E ARDHMJA DO TË JETË FEMËRORE

Kur kam qenë 12 vjeç, gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë atë vit, një nga librat që ime ëmë pati sjellë në shtëpi ishte edhe “Living History” ose “Historia e Jetës Sime” siç është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese Dudaj, një libër autobiografik i Hillary Rodham Clinton.

Pavarësisht që Hillary R. Clinton është një figurë politike të cilën nuk e çmoj fort dhe paçka se në këto zgjedhje të fundit në SHBA kandidati im i preferuar dhe me të cilin identifikohesha më fort ideologjikisht dhe politikisht ishte Bernie Sanders, ndikimi që Hillary si grua më pat lënë asokohe kur unë isha në hapat e parë të adoleshencës ishte i pashlyeshëm. Pas Lizës në Botën e Çudirave apo ndonjë personazhi të ngjashëm me Lizën, Hillary ishte protagonistja femër më afër me realitetin që kisha lexuar ndonjëherë në një libër.

Për aq sa mund të rikthej në kujtesë këtyre çasteve, libri fillonte me rrëfimin e Hillary-t për periudhën e vegjëlisë, atmosferën familjare dhe frymën e kohës në të cilën ajo u rrit, duke vijuar hap pas hapi me planet, interesat dhe sfidat që e shoqëronin vajzën që në 2016 do të hynte në histori si kandidatja e parë grua në krye të garës presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Si një 12 vjeçare e mbrujtur me moralin e gënjeshtërt të një shoqërie patriarkale ku roli vajzave u është rezervuar që në djep e bashkë me të edhe ëndrrat e ambiciet, të zbuluarit se s’kishte asgjë të jashtëzakonshme që unë të ndërtoja ëndrra profesionale apo akademike njëlloj me një djalë; që unë të mund të kërkoja të isha po aq aktive publikisht dhe të synoja pozicione me përgjegjësi të lartë në shoqëri po aq sa ç’mund të kërkonin edhe shokët e mi të klasës, më hapi një pafundësi dritaresh përpara ku mund të zgjidhja të bëhesha kushdo që të dëshiroja: politikane, doktoreshë, shkrimtare, futbolliste, shahiste, inxhiniere apo astronaute qoftë! Për herë të parë madje nisa të mendoj seriozisht se ç’ishte politika; se ç’do të thoshte të bëje politikë pa e kuptuar se të kërkuarit liri për të ëndërruar njëlloj me djemtë për personin tim prej të rriture një të ardhme, ishte në vetvete politike.

Megjithatë në 2004 kryeministër i vendit tim ishte një burrë i cili kishte pasuar një tjetër burrë në mandat dhe që vet një vit më vonë do t’ia linte rradhën një tjetër burri. Libri im i letërsisë në shkollë dhe librat e tjerë jashtëshkollorë që lexoja ishin po ashtu të shkruar nga burra. Personi që na rregullonte lavatriçen kur prishej ishte edhe ai burrë; shoferi që më çonte në shkollë ishte burrë. Unë jetoja në një shoqëri ku burrat bënin politikën, librat, paratë; ku burrat u jepnin makinave dhe vendosnin pak a shumë për të gjitha. Unë jetoja në një shoqëri burrash. Por vazhdoja të përkëdhelesha nga ideja që kur koha të vinte, do të shkoja në universitet dhe do të mësoja më shumë për këtë shtet që pastaj të isha unë ajo që do ta bënte politikën, njëlloj si zonja që më rrëfente jetën e saj plot aktivitete dhe ngjarje interesante. Kjo dëshirë sa ambicioze po aq edhe e çiltër e infantile, më shoqëroi gjatë, falë imazhit të një gruaje inteligjente dhe të fortë në kontinentin tjetër të cilën e pashë si model në jetë. Zbulova të tjera gra frymëzuese me kohën të cilat u shndërruan në udhërrëfyese të urta që do të më udhëhiqnin në terrenin e vështirë social që e ardhmja më rezervonte si vajzë dhe grua në Shqipëri.

Sot shenjojmë ditën e parë të 2017 dhe unë ende jetoj në një shoqëri të dominuar nga burrat. Kemi lënë pas një tjetër vit me burrat në krye të çdo qosheje me peshë dhe me një numër të frikshëm grash të vrara, të dhunuara, të poshtëruara, të shtypura; me një numër gjithashtu të frikshëm vajzash të keqedukuara të cilave u imponohet t’i binden pushtetit mashkullor, mundësisht duke kaluar nga shtëpia në shtëpi; të ulin kokën e të mos bëzajnë as përpara dhunës (sidomos përpara dhunës!). Kemi lënë pas një tjetër vit ku ushtrohet presion dhe përçmim i vazhdueshëm ndaj vajzave dhe grave vetëm pse kanë lindur femra; ku dënohen deri me vdekje nëse tentojnë të eksplorojnë dhe njohin veten e seksualitetin e tyre; lirinë dhe dëshirat; ku etalon matës për moralin kanë ruajtjen e virgjërisë dhe shtrimin e petave të byrekut.

Kjo periudhë e vitit shoqërohet kryesisht me shpresë dhe lutje për ndryshim e përmirësim por duhet theksuar se ndryshimi nuk është fat por zgjedhje andaj për ta rrokur atë duhet punuar pa u ndalur, me zgjuarsi, vullnet dhe fokus pasi nuk ka për të patur kurrfarë ndryshimi konkret në Shqipëri pa përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të grave. Prandaj për këtë vit do të kërkoja reagim sistematik nga burrat dhe gratë e ndërgjegjësuara tonat kundër diskriminit gjinor, kundër dhunës, kundër objektifikimit të vajzave dhe grave; kundër prostitucionit dhe pornografisë mediatike; kundër mentalitetit kanunor dhe traditave çnjerëzore.
Unë jam fillimisht grua pastaj qytetare e këtij vendi dhe kërkoj të drejta dhe liri të barabarta me burrat në trajtim; në arsim; në punësim; përpara ligjit dhe kudo tjetër.

Dhuna s’mund të tolerohet dhe as të justifikohet. Në mënyrë që ta përqafojmë realisht zhvillimin në të gjitha sferat – në ekonomi, në politik, në arsim, në kulturë – dhe të hedhim hapat si një trup i vetëm përpara, nuk duhet të lejojmë më që vajzat dhe gratë të privohen nga të drejtat themeltare që ato gëzojnë si qenie njerëzore dhe pjesëtare të një shoqërie demokratike. Le të punojmë pra bashkarisht për ta shtruar më në fund rrugën drejt emancipimit në mënyrë që 2017 të mos jetë një tjetër vit dështimi sepse për çdo grua të shtypur apo të vrarë, kthehemi 100 hapa pas në errësirë si dështim jo vetëm shoqëror dhe shtetëror por sidomos human.

5 Komente

    1. Ka disa probleme me logjiken e autorit. Kto probleme jane problem formimi megjitheate le te hetojme disa fakte. Shqiperia ka qene nje shoqeri matrearkale per disa dekada. Te pakten mund te themi qe me komunizimin ka pase nje egalitariazem qe ka munguar ne jeten e Hillary Clinton.
      Duket pak qesharake qe Shqiperia te kete qene e emancipuar por per hir te argumentit let te themi qe Shqiperia ka perjtu nje faminizem te parakohshem. Grate ne Shqiperi nuk kane qene te demestikuara. Perkundrazi, ata kane qene pjese aktive e shoqerise civile. Grate ne Shqiperi kane qene oficere, mjeke, saldatore, mesuese, police, matalurge, ingjiniere, antare partije, kryetare komitetesh, etjere. Si duket autori eshte kaq e shkeputur nga e shkuara saqe i mungon koherenca me faktet historike ne lidhje me feminizmin ne Shqipere.
      Sistemi diktatures ka dhene nje kontribut te pashoq ne zhvillimin e fminizmit. Kjo shihet edhe ne formimin e kendveshtrimit te autores. Nuk eshte restesi qe Shqiperija deshtoj plotesisht nga ana ekonomike. Shqiperija duhet te ishte nje sukses sipas modelit te feminizmit. E kunderta ndodh me gjithe ato shoqeri ku feminizmi dominon. Eshte e gabuar te mendosh se ne nje familje ku edhe burri edhe grauja “punojne” jashte shtepise do prodhoje nje shoqeri te qendrushme. Familja eshte baza e shoqerise dhe jo Shteti. Kur prinderit punojne athere i mbetet Shtetit to rrise femijet. Ky eshte problemi me ideologjine e Bernie Sanders dhe te Hillary Clinton.
      Eshte nje filozofi urretje ndaj figures se atit ne vencanti. Eshte fisnike te mbrosh gruan dhe besimi Krishtere eshte i vetmi qe I ben grate bashketrashigimatare te hirit te Perendise njesoj si burri. Amerika eshte nje shoqeri ky familja ka qene pergjegjese per generatat e ardhshme. Kjo pergjgjesi ka rene permbi shpatullat e eterve per udheheqje. Patjeter, qe ka plot raste ku udheheqja eshte abozuar por ligjet nuk formulohen ne baze te disa rasteve te vecanta. Fatmiresisht, Krishterimi ka qene normativ per shoqerine Amerikane por eshte duke ndrushuar shume shpejt.
      Ky ndryshim mund te pershpejtohet me c’fetarizimin e vendit. Dhe nje menyra efektive eshte te perqash familjen dhe ne vencati te shkos pas udheheqjes se familjes. Feminizmi eshte mjeti me te cilin nje gje e tille ndodh. Perdoret si nje argument per lirine e gruas dhe barazine me etert. Ne te vertet nuk eshte barazija qe kerkohet por permbytja e plote e patriarkalizmit. Le te sqaroj qe fjala patriark eshte nje fjale pozite por feminizmi kerkon te zgjoje disa ndjenja qe kane te bejne me nje rrebelim ndaj figures se eterve. T’merrohem kur lexoj qe autorja konsideron hollimin e byrekut problematik. Pse eshte e veshtire per autoren te kuptoje qe virgjiria nuk eshte per shitje ose eksplorim. Ajo ne te vertete nuk kerkon barazi por kerkon te jete ne krye dhe te beje cfare te doje pa asnje pengese morali. Kjo me shqeteson. Ndersa, shume vende jane te matura ne ecjen e tyre shoqerore femra Shqiptare kerkon te jete nje reflektim i paganizmit te pafrenuar.

  1. Fatkeqesisht (kushedi, ndoshta fatmiresisht) jo! Si pjese evoluese te Memes Natyre, mashkulli dhe femra mbeten si elektroni dhe neukloni-a! Pra, ne rruget e tyre te paracaktuara! Jo pse do mashkulli, po sejcili don te mbetet ne orbitene vet. Keshtu femra ndjehet femer kur akuzon kete shoqeri patriarkale, ndersa ne brendesi te saj keshtu don te mbetet.
    Nga sa kam pare deri me tani ne jete, kam vene re tek familje me mungesen e burrit (babait), ne me te shumtat e rasteve qe vajza/t nuk i ka/ne kushtuar ndonje vemendje arsimimit dhe karrieres se tyre, per t’mos thene qe ne disa raste ka dominuar jeta e shthurur. Ky fakt tregon se nuk duhet kerkuar i gjithe faji tek “shoqeria patriarkale”! Ndaj nuk me duket as barazi po te flasim per te njejtin numer te barabarte midis burrit dhe gruas, ne postet e larta shteterore! A thua se posti i larte shteteror tregon ndonje zotesi inteligjence dhe karakteri te njeriut!
    S.d.q., stili i shkrimit ishte terheqes! Dhe shkrime te tilla duhen! (Ja, dreqi e morri, serish del ne pah “patriarkalizmi”!)

  2. Si ndryshojne kohet. Ne 1990 Shqiperia ishte (forcerisht) 50 vjet mbrapa. Sot eshte 50 vjet demode.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: