HEKUR I NDRYSHKUR

Duke lexuar deklaratën e sotme të kryeministrit Edi Rama në lidhje me marrëveshjen mes palëve politike për votimin e reformës në drejtësi, m’u rikthye makthi i ligjërimit totalitar. Aty flitet për “vullnetin e hekurt të popullit shqiptar” të cilit i është “nënshtruar” opozita; sikurse flitet për “vullnetin e hekurt” të partnerëve strategjikë të Shqipërisë; dhe më tej për “revolucion në sistemin e drejtësisë”, dhe për “përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe të inkriminuarve që mban peng drejtësinë në këtë vend.” Kujt i duhet kjo lloj retorike? Edhe gjetiu dhe nga të tjerë është thënë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë – çfarë më tingëllon të paktën e çuditshme, sepse nuk e kam të qartë si e kanë vjelë opinionin e “popullit” të gjithë këta që thonë kështu (zakonisht populli e shpreh vullnetin e vet nëpërmjet votës ose referendumit); dhe dyshoj se mos bëhet fjalë thjesht për pakënaqësinë e njerëzve ndaj gjyqësorit dhe reagime spontane të një publiku të keqinformuar ose të dizinformuar, për një reformë me natyrë teknike dhe të ndërlikuar. Më tej akoma, enigmatik mbetet përdorimi këmbëngulës i mbiemrit “i hekurt” si cilësor i vullnetit – të popullit a të ndërkombëtarëve; aq më tepër që i pari, ai i popullit, është veç fiksion ose sajesë, ndërsa i dyti nuk mund t’u imponohet ligjvënësve në Shqipëri, jo i hekurt por edhe prej diamanti sikur të kish qenë. Më parë Rama kish folur edhe për një “fshesë të hekurt në sistemin e drejtësisë”, me një gjuhë që, sipas ish-kryeministrit Berisha, rimerrte stilema të përdorura nga lideri totalitar Enver Hoxha. Në fakt, kjo “fshesë e hekurt” e tanishme të sjell ndërmend edhe çfarë po bën Erdogani, në Turqi me armiqtë që i ka identifikuar vetë – mes të cilëve një numër i madh janë gjithashtu kuadro të gjyqësorit. Që ka korrupsion në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, kjo është afërmendsh; sepse nuk ka institucion dhe pushtet, në Shqipëri, që të mos jetë i korruptuar. Madje në një editorial të para disa ditëve te “Tema”, Mustafa Nano e shpjegonte pikërisht kështu nevojën që të thirreshin në ndihmë të huajt, për reformën; pra me faktin që sistemi është qelbur dhe ne vetë nuk e pastrojmë dot. Unë këtë edhe mund ta kuptoj; por ende nuk arrij të kuptoj nëse ky vullnet i hekurt – që në fakt është i vetë Ramës dhe i mbështetësve të tij ndërkombëtarë dhe aleatëve “strategjikë” të Shqipërisë – ka të bëjë vetëm me rimëkëmbjen e gjyqësorit, apo nënkupton edhe ndonjë farë alergjie me parimin e pavarësisë së pushteteve; meqë, nëse korrupsioni i ka përfshirë të gjitha pushtetet, atëherë ndoshta duhej nisur me legjislativin, duke i qëruar deputetët e korruptuar nga Parlamenti, nëpërmjet zgjedhjeve të reja. E kam po ashtu të vështirë të kuptoj pse Rama flet për “përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe të inkriminuarve” – si rezultat i këtij “revolucioni” në drejtësi; sepse kjo nuk do të ndodhë, dhe as mund të ndodhë, as në Shqipëri as gjetiu; dhe për këtë lloj drejtësie supreme të përftuar me revolucion kanë folur dhe flasin vetëm diktatorët, sikurse Rama vetë nuk është. Më në fund, e kam jo të vështirë por të pamundur të kuptoj këtë demonizim që i bëhet një sistemi gjyqësor i cili, në fakt, mbështetet në një kushtetutë të vetëm para pak vjetëve, e cila u hartua në këshillim sërish me partnerët “strategjikë” dhe në pajtim të plotë me normat dhe konventat perëndimore. Nëse një sistem i tillë prodhoi monstra korruptive në Shqipëri, atëherë ndoshta problemi nuk mund të zgjidhet duke ndjekur edhe më tej këshillat dhe sugjerimet, sado mirëdashëse, të Perëndimorëve. Përndryshe, unë nuk jam në gjendje të gjykoj nëse miratimi i kësaj reforme duhet përshëndetur vërtet si sukses i madh, apo duhet pranuar si e keqja më e vogël, përkundrejt degradimit të mëtejshëm të një sistemi kushtetues i cili, në fakt, në Shqipëri ka rrezikuar të përftojë “shtet të dështuar” më shumë se një herë. Por më duket i argumentuar mirë qëndrimi i një juristi ekspert të çështjeve konstitucionale, Agron Alibalit sot në “Shekulli”, i cili flet, senza mezzi termini, për “Fundin e palavdishëm të Republikës së katërt”, duke hedhur idenë shumë të rëndësishme të thirrjes së një Asambleje Kushtetuese.


(c) Ky material është i mbrojtur me copyright. Ndalohet rreptësisht marrja dhe përdorimi i tij nga media, portale dhe faqe të tjera në web pa lejen eksplicite të autorit.

7 Komente

  1. Për arsye pune, m’u desh të shfletoj pakëz “Materializmi dialektik” sot, botim i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. M’u duk sikur edhe shoku Kryeministër atë pati lexuar para fjalimit.

  2. Une e shoh kete edhe si nje lufte propagande, nga me banalet, termat e se ciles i kane dale duarsh. Meqe Basha tha “fituam betejen” Rama u panikua, se mos opinioni mendon se vallen e ka hequr opozita dhe ai vetem se i eshte bindur diktatit te saj, ndaj ngriti tonin e foli per “vullnet te hekurt!”, te cilit kuptohet i eshte nenshtruar Basha me te vetet…

    Per mua i forte eshte vazhdimi, kur Basha thote: “…shume miq kane pyetur dhe kane shtruar me admirim ose pikepyetje se cili ishte motivimi per kete beteje”… dhe me tej harron se flet po ne emer te Pd-se dhe shton: “… nuk jam lekundur ne asnje çast… te hiqja dore nga keto dy parime do te thote te hiqja dore nga vetja ime…

    Narcisizem naiv, po kunguj kane para vetes aty ne Tirane keta dy politikane?

    1. Bashën e kam pasur gjithnjë të vështirë, në mos të pamundur që ta ndjek: gjuha e tij është e drunjtë; dhe kur largohet nga skripti, thotë menjëherë gjepura si kjo që citon ti. Ndoshta këtu ndikon edhe fakti që ky ishte një nga të akuzuarit kryesorë për abuzimet e hatashme me Rrugën e Kombit dhe, në mos gabohem, u lirua nga akuza për një teknikalitet. Prandaj i jap të drejtë Alibalit dhe të tjerëve, që thonë se ky parlament nuk e ka fibrën morale, që të miratojë një reformë kaq largvajtëse sa kjo e tanishmja e drejtësisë dhe aq më pak të shprehë a të përcjellë “vullnetin e hekurt” të popullit. Në fakt, edhe Rama edhe Basha dalin t’i flasin popullit por në fakt i dërgojnë sinjale njëri-tjetrit, me një gjuhë sa default aq edhe të papërshtatshme për rrethanat.

  3. Një reformë drejtësie që miratohet unanimisht nga parlamentarët shqiptarë dhe për të cilën Berisha gëzohet më shumë se çdo njeri tjetër në Shqipëri, nuk ka nevojë për koment të gjatë: Është farsa e radhës e politikanëve shqiptarë. E nëse e kam gabim, le të na e provoj ndryshimin drejtësia e re shqiptare p.sh. duke filluar me 21 Janarin 2011.

  4. Po nuk e provon dot per 21 janarin se ka nisur te behet shok Koco Kokedhima me Tom Doshin e pale ca del. Sa per Gerdecin, ju kujtohet ajo rrahja e shpatullave Berishes. Nuk ishte vetem per Kushtetuten qe ndryshoi. Te shkuara te harruara thuaj! Mjere kush iku!

  5. Qyshse vizitova për pak ditë, për herë të parë e të fundit, Parisin afro 10 vite më parë, veçse m’u përforcua bindja që e kisha edhe përpara asaj vizite, se ky qytet i bukur (ashtu siç është, gati i pandryshuar në më shumë se një shekull,) luan një rol rëndë çrregullues tek tipat që kanë një linjë jo dhe aq të hollë psikopatie në karakterin e tyre, të cilët shpesh qëllon të çajnë rrugën drejt majës së pushtetit në vende të pazhvilluara të dorës së tretë, e të cilët kanë jetuar për një kohë të mirë në atë qytet. Në majë të listës qëndron lideri i përgjakur i Kamboxhias, Pol Poti. Shqipëria ka tanimë tre rekorde të kësaj natyre. Ka diçka në bukurinë e sotme të atij qyteti (themelet e vjetra të të cilit, duhet thënë, janë të përgjakura fort), që ua prish këtyre natyrave fijen e fundit të ekuilibrit njerëzor. Për fat të keq, njerëzia i kupton pasojat që e presin vetëm pasi këta tipa e marrin krejt pushtetin në dorë.

  6. Dhe një fjalë të fundit. Gjuha propagandistike e kryeministrit në sherret për reformën ngjan e ndryshkur, por ajo që është e artë është heshtja. Dhe në kuvend, pas reformës në drejtësi, u miratua (paçka se nuk u shfaq televizioneve e nuk do ta shihni as në titujt e gazetave të nesërme) me procedurë të përshpejtuar një marrëveshje për ndërtimin e një porti energjitik në Karpen të Kavajës, me një vlerë të deklaruar prej 5 miliard dollarësh. Për kë nuk kupton nga shifrat, por nga krahasimet, 5 mld janë 40 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (apo GDP, për anglishtfolësit) të Shqipërisë. Një investim kaq gjigand duhej të kishte çarë ekranet e tv-ve dhe faqet e mediave të një vendi të vogël si ky yni dhe dashamirët e kryeministrit duhej t’i kishin shpuar daullet. Por s’gjen një fjalë gjëkund për të. Dhe heshtja duhet të jetë flori për dikënd që është në gjendje t’i heshtë tërë mediat.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: