Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

HABSBURGËT E TIRANËS

Lajmi në fillim ishte: “Do vijë Koncerti i Vjenës në Tiranë”; çfarë më pas u sqarua se ishte fjala për një koncert të Ansamblit Filharmonik të Shkëlzen Dolit, “të nesërmen e Koncertit të Vjenës”; dhe ndërkohë u shpërnda për publikun një video promocionale, ku sërish hiqeshin paralele të forta, në mos dramatike, me të famshmin Koncert të Vitit të Ri në kryeqytetin austriak.

Nuk po doja të besoj në një përsëritje të gjysmë-ngatërresës së dy vjetëve që shkoi, sërish me Shkëlzen Dolin, i cili duket se i tërheq pa dashur këto keqkuptime, për shkak të shoqërimit të tij me Orkestrën e famshme, ku luan si violinë e dytë; prandaj u ula të shoh videon dhe të dëgjoj tekstin emfatik (dhe patetik), të cilin po e riprodhoj më poshtë:

Vjena në Tiranë

Një ditë pas koncertit të Filharmonisë së Vjenës, ndjekur në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesish, violinisti Shkëlzen Doli me Ansamblin e Filharmonisë së Vjenës performojnë para publikut shqiptar me një spektakël multidimensional. Një koncert unikal, një event i jashtëzakonshëm që shtohet në kalendarin artistik të shqiptarëve për herë të parë dhe si asnjëherë tjetër. Në Pallatin e Kongreseve më 2 janar 2017 në Tiranë.

OK, pra: Shkëlzen Doli dhe grupi i tij vikan për një Koncert në Tiranë. Që e bëjnë këtë “një ditë pas koncertit të Filharmonisë së Vjenës, ndjekur në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesish,” është krejtësisht pa lidhje; në një kohë që shprehja “spektakël multidimensional” nuk kuptohet: çfarë do të ndodhë në skenë pikërisht? Më tej, eventi quhet “i jashtëzakonshëm” – po pse? Çfarë e bën të jashtëzakonshëm, ose më mirë, çfarë e dallon nga koncerte të tjera të ngjashme që mbahen në Tiranë? Sërish nuk kemi përgjigje. Por na thuhet se ky koncert i shtohet “kalendarit artistik të shqiptarëve për herë të parë”: vini re klishenë tashmë lemeritëse, “për herë të parë”, e cila e anulon sakaq traditën sado modeste që ekziston për shfaqje të tilla, pa përmendur pastaj që Doli ka dhënë shfaqje edhe më parë në Tiranë; vini re edhe referimin pak implicit ndaj “shqiptarëve”, i cili aludon për një përmasë mbarëkombëtare të kulturës – ndoshta në harmoni me konceptimin “multidimensional” të shfaqjes vetë. Madje jo vetëm “për herë të parë” por edhe “si asnjëherë tjetër”; por si asnjëherë tjetër çfarë? Nëse koncerti mbahet për herë të parë, ose është premierë, siç i kemi pasë thënë qëmoti, krahasimi me herë të tjera nuk ka kuptim; atëherë nuk na mbetet veç të mendojmë se kjo herë e parë ndryshon nga herët e tjera të para. Nuk po vazhdoj më, sepse po më merren mendtë.

Por ky tekst, i mahnitshëm në vetvete, nuk mund të shijohet i plotë veçse në bashkëlidhje me imazhet e videos, të cilën mund ta shihni te ky link:

Dhe që e kam analizuar në tabelën në vijim:

TEKSTI I LEXUAR PAMJET SHOQËRUESE
Vjena në Tiranë
Një ditë pas koncertit të Filharmonisë së Vjenës, ndjekur në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesish,
Pamje rutinë nga Vjena, me valsin e njohur An der schönen blauen Donau si kolonë zanore në sfond, e cila vazhdon deri në mbyllje
violinisti Shkëlzen Doli me Ansamblin e Filharmonisë së Vjenës Shkëlzen Doli duke luajtur me violinë
performojnë para publikut shqiptar me një spektakël multidimensional. Një koncert unikal, një event i jashtëzakonshëm Amfiteatri i Butrintit, Kruja, pamje të tjera turistike nga Shqipëria etj.

[Këtu shfaqet mbishkrimi: Shkëlzen Doli, Philharmonic Ensemble, Vienna]

që shtohet në kalendarin artistik të shqiptarëve për herë të parë dhe si asnjëherë tjetër.  Në Pallatin e Kongreseve më 2 janar 2017 në Tiranë. Pamje të përsëritura nga salla e Koncertit të Vjenës duke duartrokitur

 

 

Në video shohim Vjenën dhe Tiranën siç i kemi parë në çdo kartolinë dhe fletëpalosje prej agjencie udhëtimesh; pastaj prezantohemi me pamje ajrore stock nga Shqipëria, si ato që përcjellin videopromovimet e Ministrisë së Turizmit; dhe në fund shikuesit i jepen pamje të Großer Musikvereinssaal në Vjenë, me publikun që duartroket i ngazëllyer, mbase në momentin aq déjà vu kur është duke kërkuar një “encore.”

Nuk ka dyshim se për organizatorët dhe promovuesit e këtij eventi shoqërimi të paktën me pranëvënie me Koncertin e Vitit të Ri të Vjenës ka qenë mesazhi kryesor për t’u përcjellë – edhe pse Ansambli Filharmonik i Vjenës është një formacion i ndryshëm nga Orkestra Filharmonike e Vjenës, e cila tradicionalisht luan në Koncertin e Vitit të Ri të Vjenës; i pari është një kuartet me piano, i themeluar nga violonisti shqiptar; ndërsa e dyta është orkestër simfonike.

Për sqarim: në Tiranë vjen të luajë kuarteti i Dolit, jo Orkestra Filharmonike e Vjenës.

Videoja promocionale keqinformon; duke lënë të kuptohet sikur në Tiranë do të përsëritet Koncerti i Vjenës me gjithë Danubin e Kaltër, për të përfituar nga prestigji i këtij eventi, në botë dhe në Shqipëri; çfarë mbase do të ishte praktikisht njëlloj me sikur të thuhej se në Tiranë do të luhet finalja e Champions League, ngaqë Cristiano Ronaldo-ja ka bërë like në Facebook një videoklip të Elvana Gjatës.

Exit.al vëren se:

Njoftimi [i Ministrisë së Kulturës] është formuluar qëllimisht në mënyrë të atillë që të lë të mendosh se artistët e të famshmes të Filarmonisë së Vjenës, sa të mbarojnë koncertin në Vjenë do vrapojnë në aeroport për t’u nisur për në Tiranë.

Edhe Vincent Van Gerven Oei, në një shënim në anglisht të botuar sërish në Exit.al, e vë në dukje mes të tjerash falsitetin e nënkuptuar të kësaj videoje.

Çfarë më habit, mua personalisht këtu, është se pas gjase, muzika që do të luajë Shkëlzen Doli në 2 janar në Tiranë do të jetë më e freskët, më autentike dhe ndoshta edhe më e mirë se ajo e një dite më parë, e valseve dhe polkave të oborrit të mykur aristokratik të Vjenës Imperiale, të cilave tashmë nuk u shqitet dot aroma e mykut dhe e naftalinës.

Jo të gjithë mendojnë kështu dhe as që pretendoj t’i mbush mendjen njeriu. Por kam bindjen se shumë nga operatorët e shijes dhe të kulturës në Tiranë tërhiqen nga prestigji dhe shkëlqimi i Koncertit të Vjenës, jo nga cilësia e muzikës dhe e spektaklit; prandaj edhe këtyre do t’u duket më interesant shoqërimi I GËNJESHTËRT i koncertit të Tiranës me vëllanë e vet të sklerotizuar të Vjenës, sesa paraqitja e një koncerti si ai i Dolit, të cilin aq shumë do të kisha dashur ta ndjek live.

Prandaj shqetësim për mua nuk përbën aq karremi në promovim, sa snobizmi që duket ta ketë motivuar; ose ky tundim provincial për të thënë “edhe ne si vjenezët”, “edhe ne si gjithë Europa”, a thua se çfarë i mungon kulturës dhe qytetërimit shqiptar sot është një e kaluar perandorake si ajo e Vjenës; në një kohë që, të paktën për mua, ajo çfarë i mungon është pikërisht qasja krijuese dhe optimiste ndaj artit në përgjithësi dhe muzikës në përgjithësi, si ajo e vetë Ansamblit Filharmonik të Shkëlzen Dolit; i cili është treguar aq i zoti dhe i frymëzuar si violinist, sa të jetë pranuar në një orkestër të madhe si ajo Filharmonike e Vjenës, pa çka se autorëve të promovimit dhe kushedi edhe organizatorëve të koncertit duket sikur ua mbush mendjen më shumë eventi i 1 janarit, sesa eventi i 2 janarit; në kuptimin që për ta arsyeja kryesore për popullarizimin e të dytit janë referimet ndaj të parit.

Këtu mund të pyetet edhe nëse keq-informimi që i bëhet publikut nga kjo video ka qenë apo jo i qëllimshëm; dhe mund të pyetet jo për t’u bërë gjyqin autorëve dhe porositësve të videos (që nuk më takon mua), por thjesht për të marrë vesh nëse këta e kanë parë praktikisht të domosdoshme që të informojnë kështu, apo thjesht nuk kanë mundur të bëjnë dallimin midis një kuarteti me piano që luan muzikë dhome dhe një orkestre simfonike nga më të njohurat e botës. Vallë t’u ketë shpëtuar këtyre fakti që asnjë lidhje nuk ka midis Koncertit të Vitit të Ri të Vjenës, që “ndiqet në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesve” dhe një koncerti që mbahet të nesërmen, në Tiranë, me muzikë dhome, nga një kuartet që qëllon të jetë themeluar nga një violinë e dytë e orkestrës simfonike të Vjenës? Apo mos stili i kësaj promovideoje duhet parë në vazhdën e stilit tipik me të cilin promovohet kultura sot në Tiranë, ku edhe ngjarje kulturore cilësore reklamohen si të ishte fjala për shfaqje piroteknike të një cirku shëtitës me tigra, elefantë dhe xixa; mundësisht duke përdorur të njëjtin folës të hiperventiluar në video.

Me fjalë të tjera, kjo dëshirë kaq e pakuptueshme për të bindur – po kë xhanëm? – se në Tiranë janë duke ndodhur gjëra të papara, dramatike në madhështinë e tyre, evente të përmasave europiane, ndërplanetare, spektakle “multidimensionale”, të tilla që t’i bëjnë spektatorët të duartrokasin me po aq zell të sheqerosur, sa edhe publiku geriatrik i Koncertit të Vjenës? Edhe një herë – pse u dashka që kultura e sponsorizuar, në kryeqytet, të paraqitet edhe një herë sikur është në shërbim të krijimit dhe të riprodhimit të një elite po aq të hollë (të holluar), rentiere dhe aristokratike, sa ajo e Habsburgëve?

Kështu nga larg, mua më vjen keq kur dëgjoj për koncerte, shows, mbrëmje jazz-i dhe me muzikë dhome dhe evente të ngjashme që mbahen në Tiranë, nga artistë shqiptarë dhe të huaj që unë i admiroj dhe që do të paguaja menjëherë biletën, për t’i ndjekur live, sikur të mundja. Shkëlzen Doli dhe ansambli i tij i muzikës së dhomës është i kësaj kategorie; sepse ia kam dëgjuar muzikën dhe ia admiroj konceptin artistik dhe aftësinë për të sinkretizuar. Prandaj edhe po më duket i përdorur, nga mënyra si po ia paraqitin shfaqjen – but maybe I don’t get it.

Ja edhe lista e publikuar e sponsorëve të këtij koncerti, për ata që duan t’i shkojnë kësaj pune më thellë.

15 Komente

  1. Prej të pakten 20 vitesh, e kisha harruar ekzistencen e ketij koncerti patetik por ishte artikulli para 2 vitesh ketu në PTA qe ma rikujtoi.
    Ja na erdhi viti ri,
    Sa jam i gezuar…

  2. Tamam “folklori qesharak i elitave ” , titulli I librit tuaj vazhdon ti korrespondoje me se miri komunikimit zyrtar i cili shet nje vitrine te rreme ku akumulimi i fjaleve ne ” modë” i sherben iluzionit dhe aspak te vertetes…

  3. Kete lajm, apo edhe pak me ndryshe, une e lexova ne nje gazete para nja dy-tre ditesh tek nje gazete shqiptare ketu ne internet, dhe ashtu sic e kuptova, (ndoshta edhe nga entuziazmi), ua percolla menjehere pjestarve te tjere te shpise. “Uee, e keni degjuar koncertin e madh te Vjenes qe behet cdo vit ne 1 janar?!… Ka per te ardhur ne Tirane ne daten 2, nje dite me pas! Uee, e modhe! Orkestra me e degjuar e botes ka per te ardhur ne Tirane!…”
    Ja keshtu e kuptova une lajmin! Nese kjo nuk qenka e vertete, sic kuptohet po ta degjosh me vemendje vidio-klipin e mesiperm, i bie qe qenka vetem orkestra e ketij artistit shqiptar. Po te isha ne Shq. dhe bileta e koncertit nuk do te qe e shtrenjte, do te shkoja patjeter ne kete koncert te vogel, meqe muzika klasike me pelqen. Por persa i perket lajmit, do te nenqeshja, sic nenqeshnim dikur me lajmet zyrtare te shtetit “socialist”. Ja, mbushi mendjen Randos, qe ky vend harxhon para per ti kushtuar vemendje formes dhe jo permbajtjes, per ti kushtuar vemendje levozhges dhe jo berthames! Per te qeshur e per te qare njekohesisht!

  4. E ka futur dhe Rama në facebook: “Koncerti i Vjenës në Tiranë. Një ëndër bëhet realitet”

    https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154267123406523/?hc_ref=SEARCH

    Me këtë rast, dhe në analogji me historinë e Shefqet Peçit dhe atij studentit shqiptar (“Bravo Peçi, bravo Shqipëria”), nuk ngelet veç të them dhe unë: “Bravo Rama, bravo Tirana!”

    [Për ata që nuk e kanë të dëgjuar historinë, me gjasa e vërtetë, mes Shefqet Peçit dhe një studenti shqiptar, e ndodhur diku në vitet 1950 ose fillimet e viteve ’60, në një nga kryeqytetet Evropës Lindore, ndoshta në Prag apo në Budapest, ose në qytet tjetër të Lindjes:

    Gjatë një takimi të organizuar nga ambasada me studentët shqiptarë në atë qytet dhe me Shefqet Peçin, ky i fundit mbajti një fjalim të fryrë me propagandë për sukseset ah sa të mëdha ekonomike, shoqërore etj. të arritura në Shqipëri nën udhëheqjen e të Madhit E.H., nisur nga mësimet e M-L etj etj.

    Ky studenti, duke dëgjuar mburrjet e Shefqetit, lëshoi nja dy herë “Bravo Peçi, bravo Shqipëria!”, nga vendi ku ishte ulur, duke shkaktuar hilaritet te studentët në sallë, por jo te Shefqeti. Ky i fundit nuk e dha veten aty, para të gjithëve, por vazhdoi fjalimin dhe e mbajti inatin për më vonë.

    Shakaja pati një fund të hidhur. Një ditë më pas, studentit rebel i ndërpritet bursa, në fund të javës e kthejnë në Tiranë, në fund të muajit e degdisin në Veri.]

    1. E hodhi edhe pra disa oresh kur lajmeronte per ekspoziten me vepra te artit italian ne GKA.

      “Pas Koncertit të Vienës në Tiranë, Janari do të sjellë edhe të parën ekspozitë në Shqipëri të një koleksioni kryeveprash origjinale në pikturë”

      https://www.facebook.com/edirama.al/?fref=ts

      Diku ne komente dikush i vinte ne pah ndryshimin mes Philharmonic Orchestra dhe Philharmonic Ensemble- Vienna. Rama, ose kush merret me faqen, i pergjigjet: “nuk eshte Koncerti i Vienes, po Koncerti i Vienes ne Tirane! E kupton diferencen?”

      I still don’t get it!

  5. Banale fare si histori: Ardhjen e Dolit per nje koncert ne Tirane e ka negociuar ekipi drejtues i Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Kjo sepse ka nje perpjekje per te ringjallur Orkestren Simfonike. Pune e nderlikuar me klecka.

    Kryeministri, […] e shet sikur kjo eshte pjese e Nismes se Berlinit dhe ky vete, si lider i Ballkanit, meqe nuk mori ate qe deshi nga Komisioni Europian, po sjell pak kyltyre per pasardhesit e “taulanteve ne Myzeqe”.

    I vezullon kazani, ai lajmeve e kisha llafin, s’ke ça thua.

    Pa folur per ate qe mund ta imagjinojme: radha e pare me madamat me vello si ne rastin e Papes (hap syte njeriu e nuk beson se paska jetuar kaq prane me keta fisnike).

    Ky, d.m.th Edua, aty edhe do luaje nje pjese te veten? Dhe ja, metropoli e nisi 2017 me kemben e djathte.

    Cfare na thote kjo histori(ckez)? Na thote qe imuniteti si nocion eshte dijeni e hershme e arberoreve, te cilet e intuitizuan ate te sholla.

    Meqe ra fjala, biletat e shiten. Edua e boni golin.

  6. Mbaj mend nje interviste te shume viteve me pare te Edi Rames, ku pyetjes se cila ishte, sipas tij, e meta me e madhe e shqiptareve, iu pergjigj: – provincializmi.

    Fakti eshte se qeveri me provinciale se kjo e “çunave te Tirones” qe kemi sot nuk e ka pare historia e Shqiperise!

  7. E para pyetje qe me vjen ne mendje eshte se perse autori i shkrimit merret kaq gjate me kete koncert, cfaredo qofte ai. Ne fund fare eshte nje koncert, as ndertim pa leje, as produkt i pavlere, psh autoveture, dyshek , lavatrice etj qe do te harxhosh parate dhe do marresh mall skarco, as veper penale dhe as veper administrative.. E dyta eshte se sado reklame e fryre, qe eshte normale se reklamat te gjitha te fryra jane, njerezit ne Tirane e dine tashme qe vjen kuarteti i Dolit se nuk jane kaq te painformuar saç ju duket ju, qe ndoshta nuk jetoni ne Tirane. Dhe e treta, ata qe do te shkojne, shkojne dhe per nje qellim tjeter, te tregojne se jane snob e ndjekin muziken klasike, por edhe nje qellim tjeter te tregojne pelicet e tyre, dhe sju ha fare se sa veta do te kete orkestra….

    1. Që prej shumë vjetësh kam shkruar për komunikimin publik, të çdo lloji. Promovimi i tanishëm i këtij eventi m’u duk si shembull i mirë i një përpjekjeje për të keq-informuar publikun dhe u ula ta analizoj, për vete dhe për lexuesin.

        1. Falemnderit juve, për vëmendjen. Jeni ju, pa jemi ne. Por herë tjetër premtoj se do të marr leje paraprake tek autoritetet përkatëse.

          1. Si me leje, si pa leje, asgje nuk ka per te ndryshuar.Eppur si muove-tha.

  8. Nje spekullim keqadashes ne nje shtet urban…..filarmonia Vjenes mund ti marre shqiperise nje gjobe te majme per prishje imazhi.E rendesishme eshte qe Dolli me compani te mirepritet me sukses se e meriton si nje artist Shqiptar me sukseset e tija ne Viene

  9. Pertej shkrimit (me gjithe respektin), pertej fryrjes se reklames a eshte Filarmonia apo Ansambli i Filarmonise apo Ansanmbli i Dolit dhe pertej ironive qe behen per ta trajtuar nga disa kete koncert si nje “karagjozllek”, violinisti Skelzen Doli shkruan:

    “Të nderuar miq dhe artdashës !
    Dëshiroj të ndaj me Ju kënaqësine dhe emocionin e veçante qe kam para kesaj performance kaq te jashtezakonshme!
    Me 2 janar, ne Tiranen tone te bukur, do te mberrijne nga Vjena 36 artiste te shquar qe do te shfaqin për herë të parë në Shqiperi, në menyrë kaq autoktone, perlat e artit Austriak per t’Ju uruar, sëbashku me mua, të gjithë shqiptarëve, live nga Tirana: një vit të mbarë dhe sa më shumë harmoni!
    Juaji Shkëlzeni

    Tani, natyrisht qe kur ka nje koncert ka edhe nje program, ku paraqiten veprat qe do te luhen dhe emrat e formacionit muzikor perkates qofte piano kuartet, Ansambel ose Orkester Dhome. Deri tani kishte nje vakum per programin, ndersa tani thuhet nga vete violinisti se do te interpretohen perlat e Artit Austriak.

    Shkelzeni (qe e respektoj maksimalisht) per mendimin tim mund kishte dale me sqarimin e nevojshem edhe para se te shiteshin e shperndaheshin biletat!

    Pas gjithe ketyre aludimeve, mendimeve, zhgenjimeve per mosgjetje biletash, nuk mund te thuhej qe ne fillim se çfare formacioni do te vij dhe se çfare programi do te luhet ne koncertin e 2 janarit?Kur dikush blen nje bilete per nje koncert i çfaredolloji stili qofte,normalisht e di se çfare programi luhet ndersa ketu, organizatoret e bene pak mbrapsht punen sepse informacioni ishte “Doli me Ansamblin filarmonik te Vjenes” dhe ketu i interesuari pyet:

    Ç`fare programi luhet?Ç`fare pjesesh luhen?

    E gjitha kjo do te ishte mbyllur me nje fjale te vetme, Program!

    Shpallje programi para shitjes se biletave, ku te gjithe te interesuarit do te ishin qetesuar duke pare se kush do te luaj dhe çfare veprash do te luhen dhe shume goje te liga do te ishin te pamundura ta shtremberonin e perdridhnin sipas qejfit mungesen e informacionit!

    Respekte!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin