Ҫ’NA POLLI BELAJA

Pardje në “Opinion”, Arben Imami deputet i Partisë Demokratike, i pakënaqur me listat zgjedhore të kryetarit të kësaj partie, u shpreh se ky i fundit ka lënë jashtë njerëz të cilët vërtetë paskëshin kontribuar për partinë duke i zëvendësuar ato me shtëpiake që s’kanë bërë asnjë punë sepse kanë pjellë tre-katër kalamaj. Deklaratën e zotit Imami mund ta gjeni këtu.

Duket sikur zoti Imami kërkon të ruajë pozitën prej deputeti dhe rolin e përfaqësuesit të asaj pjese të popullit që ecën krah për krah besimeve të PD-së, duke përjashtuar gratë nëpërmjet etiketimeve diskriminuese dhe fyese. Së pari, dhe pavarësisht se në çdo rrethanë tjetër do të ishte e tepërt, reagimi i zotit Imami po më detyron të sqaroj se gratë janë njerëz dhe në Shqipëri gëzojnë të drejtën për t’u votuar që prej vitit 1945. T’i përjashtosh ato me argumente të tilla, është jo vetëm manovër politike e gabuar, por edhe reflektim i një mendësie patriarkale dhe shtypëse e cila paska pasur shtatë shpirtra.

Pa folur pastaj që të qenit grua dhe nënë nuk e përjashton një person nga të paturit e një profesioni apo karriere, njëlloj sikurse të qenit shtëpiake nuk nënkupton gjë injorancë apo paaftësi. Përkundrazi, nëse ka injorancë në këtë mesele, kjo lidhet me pikërisht refuzimin për ta kuptuar rolin dhe pozitën e gruas sot.

Së treti, për lindjen dhe rritjen e fëmijëve, njëlloj si në punët e shtëpisë, pritet të kontribuojnë të dy prindërit. Në shoqërinë ku dëshirojmë të jemi pjesë, burrat dhe gratë kanë detyrime dhe përgjegjësi të barabarta, pavarësisht nga stereotipat që ia diktojnë opinionin zotit Imami.

Së katërti, ne që komunikojmë në shqipen e sotme, foljen “pjell” ua rezervojmë zakonisht kafshëve, meqë për njerëzit kemi “lind”; duke zgjedhur të përdorë fjalën pjellin, zoti Imami duket sikur na ka çuar të gjithëve o në mejhane o në Mesjetë.

Megjithatë rasti i zotit Imami nuk është i përveçëm. Gjykimi mizogjin dhe trajtimi poshtërues i grave haset në përgjithësi te burrat që gëzojnë pushtet në Shqipëri, sidomos në sferën e politikës. Edi Rama fill pak kohë pasi përqafoi detyrën e kryeministrit, emërimin e dy drejtoreshave në moshë të re (Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) e argumentoi duke u shprehur se të qenit zonjushë është një pozitë e favorshme sepse ato nuk kanë fëmijë për të marrë nga shkolla apo burra për t’u gatuar, nuk kanë asnjë hall përveç suksesit në funksion të karrierës.  Fjalën e zotit Rama mund ta gjeni këtu dhe këtu.

Kryeministri s’e paskësh ditur që zonjushë është një titull që u jepet vajzave

dhe jo grave, pavarësisht nëse ato i përkasin një moshe të re apo jo. Ndër të tjera, ç’rëndësi ka mosha? Apo më saktë, përse mosha ngrika peshë vetëm kur kemi të bëjmë me një grua? Pothuajse asnjëherë nuk vihet në diskutim mosha apo karakteristika të tjera fizike për burrat në të njëjtat profesione. Kryeministri Rama nuk e pa të nevojshme të komentonte moshën apo angazhimet familjare të drejtorëve apo ministrave të përzgjedhur. Gjithashtu, ai pavarësisht se është edhe baba, njëlloj si zoti Imami dy netë më parë, nuk e paskësh ditur që rritja dhe kujdesi ndaj fëmijëve është detyrë e të dy prindërve, jo vetëm e gruas, se ndjekja e karrierës mund të jetë zgjedhje dhe qëllim i të dy palëve dhe se gratë nuk mund të kenë më pak mundësi dhe të drejta vetëm për shkak të mënyrës si vendosin ta realizojnë veten. Padronizmi ndaj dy drejtoreshave të reja dhe më vonë qasja ndaj grave në përgjithësi prej kryeministrit Rama, reflektoi jo vetëm hipokrizinë e fushatës zgjedhore por edhe standardin e dyfishtë të këtij zotërie në politikë. (Një rast tjetër, për shembull, ka qenë replika ofenduese me znj. Topalli gjatë një seance plenare që e gjeni këtu.)

Problemi nuk qenka pra, vetëm te zoti Rama dhe zoti Imami, këta dy vetëm sa konfirmojnë, për nivelin e tyre, kushtet reale në të cilat detyrohet të jetojë gruaja shqiptare, pavarësisht pozitës së saj sociale dhe ekonomike. Politika dhe çdo aktivitet tjetër që përfshin të gjithë shoqërinë tonë, nuk i njeh gratë si të barabarta në plotësinë e tyre. Gruaja shqiptare perceptohet përjashtimisht, edhe në 2017, ose si një makinë riprodhuese, e cila gjatë kohës kur nuk është duke shuar epshin e burrit apo duke u kujdesur për mirëqenien dhe karrierën e tij, ngarkohet me përgjegjësinë për të rritur fëmijët, ose si qytetare e lejuar të ushtrojë të drejtat e veta, përfshi edhe të drejtën për t’u zgjedhur; versioni edhe/edhe mbetet i pamundshëm për t’u përfytyruar dhe gruas gjithnjë i duhet të sakrifikojë njërën anë të vetes, për të fituar tjetrën. Një realitet dhe shoqëri e tillë nuk janë as të drejta dhe as të zhvilluara, prandaj përpjekja për të kundërshtuar mentalitetin patriarkal dhe për të thyer stereotipizimet gjinore, është përpjekje jo vetëm për zhvillimin dhe përfshirjen e grave, por për funksionimin e drejtë dhe të barabartë të grave dhe burrave bashkërisht.

9 Komente

  1. http://www.gazetatema.net/2017/05/31/fotot-kasape-marangoze-e-katunare-njihuni-me-kandidatet-e-cuditshem-per-deputete-te-republikes-se-re/

    A nuk eshte ky titull i gazetes TEMA diskriminues per burrat, njelloj si ajo qe tha Imami per grate?

    Besoj se Imami nuk eshte i pakenaqur se kandidatet jane GRA, pakenaqesia ka te beje me faktin qe ka gra te tjera qe jane me te kualifikuara per kandidate per deputete se sa ato qe jane shpallur, njelloj sikurse titulli i gazetes TEMA stigmatizon faktin qe kandidatet per deputete nuk jane perzgjedhur nder profesione te tjera me te fisme se sa kasapet e marangozet, pale pastaj katunaret.

    Kam pershtypjen se per fat te keq nder pjesmarresit ne politiken shqiptare shumica si e burrave, ashtu edhe e grave jane per merita qe s’kane te bejne aspak me profesionalizen apo kualifikim, gje qe nuk i ben nder politikes shqiptare. Nuk po dua te germoj me tej ne keto kanale sepse nuk dua te ndyhem me pislleqe lloj-llojesh,

    Sa per punen e polli, apo e lindi, po te duam te kerkojme qimen ne veze edhe mund te shkruajme disertacione sa te duam, po une nuk kam degjuar qe per ndonje grua me shume kalamaj te thone qe eshte “grua lindore, “grua pjellore”, po.

    1. Përshëndetje duledupicard,

      Argumenti yt: fakti që kandidatët meshkuj për deputet diskriminohen në bazë të profesionit është ekuivalent me diskriminimin e kandidates në fjalë, bie poshtë për arsyen e thjeshtë se të lindurit femijë nuk është profesion. Të qenurit kasap e marangoz janë profesione, ndërsa të jesh nënë e të lindësh nuk është. Pra, diskriminimi nuk është ekuivalent. Mund të thuash se c’rëndësi ka, të dyja janë shembuj të diskriminimit, e diskriminimi është dicka e gabuar, po s’është e vërtetë. Ne jetojmë cdo ditë duke diskriminuar, po të mos diskriminonim nuk do kishte hierarki në shoqëri. Po të mos na dukej normale diskriminimi nuk do jetonim në një shoqëri kapitaliste. E vetmja gjë që e bënë të papranueshëm diskriminim (sipas konotacionit modern të fjalës) janë normat sociale, sipas të cilave të gjithë zgjedhim të jetojmë. Si fëmijë të moralit të kohës, paragjykimet janë të domosdoshme, në përjasthim të disa “zonave” të caktuara ku janë të papranueshme. Shëmbull ilustrativ: kriminelet është normale të diskriminohen ndërsa homoseksualët jo. Thelbi I argumentit tim është: ka një ndryshim shumë thelbësor midis llojeve të ndryshëm të diskriminimeve.

      Për t’u rikthyer te debati në fjalë, e vecanërisht tek “ballafaqimi” I dy diskriminimeve. Ky debat është I kurdohershëm në shoqërinë moderne dhe bëhet delikat për shkak të një petku, të ngjyrosur me hije maskiliste, që e mbulon. Është interesant edhe për shkak se jetojmë në një periudhë ku lëvizja feministe është në kulmin e saj. dhe një debat I tillë bëhet gati gjithmonë në kuadër të asaj lëvizjeje. Personalisht dua ta diskutoj pa nota feminizmi. Në kuadër të asaj që kam shkruar më parë, diskriminimi i Imamit është i papranueshëm sepse është kundrejt natyrës së saj si femër. Të qënurit femër me thirrjen natyrale për të dhënë jetë nuk është zgjedhje, dhe nuk ka kurrëfarë ndikimi në aftësinë e saj për të përfaqësuar. Imami nuk dha si argument faktin që zonja në fjalë mund të mos jetë kandidate e duhur sepse, fjala që vjenë, nuk ka edukimin e duhur (edhe ky një diskriminim po që në syrin moral të shoqërisë është krejtësisht i pranueshëm), ose sepse nuk ka mjaftueshëm eksperiencë, por si argument parësor dha një observim të një procesi natyror. Për ta bërë më konkret, nëse je mashkull kandidat për deputet, imagjino sikur kundërshtari yt politik ngre si argument faktin që ke tre fëmijë të shoqëruar me foljen “pjell”. Sa e padrejtë dhe për më tepër e PAVEND është kjo në tërë debatin. Nga ana tjetër profesioni që ushtron tregon shumë mbi përgatitjen dhe ndoshta edukimin që ke, dhe diskriminimi për këto dy arsye është dicka që e bëjmë përditë, dicka që mban shoqërinë tonë sic është, Nuk dua të thellohem përse profesioni është pasqyrë e përgatitjes ose edukimit, pasi mendoj se është e qartë. Pra, nuk është kurrsesi njësoj diksriminimi i gazetës ndaj profesioneve të atyre burrave kundrejt diskriminimit maskilist të Imamit.

      1. Pershendetje Migjeni (nuk e dija se ishe ende gjalle, hehe, just joking, mos ma merr per keq)

        Siç ka thene nje burre i shquar, perpara se te dikutojme duhet te merremi vesh per terminologjine, gje qe per fat te keq ne nuk e kemi bere ende. Meqe une, po besoj se edhe juve, kemi plot gjera me te mira per te bere, nuk do te desha te harxhoja kohen time dhe tuajen me marreveshje fjalesh. Kam pershtypjen se “diskriminim”, por edhe “ekuivalent” ne te dy i perdorim me kuptime jo krejtesisht te perputheshme. Ne keto kushte me vjen keq qe nuk po zgjatem, por po te ve ne dukje vetem faktin, qe siç e pohoni edhe ju, pjellja ose lindja e femijeve eshte funksion natyror. Rrjedhimisht shanset jane qe nje grua pergjithesisht te kete lindur ose pjelle femije (mua nuk me duket ndonje hata e madhe perdorimi ne menyre te nderkembyeshme te “pjell” dhe “lind”). Ne kete kuptim neqoftese nje grua nuk ka bere gje tjeter vecse ka lindur nja tre-kater kalamaj, i bie qe nuk ka bere me jeten e vet me shume se nje femer e cdo specie tjeter. Pra ne kete rast, ajo eshte edhe me keq se nje burre qe te pakten kasapin, a marangozin e ka bere. Pastaj sesi rrotullohen zaret qe per njeren, propozimi per deputete eshte me i vlefshem dhe jo-diskriminues se sa ai i tjetrit, kete mund ta tjerresh sa te duash e si te duash, po ne fund te fundit nuk ka ndonje dallim (pa shih, mund te thosha edhe diskriminim) te madh.

      2. Migjeno,
        Mgjths jam dakord kryekeput me fjalet e Greses, kjo qe lexoj nga ti ketu me dhembi. Te pretendosh se ky rend shoqeror ekziston edhe per shkak te diskriminimit ndaj profesioneve te caktuara, haptazi, publikisht, mua nuk me ben te ndihem mire.
        Te pjellesh nuk duhet te shkaktoje kurrfare problemi tek masat, por e njejta gje duhet te pretendohet edhe per ata burra ‘qe mbajne shpine’ me punen e vet ‘jo te fisme’.
        Si bije e rritur nga nje baba hidraulik dhe nje mama financiere (ku shumica e gjerave intresante ne kete bote i jane treguar nga babai), kete diskriminimin ndaj zanateve nuk e dheks dot, biles po te duash mund te shkoj edhe me tej… halli i vertete i botes sot eshte vetem diskriminimi i jo te pasurve. Kaq. Pike.
        Edhe Ben Imami ate ka dashur te thote me ‘gra qe pjellin’. S’besoj se bezdiset nga grate, por nga grate shtepiake, PRA nga grate qe nuk sjellin te ardhura ne shtepi.
        Po kuptohet…fatkeqesisht ti ke te drejte. Fatkeqesisht ne duhet te flasim per gjithcka, pervec pagesave te parsyetuara ne raport me punen (fizike dhe mendore) se vetem keshtu sistemit s’i hyn gjemb ne kembe.

        1. Përsëhndetje,

          duledupicard jam i gjallë e jam ndë jetë, jam në dritë të vërtet haha. Ndoshta vërtet mund të kemi ndonjë keqkuptim që rrjedh nga interpretimet e termave të caktuar, sidomos “diskriminim” e “ekuivalent”, por jam I mendimit që thelbet e argumentave të të dy ne janë krejtësisht të qarta. Fillimisht, duhet thënë se edhe nëse gruaja në fjalë nuk kishte punuar, kjo prapë nuk e justifikon sulmin e Imamit, sepse mund të kishte përmendur pikërisht këtë fakt e jo numrin e fëmijëve. Por tani të kthehemi në realitet, gruaja ka punuar me kohë të plotë, madje ka qënë shefe kabineti në Ministrinë e Brendshme. Këtu është edhe një link që tregon përgjigjen e saj ndaj sulmit: http://balkanweb.com/site/deklarata-fyese-e-imamit-kandidatja-e-ps-une-kam-3-femije-por-ti-me-marsh-te-ligat/ Kur lexova këtë u ndjeva vërtet i revoltuar nga deklarata e Imamit, dhe mu duk sulm i pavend. Unë Imamin e njoh familjarisht, dhe ai është vetë baba, ndaj më habit deklarata e tij. Shpjegimi i vetëm logjik ishte ai i z. Vehbiu, në një artikull këtu në peizazhe, sipas së cilit, deklarata e Imamit kishte të bënte me faktin që lindja e disa fëmijëve të largon disi nga sfera publike. Thënë kjo, jam prapë i mendimit që kishte nëntone seksiste në deklaratën e Imamit. Mua më bën shumë përshtypje përdorimi i fjalës pjellë (ardhur nga një njeri që unë e konsideroj intelektual), edhe pse nuk është përdorimi i kësaj fjale në thelbin e argumentit tim.

          Led, nuk di c’pjesë e komentit tim të ka bërë të më shkruash një përgjigje me tone kaq agresive. Në komentin tim, unë, pa dhënë opinionin tim personal mbi cështjen, po vej në dukje një fenomen që ndodh dhe është i pranuar nga shoqëria. Pra, njerëzit diskriminohen nga puna që bëjnë. Në asnjë pjesë të komentit nuk dhashë pëlqimin (ose mos pëlqimin) të këtij fenomeni. Nëse ty nuk të bën të ndihesh mirë fakti që diskriminimi është pjesë e shoqërisë sonë, atëherë bëj të pamundurën ta ndryshosh, unë për veten time atë bëj. Përsa i përket argumentit në fjalë, të ftoj të lexosh artikullin te linku mësipër, që tregon që gruaja në fjalë punonte, pra sillte të ardhura (edhe pse një pragmatizëm i tillë është krejt pavend).

          On a personal note: Nuk më pëlqen debati me dikë që në argumentin e tij përdor thirrje si “kaq” dhe “pikë”. Janë thirrje që e bëjnë shumë personal debatin, madje në komentim tënd mu duk vetvetja shënjestër e jo ajo që kisha shkruar.

          1. Dyshoj se Imami e ka pasur tjeter kund hallin, por edhe mund te jete ngaterruar gjate rruges.
            Ky qendrim kaq i ftohte nga ana juaj ndaj fenomenit tregon ose qe nuk jeni diskriminuar ndonjehere per statusin tuaj social, ose jeni diskriminuar por jeni i mencur mjaftueshem per te qene gjakftohte ne kesi temash gjithsesi. Po eshte kjo e dyta, sinqerisht te kam zili se une kete lloj mencurie e gjakftohtesie dyshoj se do ta fitoj ndonjehere.

            Nuk eshte aspak sulm personal dhe me vjen keq nese ka tingelluar si i tille.

  2. Hem, nuk i thone shaka te te nderpritet karriera dhe leket badiava! Ben njeriu edhe gabime politike ne kete rast, ben edhe gabime gramatikore! Mendoj se Arben Imamit i duhet qare halli ne kete rast, dhe jo te kritikohet! Atij dhe te tjereve, qe mbeten jashte liste!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: