Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

MOHIMI I MOHIMIT

Shkruan Auron Tare, në Facebook, se ka parë njëditëzaj një tufë turistësh ndaluar para shtatores së Ismail Qemalit, në Bulevardin e Madh në Tiranë, dhe kur është afruar që të dëgjojë se ç’u thoshte shoqëruesi i tyre i huaj, është habitur – meqë, sipas këtij të fundit, statuja paraqet “heroin shqiptar i cili pasi iku nga Turqia, ku ishte rob në pallatin e Sulltanit, luftoi me turqit për 25 vjet dhe themeloi shtetin e pavarur shqiptar…” Me të drejtë Tare e denoncon këtë karagjozllëk dhe sugjeron që të mos lejohen më shoqërues të tillë të pacertifikuar, madje të zëvendësohen nga të rinj e të reja të vendit, duke hapur kështu edhe mundësi pune. Por, duke lexuar rrëfimin e Tares, më shkoi mendja se prezantimi që ia ka bërë shoqëruesi i huaj Ismail Qemalit do t’i shkonte për bukuri, si një lloj formule narrative e abstraguar, çdo heroit tonë të politikës: i lindur në anët tona, dërgohet të kalojë ca kohë në zemër të perandorisë, pastaj kthehet në vatan dhe, duke shtënë në punë çfarë ka mësuar andej, na “shpëton” të gjithëve. I shkon kjo narrativë Skënderbeut, prej nga edhe e ka burimin; por i shkon njëfarësoj edhe Ismail Qemalit vetë, sepse edhe ai kaloi ca kohë në kryeqytetin osman, para se të kthehej në Shqipëri dhe të ngrinte flamurin, për të shpallur pavarësinë ndaj Perandorisë Osmane; sikurse i shkon Ahmed Zogut, që i lindur edhe ai në vendin e shqiponjave, kaloi ca kohë në zemër të një perandorie tjetër – asaj Austro-Hungareze – për t’u kthyer pastaj në mëmëdhe dhe për të zbatuar ç’kish mësuar andej, përfshi edhe artin e të mbretëruarit; dhe njëlloj i shkon edhe Enver Hoxhës, shqiptar lokal safí, që u katapultua nga Gjirokastra në zemër të Europës Perëndimore, për të mësuar markzizmën, dhe për t’u kthyer pastaj, në mos i rinuar së paku i jetërsuar, në Shqipërinë e shumëvuajtur; dhe nuk më duket se ka nevojë ta vazhdoj më tej këtë varg shembujsh, për të përmendur trajektoret biografike të Sali Berishës dhe të Edi Ramës, sa për të përmendur dy emra nga të sotmit. Dhe, që kjo formulë funksionon kaq natyrshëm, nuk më duket e rastit; e kërkon vetë Shqipëria historike, si hapësirë, si vend e si shtet i përkufizuar në marrëdhënie me botën, që heroi i saj shpëtimtar ta ketë bërë një pelegrinazh të rëndësishëm, në qendrën e perandorisë – pavarësisht nëse të Lindjes a të Perëndimit – dhe të kthehet pastaj që andej i augmentuar (për ta thënë me një term të cyberpunk-ut), ose i gatshëm për gjeste nga ato që ravijëzojnë epokat dhe fatet e popujve; në kuptimin që “gjaku shqiptar” u ka ofruar të gjithë këtyre ambicien, ndërsa dheu i huaj instrumentet. Ka edhe një aspekt enigmatik, pothuajse mistik, ky largim-kthim i heroit; sepse i shoqërohet dyshimi se diçka ka ndodhur, gjatë pelegrinazhit në pjesën jo-shqiptare të rruzullit; një “ndërrim” njeriu, një “ndërrim” shpirti ose një “ndërrim” i besës – gjithnjë në kuptimin metafizik; dhe në lidhje me shokun e konstatimit se sa e vogël është Shqipëria, në krahasim me jo-Shqipërinë; dhe me iluzionin, në mos deluzionin dhe delirin, se pelegrinazhi do të shërbejë si një urë drejt pushtetit. Deri edhe Hegeli dhe Marksi do të kishin mbetur të kënaqur me formulën: (1) heroi lind në një cep çfarëdo të globit (teza); (2) heroi zhvendoset drejt qendrës, për të rënë në kontakt me Lavdinë (antiteza); (3) heroi kthehet në pikënisje, por tashmë duke e sjellë Lavdinë me vete, siç e sjell me vete fara pjellore pemën që do të dalë prej saj (sinteza). Kjo është, natyrisht, lëndë legjendash; pa çka se sot nuk është koha e këngëve as e rapsodëve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin