbilikal me infrastrukturën dhe kërkesat e tij. Baleti Delina, si tregon Spiro Kalemi, e vuajti një gjë të tillë. Modifikimi artificial i një libreti intim, tjetërsoi muzikën në mënyrë të pashmangshme. Edhe pse suitat që dolën nga muzika e këtij baleti patën sukses, unë do ngelem gjithmonë kureshtare për të ditur si do të vinte varianti origjinal bazuar mbi Legjendën e gurit të vashës dhe nëse do ndikonte muzikën e baleteve që do vinin më pas. Kam parasysh pastaj koncertin për piano dhe orkestër të kompozuar në vitin 1968, një vepër politically correct, që kur e dëgjon të sjell ndërmend koncertin no. 1 të Çajkovskit me një romantizëm të ngjyer me nuance impresionizmi. Disa vite më vonë, ti vjen me një vepër që distancohet ndjeshëm nga paraardhësja: sonata për violinë e piano. Është një vepër e guximshme, sfiduese do thoja për shabllonet e muzikës socialiste dhe treguese që tingulli është në gjendje të kapërcejë format e manipulimit semantik që mund t’i ngjiteshin së jashtmi. Vinte në periudhën më të errët për artet në Shqipëri dhe ishte një nga veprat e tua më të arrira.

Po sot, mbase do pyesje ti, çfarë periudhe është për muzikën shqiptare? Sot, do të përgjigjesha unë, shkruhet shumë më pak muzikë sesa dikur, ose më saktë, veprat e kompozitorëve shqiptarë që vihen në skenë, janë shumë të pakta. Ndoshta më mire kështu, po të kemi parasysh që dikur shumë  gjëra bëheshin për hir të emulacionit artistik dhe autoritetit shtetëror. Tani emulacioni i ka lënë vendin projekteve kulturore të botës kapitaliste dhe në një situatë të hapur lirie, ajo që mungon është pikërisht sistemi, infrastruktura. Ndjej që shumë gjëra tanimë kanë filluar të bëhen për inerci. Inercia, fjala vjen, e daljes në koncert thjesht për të dalë, si të dalë; inercia e lojës uniforme që nuk të përcjell kurrfarë emocioni; e një jete muzikore që gjallon vetëm në Tiranë; e publikut pasiv që ka qejf të bisedojë kafeneve dhe e kritikës inekzistente. Dhe në inerci e sipër më duket se ka humbur ideja e kërkimit ndaj tingullit, ndaj interpretimit si një sprovë e vazhdueshme, si dhe disiplinës e motivimit artistik për ta kuptuar atë “traditë” për të cilën ti dhe shumë kolegë të tu punuat fort; duke e riinterpretuar dhe e rivlerësuar në mënyrë të thelluar.

Gëzuar ditën e lindjes profesor Çesku dhe faleminderit për muzikën!

Tiranë, 7 qershor 2017

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

5 Komente

  1. Përshëndetje Mikaela,

    Letër shumë e ndjerë për profesor Zadenë. Vërtet inovatori më I madh I muzikës shqiptare. Pjesa e fundit e shkrimit tuaj më bëri përshtypje dhe doja të komentoja, për të ardhmen e muzikës që sot konsiderohet klasike. Ndonëse nuk kam asnjë kualifikim formal përsa I përket muzikës ose historisë së saj, më pëlqen ta konsideroj një pasion timin.

    Nuk di c’mendim keni ju për të ardhmen e muzikës klasike (ndonëse ky përkufizim është pak i zbehtë), por mua më duket në vdekje. Ndonëse e di që është më shumë mungesa e komercialitetit në shoqerinë moderne që po e vret, prapë edhe në rrethet kulturore që supozohet ta kultivojnë e ta tejcojnë këtë muzikë ajo po vdes. Në këto rrethe vdekja vjen jo si pasojë e mungesës së vëmendjes, por nga mungesa e inovacionit. Ky mendim më erdhi, kur para disa muajsh pata fatin e madh të shihja një performancë të Evgeny Kissin. Performanca ishte një eksperiencë e pabesueshme, por gjatë performancës nuk u luajt asnjë kompozim i tij. Ose c’është më keq, asnjë kompozim i bërë në pjesën e dytë të shekullit XX. Kompozitori më i ri besoj duhet të ishte Rachmaninoff. Të tjerat ishin të gjitha kompozime të shekullit XIX (no pun intended hahah) ose më parë. Thënë kjo, e di që ka shumë kompozitor që shkruajnë dhe luajnë ose dirigjojnë kompozime të tyre, por prapë mendoj se muzikës klasike i mungon një karakter komercial ose paksa egoist që është i domosdoshëm. Ajo që dua të them është që ndoshta ka ardhur koha që instrumentalistët virtuoz dhe dirigjentët më me emër të fillojnë të performojnë më shumë veprat e tyre. Mendoj se kjo është mënyra që muzika klasike t’i shpëtojë një vdekjeje, ose c’është më keq një transformimi në muzikë rrethesh të ngushta. Më vjen shumë keq që një shumicë dërrmuese e atyre pak që dëgjojnë muzikë klasike mund të përmendin vetëm Arvo Part ose Hans Zimmer si kompozitorë kontemporan, e ky s’është faj i tyre pasi artistët e rinj gjejnë shumë pak hapësirë për të paraqitur veprat e tyre. Duhet të jesh i future shumë thellë në rrethet e muzikës klasike për të gjetur kompozime të denja nga kompozitorë të rinj. Si një dashamirës i muzikës klasike, nuk do doja që edhe brezat e ardhshëm të rriten vetëm me kompozime të Liszt, Beethoven, Verdi etj. por të jenë më në kontakt me zhvillimet kontemporane të muzikës klasike.

    1. Përshëndetje Migjeni,
      bie dakort me ju në përshkrimin që i bëni situatës aktuale, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë saj. Përgjithësisht, janë të paktë kompozitorët bashkëkohorë që mund të gëzojnë të njëjtin popullaritet krahasuar me ata që i përkasin të shkuarës së muzikës, europiano-perëndimore. Më vjen në mend Arvo Part, ndërkohë që të parapëlqyera ngelen kryesisht formatet e muzikës minimaliste. Besoj se muzikën e së tashmes nuk e dëgjojmë dhe i qasemi në të njëjtën mënyrë si atë repertor tashmë kanonik të së shkuarës, një pjesë e madhe e të cilit tanimë mund të quhet pop-klasik. Sa i takon muzikës kontemporane “klasike” të shekullit XX, është çështje formimi, përvoje, shijesh dhe kontakt. Di të them ama që gjithmonë ajo do të ngelet pjesë e rretheve të caktuara, qofshin të ngushta, apo të gjëra; dhe kështu ka qenë edhe më parë, ndonëse ne nuk na duket kështu ngaqe jemi familjarizuar me të. Problemi te ne jane pikerisht keto rrethe, ose me sakte, mungesa e tyre. Gjithsesi, nuk mund të them që po vdes si muzikë. I referohem gjithmonë Luciano Berios në këtë pikë, një nga kompozitorët bashkëkohore që pëlqej dhe që më ka mësuar shumë: Gjërat në muzikë, thotë ai, nuk përkeqësohen, as përmirësohen; ato thjesht evolojnë dhe transformohen.

    2. Ne fakt ka plot kompozitore të “muzikes klasike” në shek e XX, mjafton qe idene e klasikes ta zgjerosh pakez. Ka Arnold Schönberg, Luigi Nono, Pierre Boulez, Elliot Carter etj etj qe ke qejf ti degjosh
      🙂

      1. Jam dakord që ka plotë kompozitorë “modern” të muzikës klasike, problemi që parashtrova është mungesa e ekspozimit që këto kompozitorë kanë. Te komenti më sipër fola për mungesën e një karakteri egoist të muzikës klasike. Shumica dërrmuese e koncerteve dhe performancave janë të kompozitorëve të shekullit XVIII ose XIX dhe ndoshta tek-tuk ndonjë e shekullit XX. Them se ka ardhur koha që klasikët e klasikes t’ia lejmë historisë dhe të fokusohemi pak më shumë tek e ardhmja.

  2. Njohim muziken klasike te botes, por nuk njohim ate klasike shqiptare! Pse? Nuk e di! Por ky shkrim na nxit te kerkojme dicka ne kete drejtim ne internet (you tube).

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: