Në një diskutim për hallet e studentëve që vijnë nga provinca për të studiuar në Tiranë, një koleg vërejti se disa prej vajzave – edhe pse askush nuk di të thotë ç’përqindje pikërisht – mbijetojnë duke punuar si prostituta, si escorts, si call girls, si shoqëruese personale, mantenuta a në profesione të ngjashme që lidhen me shërbime pak a shumë seksuale. Këtu ndërhyra, për të pyetur se nëse disa vajza studente e zgjidhin problemin e të ardhurave kështu, atëherë si ia bëjnë djemtë? Përgjigjja që më dhanë më befasoi – më thanë se shumë djemve studentë shkollën dhe qëndrimin në Tiranë ua paguajnë prindërit, çfarë me vajzat ndodh mjaft më rrallë. Arsyeja në fakt do të qëndronte, në kontekstin e mendësisë tradicionale të atij shqiptari që kujdeset para së gjithash për të ardhmen e djalit, ndërsa vajzën mendon veç ta martojë sa më mirë dhe mundësisht sa më shpejt; çfarë mund të bëjë edhe që vajzat të zgjedhin të vijnë për të studiuar në Tiranë ose gjetiu në qytete të mëdha edhe në kundërshtim me dëshirën e prindërve ose duke u rebeluar kundër familjes dhe së ardhmes të projektuar për to. Nga e gjithë kjo dinamikë e trishtuar, nuk më shpëtoi edhe paradoksi i patriarkalizmit që bëhet shkas, dashur pa dashur, për lulëzimin e prostitucionit; ndryshe nga ç’mund të duket në sipërfaqe, ku prostitucioni zakonisht i faturohet liberalizmit.
2 Komente
Komentet janë mbyllur.
Megjithate, ska asnje fakt ne kete shkrim. Dhe te perpiqesh te argumentosh dicka pa u bazuar ne fakte (pavaresisht qellimit te mire) nuk ben gje tjeter vecse shton stereotipet
Shkrimi është i kategorisë “opinion”, sikurse e tregon natyra e tij, por edhe vendi ku e kam vendosur në faqe: është shkrim që shtjellon një “hunch”, një “po sikur”, një deduksion; jo analizë, as artikull investigativ. Këto lloj shkrimesh njihen dhe praktikohen gjerësisht. Kanë vendin e tyre në gazetari, krahas artikujve me fakte precize; sidomos ngaqë i nxitin lexuesit të mendojnë dhe të replikojnë. Unë e kam të pamundur të sjell fakte dhe shifra në lidhje me industrinë e seksit në Tiranë; por edhe të dhëna statistikore për mënyrën si i financojnë familjet studentët e tyre. Në qoftë se ju i keni këto fakte dhe shifra, do t’ju lutesha që t’i sillnit këtu, ose të paktën të më tregonit se ku mund t’i gjej. Por kam frikë se këto nuk i ka kush, sepse nuk ekzistojnë. Nga ana tjetër, besoj se është fakt i pranuar nga të gjithë që në Tiranë prostitucioni lulëzon, sikurse dihet se në familjet patriarkale djali dhe vajza trajtohen në mënyrë të diferencuar; dhe opinioni im i mësipërm merr spunto nga këto dy fakte pak a shumë banale, për të ndërtuar një hipotezë të cilën e parashtroj pastaj për diskutim. Këto lloj hipotezash, të mbështetura mbi informacion të magët, në anglishte quhen “conjectures”, që në shqipe mund të përkthehej edhe “hamendje”; dhe më duket legjitime që një opinion, i cili nuk pretendon të jetë veçse opinion, të shtjellojë i tëri një “hamendje”; kjo është mënyrë e sprovuar për t’iu afruar së vërtetës, sidomos kur nuk disponohen të dhënat e nevojshme.