OBJET TROUVÉ (I)

Gazeta “TemA” botonte, para disa ditësh, një seri fotosh të prezantuar si të një dasme “nga jeta në komunizëm” por që në fakt duhet t’i përkasin viteve 1990-1991; burimet e fotove nuk përmenden, dhe me gjasë nuk i referohen të njëjtit event; disa janë të fotografit Barry Lewis (shih pjesën e dytë të këtij shkrimi), të tjera ndoshta jo; mes tyre spikat edhe një imazh me ngjyra i një reviste, që duket sikur është shoqëruar me tekst në gjermanishte. Nuk më intereson kjo lloj arkeologjie këtu, përveçse për të shpjeguar se si më doli kjo foto përpara dhe m’u imponua sakaq si gjetje e pashembullt, çfarë edhe dua ta ndaj me ju.

Nëse fotot e tjera të “dasmës” i bashkon të paktën prania rituale e nuses, te fotoja që kam sjellë unë nusja mungon; dhe dekori duket se është zhvendosur nga mjediset e mbyllura të një lokali a shtëpie te një park, ku dy çifte kërcejnë nën tingujt e një orkestre të reduktuar, në sytë e pak kureshtarëve. Kjo dasmë – nëse është fjala vërtet për një të tillë – duket e varfër, si për nga veshjet dhe paraqitja e “dasmorëve”, ashtu edhe nga përbërja e orkestrës: një fizarmonikë dhe një baterist. Valltarët janë të kapur në çifte, kushedi duke provuar hapat e një tangoje a një valsi; por këmbët u kërkojnë vetiu diçka tjetër. Në fakt edhe Lewis, nga albumi i të cilit është marrë fotoja, e ka ilustruar këtë me diciturën “A group of Albanian visitors dancing in the grounds of Mussolini’s old hunting lodge”.

Tablonë e sundojnë dy gratë e veshura në akrilik në qendër, përfshirë në një lloj kërcimi që – të paktën si rregull – kërkon çifte hetero, një burrë dhe një grua, një vajzë dhe një djalë, një kavalier dhe një damë, siç na e mësonin edhe në mbrëmjet e vallëzimit; por që këtu i përket një shkalle zero të çiftëzimit argëtues, as hetero as homo, por thjesht atij niveli ku lëvizja sipas ritmit dhe muzikës merr përparësi ndaj dallimeve dhe skrupujve gjinorë. Pozën aq emblematike të këtyre të dyjave tërthorazi e vë në pah edhe çifti majtas, më konvencional në ambiciet e veta, me gjithë ambiguitetin voulu të flokëve të burrit të zgjatur rishtas, falë lirisë së fituar pas 1990-ës; sikurse edhe vë në pah edhe koincidenca – surreale – e të gjithë personazheve të fotos të organizuar në çifte: vallëzuesit, dy orkestrantët dhe dy spektatorët a sehirxhinjtë disi më mbrapa, që nuk duken megjithatë të jenë “bashkë”, përveçse në vetë foton; por edhe secili muzikant i çiftuar me instrumentin e vet; dhe më në fund, ora e dorës me rrip të hollë lëkure e gruas në të majtë, që çiftohet edhe ajo me unazën e gruas a vajzës tjetër, në qendër; të dy, edhe rripi edhe unaza, duke ua shtrënguar grave tej mase mishrat topolake (nuk po them edematoze).

Vërejeni tani edhe burrin enigmatik në sfond, me syze të errëta, që i qëndron përballë kamerës dhe që, në fakt, i shërben si kundërpeshë fotografit; duket sikur është ai që e përfton a e mundëson foton, ose që e shndërron lëndinën anonime në “skenë”, edhe më shumë se tingujt e orkestrës dhe përqafimet e drojtura, në mos të ngathëta, të valltarëve (dansuesve). Kjo edhe ngaqë ai nuk merr pjesë në festë, por vetëm shfaqet atje si hologram, i projektuar nga një rrafsh tjetër, pikërisht për ta përjetësuar pamjen dhe për t’i dhënë shikuesit të tanishëm të fotos një pikë ankorimi – sa kohë që të dy këta, shikuesi dhe i shikuari shikues, kanë të përbashkët përjashtimin nga veprimi skenik.

Skena i përket një buzuji, gjoli a liqeni të vogël në Ishullin e Lezhës, siç më bën të dyshoj një pasqyrim i pazakontë drite në shpinë të orkestrantëve, por edhe vetë shelgu midis çifteve të valltarëve dhe siluetat ekstatike, gati në shpërbërje e sipër të pemëve të tjera aq të hajthme në sfond. E megjithatë, drita e fotos të mësyn brutalisht, në lëbyrjen e vet, artificiale, si prej shpërthimi atomik; ndoshta për faj të kontrasteve të forta, dritëhijeve përdhé, dhe bardhezisë që, më shumë edhe se efekt i kimikateve të studios, duket t’i përkasë realitetit vetë; që nga fustani i bardhë i valltares majtas dhe fustani tjetër, sërish i bardhë, i spektatores në sfond; te veshja e errët e partnerit të saj dhe syzet po aq të errëta të spektatorit tjetër; te trikoja bardhezi e njërës prej valltareve në qendër; te bluza me vija horizontale e bateristit dhe më në fund tastiera, sërish bardhezi, e fizarmonikës; të gjitha këto të ndriçuara edhe nga përpara, si të ishte fjala për ndonjë xhirim filmi – gati më bëhet se po dëgjoj zhurmën alarmante të gjeneratorëve të dritës; në një kontekst tjetër, këto efekte paradoksale të ndriçimit i kanë përdorur si provë se zbritja e njeriut në Hënë është filmuar, në fakt, në një studio sekrete të NASA-s.

Dy fjalë edhe për duon orkestrale, që tërheq vëmendjen për minimalizmin kaq cool, prej kabareje nën qiell të hapur; por edhe ngaqë i mungon elektronika, përndryshe rigorozisht e pranishme në festat frugale të Shqipërisë të sapodalë nga totalitarizmi: kushedi do të ketë qenë e vështirë ta sillje rrymën elektrike dhe altoparlantët në natyrë. Por kjo orkestër, me një fizarmonikë të vetme dhe ritmin e mbajtur nga bateria i përket në thelb një filmi jo një feste çfarëdo, meqë evokon më shumë se ç’përcjell drejtpërdrejt; dhe nuk mund të mos më ndjellë në mendje orkestrën e Titanikut, e cila vazhdon të luajë edhe kur krejt universi përreth po i shkërmoqet, teksa bëhet gati për udhëtimin e fundit. Sepse kjo e fotos është një Shqipëri që po bëhet gati edhe ajo të ikë, të dalë, të largohet nga imazheria dhe kujtesa kolektive, me gjithë pafajësinë e një vallëzimi në natyrë dhe të dy grave të kapura në tango dhe të motivit floreal madhështor, në shpinën e njërës prej tyre; një Shqipëri që tashmë i ka bërë plaçkat gati, për t’u bartur kushedi ku; sepse vetë plaçkat, të lëna pirg mbi tavolinën prej druri prapa orkestrantëve, nuk kanë gojë të flasin; ndërsa posteritetit i mbetet vetëm imazhi ose më mirë koreografia prej Kusturice, e një dasme ballkanike pa nuse.

[vijon]

5 Komente

  1. Jane duke shkuar ne nje dasme. Ndoshta ne fshat ose qytet anesor si psh Erseke. Martohet vellai i vogel. Orkestra “e marre me qera” po udheton me tri motrat, njera prej te cilave punon ne komitetin ekzekutiv (Korce? Fier? Pogradec?) ose eshte e shoqja e sekretarit te Partise te rrethit (ajo me fustan te bardhe dhe me ore me rrip te holle). Kane lene makinat ne krah te rruges e kane ndaluar per nje kafe. Eshte fillim prilli, por eshte ende ftohte. Dita eshte aq e bukur dhe me diell, sa kane lene palltot mbi tavolinen mbrapa orkestres dhe po i gezohen rrezeve dhe muzikes. Ai qe kercen me gruan eshte shoferi. Vajza qe eshte ne kembe eshte e bija e gruas qe ka qejf te kerceje me shoferin, i vetmi i ri gazmor i grupit. Orkestrantet duken me pa qejf, vec qe jane te zene. Burri me syze te zeza eshte thjesht pasagjer qe e kane marre rruges. Po cfare lloj automjeti do zinte gjithe kete grup ne vitin 1988?

  2. Sapo lexova pjesen e dyte te “Objet trouve”, ne te cilen jepet edhe nje lloj informacioni faktik me afer se vertetes se fotografit per foton me siper. Edhe me interesante eshte seria e fotove nga ku eshte shkeputur pikerisht kjo. E kalova te gjithen, dhe ka foto te pacmim per faktin se sjellin copa reale jete qe shpesh jane zhdukur krejt. Jo vec si foto ose filma, por edhe nga kujtesa. Te dhenat qe fotografi ka mundur te regjistroje jane shpesh te pasakta dhe gjithnje te mangeta. Kjo nuk u ul vleren fotove, sido qe une personalisht do doja shume me shume background info, sado i pasakte te ishte. sado subjektiv, sado i rastesishem.
    Por eshte po aq intriguese t’i marresh fotot pa asnje kontekstualizim kryer nga fotografi apo shoqeruesi i tij, dhe t’i kalosh mes njerezish te ndryshem e me pas t’u vjelesh interpretimet. Do merrnim analiza shume te ndryshme qe mund te klasifikoheshin pafundesisht ne grupime te medha apo me te imeta, ushqyer nga ajo qe ne pjesen e dyte te shkrimit diskutohet nen kategorine “studium”. Nuk e kam lexuar “camera lucida”, por nga sa shpjegon AV ne pjesen e dyte, mendoj se analizat subjektive te konsumuesve te fotos do ishin shume me te aferta me njera-tjetren ne lidhjet qe ata vendosin me “studium-in”, sesa ne percaktimin e “punctum”. Ky i fundit per mua ne fakt ekziston si “puncta”, dhe ne puncta-t ndoshta veshtire te kishim dy konsumatore te fotos qe te puqeshin.

    1. Eda, kur shkrova pjesën e parë, nuk e kisha zbuluar albumin e Lewis-it dhe as i kisha lexuar diciturat e fotove; ose më mirë kisha lexuar pseudo-diciturën që u kish vënë “TemA”, në bllok, të gjitha fotove që kish nxjerrë, duke i etiketuara si të një dasme. Megjithatë, u përpoqa të shkruaj për fotografinë më lart, sikur të mos dija asgjë, përveç informacionit që ma jepte fotografia vetë, dhe një supozimi se ishte bërë në Shqipëri dikur në fillimvitet 1990.

  3. Nuk pata dyshim per kete, Ardi: e thua qarte ne shkrimin e dyte. Por them qe, qe po te doja ta analizoja do doja informacion sh me teper se ai qe jep fotografi. Lexova gjithe sqarimet per fotot e perfshira ne sekuencen e linkut, dhe jane te varfera e te pasakta, per fat te keq. E prape, sido qe kam shume nevoje per “faktet” pas fotografise, nuk eshte analiza e fakteve reale pas fotove qe me terheq e argeton, aq sa interpretimet e fotove pa asnje lloj diciture (pra interpretimi ne shkrimin 1, te fotos). Dhe thoja se ne kete pike studium (me aq sa e kuptoj nga paragrafi yt konceptin, qe ndryshe nuk e njoh) do ndihmonte qe te kishim variacion me te vogel interpretimesh sesa per punctum. Ky i fundit me duket edhe me subjektiv. Menyra se si ti i ke perdorur dy conceptet per te strukturuar teorikisht ne dy nivele analizen e fotos, m’u duk strategji e mencur per te interpretuar perjetimin qe i ben ti fotos. Por tani, sa me shume i mendoj dy konceptet, aq me shume me shnderrohen ne njeri-tjetrin. Tani qe e di qe fotoja eshte bere ne Ishull te Lezhes, skena me eshte edhe me e paqarte, pra edhe me terheqese se me pare. Dhe sa here e shoh zbuloj nje variant te ri interpretimi te situates; madje edhe sikur ta kete inskenuar Lewis te gjithen, po aq te shumta jane variantet. Dhe punctum, me behet po ashtu i levizshem. Ndaj thoja “puncta”, me pare. Nje cike si Bolero.

  4. Nje alternative tjeter do ishte nje piknik per 8 marsin. Jo vetem se dasmat ne pranvere kane qene shume shume te rralla, ne mos te padegjuara (e pranueshme vetem kur nje shtatzani e “parakohshme” nuk lejonte pritjen). Se dyti, mungon dicka nga zallamahia e dasmes, nga perzierja e moshave dhe gjinive qe eshte tipike per dasmat. Per mua, eshte fillimi bile i nje pikniku te 8 marsit. Shefja (fustandbardha) kercen me shoferin, koleget e aferta me njera tjetren. Po e teproj akoma me teper e sugjeroj nje ambient pune ose industri qe aso kohe ishte kryesisht femerore: shkolle, fabrike tekstili, industri e lehte, dicka e ketij karakteri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin