SHAHU I KAMPIONËVE

Disa prej nesh ende e përfytyrojnë shahun e nivelit botëror si dyluftim titanësh që shkëmbejnë mes tyre goditje vdekjeprurëse, kombinacione djallëzore dhe sakrifica brutale, jo vetëm për ta arritur fitoren, por edhe në emër të kreativitetit, estetikës dhe lojës si një formë arti të bukur.

Të tjerë, që e dinë tashmë se kohët e shahut romantik kanë perënduar, sërish shpresojnë që ndonjë prej lojërave, gjithnjë e nivelit më të lartë, të shpërthejë befasisht në një festival aktesh heroike-dramatike, si qëmoti.

Dhe me qëmoti nuk kam parasysh vetëm fillimet e shahut modern dhe figurat legjendare të Andersen-it, Morphy-t, Chigorin-it dhe të tjerëve; madje as periudhën klasike të shahut, që nxori kampionë të kalibrit të Lasker-it, Capablanca-s dhe Alekhin-it, artistë të skakierës dhe autorë lëvizjesh dhe kombinimesh të paharrueshme.

Kam parasysh vetëm atë epokë që u parapriu ditëve tona, të kompjuterëve që luajnë shah.

Ka qenë një kohë kur edhe kampionati botëror i shahut, pa çka se ndiqej nga një grusht të apasionuarish krenarë për hobby-n e tyre të çuditshme, i ngjante një skene teatri, ku dy protagonistët performonin me mendjen e tyre, duke i habitur spektatorët me sakrificat e befasishme, lëvizjet spekulative, luftën psikologjike; për të ofruar njëkohësisht provë të epërsisë së tyre supreme.

Ka qenë një kohë, por që sot pak nga pak po harrohet.

Javën që shkoi u mbyll, këtu në NYC, match-i për titullin botëror në shah, mes danezit Carlsen dhe ruso-ukrainasit Karyakin; nga dymbëdhjetë ndeshjet e rregullta të match-it, dhjetë përfunduan në barazim dhe vetëm dy dhanë “rezultat”.

Por çfarë e karakterizoi këtë match, si dhe të tjerë që i kanë paraprirë këto 10-15 vjetët e fundit, ishte fakti i mirënjohur dhe tashmë i mirëpritur, që një numër i madh lëvizjesh në fillim të lojës ishin të mësuara përmendësh prej protagonistëve.

Shahu profesionist gjithnjë bazohet në teorinë e hapjeve; ose në njohuritë që duhet të kenë lojëtarët për lëvizjet më të mira, që u sigurojnë epërsi ose baraspeshë. Disa nga hapjet, si Ruy Lopez (spanjolle), Mbrojtja Siciliane ose Gambiti i Damës tashmë njihen dhe përdoren edhe nga ata që e luajnë shahun thjesht për qejf.

Softuerët që luajnë shah e kanë përsosur teorinë e hapjeve, duke i analizuar versionet në imtësi dhe duke gjetur vazhdimet më të mira. Ai shahist që mëson përmendësh sa më shumë versione, do të ketë avantazh gjatë lojës, ndaj atij tjetrit, që preferon të luajë “me vesh.”

Për pasojë, shahistët e niveleve më të larta janë të detyruar t’i mësojnë hapjet dhe ta kalojnë një pjesë të madhe të stërvitjes duke ushtruar kujtesën; çfarë jo doemos lidhet me intuitën shahistike, frymën kombinative dhe estetikën e lojës. Natyrisht, asnjë shahist në gara zyrtare nuk ka ndonjë detyrim, madje as moral, që të luajë “bukur”, aq më tepër që loja “bukur” nuk garanton ndonjë avantazh. E megjithatë, tani që 15-25 lëvizjet e para i dikton kompjuteri, çdo lloj sensi estetik është zhdukur nga loja; sepse softueri as që e merr parasysh kriterin estetik.

Gjatë match-it të tanishëm, dëgjoje shpesh komentatorët që të vërenin se, deri te lëvizja 20-25, lojtarët thjesht kishin ndjekur teorinë; çfarë të bën të admirosh kujtesën e tyre, dhe njëkohësisht të vajtosh gjithë atë mund që shkon kot, ose për të mësuar variantet.

Nga ana tjetër, të mos e ndjekësh teorinë mund të jetë me rrezik të madh, në qoftë se kundërshtari e ka mësuar ndërkohë kundërpërgjigjen. Ndodh relativisht shpesh që një lojë, edhe në nivelin e mjeshtrave të mëdhenj, të përfundojë me fitoren e njërës palë thjesht ngaqë pala tjetër e pat harruar se çfarë duhej luajtur në një variant hapjeje të caktuar.

Dhe doemos, nuk ka asgjë interesante për publikun, të shohë si shahistët më të mëdhenj të botës rrinë dhe përsëritin, në skakierë, lëvizje që i kanë mësuar përmendësh; duke i zgjedhur mes dhjetëra mijëra varianteve që kanë depozituar në kujtesë.

Deri dje, kish vend edhe në elitën shahistike botërore për lojtarë romantikë, të shahut spekulativ dhe të sakrificës, që jo gjithnjë bënin lëvizjet më të sakta, por që arrinin megjithatë ta mahnitnin jo vetëm publikun, por edhe kundërshtarin. Për fat të keq, lojtarë të tillë sot rrezikojnë të skartohen në mënyrë preventive, ngaqë fitoret u shkojnë të tjerëve – atyre që mbajnë mend.

Falë këtij seleksioni të pashmangshëm, shahistit që krijon po ia zë kështu vendin shahisti që arrin të replikojë çfarë i ka treguar softueri.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe vetë publiku po u qaset këtyre eventeve në mënyrë tjetër. Deri dje, kur njëri prej lojtarëve mendohej gjatë midis lëvizjeve në ndonjë pozicion kritik, komentatorët dhe publiku vetë përfshiheshin në debate të zjarrta, në lidhje me lëvizjen më të saktë në një pozicion të caktuar; pa çka se jo rrallë zgjidhja që i jepte pozicionit lojtari vetë do të përshëndetej pastaj si gjeniale a si coup de théâtre.

Përkundrazi, sot të gjithë ata që e ndjekin lojën mes dy mjeshtrave të mëdhenj, mund t’i riprodhojnë lëvizjet deri edhe në telefonin celular dhe ashtu ta dinë paraprakisht se cila është lëvizja objektivisht më e fortë, për t’u bërë në pozicionin e dhënë.

Kësisoj, forca e vërtetë e lojtarit, madje edhe atij që ndeshet për titullin botëror, do të matet nga aftësia e tij për “të gjetur” lëvizjet e sugjeruara nga softueri.

Nëse ka pasur një periudhë kur shahistët më të mëdhenj dhe teoricienët e shahut debatonin mes tyre për “të vërtetën shahistike”, duke u ndarë në dy kampe, njëri prej të cilëve e gjykonte shahun si shkencë, ndërsa tjetri si art; sot kjo dilemë konsiderohet e kapërcyer. Praktikisht për çdo pozicion, softueri e përllogarit lëvizjen më të mirë, ose “të vërtetë”; dhe çdo shmangie prej kësaj lëvizjeje do të damkoset sakaq si gabim.

Gabimi ka qenë dhe mbetet pjesë e pandarë e shahut si lojë mes njerëzve; por publiku në të kaluarën shpesh nuk ishte në gjendje ta dallonte se cili lojtar gaboi dhe ku, gjatë një loje; përkundrazi, sot që pa u bërë akoma lëvizja në një pozicion kritik, të gjithë ata që e ndjekin lojën e dinë se cila nga lëvizjet e mundshme është e mirë, dhe cila është e gabuar.

Kësisoj, publiku i një eventi shahistik edhe të nivelit më të lartë nuk e shijon performancën e lojtarëve si festë të mundësive të mendjes së njeriut dhe si kombinim të artit, përllogaritjeve dhe psikologjisë; por vetëm e krahason këtë performancë me çfarë sugjeron softueri në kompjuter, në tabletë ose në telefon.

Meqë tashmë ka vite që softuerët, madje edhe ata komercialë, luajnë më mirë se kampionët dhe nuk gabojnë kurrë, disa analistë dhe komentatorë kanë shprehur dyshimin, në mos frikën, se ky efekt i padëshiruar ia ka hequr shahut elitar magjinë, në sytë e publikut.

Në fakt, e vetmja lëvizje dramatike që do të mbahet mend, nga match-i i fundit për titullin botëror – sakrifica e damës nga kampioni në fuqi, Carlsen, (të cilën e kam rrëfyer këtu) ishte përllogaritur me kohë nga të gjithë motorët shahistikë; dhe praktikisht të gjithë ata që po e ndiqnin lojën e prisnin që të ndodhte, me përjashtim të dy lojtarëve vetë.

Pastaj, se edhe sa kohë mund të vazhdohet kështu, këtë as softuerët shahistikë (akoma) nuk janë në gjendje ta llogaritin.


stockfish

Figura është pamje çasti e nxjerrë nga analiza e lojës së fundit të match-it, prej softuerit Stockfish. Te lista e lëvizjeve në krah të djathtë, softueri ka shënuar me të kuqe lëvizjet e gabuara të secilit lojtar; me të bardhë tregohet një variant i mundshëm, i cili nuk u luajt. Diagrami në mes tregon pozicionin real në lojë. Djathtas poshtë jepen tre variante të sugjeruara nga softueri, për lëvizjen e Carlsen-it në këtë pozicion; sakrificës së damës në h6 i jepet vlerësimi 1000, sepse ajo shpie në mat me dy lëvizje; çdo lëvizje tjetër këtu do të favorizonte të ziun. Në cepin lart djathtas gjeni chat-in e atyre që po e ndiqnin lojën online.

4 Komente

  1. Nje subjekt sa i vjeter aq edhe intrigues. Shahu, shkence apo art? Besoj as njera as tjetra. E shumta mund te shtrohet pyetja, shahu loje apo sport? Ne kohen tone dallimi midis lojes dhe sportit, megjithate sa vjen e behet me i ngushte, aq sa per cdo loje gjithmone organizohet nje kampionat, dhe per cdo sport gjen kalamaj qe luajne o ne lagje, o ne oborrin e shkolles. Me vjen ne mend bridge, thone LOJE letrash, ama ka nje kampionat boteror shume serioz. Futbolli, sporti me popullor ne bote, por ne shume vende te botes, kalamajte e luajne zbathur dhe shpesh me nje “top” te sajuar me lecka, letra dhe qese plastike.
    Nejse! Edhe shahu nuk ka pse ben perjashtim nga ky ambiguitet i konsoliduar prej kohesh, LOJE apo SPORT? Po kurrsesi shkence apo art.
    Kur isha i fare i vogel dhe luaja shah ne Pallatin e Pioniereve ne Tirane, me kujtohet se tentativa per ta paraqitur shahun si shkence mbeshtetej edhe me konsiderata te tilla, qe kush eshte i forte ne matematike luan shah shkelqyeshem, ose kush luan shah shkelqyeshem patjeter ka prirje per matematike. Meqe vete isha i shkelqyer ne matematike, per nje moment duke besuar cfare thuhej, mendova se per mua te dilja kampion ne shah do te ishte dicka keshtu si “buke e djathe”. Shpejt e kuptova qe kjo nuk ishte e vertete. Jo vetem qe shahun nuk e shkrija dot me matematiken, por meqenese nuk shikoja asnje logjike matematike ne sekuencen e levizjeve qe ndiqeshin, sidomos ne hapje te lojes, fillova te mendoj se shahu nuk kishte as nje lloj afersie me matematiken, pervec faktit se ne te dyja duhej perdorur logjika. Po logjika perdoret edhe ne gjuhesi, logjika perdoret edhe per te nxjerre perfundime mbi historine e nje komuniteti bazuar ne gjetje arkeologjike etj., vetem se teknikat jane krejt te ndryshme nga njera tjetra.
    Me vone kur shahun vazhdoja ta luaja si amator pa pretendime, pashe qe disa nga shoket e mij te rrethit te shahut bene kariere shahistike, dhe njeri prej tyre u shpall edhe kampion kombetar. Sa per shkolle, mezi mbaroi nje te mesme profesionale dhe buken e nxirrte duke punuar si puntor ne nje oficine te Tiranes. Sigurisht punonte 5 ore dhe trajtohej edhe si sportist, por ajo qe dua te them eshte se nuk gjeja dot tek ai njeri asgje qe te bashkonte me shahun edhe dicka qe largazi mund te dukej si shkence, aq me pak si matematike.
    Studimet e mevonshme ne matematike, me bene te qarte qe e vetmja disipline matematike qe mund t’i aplikohej shahut ishte kombinatorika. Ne kuptimin qe nepermjet saj mund te llogariteshin sakte te gjitha lojerat e mundshme, permutacione e kombinacione te levizjeve, por assesi kombinacionet fituese, ose ato me te mirat. Ketu ndesha per here te pare edhe debatin e madh “Shahu, eshte loje e vdekur, apo jo”. Sic ndodh shpesh ishin dy kampe qe luftonin egersisht.
    Argumenti mortor pak a shume thoshte. Loja luhet ne kushte perfekte simetrie, pra si i bardhi dhe i ziu e fillojne lojen me te njejtin numer pionesh e figurash, te renditura ne skakiere ne menyre simetrike pa i dhene asnje avantazh ndonje pale. I vetmi thyeres i simetrise eshte fakti qe i bardhi kryen levizjen e pare. Por meqenese i ziu ka te drejten te pergjigjet me nje levizje konsekutive, meqe jemi ne kushtet e simetrise duhet te egzistoje nje levizje qe baraspeshon levizjen e te bardhit. Duke ndjekur kete logjike levizje pas levizje simetria do te vazhdoje deri ne fund te lojes dhe ekuilibri nuk do te mund te prishet. Pra teorikisht cdo loje shahu e luajtur PA GABIM duhet te mbyllet ne barazim. Pervec kesaj, edhe fakti qe sado astronomik te jete numri i lojrave te mundshme, eshte nje numer i fundem, ne parim e ben lojen te vdekur, sepse mund te konsiderohet qe te gjitha lojerat e mundshme jane te luajtura qysh me pare dhe perfundimi i tyre dihet.
    Argumenti kunder mortor thoshte qe pikerisht ne saje te faktit qe numri i lorave te mundshme eshte astronomik, shahu nuk mund te vdese sepse ne saje te madhesise se ketij numri, ne te gjitha lojerat qe luhen praktikisht do te krijohen situata te pa hasura me pare, prej ku nevoja per kreativitet do te jete gjithnje e gjalle.
    Futja e kompjuterave ne loje, pershpejtoi fundin e iluzionit se shahu do te mbetet gjithnje kreativ. Shembulli i matcit te fundit per titull boteror e tregon me se miri kete. Shumica dermuese e ndeshjeve perfundoi ne barazim.
    Perpjekjen e pare per te shkruar nje program shahu per kompjuter e ka bere Alan Turing ne vitin 1945. Eshte interesant te vihet ne dukje fakti qe vete Turing ishte lojtar i dobet shahu, po shume i zoti per te hartuar algoritme te natyrave nga me te ndryshmet. Algoritmika e shahut ka evoluar ne menyre te shpejte dhe me rritjen e kapaciteteve te kujteses se kompjuterave, sot kemi kompjutera te afte te mundin kampionet boterore. Perseri eshte interesant te vihet ne dukje qe softwear-istet qe pergatisin keto algoritme nuk jane lojtare te shkelqyer shahu. Kjo eshte pak si puna qe te qenet kompozitor i madh nuk te ben automatikisht edhe instrumentist te madh, megjithese nuk eshte as perjashtuese.
    Per ta mbyllur, mendoj se e ardhmja e shahut eshte e percaktuar. Do te behet gjithnje e me e veshtire te percaktohen kampione nepermjet matcheve. Ndoshta ka erdhur koha te ndryshohet loja duke zmadhuar skakieren, duke shtuar numrin e figurave ne skakiere, per t’i dhene pak frymemarrje njerezore kesaj loje fundi i te ciles ne mos a erdhur akoma po vjen me shpejtesi dhe pergjegjes per kete jane KOMPJUTERAT. Mos eshte ky nje paralajmerim qe po vjen ERA E MAKINAVE?

    1. Kjo çështja e “shahut si shkencë” lidhet me diskutimet për “të vërtetën në shah” në Bashkimin Sovjetik të viteve 1940-1960, ose periudhën e mbretërisë së Botvinikut. Mund të përmblidhet kështu: disa nga mjeshtrit besonin se shahu duhet luajtur në mënyrë të tillë, që të synohet lëvizja objektivisht më e mirë në një pozicion të caktuar. Kjo lëvizje optimale do të përfaqësonte “të vërtetën” për atë pozicion. Në një kohë kur analizat me kompjuter nuk ekzistonin, e vërteta mbetej objekt debatesh, edhe pse disa pozicione ishin zgjidhur tashmë me logjikë – si p.sh. mati me dy fila ose me kalë dhe fil. Çfarë do të thotë se ishte “shkencërisht” e provuar se një lojtar me mbret, fil dhe kalë MUND ta kapte mat lojtarin tjetër vetëm me mbret brenda një numri të caktuar lëvizjesh (të themi 40), me kusht që të bënte lëvizjet objektivisht më të mira. Debati për të vërtetën shahistike u nxit edhe ngaqë, si reagim ndaj shkollës së Botvinikut, dolën një numër lojtarësh, për të cilët e vërteta shahistike nuk ngrinte peshë, meqë shahu ishte lojë dhe duhej të çonte te fitorja, jo te ndonjë “zbulim.” Një nga këta shahistë ishte Mikhail Tal-i, i cili u bë edhe kampion bote për një kohë të shkurtër. Tal-i kish një stil loje rokambolesk, ku krijonte qëllimisht pozicione shumë të ndërlikuara, në të cilat kundërshtarët e tij shpesh nuk orientoheshin dot dhe humbnin; edhe pse analizat pas lojës tregonin se kombinacionet e Tal-it shpesh nuk ishin “të shëndetshme” dhe se, po të kish luajtur kundërshtari me kujdes, mund ta kish gjetur përgjigjen dhe të kish fituar. Tal-i pra e luante shahun si të ishte një lloj pokeri, duke krijuar dramë në fushë dhe duke përfituar nga hutimi ose frika që shkaktonte te kundërshtarët. Publiku e donte shumë, sepse çdo lojë e tij premtonte të ishte shfaqje argëtuese; por një kategori shahistësh, me Botvinikun në krye, nuk mund të pajtoheshin me këtë lloj qasjeje ndaj shahut si art dhe si lojë prestigji. Në fakt, Tal-i sot nuk do të kishte asnjë shans kundër kompjuterëve, të cilët nuk emocionohen, as impresionohen. Sipas së njëjtës logjikë, e vërteta shahistike ose “shkenca” e shahut kërkon që loja të nisë në mënyrë të caktuar, me lojtarët që luftojnë të kontrollojnë qendrën e tabelës; megjithatë, ngaqë këto lloj hapjesh janë analizuar për vdekje, ka shahistë që parapëlqejnë hapje “offbeat”, ose për të cilat nuk ka shumë teori; dhe që janë objektivisht të gabuara, por që mund të sjellin ndonjë avantazh, në qoftë se kundërshtari kapet i papërgatitur. Me fjalë të tjera, shahu si shkencë sot e kësaj dite kërkon që lojtari jo vetëm të kërkojë lëvizjen objektivisht optimale në një pozicion, por edhe të PRESË që kundërshtari gjithashtu do të kërkojë lëvizjen objektivisht optimale.

  2. Per te mos e mistifikuar analizen me komputer, besoj se ju e dini qe “analiza” me kompjuter e shahut, nuk eshte gje tjeter vecse perdorimi i asaj qe quhet “brute force”, pra te provuarit e te gjitha kombinimeve te mundshme deri ne nje numer te caktuar levizjesh, gje qe percakton edhe cilesine e softwear-it. Sa me i madh numri i levizjeve qe analizohen (depth i programit) aq me cilesor eshte softwear-i. Edhe softwear-i me i sofistikuar nuk mund te perdore ndonje lloj strategjie intelektuale per te zgjedhur levizjen me te mire ne nje pozicion te caktuar. Ishte pikerisht perdorimi i nje levizje qe “mbante era njeri” nga ana e “Deep Blue” ne matchin kunder Kasparovit qe ngjalli dyshimin se kompjuteri ishte i mbeshtetur ne lojen e vet nga nje grup shahistesh te nivelit te larte, gje qe sigurisht nuk u provua ndonje here, por gjithsesi e vuri pak ne hije lavdine e makines.

    Nje softwear shahu, ka si pjese te tij te rendesishme nje database hapjesh qe ne varesi nga fuqia e kompjuterit mund te permbaje deri ne 20-25 levizje. Prandaj ne fillim te lojes kompjuteri “nuk mendon”. I pergjigjet levizjes se kundershtarit mbeshtetur ne klishete qe i ka te gatshme. Mbasi kryhet levizja e fundit qe kompjuteri e ka te gatshme ne database, atehere kompjuteri fillon e “mendohet” dmth sipas depth qe eshte programuar analizon te gjitha pozicionet perfundimtare qe mund te rezultojne nga levizja fillestare. Ne fund te analizes, ne baze kriteresh numerike qe atribuojne numer te ndryshem pikesh per figurat dhe pionet, si edhe pike vleresuese per pozicionin perfundimtar, ben zgjedhjen e e levizjes fillestare. Mbasi oponenti pergjigjet, kompjuterat e sofistikuar nuk kryejne edhe nje here nga e para te gjithe “depth-in” por marrin vetem ato degezime qe derivohen nga levizja e oponentit duke shtuar nje nivel per te kompesuar ne depth levizjen qe tashme eshte kryer.

    Gjithashtu, kompjuterat e fuqishem, jane te pajisur edhe me nje database perfundimtare. Nisja behet nga pozicionet qe hasen me shpesh prane finaleve. Procesi ne kete rast zhvillohet njelloj si ne hapje te lojes dhe padyshim edhe kompjuteri reagon me shpejt nqs levizjen e ka ne database. Nqs ndodh qe oponenti ben ndonje levizje qe nuk ndodhet ne databasen e finaleve, atehere kompjuteri kalon perseri ne depth mode.

    Perdorimi i kompjuterave ne shah ka vertetuar perfundimisht faktin qe shahu, ne parim, eshte loje e vdekur, njelloj si “tic-tac-toe”. Kjo nuk do te thote qe lojtaret amatore te shahut te mos marrin kenaqesine qe te jep loja e luajtur pa kompjuter. Nderkaq profesionistet gjithmone e me shume do te perpiqen te nxjerrin qofte edhe avantazhet minimale nga perdorimi i teknologjise si ne stervitje, ashtu edhe gjate lojes nëse iu krijohet mundesia deri sa te behet krejtesisht e pamundur per nje profesionist te munde nje profesionist tjeter.

    1. Shahu mund të jetë “zgjidhur” (solved) të paktën në parim, por kjo ka po aq vlerë sa të thuash se piktura realiste u “zgjidh” nga teknologjia fotografike.

      Në fakt, kompjuterët që sot arrijnë të fitojnë ndaj edhe mjeshtrave më të mirë të shahut, por një lojë shahu midis kompjuterëve nuk do t’i interesonte shumë askujt, përveç specialistëve dhe ndonjë kuriozi të rastit.

      Kjo besoj se ndodh për arsye të ndryshme.

      E para, ngaqë kompjuterit që luan shah i mungon “intencionaliteti”, ose dëshira për të fituar.

      E dyta – paradoksalisht në krahasim me të parën – është se kompjuteri synon vetëm të përmirësojë pozicionin dhe të arrijë (teorikisht) matin; ose e luan shahun si të ishte një lloj problemi për zgjidhje.

      Përkundrazi, njerëzit e luajnë shahun edhe për qejf; dhe qejfi nuk ka të bëjë thjesht me fitoren; por edhe me atë që shahu është lojë e bukur. Pra ka një element të fortë estetik në lojë, i cili për kompjuterin nuk luan asnjë rol. Ndoshta edhe prandaj lojërat e kompjuterëve janë “të thata.”

      Se çfarë e sjell këtë element estetik, kjo nuk është e lehtë për t’u përkufizuar, edhe pse çdokush që luan shah në një farë niveli arrin ta njohë dhe ta shijojë.

      Përtej intencionalitetit, e bukura në shah ndoshta lidhet me zhbalancimin e pozicionit, gjë që kompjuteri nuk e bën, në qoftë se nuk përfiton drejtpërdrejt diçka.

      E treta, kompjuteri nuk bën gabime; në një kohë që gabimet janë një nga aspektet themelore të mënyrës si e luajnë shahun njerëzit. Mes shahistëve qarkullon kjo thënie: “fiton ai që gabon i parafundit.”

      Ka ndoshta një lidhje mes gabimit dhe së bukurës në shah; sepse gabimi është si ajo papastërtia, rreth së cilës krijohet perla.

      Natyrisht, mund ta programosh një softuer shahu që të bëjë herë pas here gabime të vogla, në mënyrë që loja e tij t’i ngjajë asaj njerëzores. E megjithatë, nga kjo do të përfitonte veç kundërshtari.

      E katërta, shahu është lojë për t’u luajtur por edhe lojë për t’u parë. Ka miliona vetë sot në botë që ndjekin – online – turnetë e shahut të nivelit më të lartë; dhe këtë e bëjnë sepse u pëlqen se SI luhet atje, jo sepse duan të shohin se kush fiton dhe kush humbet.

      Zakonisht janë shahistët që luajnë në mënyrën më “njerëzore” që ndiqen me entuziazëm nga publiku; jo ata që bëjnë lëvizje “kompjuteri.”

      Unë vetë kam pasë luajtur shumë shah dhe kam qenë (besoj se njëfarësoj jam akoma) lojtar relativisht i mirë; por tani koha më e madhe që i kushtoj shahut më ikën duke parë lojërat e turneve, jo duke luajtur vetë.

      Më pëlqen të shoh lëvizje të bukura, kombinacione, struktura dhe pozicione harmonike, gabime dhe kundërgabime; ose ta përjetoj lojën e shahut si një lloj baleti. Antagonizmi në vetvete nuk më intereson fare, përveçse si luftë psikologjike që gjen pasqyrim edhe në stilin e të luajturit.

      Kur krijohet në tabelë një pozicion i tensionuar, dua të shoh SI do ta zgjidhë lojtari, jo NËSE do të fitojë apo jo. Lojërat e disa mjeshtërve kryesorë, si Giri ose Leko (që njihen për barazimet e shumta) nuk i ndjek kurrë.

      Me fjalë të tjera, mua më intereson shahu para së gjithash si art. Kur luaj vetë, nuk e marr në vështrim një lëvizje të caktuar, po të jetë se ma “shëmton” pozicionin. E vërteta shahistike dhe pozicionet e zgjidhura dhe teoritë e hapjeve nuk janë për mua.

      I them këto sepse besoj se kështu mendon edhe një pjesë e madhe e publikut të shahut sot. Dhe pikërisht, se prapa çdo lëvizjeje qëndron një mendje, me shkëlqimet, virtytet dhe dobësitë e veta; një mendje që, edhe kur nuk gabon, është gjithnjë e gabueshme.

      Pikërisht për të stimuluar aspektin njerëzor të shahut, është propozuar që pozicioni fillestar në tabelë të ndryshohet me çfarë njihet si Fischer Random ose Chess960; çfarë do të bënte që të kalohej nga NJË pozicion fillestar (ai standardi) në 960 të tilla. Kjo do ta zhvlerësonte menjëherë gjithë metafizikën e teorive të hapjeve dhe torturën që provojnë mjeshtrit e mëdhenj, për t’i mësuar variantet përmendësh.

      Për ilustrim, ja një nga pozicionet fillestare të lejuara nga Fischer Random. Të dyja palët mund të bëjnë edhe rokadën e madhe, edhe të voglën dhe kanë fila të katrorëve të ndryshëm. Kompjuterët janë krejt të papërgatitur për pozicione të tilla dhe numri i madh i gurëve në fushë ua ndërlikon edhe më shumë punën.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: