Nobeli letrar Bob Dylanit? Pas një reagimi instinktiv negativ, sapo e mora vesh lajmin sot në mëngjes – ose në një orë të ditës kur edhe po të ma kishin dhënë mua njëlloj do të kisha reaguar – pra, pas një refuzimi të çastit, me kohë mendova se kështu i njihet arti i fjalës një kategorie artistësh të mrekullueshëm, kantautorëve, që prej gjysmë shekulli prekin me fjalët e tyre telat e milionave si unë anembanë botës. Edhe pse mua vetë Dylan nuk më ka pëlqyer kurrë muzikalisht, ose këngët e tij më janë dukur monotone dhe pak kreative, pa folur për zërin e tij prej këndezi me laringit, sërish jam në gjendje t’ia vlerësoj forcën e madhe të teksteve dhe ri-interpretimin prej tij të traditës së bardit. Jam rritur me të tjerë kantautorë, dhe nuk ka moment të jetës sime që të mos e shoqëroj a përcjell me një varg nga De Gregori, Paolo Conte, Lucio Dalla, Pino Daniele, De André dhe Baglioni; gjithnjë tekstet e tyre më janë dukur mirëfilli poetike, madje rrallë më ka qëlluar që poezi moderne të kenë pasur tek unë po atë efekt visceral si lirikat dhe baladat e kantautorëve italianë të viteve 1970-1980. Prandaj po ndihem njëfarësoj i shpaguar, tani që çmimi i madh iu dha Dylan-it, pa çka se – meqë shkuam deri te Dylan-i – unë do t’ia kisha dhënë Joni Mitchell-it, por zëre se e ka marrë edhe kjo, së bashku me të tjerë kantautorë të mëdhenj amerikanë, të cilët publiku i tyre i ka shijuar me po aq intensitet sa ç’kam shijuar unë italianët e rinisë sime. Nëse me letërsi kemi parasysh artin e fjalës dhe jo doemos librin, më duket krejt i merituar ky gjest i komitetit të Nobelit. Dhe njëkohësisht, nuk duhet shpërfillur një mesazh tjetër që vjen prej tij; dhe që u drejtohet atyre poetëve që duan madje këmbëngulin ta përfytyrojnë veten si elitarë, të pakuptuar dhe hermetikisht të padëmshëm: poezia ka ende fuqi të pashtershme për t’u shkëputur nga faqja e shkruar dhe për të hyrë në zemrat dhe mendjet e publikut nëpërmjet veshëve; ose si art i oralitetit, që është përmasë alternative ndaj shkronjës, por jo doemos inferiore.
7 Komente
Komentet janë mbyllur.
Ndersa mua po pe bën pershtypje qe tek lista e kantautoreve të tu italiane nuk figuron ai qe communément considerohet si me i miri : Lucio Battisti!
Battisti nuk i shkruante vetë tekstet e këngëve (të paktën në periudhën e tij të artë).
E vertete! Mea culpa
Problemi eshte qe deri me sot me cmimet per kenget dhe kantautoret eshte marre industria diskografike. Nobel dhenesit sapo iu futen ne nje fushe te minuar, nderkohe qe nga te dy anet e rruges se asfaltuar, kandidatet dhe kandidat-dashesit i presin prej vitesh me buqeta lulesh ne duar. Ndersa mbi uren e mbikalimit mbi autostrade disa njerez po mberthejne nje parrulle te gjate mbi te cilin shkruhet: “Dr.Dre per Nobelist? Pse jo!”
Dalla*
Faji im. Po ia lejoj vetes ta korrigjoj.
I dashur Z.Ardian… shkrimin tuaj ma rekomandoi miku juaj dhe imi po ashtu Dor Gedeshi, dhe me shum dashamirësi i mire-kuptoj dritë-hijet e shkrimit tuaj, e për me tepër jam thuajse 100% dakord me ju.
Edhe unë kam marrë pjesë në disa debate lidhur me këtë Nobelin e Dylan-it në muzikë dhe edhe pse jam në krahun tuaj lidhur me opinionin personal sa i takon B.Dyaln-it.. kam pranuar se mohimi i influencës së tij mbi dhjetra e qindra muzikantë pas tij është diçka që edhe armiku më i madh i BD s’ka e s’mundet ta bëjë dot… Dylan është një doktrinë, ose e shprehur figurativisht, është një majë mali në konfigurimin e reliefit muzikor të shek. 20-të e mbase më tej… Ka plot njerëz që e duan e adhurojnë atë majë, edhe pse (mendoj përulësisht) ajo nuk është maja më e lartë e atij reliefi…