TIRANA QË ISHTE

Susan Sontag shkruan: “Të gjitha fotografitë janë memento mori. Të bësh një fotografi do të thotë të bëhesh pjesë e asaj çka është vdekatare tek një person (ose tek një send); tek ajo çka është e brishtë, e ndryshueshme”.[1] Ky fragment më erdhi në mend, ndërsa vizitoja një ekspozitë me fotografi për 72 vjetorin e çlirimit të Tiranës.

Titulli i ekspozitës ishte: “Rrugë, ndërtesa, njerëz, gjatë dhe pas çlirimit – Tiranë, nëntor 1944”. Fotografitë vinin nga Arkivi Qendror Shtetëror dhe përfshinin kryesisht imazhe anonime por edhe autoriale nga ajo që mund të konsiderohet si qendra historike e Tiranës. Kjo ekspozitë vinte me një qasje tjetër, krahasuar me formatet  përlavduese që na serviren zakonisht në Shqipëri për të celebruar ngjarje të rëndësishme nga lufta e dytë botërore.

Kuratorët Sokol Çunga, Larisa Neziri dhe Altin Kokoli kishin dashur me sa duket t’i largoheshin formatit impozant, duke evokuar sensin human brenda atyre ngjarjeve. E kam fjalën për atë që lidhet me të zakonshmen, të përditshmen, të rastësishmen, sado që me kalimin e kohës, në ditë si këto gjërat priren të mos perceptohen si të tilla. Shfaqen kështu protagonistë dhe spektatorë të ngjarjeve; njerëz të njohur e të panjohur; tabela rrugësh; ndërtesa të shkatërruara ose të shpëtuara mrekullisht; rrugë,  sheshe, detaje që me atë “ngrirjen” organike të tyre të bëjnë t’i lexosh nga tjetër kënd ato ngjarje dhe ata njerëz.  (Foto 0, 1, 2, 3, 4)

Sheh barrikadat udhëve të Tiranës. Tek njëra, disa fëmijë punojnë, ndërsa burra me qeleshe dhe kostum bëjnë sehir, ose, më interesante akoma, ngulin vështrimet te aparati fotografik. Thua asgjë nuk po ndodh rreth e rrotull (Foto 6). Shohim klinikën e djegur të dr. Markarianit, te rruga e Elbasanit (Foto 7), xhaminë e Sulejman Pashë Bargjinit; rrënojat e pazarit të vjetër te sheshi Skënderbej, shkatërruar tërësisht. Diku, Dhora Leka pozon buzagaz bashkë me një shoqen e vet. Në dorë, ajo mban një kamera fotografike që kushedi se çfarë imazhesh ka fiksuar. (Foto 7_1)Nuk mungon as një pozë puthjeje, e shkëmbyer mes dy partizanëve (një provokim vallë kundrejt fotos së famshme V-J Day nga Alfred Eisenstaedt? –  (Foto 8).

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Një nga imazhet më mbresëlënëse të kësaj ekspozite është ajo e rrugës “28 nëntori”. Autori Filip Vito, i pagëzuar edhe si Marubi i jugut, fikson një pamje ngjethëse, të një vendi që për më tepër nuk ekziston më. (Foto 9) Ky fakt e bën edhe më prekëse vetminë e kësaj rruge, trajektoria gjarpëruese e së cilës kufizohet trishtueshëm nga ndërtesa të vogla dhe të braktisura gjithashtu.

Dhe ndërsa shikimi lëviz nga një foto te tjetra, nuk mund të mos të bjerë në sy ajo formë unike arkitektonike që gjendet në shumicën e imazheve. (Foto 9, 11). Kulla e Sahatit i ka shpëtuar shkatërrimit të luftimeve dhe me karizmën e vet të vetvetishme, kthehet në një protagoniste të kudokendur, një kumt për syrin gati voyeurist të fotografit. Kulla, për vetë funksionin primar të saj, na sjell sërish tek elementi ‘kohë’ dhe shpërbërjet e pamëshirshme që shkakton.  E merr si një lloj busulle orientuese për vendet dhe ndërtesat e qytetit që tani nuk i gjen më. E ndërkohë, fotografët e atyre imazheve nuk e dine sa instituese dhe intriguese njëherësh do jetë prezenca e kësaj forme arkitektonike në vitet më pas. Nëpërmjet kullës së sahatit –  në vetvete “monumenti më i mistershëm, por edhe më përfaqësimtar i Tiranës”[2] –  Ardian Vehbiu rrëfen historinë e trishtë të zhdukjes së qendrës historike dhe zbrazëtinë shpirtërore të jetës urbane në vitet totalitare.

Dhe pikërisht këtë kullë më kap syri sapo dal nga ekspozita dhe kundroj sheshin e Tiranës.  Vazhdon të jetë aty, si emblemë e teatrit absurd që luhet thuajse pambarimisht në qendrën e Tiranës,  ndërkohë që imazhet e ngrira të nëntorit të 1944-s, më ripohojnë memento mori-n. Vetëm se kësaj here,  ai shkon përtej fotografisë.

Tiranë, nëntor 2016


[1] Susan Sontag, On photography, 1977, 15.

[2] Ardian Vehbiu, Kulla e Sahatit, 2003, fq. 5.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: