Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

EKZISTENCIALIZËM XHEPI

Dy romane të shkurtra që lexova këto ditët e fundit: Immobility nga Brian Evenson dhe Revulsion nga Horacio Castellanos Moya. I lexova pa e ditur nëse i përkisnin të dy ndonjë kategorie, pa menduar se leximi i të dytit do të ndikohej nga leximi i të parit ose, anasjelltas, nëse leximi i të dytit do të ma ndryshonte leximin e të parit; e megjithatë, isha unë lexuesi që i vura pranë e pranë dhe i detyrova të shkëmbenin informacion mes tyre. Aq sa tani po më duken si dy versione të së njëjtës narrativë, pa çka se janë krejt të ndryshme mes tyre.

immobilityBrian Evenson është një nga shkrimtarët më të mirë të asaj çfarë po e quajnë “weird fiction” – diçka midis letërsisë horror dhe letërsisë fantashkencore, por me elemente të forta spekulative. Për nga zhanri, Immobility i përket letërsisë post-apokaliptike, e cila shtjellohet në një botë post-historike, pasojë e një katastrofe totale; ku qytetërimi ekziston si gërmadhë, si kujtesë dhe si pamundësi. Personazhi kryesor e ka humbur pjesërisht kujtesën dhe kërkon ta rindërtojë identitetin teksa përmbush një mision që ka të bëjë me mbijetesën e njeriut në mes të rrënojave, duke udhëtuar mes për mes një peizazhi të keq, armiqësor, ku vend për njeriun nuk ka më.

Romani tjetër, i shkrimtarit latino-amerikan Horacio Castellanos Moya, në dukje i përket një lloji letërsie krejt tjetër – kush ka lexuar Thomas Bernhard, ose edhe ndonjë nga romanet e Idlir Azizit (“Terxhuman” dhe akoma më shumë, “Gazetarja e kulturës…”, do të më kuptojë, pse është i tëri i ndërtuar si monolog i një të emigruari që kthehet për të varrosur të jëmën në atdhe (San Salvador) dhe neveritet me gjithçka që i ofron e përditshmja. Në fakt, Moya e ka titulluar romanin Revulsion: Thomas Bernhard in San Salvador, për të mos lënë asnjë dyshim në lidhje me birësinë letrare. Edgardo Vega, që është edhe protagonisti i romanit, përshkruan hap pas hapi torturën e tij, përballë realitetit provincial, meskin, filistin, vulgar që gjen në atdhé, pas shumë vjetësh që ka jetuar në emigrim në Kanada.

revulsionÇuditërisht, dhe post factum, të dy romanet m’u dukën me temë të ngjashme: atë të njeriut që kërkon të mbrojë identitetin e vet përballë një realiteti armiqësor. Tek Evenson-i, katastrofa që ka ndodhur është materiale, ndërsa te Moya vetëm ekzistenciale; por nga vetmia si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, nuk mund të dilet më. Kaq e shpëlarë, e ndotur dhe vdekjeprurëse është bota e rrënuar, post-apokaliptike në Immobility, sa lexuesi e kap veten duke pyetur, së bashku me personazhin kryesor të romanit, nëse ia vlen që njerëzimi të mbijetojë në këto rrethana; por jo më pak i shpëlarë, (moralisht) i ndotur dhe vdekjeprurës është edhe San Salvadori siç i duket Edgardo Vega-s: pa shpresë shelbimi.

Duke përkujtuar ndjesitë e mia pas udhëtimeve të shumta në Shqipëri, nga një lexim në tjetrin, nga një faqe në tjetrën, nuk munda të mos i krahasoj këto dy botë me çfarë i del përpara vizitorit, pasi shkel në Rinas: nga njëra anë peizazhi post-apokaliptik i Shqipërisë, me natyrë të rrënuar dhe një xhungël ndërtimesh toksike; nga ana tjetër, mjedisi post-apokaliptik i një qytetërimi krejt periferik, ku i vetmi “virtyt” që të siguron mbijetesën është aftësia për të lënë pas çdo lloj virtyti dhe skrupulli. Edhe pse monologuesi i Moya-s është ai vetë rrënojë e neurozave të ikanakut dhe të një mbindjeshmërie aq karakteristike për shqisat e tendosura të presë së përjetshme; edhe pse protagonisti endacak i Evenson-it që e sjell në vështrim peizazhin post-apokaliptik duke e përshkuar nuk është, tek e fundit, 100% njeri – siç e marrim vesh hap pas hapi; sërish ia vlen të kujtohet se autorin e Revulsion deri edhe e kërcënuan me vdekje, për mënyrën si e kish përshkuar atdheun.

Të dy romanet janë të shkurtra, por do të mbeten me ju për një kohë të gjatë – të gjithë ata që janë mahnitur dikur me “Të huajin” e Camus-së do të rigjejnë atje po atë dilemë ekzistenciale, por tashmë ose të transplantuar në një univers tjetër, ose të sjellë aq afër të përditshmes, sa të rrezikohet ngjitja, kontagjioni, infektimi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin