Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TËRHEQJE LITARI

Pas stuhisë së fundit në një gotë uji – edhe pse mediat shqip parapëlqejnë të përqendrohen te stuhia dhe të mos e nxjerrin gotën e ujit në kamera – më shkoi mendja se nesër mund të dalë një historian turk dhe, ndryshe nga ky provokatori i tanishëm, të shkruajë një monografi kompetente kushtuar Iskender bey-t, ose “udhëheqësit Aleksandër”; një të krishteri të ri të dërguar peng në oborrin e Sulltan Muratit II, i cili atje përqafoi Islamin, ndoqi një shkollë ushtarake për jeniçerë dhe pastaj i shërbeu Sulltanit besnikërisht, duke fituar më parë titullin e spahiut, pastaj atë të subashit (guvernatorit), pastaj akoma atë të valiut për merita ushtarake dhe të sanxhakbeut; të gjitha këto merita, për shkak se shkëlqeu si udhëheqës betejash kundër forcave të krishtera. Kjo biografi, kushtuar një lideri ushtarak minor të periudhës së Muratit II, do të mbyllej në nëntor të vitit 1443, ose kur Skënderbeu dezertoi nga ushtria osmane dhe e tradhtoi sulltanin. Monografia e këtij historiani turk hipotetik për djaloshin Skënderbe nuk do të përmbante asnjë gënjeshtër dhe do të mbështetej rigorozisht në burimet e mirëbesuara; madje as faktin që ajo do të përqendrohej në rininë e heroit kombëtar të shqiptarëve nuk mund t’ia mbajmë si mangësi, sa kohë që autori do ta pranonte këtë haptazi në hyrjen e studimit; dhe pikërisht, që atij si historian do t’i interesonte karriera e këtij Aleksandri otoman në oborrin dhe në fushatat pushtuese të Muratit II. Si do ta komentonim vallë ne të tjerët këtë vepër? Do ta sulmonim vallë me argumentin se ka shtrembëruar historinë? Pa çka se jetëshkrimi i Skënderbeut të ri, ose si lider ushtarak osman, mund të vlejë, ose të paktën disave mund t’u vlejë, edhe jashtë perspektivës të asaj çfarë ndodhi me këtë personazh, pas kthesës dramatike të vitit 1443? Në të vërtetë, figura aq të pasura dhe komplekse, si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, janë vetvetiu polisemike (të shumëkuptimshme) dhe u ekspozohen lehtë qasjeve të ndryshme, ndonjëherë të kundërta prej historianëve; çka do të thotë se studiuesve ndonjëherë u duhet të përqendrohen në një aspekt të caktuar duke lënë mënjanë aspekte të tjera, sikurse edhe ideologët, mitografët dhe popullarizuesit mund të zgjedhin ta vënë theksin në një aspekt të caktuar të veprimtarisë së personit në fjalë: si ushtarak ose si politikan, si diplomat ose si feudal. Njëlloj e përligjur, sa ajo monografia hipotetike e historianit turk që përmenda më lart, do të ishte edhe një monografi tjetër, e një historiani italian, që do të përqendrohej në fushatën e Skënderbeut në Itali, në mbrojtje të mbretit Ferdinand, në gusht të vitit 1461. Kjo mund të na ndihmojë për të kuptuar se, sa i përket imazhit të Skënderbeut sot në kulturën shqiptare, dilema më e mprehtë, për historianët dhe për ideologët, është nëse do ta vënë theksin te aspekti “nacional-çlirimtar” i luftës së tij dhe orvatjet e tij “shtetformuese”; apo do të pëqendrohen te aspekti thjesht fetar i përpjekjeve të tij, për të mbrojtur Krishterimin nga “Turku”, ose nga Islami. Të dyja këto lexime janë historikisht të përligjura, prandaj zgjedhja do të ketë gjithnjë natyrë taktike dhe do të diktohet nga koniunkturat e sotme – në kuptimin që ajo palë që zgjedh të himnizojë Skënderbeun si atlet të Krishtit, mund të përfitojë vetë status, si trashëgimtare legjitime e gjakimit të heroit të mesjetës arbërore; e megjithatë, kjo rrezikon të jetërsojë shumë myslimanë shqiptarë, të cilët e admirojnë Gjergj Kastriotin si hero të shqiptarisë, por që nuk do të kishin arsye të veçanta pse të entuziazmoheshin për arritjet e tij si kalorës i Krishterimit. Nga ana tjetër, luftërat çerek-shekullore të Skënderbeut kundër dy sulltanëve, me ndihmën e Napolit, Venedikut dhe Papatit, janë rilexuar sot edhe si pararendëse të orientimit pro-Europian të shqiptarëve; veçanërisht duke zënë vend brenda mitit antemural, të Shqipërisë mesjetare si mbrojtëse e Europës, të cilin mit ne e kemi të përbashkët me shumë vende të tjera të Lindjes, përfshi këtu Kroacinë, Serbinë, Hungarinë dhe Poloninë; por kjo sërish ka ardhur me rrezikun që disa shqiptarë të sotëm të dalin në publik me pretendimin e hapur se pikërisht atyre u përket trashëgimia e kësaj përpjekjeje mitike, duke e parë kështu veten në rolin e atyre që do ta tërheqin për dore Shqipërinë në Europë. Këtu çështja nuk është se cili lexim i historisë është i vërtetë dhe cili jo; por te përgjigjja që i japim pyetjes se kujt i shërben pikërisht, sot, ky ose ai kontekstualizim që ia bëjmë historisë dhe, më konkretisht, ky reduktim a privatizim i Gjergj Kastriotit; aq më tepër në rrethanat e intensifikimit, në shtresa të caktuara të popullsisë dhe në vise të caktuara shqiptare, të propagandës fondamentaliste islamiste, anti-Perëndimore, e cila synon mes të tjerash të demonizojë jo vetëm Skënderbeun si hero kombëtar të shqiptarëve, por edhe krejt atë vetëdije kombëtare, e cila e ka përvetësuar Skënderbeun në mënyrë sinkretike, madje edhe përtej përplasjes mesjetare mes Krishterimit dhe Islamit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin