Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

HARRESA E PATRAZUAR E SË SHKUARËS (IV)

 

4. “Me besim të verbër tek Partia”

Në këtë pjesë të katërt analizoj arsyetimet për të ndjekur partinë prej asaj pjese elitare që nuk ishin as gomerë, as sadistë dhe as delenxhinj, si dhe për disa dallime të trasha mes nën-grupeve elitare të asaj kohe. Në pjesën e tretë kam treguar se të dy, Liri dhe Todi Lubonja, kishin parë e kuptuar shumë herët që komunistët lart dhe partia vinin njerëz pa faj në shënjestër, përndiqnin, torturonin e vrisnin pa arsye edhe njerëz që ndanin me ta idealet teorike, por që e mendonin ndryshe rrugën dhe zgjidhjet, krime nisur që para konferencës së Pezës, më pas gjithnjë e më intensivisht, në fundin e viteve ’40 dhe në vitet ‘50, e pastaj prapë e prapë, para situatës tragjike që ata vetë përjetuan pas 1973-shit.

Dhe kjo diktaturë “e proletariatit” qe mbrojtur gjithnjë ideologjikisht dhe hapur nga partia si rruga e vetme për të mbajtur pushtetin që i takonte popullit, rruga e vetme drejt komunizmit. Vazhdimi i aktivizmit dhe aktivizimit në të njëjtën parti, ishte njëkohësisht bindje se rruga e saj ishte e drejtë ose mungesë dëshire apo kurajoje për t’u tërhequr prej saj kur s’i besoje. Historitë prekëse për dy njerëz qelibarë, Selaudin Toton (69) e kulturuar dhe shkencëtar premtues e të rrallë pë ne, dhe Kolë Kuqalin (të dy palët miq të afërt e të hershëm të familjes së T. Lubonjës) që pati dy bij që iu vranë që në Luftë për idealet komuniste, shtëpia e të cilit ishte nga bazat kryesore për krerët e Luftës, por që të vjetër e burgosën dhe e vdiqën në burg sepse mbrojti interesat e vendit të vet kundër Jugosllavisë (66-67), janë ndodhi që Lubonjët nuk i kanë kaluar dot pa i ndierë, se u shkonin përmes njerëzve më të afërt. Përmend në pjesën e tretë të esesë edhe dhjetëra histori të tjera të dhimbshme e të padrejta marrë nga rrëfimi i Liri Lubonjës për njerëz që i rrethonin mes viteve ‘45 e ’60 e më pas.

Por, diku tjetër e duke folur për tjetër gjë, Liria këtë periudhë e quan “kohë të arta” (149). Kam dëgjuar edhe të tjerë komunistë të vjetër t’u thonë ashtu atyre dy 10-vjeçarëve. Nuk e di nëse nisen nga ideja që familjet e tyre ishin të reja e gazmore dhe pozita e tyre në parti e në administratë ishte më e patrazuar e në ngjitje, apo sepse konsiderojnë lëvizjen komuniste ndërtuese të atyre viteve si të panjollë para asaj që do vinte. Liri Lubonja në një tjetër moment në libër thotë se “në vitet e para pas çlirimit pushteti i ri “nuk i kishte shtrënguar ende vidat”, por pastaj u kthye në diktaturën më të egër ndër vendet socialiste” (70). Vetë dikur mendoja se të gjithë “idealistët” komunistë shqiptarë ishin “prishur” pas viteve ’60, pra pasi kisha lerë unë (buzëqeshje). Jam e sigurtë që e kam nën-dëgjuar këtë nga persona gjysmë-rrebelë gjysmë-komunistë. Por faktet (dhe kësaj radhe po bazohem vetëm në ato që tregon L. Lubonja, pa pasur nevojën e qindra e mijëra historive të tjera të terrorit komunist), tregojnë tjetër botë, aspak të artë, dhe ato nuk mundesh t’i injorosh.

Lubonja nuk është natyrë që i shpëton gjë pa vënë re, dhe as që analizon njëanshëm apo pa empati hallin që i bie tjetrit, dhe këtë e them jo për Lirinë plakë, por të re. Ajo e shpjegon më qartë e pa mëdyshje ndryshimin në qenie agresore e kriminale të Nexhmijes apo Liri Gegës si njerëz që tërësisht “i tjetërsoi ai sistem”(105). Por në rastin e njerëzve si ajo vetë dhe për miqtë e tjerë komunistë të së njëjtës kategori, që “çoroditeshin dhe tronditeshin” (69) kur shihnin “mëkatet” rutinë që partia kryente ndaj të pafajshëmve, shpesh ndaj njerëzve të afërt të familjes (deri tek motra, fëmija, gruaja, burri, e prindërit janë mohuar me detyrim por edhe konformizmin e frikës, dhe vetëjustifikimin e pandershëm në komunizëm), arsyetohet se “e kishim të vështirë të ndaheshim nga besnikëria ndaj Partisë, e cila na imponohej edhe në raste të tilla me gjithë të kaluarën dhe të ardhmen që kishim lidhur me të” (69). Unë e lexoj si të sinqertë, ndonëse të palotë, rrëfimin e saj; e shoh si dëshirë për të thënë “i kishim duart të lidhura, e kishim vetëcensuruar mendjen, kishim mbuluar sytë me duar dhe zemrën me një gur” për një lloj dhënieje fjale në ditët e para, dhe ndoshta frike për të rrezikuar garancitë e së ardhmes.

Teksa flet për një tjetër figurë intelektuale që komunizmi fëlliqi, Gjergj Kokoshin, Liria shkruan: “nuk qenë pak ata që po gjykoheshin e do të dënoheshin. Respekti e ndjenjat e mira që kishim ushqyer për ta po ndesheshin me besimin e madh, të palëkundur thuajse të verbër që kishim te partia e drejtësia e saj, e cila me propagandën shurdhuese që bënte pa ndërprerë në shtyp, radio, përpunonte çdo ditë me ngulmim ndërgjegjen, trurin tonë duke i quajtur ata burra të nderuar tradhtarë të atdheut” (67). Verbëria ndaj Enverit e Partisë për plot njerëz trushpëlarë vazhdoi deri në fund, dhe disa herë vazhdon ende sot. Po Liria vetë mund të ish e verbër vetëm në vitet e para kur ishte e re dhe dinte akoma fare pak; më pas ajo ka punuar rregullisht në sektorë lidhur pikërisht me propagandën. Njëlloj arsyeton për largimin e vet gradual prej dajë Pertefit para vdekjes në 1958-n, një njeri që ajo donte dhe e vlerësonte fort: “Në ato vite ne ishim në pushtet, ende me besim tek Partia dhe socializmi që po ndërtonim, por njëkohësisht ishim edhe nën trysninë se duhet të mbanim qëndrim, distancë nga ato familje që asokohe quheshin “reaksionare”” (213) … i bie pra nga familje aspak ndryshe nga vetë familjet e Liri e Todi Lubonjës. Duke folur për ndërprerjen e detyruar të lidhjeve me njerëzit më të afërt të saj, shkruan “Ç’të keqe i sillte shoqërisë, vendit, letërkëmbimi me të afërmit, miqtë që kishim jashtë? Për mua kjo qe e rëndë, e papranueshme; ishte zanafilla e nënshtrimit ndaj të paarsyeshmes…. Iu nënshtrova disiplinës së Partisë.” (249). Pikërisht, ky është thelbi i sjelljes së elitës që u lejua të mbijetonte: qepja e gojës, mohimi i vetes, nënshtrimi ndaj së keqes së paarsyeshme. E njeh dot këtë elitë si elitë? Ka më dyshim përse socializmi (dhe jo vetëm i yni) zgjati aq sa zgjati?

Unë doja që pikërisht Liria që ka jetuar më pas jo veç përdhunimin moral e fizik që i bëri familjarisht regjimi, por edhe atë që ajo e quan “la morte civile”, të paraqiste më direkt dhe hapur frikën dhe dëshirën për vetëmbrojtje me çdo kusht, pra bashkëjetesën me ideale të shtirura, që karakterizonte edhe pjesën më inteligjente dhe liberale të elitës sonë komuniste. Si mund të besoje dhe të kishe shpresa reale në thelbin e mirë të sistemit, nëse gjithçka që shihnin e ndienin përreth ishte ashtu siç tregohet, siç thotë vetë Liria “po të të dënonte Partia, mund të konsideroheshe i vdekur” (70)? Këto nuk janë ideale që mbeten gjallë në dekada; kjo është frikë e pastër dhe përpjekje për të mbajtur pozitën dhe kryet mbi ujë.

Nuk kam pritur distancim radikal nga sistemi ynë nga shumë ish-komunistë që kam njohur; janë përgjithësisht të ngurtë e nuk duan të hapen, ndoshta pleqëria luan rol, e kanë mbyllur kapitullin me fjalinë se kanë qenë idealistë, dhe nuk pranojnë të rishohin kritikshëm veten e shkuar ose të pranojnë se e kanë bërë nga frika dhe pragmatizmi, edhe kur i paevitueshëm; se në fakt kanë qenë të gjithë pjesë e makinës së një regjimi shkatërrues e gjakatar (sa më lart, aq më i ingranuar), që pastaj nuk mund të mos shkatërronte edhe ata vetë, sepse siç e kishin kuptuar mirë, mundësia e mbrojtjes prej tij ishte thuajse zero. Por Liria nga si e njoh unë, ka qenë në thelbin e vet real shumë më e pakontrollueshme ideologjikisht nga sistemi, më analitike së paku në jetesën private për të pranuar trushpëlarjen që s’të le të shohësh se bota është e fëlliqur, më pragmatike se shumica e burrave komunistë. Ndaj prej saj, unë si brez pas saj, doja rrëfim më kurajoz dhe emancipues.

Lubonja e ndjek edhe pas 1990-ës historinë e grupit të vet të miqve si Safo e Petro Marko, Agim Mero dhe shkrimtarë e artistë socialistë më të rinj, disa që komunizmi i ngordhi, e disa që i kurseu sido që duke ua kafshuar etikën dhe dinjitetin çdo ditë e më shumë, njerëz që pastaj morën drejtime të ndryshme në “demokraci”, shumë prej të cilëve mëtonin apo mëtojnë ende se kanë ngelur besnikë të idealeve të hershme. Në 1990-ën L. Lubonja është ndër ato që së paku ka forcën që i jep liria e fjalës që të pohojë se vështirë të mbetesh njeri i mirë në politikë kur vlerat individuale të parlamentarit duhet t’i nënshtrohen urdhrave të partisë apo forcës politike diktuese (126). Kjo është ide tërësisht realiste, e aspak idealiste. Madje pavarësia ideore e atyre ditëve, ishte krim edhe të mendohej. Por ky arsyetim duhet të ishte i njëjtë edhe në vitet ’50, ’60 e ’70, qoftë edhe si i shprehur fshehurazi ose vete-me-vete.

Unë e besoj dhe e di nga njerëz që kanë punuar nën të e jo mbi të, se T. Lubonja është nga të rrallët në elitën politike dhe kulturore socialiste që guxoi të avancojë hapa realë drejt një lloj hapjeje ideologjike, që nuk kafshoi kënd për hir të ideologjisë apo nevojës për të shpëtuar lëkurën, e nuk e vrau krejt njeriun brenda vetes si shumica, që mbeti i mprehtë dhe me këmbë në tokë e humor njeriu, edhe në ditët më të këqia, që e priti me durim dhe e kërkoi me guxim ndryshimin. Që në vitet ’60 e sigurisht ’70 duket se ai me zemër e kish lënë Partinë e Punës, dhe ia kish parë shëmtinë regjimit. Në këtë unë besoj Lirinë, dhe më tingëllon natyrshëm T. Lubonja t’i thotë para 73-shit Kadaresë që kërkonte të hynte në parti si çadër që ta mbronte nga rreziqet dhe nga Partia vetë e të partishmit miltantë ndër ne: “Ç’të duhet ty hyrja në Parti?!” (157). Mendoj se Todi vetë në këtë pikë moralisht do kish dalë një mijë herë nga partia po të mundej. Po në Parti, vetë, mund të hyje, por jo të dilje!

Vetëm se, deri në atë pikë, ai, si kushdo tjetër, i shërbeu mbajtjes në këmbë të pikërisht asaj partie; e bëri edhe më të gjallë atë duke besuar, me gjithë materialin pa fund që i vinte nga gjithë krahët e i provonte të kundërtën, se partia mund të ndryshohej, të hapej të bëhej njerëzore… po të vendoste Enveri. Dhe nuk e di si do ndodhte sikur të mos qe burgosur e internuar. Ndoshta do ia dilte të punonte e luftonte me shtirje për Partinë dhe Enverin siç bëri miku i vet me të cilin ndanin kritika për ekonominë, politikën e kulturën socialiste në Shqipëri që në vitet ‘60, Sofo Lazri (274), që jo veç nuk e hëngri por u bë edhe më i paprekshëm e i domosdoshëm me vitet. Apo ndoshta ishte pikërisht pamundësia për t’u shtirur më si të tjerë miq të tij, që e hodhi në burg T. Lubonjën? Apo ai, ndryshe nga të tjerët besonte sinqerisht tek sistemi e partia, sado e pamundur të më duket mua, ndaj edhe bëri një hap që iu ndëshkua? Apo ata që e hanin dhe ata që s’e hanin ishin thjesht rastësi të një sistemi të korruptuar e tekanjoz që kish nevojë për mish njeriu që të mbijetonte?

Unë i kuptoj akrobacirat e mbijetesës që në nivele të ndryshme i bënim të gjithë; shtirjet pa cak, frikën- udhëheqëse të së përditshmes, dukjet, pjesëmarrjet, vizitat, shkrimet, duartrokitjet; por nuk mund të qesh a të jem krenare me to[1]. Dhe di se ka njerëz që ata që “mbijetuan” apo dolën pa u lagur, i konsiderojnë si kokat e zgjuara të kombit në ato dekada, njerëzit praktikë. Në fakt janë ata, konformistë të të gjitha llojeve, injorantë a të kulturuar, që s’i shkatërron dot asnjë sistem i korruptuar, janë alibia e sistemeve të këqia, janë vrasësit e çdo lloj idealizmi a idealistësh! Mund t’i kuptosh, por jo të jesh krenar për përpjekjet për të mbetur a lëvizur lart në pozitë, për të pasur së paku një jetë të qetë, shtëpi e rroga më të mira që siguronin kushte e ushqim, për të çuar fëmijët jashtë shtetit për studime e për t’u gjetur punë të mira më pas; për pozita edhe më të larta të bijve; për të pasur dreka e darka shtruar nga vartësit me mish e raki nëpër shtëpi e restorante gri nëpër rrethe apo fshatra njerëzish të hirnosur që mezi çapiteshin! Për mua kjo s’ka qenë kurrë zgjuarsi e savoir faire; ka qenë kopilllëk që më pas riprodhonte regjimin gjakatar. Por kjo ishte elita jonë socialiste; një elitë mjerane!

Image result for paradat e komunizmit foto

Lubonja i ndan njerëzit e rëndësishëm të kohës së vet në: shokët e vjetër, që në 1990 u kthyen t’i takojnë, disa dashamirë, disa të heshtur, e disa që u kërkuan të falur; dhe në grupin e “të tjerëve, sektarë dhe mediokër” (274), “militantë dogmatikë e të pakulturuar” (156), pjesë e po asaj elite, veçse e paaftë. Por pastaj po ajo i rigrupon bashkë, siç ishte edhe logjike: “mekanizmi i atij pushteti diktatorial ish ndërtuar në mënyrë të tillë: krahas të paaftëve, duheshin shfrytëzuar edhe njerëzit e zot, të kulturuar, të cilët me ndërgjegje ose jo, duhet t’i shërbenin regjimit deri në fund, ndryshe kalleshin në humnerë ata vetë, familja… të afërmit.” (274)

Grupet e ndryshme ishin vërtet aty: ata që ishin pa sy, ata që ishin vetëverbuar nga nevoja, ata që nuk e kuptonin pse u duheshin sytë kur për ta shihte partia, ata që shihnin qartë dhe bënin sikur s’shihnin, ata që sytë i kishin për të spiunuar tek Partia, dhe ata që shihnin veç që të merrnin mirë nishan kur të të ekzekutonin. Po a kish në fakt ndryshim thelbësor në mënyrën se si këto grupe iu nënshtruan komunizmit tonë? Cilët ishin më vitalë për të, ata që kishin tru e kulturë dhe që i shërbenin, apo ata që s’kishin dhe i shërbenin po njëlloj? Edhe kushedi për sa kohë ata të kulturuarit e të zgjuarit e elitës sonë ende të pafundosur, do vazhdonin t’i shërbenin (edhe pa ndërgjegje) atij regjimi, e pastaj do vdisnin e do t’ua linin stafetën bijve të vet po aq të mençur, madje tashmë të diplomuar në Perëndim e jo në Lindje, përgatitur që t’u rezistonin njëlloj si prindët e vet kohëve moderne, po ashtu duke manovruar që të mbeteshin a ngjiteshin në top të shkallares (edhe pa ndërgjegje), sikur pas Bashkimit Sovjetik të mos binin socializmat europianë njëri pas tjetrit?!

Ku do ishim ne? Ti ku do ishe në atë univers: mes torturuesve (të verbër a jo) apo të torturuarve? Nuk i dihet. Në fakt jo shumë do na dallonte; do ishte thjesht çështje sasiore. Të themi se, nëse figura si Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu kaluan nga vrastarë të kobshëm në të persekutuar ekstremë të komunizmit, gjithë ne të tjerët në ekstrapolimin tonë abstrakt hipotetik të etikave tona njerëzore, do ishim vendosur simbolikisht diku mes pikave ekstreme shënjuar nga trajektorja e tyre.

Nuk ka kurrë një ditë të mirë për të urryer, rrallë është koha e përshtatshme për të ndëshkuar, por është gjithnjë momenti për të rrëfyer, për të folur e shkruar, për t’u menduar e për t’iu afruar të vërtetave, sado munduese.

(vijon)

Pjesa I

Pjesa II

Pjesa III


[1] Pa zënë me gojë pastaj spiunllëqet e shpifjet për të dalë nga e keqja apo nga hetuesia a qelia, për të mos pasur një tjetër pjesëtar familjeje të vrarë, dënuar a internuar, apo për të kapur një karrige më lart, më të sigurt, më afër djallit.

2 Komente

  1. Bej pjese nder ata lexues qe vizitojne kete faqe, pervec te tjerash, per shkrimet e kesaj autoreje. Kjo teme ploteson nje hendek boshlleku te diskursit shoqeror te cilin heret a vone, po nuk e trajtuam ne menyre civile, do na kthehet ne makth (ne mos eshte kthyer qe tani qe shkruajme). Rrofsh, Eda!

  2. Mendoj se kujtime te shkruara ne kohen e sotme te (njefare) demokracis nuk mund te perbejne material baze dhe as te sakte analize mbi teori dhe ideollogji te ndryshme, apo qofte edhe te nje sistemi te caktuar. Sepse ato e kane bere vete me pare nje fare revizionimi te atyre ideve, ideollogjive, sistemeve te caktuar. E shumta, kujtimet e Lirise mund te jene interesante per ne “brezin e dikurshem”, se gjejme aty emra te njohur e te degjuar. Dhe reflektimet tona nuk mund te dalin jashte kuadrit te personazheve te pervecem, sado hiearkike te kene qene ata. Keshtu te mbetem tek gjykimet “njerezore”, cfar Eda eshte perpjekur ti tejkaloje ne shkrimin e saj paksa te stergjatur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin