Po thonë disa për grushtin e dështuar të shtetit, në Turqi, se “fitoi demokracia.” Natyrisht, Erdogani – që është president i ligjshëm i vendit, dhe i forti që ka në dorë pushtetin në këtë superfuqi rajonale dhe jo vetëm – e ka marrë këtë fuqi me rrugë demokratike, çfarë është në të mirë të tij por jo doemos mund të sillet si shembull i virtyteve të demokracisë si të tillë. Se, tek e fundit, në qoftë se demokracia reduktohet me votën e shumicës, atëherë më mirë ta quajmë “tirani të shumicës” dhe të lajmë duart me të, si një formë të pashijshme të populizmit, të sundimit të turmave dhe të liderëve demagogë, që asaj pjese të botës nuk i kanë munguar kurrë. Në fakt, ngjarjet e viteve të fundit, që nga Pranvera arabe e më tej, por edhe në Shqipëri – të cilën e njohim më mirë – kanë provuar se demokracia, si rend kushtetues, nuk funksionon mirë në mungesë të institucioneve: vendet që i kanë institucionet të forta, kanë edhe demokraci të lakmueshme; përndryshe, themi demokraci, por nënkuptojmë populizëm; dhe kur pastaj dobësohet dhe rrezikohet të mungojë laiciteti, më mirë të themi “baje zot andërr”. Dëgjojmë tani se Erdogani, i konfirmuar në krye të vendit pas tronditjes së grushtit të shtetit, po arreston një shumicë të dyshuarish si puçistë, mes të cilëve edhe gjykatës – pa çka se gjykatësit nuk janë të parët që të vijnë në mendje, kur përfytyron nxitësit, ideatorët dhe aq më pak ekzekutuesit e një grushti shteti. Po lajmërohet tani se sapo janë shkarkuar nga detyra 2745 gjykatës dhe prokurorë, në një kohë që janë lëshuar urdhra për arrestimin e 48 anëtarëve të gjykatës administrative dhe 140 anëtarëve të gjykatës së apelit. Nuk kam asnjë fakt a të dhënë për të sugjeruar se presidenti turk po e shfrytëzon këtë moment për të larë hesapet me armiqtë e vet tradicionalë ose edhe me institucionet e pavarura në vend; por edhe këto arrestime gjykatësish nuk di si t’i shpjegoj. Gjyqësori është një nga institucionet kyçe, që duhet të jenë domosdoshmërisht të pavarura, për të pasur një demokraci të shëndetshme; këtë e kemi marrë vesh edhe pa na e kujtuar Erdogani, por thjesht duke ndjekur tenisin e ngathët që po luhet prej muajsh, nën zhegun e korrikut, në Tiranë. Çfarë po bën presidenti i Turqisë, në këtë moment, lë të kuptohet se lufta mes pushteteve të pavarura është shenjë e papjekurisë së shtetit, edhe kur nuk është shenjë dëshpërimi ose e lakmisë për të hedhur gjithçka në dorë.
4 Komente
Komentet janë mbyllur.
Po lexoj tani në media dyshimet e para për këtë grusht shteti të pazakontë. Po flitet për minigrusht, madje edhe për grusht shteti të rremë, si një pretekst për larje hesapesh. Ky lexim për çka ndodhi natën e kaluar në Turqi na jep elemente të reja edhe për luftën midis pushteteve të pavarura. Për më shumë mund të lexoni intervistën e analistit Antonio Ferrari http://www.corriere.it/extra-per-voi/2016/07/16/chi-c-dietro-golpe-fasulloin-turchia-che-cosa-succede-ora-600dabda-4b47-11e6-8c21-6254c90f07ee.shtml
Eshte nje taktike e vjeter Osmane te ‘ndjellin’ grushtin qe armiku te nxjerre koken. Keshtu ja u punuan Jenicereve ne 1826 (pasi me pare kishin neutralizuar Ajanet perfshi ketu Ali Pashe Tepedenliun)
https://en.wikipedia.org/wiki/Auspicious_Incident
Pas grushtit të shtetit në Turqi jemi të gjithë të etur për lajme dhe analiza. Arsyet përse ndodhi, detajet e asaj që ndodhi dhe sidomos çfarë do të ndodhë më tej. Një farë konfuzioni në informacion është i kuptueshëm. Megjithatë, për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, natyrisht edhe për ne shqiptarët, ka shumë rëndësi stabiliteti demokratik i Turqisë. Pozicioni gjeografik dhe konteksti politik ndërkombëtar e bëjnë edhe më imperativ.
Mirëpo, tani për tani, nuk po kuptohet nëse grushti i dështuar i shtetit do ta forcojë apo do ta dobësojë politikisht Presidentin Erdogan. Kam lexuar e dëgjuar disa analiza krejt të kundërta në këtë drejtim, e vazhdoj t’i ndjek me vëmendje, meqë nuk jam ekspert i temës. Rëndësi ka që të dalë i fituar rendi demokratik.
I vertetë apo i rremë, ky grusht i dështuar shteti i mundëson Erdoganit që “ta hap krahun” sa të mundet kundër kundërshtarëve të tij politik, kundër administratës neutrale dhe kundër institucioneve që nuk pranojnë ta hedhin vallen sipas muzikës së tij. Me një Erdogan kolerik në krye, që prej kohësh e sheh veten me një “mision të lartë” dhe të shkëputur tani nga të gjithë frerët ligjor apo moral, kohë të rrezikshme po vijnë si për Turqinë, ashtu dhe për rajonin përreth.