“Pasi u transferova në studion e rrugës Margutta…”, kështu e fillon romanin e tij “Mërzia” (La noia) shkrimtari i njohur italian Alberto Moravia. Kjo rrugë shfaqet shpesh në letërsi, këngë e kinematografi. Lidhja e via Margutta me artin është e hershme dhe vokacioni artistik i saj konfirmohet periodikisht.
Në këtë rrugë nuk kanë banuar vetëm Federico Fellini, Giulietta Masina, Anna Magnani e Giorgio De Chirico. Aty kanë kaluar me qindra artistë e protagonistë të artit nga e gjithë bota: muzikantë, piktorë, skulptorë, aktorë, regjisorë, shkrimtarë… Sipas dëshmive të ndryshme atje kanë shkelur Rubens, Pikaso, Guttuso, Wagner, Liszt, Puccini, Mascagni, Zola, D’Annunzio, Sartre, Morante, e shumë shumë të tjerë.
Fellini e ka përshkruar rrugën Margutta në këtë mënyrë: “Shkallë, shkallëza, korridore që hapeshin midis kopshteve, pastaj prapë shkallë e shkallëza, një peizazh vertikal i zhytur në gjelbërim, deri poshtë rrugës me pemë të Trinità dei Monti”.
Shumë filma janë realizuar në këtë rrugë e në ndërtesat e saj. Por më i famshmi mbetet “Vacanze romane” (Pushimet romane) me aktorët Audrey Hepburn e Gregory Peck. Megjithatë pjesë të saj kanë dalë edhe në filma të tjerë.
Në këtë rrugë, në ndërtesat në anë, ka plot studio dhe ekspozita arti. Por edhe ajo vetë shndërrohet gjatë vitit në një galeri në qiell të hapur, falë Shoqatës së njohur “100 pittori a Via Margutta” (Njëqind piktorë në Via Margutta). Kjo shoqatë është themeluar më 1953, me nismën e disa piktorëve që në periudhën e pasluftës vendosën ta gjallërojnë më një sërë aktivitetesh artistike, duke ia respektuar vokacionin tradicional. Objektivi i saj është përhapja e kulturës dhe sensibilizimi i opinionit publik me veprat e artistëve të njohur e më pak të njohur.
Në ditët e caktuara, piktorët e mbushin të gjithë rrugën me veprat e tyre dhe rrugëtimi nuk është gjë tjetër veçse një ekspozitë pa mure, e rrethuar nga gjelbërimi dhe ndërtesat e vjetra.
Një nga aspektet që më pëlqejnë nga kjo nismë periodike kulturore është respektimi dhe ripërtëritja e traditës dhe e shpirtit të qytetit, për sa kohë Roma është vetë një muze në qiell të hapur.
Atje gjen piktura, akuarele, vizatime e punime të tjera arti. Nga piktorë vendas e të huaj. Por pjesa më e këndshme është ndërveprimi që mund të kesh me artistët, të cilët janë në dispozicion të artdashësve, shpeshherë të ulur në karriget afër stendave. Herë i gjen në këmbë duke biseduar me kalimtarë të interesuar dhe më rrallë duke pikturuar veprat e veta nën shikimet kureshtare të vizitorëve.
Publiku mund edhe t’i blejë veprat nëse dëshiron. Kështu, në mënyrë krejt të çuditshme, mund të qëllojë të dëgjosh bashkëbisedim të thelluar estetik për veprën e artit, midis autorit dhe spektatorit, dhe disa minuta më vonë të asistosh në një negociatë për çmimin e veprës[1].
E pra, me një bujari të jashtëzakonshme, Via Margutta sikur tërhiqet sërish nga skena, për t’ua dhuruar hapësirën e saj artit, ose dialogut për artin. Është ajo që u jep stendave të ndryshme magjinë e grumbulluar në shekuj.
Siç e thashë më sipër, rruga ka përfunduar shpesh në kinematografi. Por vetëm në një rast, rruga e njohur i ka dhënë titullin një filmi, që fillon e mbaron me skenat e ekspozitës në rrugë (Fiera d’arte Via Margutta, quhej atëherë). Në mes, travajet shpirtërore, sentimentale dhe ekonomike të artistëve italianë e të huaj që banonin aty[2].
Filmi përfundon me ëndrrën e një artisti të ri të sapoardhur nga provinca: “Është kaq e vështirë për një që nuk është i ambientit. Gati gati nuk shpresoja më. Vij nga një qytet shumë i vogël. Nuk ke me kë të flasësh për art, asnjë s’të kupton. E tani, ja ku jam, në Romë. Po, në Romë. Rruga Margutta. Ju ndoshta nuk i vlerësoni më këto gjëra se jeni mësuar. Për mua është sikur të kisha mbërritur, ku ta di, në parajsë. Po, pikërisht në parajsë”.
[1] Fotografitë janë bërë nga autori i shkrimit gjatë ekspozitës së zhvilluar në fund të tetorit 2016. Një mikeshë nga Roma, kur i tregova për ekspozitën, më tha se do të shkonte të blinte ndonjë pikturë, siç bënte herë pas here.
[2] Filmin “Via Margutta” (1960) të Mario Camerini mund ta shihni këtu.
[vijon]