Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Komunikim / Totalitarizëm

FILMA DHE ORALITET

Prej ditësh po qarkullon një propozim, i hedhur nga Agron Tufa dhe Erald Kapri (i AMA-s), për të ndaluar transmetimin e filmave të Realizmit Socialist nga televizionet në Shqipëri, si produkte toksike, të regjimit totalitar, me natyrë propagandistike, të përshkuara nga ideologjia komuniste dhe pa ndonjë vlerë artistike të spikatur, që t’i bëjë të dobishme edhe për publikun sot.

Propozimi ka natyrë praktike, administrative, politike; pavarësisht nga argumenti që sillet dhe që është edhe ai ideologjik. Çfarë më duket se mungon, është përpjekja për të shpjeguar suksesin e këtyre filmave në publik, pavarësisht natyrës së tyre si produkte propagandistike dhe ideologjisë që (duan të) përçojnë. Pa çka se ky sukses, i papritur nga shumë anë, do të meritonte vëmendje kulturore ndoshta më shumë se nevoja e argumentuar për ta ndaluar ose të paktën disiplinuar transmetimin e këtyre filmave.

Edhe unë besoj se filmat e Realizmit Socialist nuk kanë ndonjë vlerë artistike të tillë që t’ua përligjë mbijetesën, së paku në këtë shkallë që vërehet sot; pa folur pastaj për rolin që u ish ngarkuar të luanin nga zyrat e propagandës të KQ të PPSh dhe nga regjimi që i financonte. Por kjo nuk ka shumë lidhje me suksesin e tyre, edhe dje edhe sot, sepse bëhet fjalë për një publik pa pretendime artistike dhe të prirur për të konsumuar produkte të kulturës pop.

Prandaj, që filma të tillë ndiqen me interes nga publiku at large duhet shpjeguar ndryshe.

Dhe ndoshta orvatja për shpjegim dhe interpretim duhet të nisë nga përhapja e madhe në ligjërimin e përditshëm e batutave nga këta filma, të cilat i ndesh sot e kësaj dite në gojën e të gjithëve: që nga kryeministri dhe deputetët në Parlament, te komentaxhinjtë e portaleve, opinionistët në TV dhe në shtyp dhe të gjithë ata që shkruajnë dhe flasin për publikun; deri atje sa këto batuta të jenë kodifikuar tashmë, duke marrë statusin e proverbave.

Çfarë nuk është rastësi as kuriozitet, përkundrazi; sepse këtu do të gjendet edhe kyçi i shpjegimit që kërkojmë, sa kohë që proverbat njihen mirë, si dukuri karakteristike të kulturës orale, ku dija eksperienciale qarkullon dhe transmetohet me thënie poetike të kristalizuara dhe lapidare, të cilat vijnë në gojën e kujtdo si citime; ose si pranime sado të heshtura të faktit se bëhet fjalë për thënie të shqiptuara më parë, nga një palë e tretë ose Tjetri, dhe që e marrin fuqinë dhe autoritetin sa nga kuptimi shpesh moral që përcjellin, aq edhe ngaqë janë ruajtur si të tilla në rrjedhë të kohës (e kanë thënë një fjalë të vjetrit).

Le të themi, atëherë, se edhe filmat e Realizmit Socialist e tërheqin publikun e sotëm, sepse ky – në masë të madhe – ende nuk ka dalë nga faza orale e kulturës; prandaj edhe i konsumon këta filma si të kulturës gojore dhe në përmasën e oralitetit, ose pa ndërmjetësinë e shkrimit.

Që të klasifikohen si pjesë e oralitetit, filmat e Realizmit Socialist, edhe pse produkte teknikisht të sofistikuara, duhet para së gjithash t’u drejtohen shqisave – syrit dhe veshit; por pa u ndërmjetësuar nga shkrimi; çfarë edhe e bëjnë. Veç kësaj, këta filma kënaqin edhe dy kushte të tjera, për mua themelore, të produkteve orale: (1) janë stereotipike, ose i sjellin publikut personazhe dhe ngjarje të tipizuara, skematike dhe të rimarra nga një film në tjetrin; dhe (2) transmetohen në mënyrë të përsëritur, si çdo produkt tjetër i kulturës orale, sepse vetëm përsëritja mundëson ruajtjen dhe transmetimin e vlerave të perceptuara.

Kulturat mirëfilli orale, ose që u mungon shkrimi si teknologji regjistrimi dhe referimi, përdorin mjetet dhe teknikat e tyre specifike, për të depozituar modelet, normat dhe rregullsitë e marrëdhënieve sociale, ose gjithçka që konstituon strukturën e një shoqërie të caktuar; të cilat mjete dhe teknika mbështeten në kujtesën, individuale dhe kolektive, ndryshe nga ç’mbështeten kulturat shkrimore.

Këtë rol prej arkivi gojor e luan, mes të tjerash, epika – si në rastin e epikës homerike, ose të epikës ballkanike të mëvonshme; dhe që nuk ka synuar kurrë argëtimin e publikut, sa ç’ka synuar riprodhimin e shoqërisë brenda së cilës ka qarkulluar.

Në Greqinë e Lashtë, mu në periudhën e kalimit nga oraliteti në skripturalitet, ose të ndërrimit paradigmatik në kulturë, një rol të ngjashëm me epikën homerike pat luajtur teatri. Këtë dukuri e ka studiuar me kujdes Eric A. Havelock, i cili shkruan te Preface to Plato (Harvard University Press, 1963):

Pjesët teatrale të vëna në skenë, në Athinë, dhe të hartuara me një gjuhë më afër vernakularit vendës, u shndërruan në suplementin atik të Homerit, si bartëse të eksperiencës së ruajtur, mësimeve morale dhe kujtesës historike. Ato memorizoheshin, mësoheshin, citoheshin dhe konsultoheshin. Ti mund të shkoje të shihje një pjesë të re teatrale, por ajo ishte, në të njëjtën kohë, një pjesë e vjetër, e mbushur me klishetë familjare të risistemuara në kontekste të reja, dhe plot aforizma, proverba dhe shembuj parashkrues se si duhej të silleshe, dhe shembuj paralajmërues se si nuk duhej të silleshe; me ripërmendje të herëpashershme të copëzave nga historia tribale dhe qytetare, të kujtimeve stërgjyshore, të cilave artisti u shërbente si mjeti i pavetëdijshëm i përsëritjes dhe i regjistrimit. Situatat ishin gjithnjë tipike, jo të shpikura; ato përsëritnin pa fund precedentët dhe gjykimet, dijen dhe urtësinë, të cilën kultura helenike e kish grumbulluar dhe ruajtur.

Ka një paralelizëm të fortë, mes statusit të teatrit në Athinën klasike dhe statusit të filmave të Realizmit Socialist, për publikun e sotëm – që nga oraliteti, ose kultura gojore, e transmetuar brez pa brezi pa ndërmjetësinë e shkrimit; te stereotipia narrative (ngjarje dhe personazhe të tipizuara) dhe diskursive (klishe, aforizma, batuta që gjithnjë risillen); dhe më tej, te përsëritja – sepse oraliteti mbështetet në aftësitë ruajtëse dhe riprodhuese të kujtesës, dhe kujtesa ka nevojë për përsëritje.

Çfarë do të thotë se publiku i sotëm, jo vetëm ende i mbetur përgjysmë në oralitetin ku në thelb jetonte deri në vitet 1960, por edhe i de-alfabetizuar nga kultura e sotme e imazhit dhe e konsumerizmit, sikurse edhe i lënë në fazën e analfabetizmit funksional për shkak të dështimit të sistemit shkollor; ky publik i sotëm, pra, i ndjek me ëndje filmat e Realizmit Socialist sepse janë i vetmi produkt që arrin t’ua riprodhojë, sado mangët, sistemin social, normat e bashkëjetesës dhe etikën; dhe e arrin këtë nëpërmjet performancës së Tjetrit. Shpërbërja e shoqërisë shqiptare, kriza e familjes dhe e autoritetit etik dhe komprometimi i burimeve të moralit janë kështu edhe pasojë e kësaj ngecjeje të publikut në një oralitet historik, që nuk i përgjigjet më realitetit.

Asnjë produkt i ri kulturor nuk ka arritur t’i zëvendësojë këta filma në këtë funksion social, ku shoqëria dhe etika riprodhohen nëpërmjet argëtimit; filmat e këtyre 25 vjetëve të fundit janë krijuar, në masë të madhe, për të marrë pjesë në festivale dhe fituar çmime ndërkombëtare; në këta filma publiku shqiptar nuk e gjen veten, dhe as mund t’i përdorë brenda një ekonomie kulturore të oralitetit; në një kohë që sistemi arsimor dhe krejt komunikimi kulturor nuk kanë arritur që ta shkëputin këtë publik nga oraliteti, madje në disa anë duket sikur e kanë shtyrë edhe më në një përmasë e cila, në thelb, ka natyrë arkaike.

Nëse filmat e Realizmit Socialist janë apo jo toksikë për publikun e sotëm, deri në atë shkallë sa të përligjet ndalimi i tyre, ose të paktën transmetimi i tyre i kontrolluar, kjo duhet studiuar seriozisht, sepse dy-tre opinione nuk mjaftojnë, sado të mbështetura dhe autoritare të jenë; edhe pse unë nuk besoj që këta filma të mbajnë gjallë, në shikuesit e tyre, nostalgjinë për regjimin totalitar dhe, në praktikë, t’u sigurojnë vota të majtëve. Efekti i tyre mund të jetë shumë më i thellë dhe serioz se kaq – ky teatër ku riprodhohet, në vlerat dhe stereotipitë e saj, një shoqëri tashmë e kapërcyer, mund të hyjë në konflikt me vlerat dhe stereotipitë e të sotmes dhe të përftojë kështu jetërsim edhe psikologjik edhe social.

5 Komente

  1. Mendoj se sot, ne epoken dixhitale, predominuse eshte kultura e imazhit. Kalimi nga kultura orale ne kulturen e shkrimit/printimit (moderniteti) ka vijuar me kalimin ne fazen kur dominon kulturen e imazhit(postmoderniteti).
    Roli imazhit si rruge e de-alfabetizimit te shoqerise sot perben nje nga topiket me te diskutuar ne shkencat e komunkimit.
    Kjo vecanerisht me gjeneratat e reja ,per te cilat tv, filmi, vidio game, telefoni mobil jane burime dhe instrumenta te njohjes dhe kulturimit permes imazhit te miksuar me tekstin minimal.
    Sukesi dhe shikueshria e filmave te soc-realizmit, mendoj se lidhet pikerisht me fuqine eimazhit ne nje konteks te debilizimit te njeriut (de-alfabetizimi dhe mendja dembele).
    Batutat jane pasoja dhe jo shkaku i shikueshmerise se filmave te dikurshem.
    Batutat jane erzat e atyre filmave dhe ajo cfare mbetet ne mendjen e dominuar nga imazhet filmike.
    Perseritja , si teknike e ngulitjes , qendron per brezin e vjeter i cili i ka pare deri ne neveri ne monizem dhe tani , ndoshta per nostalgji, rifreskon kujtesen.
    Kurse gjeneratat e reja, mendoj se i shikojne , jo vetem nga mjedisi familjar, por edhe te nxitur nga kureshtja per kohen e komunizmit dhe per te qene te perditesuar me “kuluren e batutave”. Nuk mund te jesh,le te themi, pjestar ne nje klub golfi , pa njohur terminologjine baze te kesaj loje.Perdorimi batutave te filmave ne diskursin mediatik, politik dhe te perditshem , te le jashte komunikimit, nqs nuk ke njohuri per keto filma.(psh debati Fuga-Murati ku Fuga statusin e tij kunder Sh.Muratit e titulloi ,ironikisht dhe te transformuar nga batuta e filmit: Germo o qen germo, se bishtin e Tares do gjesh !)
    Vete suksesi batutave te filmit mund te shpjegohet me tekniken e proverbave popullore, si thenie lakonike dhe sintetizim pervojash.

    1. Nuk besoj se ka ndonjë forcë në vetvete “imazhi” i filmave të Realizmit Socialist –as është kompozuar ndonjëherë për të qenë hiper-sugjestiv, dhe aq më pak mund të ndodhë kjo në TV.

      Jam dakord me ju që jetojmë në epokën e imazhit, çfarë është veçanërisht shkatërruese për kultura të alfabetizuara keq dhe ngutshëm, si e jona; dhe të pamësuara që ta depozitojnë eksperiencën në tekste të shkruara, por edhe që t’u referohen këtyre teksteve për të kuptuar veten.

      Por kjo do të vlente sidomos për përmbytjen e imazherisë kolektive nga femrat lakuriqe, fytyrat dhe kravatat e kuruara të politikanëve dhe telenovelat turke. Këto të fundit ndiqen vërtet masivisht, por nuk kanë ndikim në oralitet, sepse janë në gjuhë tjetër.

      Çfarë dua të theksoj është se një gjë është de-alfabetizimi nëpërmjet imazhit, i cili nuk ndërhyn në oralitet; dhe një gjë tjetër riqarkullimi i produkteve të tilla si filmat shqip, të cilët e amplifikojnë oralitetin.

      Ka edhe shenja të tjera të gjallërimit të oralitetit – si p.sh. bejtet që ndesh ndonjëherë në komentet e mediave online, të cilat janë në thelb forma oraliteti të ndërmjetësuara me shkrim (ose ku shkrimi përdoret vetëm si suport material); por asnjë nuk më duket se konkurron me filmin e Realizmit Socialist në funksion releje.

      Për mua, krahasimi me rolin e teatrit klasik grek në riprodhimin e shoqërisë dhe të kulturës dhe të qytetërimit të kohës është thelbësor.

  2. Ndoshta nje arsye pse filmat e dikurshem jetojne ende mes nesh si receta komunikimi eshte sepse ato rikontekstualizojne me thjesht nje raport social antagonist qe u ngjiz ne ate regjim. Ne kete kuptim duhet thene se megjithese kane kaluar 25 vite, shoqeria shqiptare deshmohet e paafte te risintetizoje ate perbashkesi qe karakterizon nje komb te qyteteruar duke zhvendosur per kompensim ne plan te brendshem narrativat nacionaliste shablloniste te po asaj kohe si gjuha dhe origjina. Keto te fundit thjesht si gjethe fiku perkundrejt fqinjve, keta armiq mediatike te shqiptarise. Edhe krahu tjeter, ai pra qe vazhdon te germoje, po ben te njejten gje, por per arsye krejt te tjera: po rremon kinemane e vet te para ’44-es per te afirmuar nje te vertete te mohuar. Por kjo ne driten kur oratore te kesaj kulture jane ata qe kane “recencat” e tyre me regjimin qe iku, nuk ben tjeter vecse legjitimon skematizmin e filmave. Nje zgjidhje ideale do te ishte denoncimi dhe distancimi, si akt moral dhe etik, nga e shkuara. Do te kishim themeluar keshtu nje tjeter kulture. Nje zgjidhje e dyte, me tokesore, eshte krijimi, novatorizmk, jo rimarrja e narrativave te vjetra. Natyrisht, cdo ndryshim cilesor i brendashkruan atributet e nje tradite dhe ecja perpara do te hapte mendjen e shumekujt per te kuptuar se “duke germuar Tarja nuk gjen qenin e ngordhur”, por ndonje fantazem qe na ngjan te gjitheve.

    1. Më bind ky argument. I vetëdijshëm se po i bie fyellit në një vrimë, do të shtoja se kulturat orale, qoftë edhe ato që kapen dëshpërimisht pas oralitetit dytësor si kjo jona, nuk arrijnë dot ta perceptojnë të shkuarën si histori, ose si diçka që edhe nuk është më, edhe është e vërtetë; me një fjalë, nuk e përftojnë as e mirëmbajnë dot një koncept solid për historiken si të ndryshme nga mungesa ose imagjinarja. Gati-gati, për këto kultura çfarë ka ndodhur para 50 vjetësh trajtohet njëlloj me çfarë thjesht nuk po ndodh aty dhe tani (HIC ET NUNC). Oraliteti e përjeton të shkuarën si mitologji – ose një realitet edhe që gjendet PËRTEJ, edhe që mbetet i pranishëm, duke u risjellë në vëmendje nga gjuha dhe narrativa gojore dhe ritualet e komplikuara; këtu unë do të futja edhe filmat “me partizanë” ose “me diversantë”; ose diarrenë e fermentuar të argumenteve me Hitler (AD HITLERUM) që na sillen nga të gjitha anët, përfshi këtu edhe atë që Hitleri i donte shqiptarët; ose argumentin tjetër, që e sjellin më seriozisht se ç’kujtojmë ne të shkruarit: “ah të ishte AI gjallë”, ose “këta duan Enverin” etj.; a thua se Enveri mund edhe ta bëjë njëfarësoj kalimin nga koha e tashme gramatikore dhe modaliteti HIC ET NUNC i ligjërimit në të tashmen reale. Shto këtu edhe që ne ende nuk kemi TEKSTE, të cilave t’u referohemi, ose që të kenë aq autoritet sa të na e organizojnë botëkuptimin kolektiv jashtë instinkteve dhe shprehive autoritare.

  3. Disa ditë më parë rastësisht ndesha dhe më pas ndoqa filmin rumun “Aferim!”, në Amazon Prime; një film i vitit 2015 nga regjisori Radu Jude që i vendos ngjarjet ne fillim te shkullit XIX, gjatë kohës së sundimit osman në Ballkan. Është një film autentik ballkanas, i bërë nga ballkanasit për ballkanasit. Për mua, një nga filmat më të mirë dhe më origjinal që kam parë këto muajt e fundit.
    Sikur kinematografia e sotme shqiptare të nxirrte filma të kalibrit të tillë, jam i sigurt që dhe publiku i sotëm në Shqipëri nuk do të ngelej më rob i filmave të propagandës së Realizmit Socialist, duke përtypur dhe ripërtypur të njëjtin çamçakëz për 25 vite me radhë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin