Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë

PUBLIKU I POLITIKËS

Përpjekjet këmbëngulëse të administratës Rama, për t’i dhënë vend qendror artit dhe estetikës në jetën publike, kanë tërhequr tashmë vëmendjen edhe brenda edhe jashtë Shqipërisë.

Vetë kryeministri e ka deklaruar disa herë dhe me siguri e beson se mund t’ua përmirësojë jetën qytetarëve nëpërmjet së bukurës, gjithë duke ia siguruar suksesin qeverisë së vet; nga ana tjetër, edhe vetë profesioni i tij i mëparshëm, si piktor, e bën të ndihet më mirë në këto kontekste; me ndihmën edhe të një grupi bashkëpunëtorësh të përkushtuar, ku bëjnë pjesë edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

E vërteta është se temat e kulturës, të argëtimit dhe të artit, si dhe të estetikës së hapësirave publike, duket të kenë pushtuar vëmendjen e mediave kombëtare dhe lokale – që nga koncertet dhe bienalet, tek ekspozitat dhe panairet, festivalet dhe ngjarjet sportive, ceremonitë dhe përurimet dhe gjithfarë aktivitetesh të tjera.

Në disa nga këto aktivitete janë tërhequr edhe artistë me famë botërore, celebrities dhe figura të mirënjohura të showbusiness-it; si dhe institucione të rëndësishme që kanë ndihmuar me fonde ose me vepra.

Ta vësh kulturën, artin dhe argëtimin në qendër të vëmendjes nuk është për t’u qortuar në vetvete; edhe pse shumëkujt do t’i bënte përshtypje shpërpjesëtimi midis problemeve të mëdha që ka Shqipëria, dhe energjia materiale dhe shpirtërore që derdhet për tema dhe kauza soft jo vetëm në mediat, por edhe në veprimtarinë publike të pushtetarëve.

Hipoteza se e gjitha kjo bëhet për t’u hedhur njerëzve “hi syve” dhe për t’i bërë të besojnë se kjo qeveri është “në kontroll të punëve” më duket, në rastin më të mirë, naive. E megjithatë, ka një arsye të madhe, jo vetëm instrumentale por edhe strukturore, që po e detyron pushtetin sot që të fokusohet në kulturë.

Në rrafshin më të cekët, kjo arsye mund të ilustrohet me anekdotën e atij të dehurit natën, që kërkonte çelësat e humbur poshtë një llambe; jo sepse i kish humbur vërtet atje, por sepse vetëm poshtë llambës kish dritë. Me fjalë të tjera, elitës së sotme në pushtet i pëlqen të merret me kulturë, sepse në atë fushë ndihet më mirë.

E theksoj – ky do të ishte shpjegimi në sipërfaqe.

Ka edhe një shpjegim tjetër, që shkon pak më thellë, dhe që lidhet me natyrën e marrëdhënieve që vendosen midis ngjarjeve kulturore dhe qytetarëve – dhe pikërisht, me krijimin, riprodhimin dhe mirëmbajtjen e publikut.

Si kategori sociale, publiku është i ndryshëm edhe nga populli, edhe nga qytetarët, edhe nga klasat tradicionale; sepse ai përkufizohet jo në marrëdhënie me ligjin, me të drejtat, me mjetet e prodhimit a me historinë – por në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me spektaklin.

Autorë të ndryshëm, mes të cilëve Michael Warner ku jam mbështetur unë(*), e përcaktojnë publikun në bashkëlidhje dhe referim me një diskurs të caktuar; në kuptimin që ky publik nuk ekziston, përveçse brenda marrëdhënies që ka me një diskurs publik të caktuar.

Për shembull, vendosja e veprave të tilla të artit, si “marquée-ja”, “këpurdhat” ose “Reja”, në hapësira të qendrës së Tiranës, dhe jehona që iu dha këtyre në mediat tradicionale dhe në rrjetet sociale, përmes autoritetit të kreut të qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, krijoi një publik me karakteristika unike; sikurse krijoi një publik me karakteristika unike inaugurimi i këndit të lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit; ose suksesi i kombëtares së futbollit; ose pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venezias; ose dita pa makina e të tjera evente me natyrë spektakulare ose performative, të nistuara nga politika dhe të amplifikuara nga mass mediat; përfshi këtu dhe publikun jashtëzakonisht të gjerë që ndjek hap pas hapi, me “likes” dhe komente, performancat dhe show-t individuale të pushtetarëve në Facebook, Twitter dhe Instagram.

Hipoteza ime është se ky publik po konstituon bazën sociale parësore të së paku një pjese të koalicionit që ka sot pushtetin në Tiranë.

Me përkufizim, publiku – në përgjithësi – është marrësi, destinatari ose i adresuari i spektaklit në trajtë diskursive, të ofruar sipas rastit nga politika, mediat ose arti; dhe aq më e vërtetë është kjo, nëse këta tre faktorë kombinohen.

Dhe ndryshe nga, të themi, studentët që përkufizohen me atë që ndjekin një shkollë të lartë; ose punëtorët, që përkufizohen me atë që u duhet të ofrojnë “krahun e punës” për të jetuar; ose pensionistët, që varen nga sigurimet shoqërore; publiku nuk punon, as zotëron ndonjë pronë ose të drejtë specifike; por vetëm konstituohet si palë në komunikim, kryesisht si skaji marrës i diskursit publik.

Nëse është kështu, atëherë një forcë politike që e ka bazën te publiku, është e detyruar që ta mbajë këtë publik gjithnjë gjallë, duke u kujdesur që ta mbajë të pandërprerë rrjedhën e spektaklit: që këtej edhe veprimtaritë kulturore-artistike aq të dendura dhe jehona, ndonjëherë e shpërpjesëtuar, që u jepet këtyre veprimtarive në mediat.

Por kjo përbën një risi të madhe, në krahasim me mënyrën si e kanë organizuar partitë politike bazën e tyre sociale në të kaluarën – dhe pikërisht, nëpërmjet punës politike kapilare dhe edukimit politik; madje edhe me mënyrën si vazhdon ta organizojë sot bazën e vet sociale ndonjë fraksion tjetër i koalicionit, që konstituohet si makinë punësimi.

Vetë e majta socialiste duhej të ishte me përkufizim, qoftë edhe të paktën pro forma, përfaqësuese e shtresave të pafavorizuara: punëtorëve, fshatarëve, studentëve, të papunëve, pensionistëve; madje duke bashkëvepruar në sinergji me sindikatat dhe forma të tjera tradicionale të shoqërisë civile.

Përkundrazi, PS-ja sot priret të përdorë si “rripa transmisioni” OJQ-të, të cilat financohen, në masë të madhe, nga donatorë të huaj, që kanë interesa specifikë për të çuar përpara.

Kjo zgjedhje është diktuar deri diku nga ndryshimet klasore, duke filluar nga shkërmoqja e pandalshme e vetë proletariatit dhe e sindikatave; por sidomos është diktuar nga lëvizjet e mëdha demografike, të cilat kanë sjellë fluiditet të madh në shoqërinë e sotme; në mos likuiditet, për ta thënë me metaforën e mirënjohur të Baumann-it.

Komunitetet dikur të qëndrueshme, si punëtorët në uzinat dhe fabrikat e mëdha, ose qytetet dhe lagjet me identitet të fortë komunitar – p.sh. “kombinati” – ose urdhrat profesionalë tashmë nuk ekzistojnë më ose nuk luajnë asnjë rol; përkundrazi, njerëzit e kanë më të lehtë të bëhen bashkë, dhe të përftohen si komunitete, përballë eventeve të mëdha spektakulare; me një fjalë, si publik.

Vetëm publiku mund t’i mbledhë bashkë dhe t’i shndërrojë në forcë individët që, përndryshe, mbeten të huaj për njëri-tjetrin.

PS-ja e Ramës duket ta ketë kuptuar këtë më shpejt dhe më mirë se forcat e tjera politike; e ndihmuar edhe nga intuita prej artisti dhe showman-i e liderit, i cili ndihet në elementin e vet, kur ka të bëjë drejtpërdrejt me një publik, ose me skajin marrës të një procesi diskursiv çfarëdo.

Në këtë mënyrë, PS-ja synon që ta shndërrojë në avantazh të vetin çfarë do të ishte, në thelb, një patologji ose të paktën një anomali e jetës sociale; dhe pikërisht atomizimin, ose thërrmimin e lidhjeve të qëndrueshme mes njerëzve a mes qytetarëve, brenda komuniteteve përkatëse.

Dhe nëse ky publik jo vetëm krijohet rishtas, por edhe riprodhohet, nëpërmjet eventeve të njëpasnjëshme, të katalizuara nga prani autoritare – si ajo e vetë Ramës – atëherë nuk do të ketë as detyrimisht nevojë për manipulim të drejtpërdrejtë, nëpërmjet propagandës. Vetë strukturimi rreth këtyre eventeve kulturore me natyrë formale dhe estetike, të kapitenuara nga celebrities të politikës, do të mjaftonte për të konstituuar, kontrolluar dhe disiplinuar politikisht bazën.


(*) Publics and Counterpublics, Zone Books, New York, 2005.

10 Komente

  1. Spektakli që Rama i ofron publikut, është ku e ku më i mirë se bullshit-i që i ofronte paraardhesi i tij. Megjithatë unë – po të isha qytetar i atij vendi – do të prefroja një kryeministër dhe një qeveri që do të ofronte punë, mirëqënie, dinjitet – para spektaklit.

    Nejse.

    “Arm, aber sexy”, e quajti para disa vitesh qytetin e tij Klaus Wowereit, ish-kyetari i Bashkisë së Berlinit. “Vend i varfër, por seksi” – ndoshta me spektaklin e tij Rama me shokë, këtë do të mund të arrijnë për imazhin e Shqipërisë në sytë të huajve dhe ndoshta edhe te publiku vendas (ose të paktën, te publiku brenda unazës së vogël të Tiranës). Çka në vetvete nuk do të ishte aspak për t’u kritikuar.

    Për të tjerat, duhet pritur e shpresuar për kryeministrin e ardhshëm.

  2. Analiza e pare shpjeguese dhe jo pershkruese e drejtimit politik dhe kultures qeveritare ne Tirane!
    Nuk jam e sigurte nese eshte nje agende dhe perspektive sistematike dhe e studiuar apo nje drejtim intuitiv I Rames, por shpjegimi ne shkrim jo vetem eshte i vetmi qe Kam lexuar, por edhe eshte i rralle ne forme e menyre: logjik, koherent, elegant dhe i balancuar

  3. A.V. , eshte nje shkrim ky qe nuk mund te gjej asgje per tu pajtuar qe nga fillimi deri ne fund. Nje kryeminister qe pretendon tu ndryshoj jeten njerezeve me te bukuren (jo me zhvillim ekonomik!) e ne mbledhje e punes bene “zhgarravina” se ate di te bej me mire, duhet te liroj vendin. Nuk eshte i rastit qe “publiku i politikes” se Rames eshte ai qe ” nuk punon, nuk zoteron” pra njelloj si Rama nuk bejne asgje sepse mendon se do i beje njerezit te kenaqen duke pare vepra te bukura, eshte publiku i rrjeteve sociale qe vene nje “like”, nje gisht te madh drejt, kurse punetoret, studentet, pensionistet, te papunet i vene ne rrjetin e halleve nje gisht tjeter, ate te mesit. Nuk mund te genjej gjithmone, zyrat e punes nuk punojne ne shqiperi sepse nuk kane c’ofrojne edhe se bene “panaire pune” , sepse zyrat e verteta jane ne rruge si ne kohen e sklleverve me thirrjen e ndryshuar – kush ka matrapik?

    1. Po mua më duket sikur, me këto që ke shkruar, je pajtuar me analizën time. Unë nuk jam cheerleader i qeverisë: vetëm analizoj një dukuri që më duket se duhet analizuar.

  4. AV, me duke pak si shume teorike qasja, gje qe e ben te duket si ‘out of touch’. Duket thjesht si analize teorike te nje vendi teorik e te nje ushtrimi qeveritaro-artistik teorik. Eshte krejt normale qe ti e une nga Amerika te kemi luksin e diskutimit te artit politik e te flasem per injektimin e artit nga lart poshte, etj. Megjtihese kjo e fundit tingellon pak cuditshem edhe per nje vend perendimor e me mireqenie, se fjala vjen synohet edukimi dhe inovacioni, jo arstistifikimi i miletit nga qeveria.

    Kur e sheh situaten konkrete pastaj gjerat behen (ne Shqiperi) shume karagjozerore dhe prapanice-tallese. P.sh. pas plasjes se skandalit te riformatimit naten ne fundjave te serverit te tatimeve me firme e urdher te Kryeministrit popullit i premtohet hetim e hapje petesh lakrori, e si perfundim i serviret nje hapje artistike e nje ambienti ku ne monizem beheshin pergjime me aparatura qe atehere ishin mbase artistike per kohen, apo dicka tjeter e ngjashme. Apo fjale vjen bunkeri artistik ne hyrje te Min se brendshme i cili synon te ‘nxacmoje’ dhe ‘stimoloje’ sensin artistik edhe te (midis te tjereve) ish-te persektuarve nga bunkeret dhe Min e brendshme e djeshme. Apo te strehave artistike mbi Kryeministri, apo te rinovimit artistik te Kryeministrise qe pa filluar punen, apo te kullave artistike te betonit mbi stadiume e mbi cdo lagje akoma tepakukllezuar, apo te raketave artistike si reagim ndaj betonizimit artistik te parkut te fundit te pabetonezuar, apo shitjet artikstike te pikturave artistike gjate vizites ne Gjermani ne te njejtin muaj ku aty kishin shkuar me shume azilante shqiptare sesa siriane, etj. etj.

    Nuk e voton kush qeverine (ne asnje rend e model, jo vetem ne kapitalizem e demokraci) me premtimet e shpresen se qeveria do beje show e shfaqje artistike per popullin, as nuk shkon kush tek doktori me shpresen se do shikoje nje shfaqje artistike. Per art mileti shkon ne teater a koncert a kinema, jo ne Kryeministri a Kuvend ku behet art-batuta pa fund. Profesioni i doktorit supozon shendetin (nuk shkon kush tek doktori per barasleta), e roli i qeverise qeverisjen. Te jesh qeveria e nje prej vendeve me te varfera e te deshperuara te rajonit e kontinetit e njeheresh t’i subvencionosh popullit qeverisjen e kushtet minimale me show e fasada arti nuk eshte vetem mungese qeverisje, nuk eshte vetem diversion, eshte tallje.

    Nuk ka dyshim qe Rama eshte fasadist, i tille ka qene qe ne fillesat e tij politike si min i kultures, e ka qene konsisent si fasadist me pas si kryetar i PS dhe opozites. Por “arti” me i spikatur i Rames nuk jane skicat qe i ben ne orar te punes, eshte shitja tek votuesit e tij te ngjales proverbiale te Metes fill pas ngritjes se kauzes morale dhe premtimet per nje rilindje e per permbysje te sistemit te korruptuar, eshte katapultimi ne Kuvend e bashki te tipave qe jane gjykuar e denuar per trafik njerzish e droge paralelisht me thirrjet per te burgosur ata qe kercenojne shtet-berjen se shesen presh e fara pa fature, eshte mbeshtetja publike e nje kryetari bashkie fill pasi botohet video ku ai kercenon gazetaret qe e intervistojne, jane batutat ne shtypin e Evropes (drejt te ciles na premton se do na coje) e te mos qenit politikan apo qeveritar i nje vendi te merzitshem (jo te zhvilluar, por te merzitshem) etj. Keto tejkalojne ku e ku lyerjen e Tiranes me boje e vija si te ishte fletore kalamajsh, apo artet e tjera te Rames para se te behej Kryeminister.

    Kjo padyshim qe behet e mundshme fale edhe sensit ‘artistik’ te atyre qe votojne Ramen, i cili me ngjan fort me Trump-in sa i perket qasjes se tyre te pazakonte dhe fasade-diversioniste. Trump-i padyshim qe diti te lexoje e manipuloje “amerikanet e vertete” te partise republikane, ndryshe nga ‘barbaret’ emigrante dhe homo-liberale. Ne nje fare mase Rama ka bere te njejten gje me bazen e vet, duke i apeluar sensit “te qytetarise” dhe “artit”, ndryshe nga fjale vjen maloket e Berishes qe s’kane pare det me sy dhe qe flasen e jetojne si cecene.

    1. Edhe teoria ka vendin e vet. Mua më ndihmon për ta “kornizuar” një fenomen, që shfaqet me shumë mënyra të ndryshme. Shpresa ime është që trajtimi më lart t’i ndihmojë edhe të tjerët për ta kornizuar, ose – nëse nuk i bind – t’i sfidojë që të sugjerojnë edhe ata teori alternative. Natyrisht ky nuk është ai lloj diskursi që mund ta dëgjosh në Parlament – por faqja jonë besoj është vendi i përshtatshëm për ta artikuluar.

      Tani, sa për impaktin politik të spektaklit, unë besoj se ky i vendos në qendër të vëmendjes politikanët e përfshirë, i shndërron në protagonistë, u jep atë vizibilitet që, gjetiu, politikanët paguajnë miliona për ta siguruar, ndërsa në Tiranë e marrin falas. Kjo vjen ngaqë shumica e lajmeve janë, në fakt, produksione: kanë regji dhe vizion dhe koreografi, u ngjajnë baleteve dhe jo vetëm për nga koncepti.

      Nesër, kur të vijë dita e zgjedhjeve, i njëjti publik do të preferojë këta, ndaj emrave të panjohur – me kusht që publiku të jetë mbajtur gjallë, si publik, me spektakël të pandërprerë.

      1. A.V. Padyshim qe teoria ka vendin e vet, shpesh paresor ne diskutime. Por mua qasja m’u duk pak skic se mu duk sikur ose e injoron ose pa dashje e ndan primaren, funksionin publik te kryeministrit dhe qeverise (apo politikaneve ne pergjithesi) dhe duket sikur i trajton ata si te ishin aktore te teatrit a estrades, apo artiste te nje sipermarje private, apo eksperimentues te nje simulimi publik-artistik. Natyrisht qe ja vlen te diskutohet e analizohet arti apo fasada si nje element i qeverise Rama, por ai eshte gjithsesi brenda funksionit publik per sa kohe Rama dhe te tijte e bejne kete gje ne funksionin dhe ‘orarin e punes’. Nuk eshte se qendron fort analiza per ‘artin qeveritar’ si art mirfilli apo thjesht per vlerat e tij artistike apo per ndikimin e tij tek publiku/masa thjesht si nje ushtrim me vete, i shkeputur pra nga roli publik i aktoreve. Flasem per kryeminister, jo kryepiktor, per qeveri, jo estrade, per pushtet e pergjegjsi publike jo batuta ahengjesh private. Mbase jo fiks po do ishte pak a shume si te flisnim per sensin e humorit te kirurgut krejt shkeputur nga realiti, nga fakti qe behet fjale per barsaletat qe ai tregon ne sallen e operacionit, mbi pacientin.

        Thene ndryshe, per mua cdo gje qe ben nje politikan (aq me shume nje qeveritar) ne funksionin e tij publik, sidomos me fondet dhe gjate orarit publik, duhet pare ne ate prizem. Pra nuk flasem vetem se c’batute tjeter mund te kishte thene qeveritari, apo c’sipermarrje tjeter artistike mund te kishte nxitur me fondet dhe perfshirjen e administrates publike, por c’tjeter gje mund te kishte bere per publikun. Njeheresh s’mund te injorojme kontekstin e rrethanave te tjera gjate shfaqjeve qeveri-artistike.

        Ne fakt per mua shkon me tutje, dmth jo vetem gjate qeverisjes, por edhe kur p.sh. nje politikan shet funksioniin publik per akses dhe favore duke e bere kete teorikisht jashte funksionit publik. P.sh. s’kam si te jem indiferent (ne Amerike) nga fakti qe zonja Klinton midis postit si ministre e jashtme dhe kohes kur filloi fushaten presidenciale beri mbi 21 milion dollare duke thene fjalime tek kompanite e fuqishme te cilat kane mjaft ndikim mbi ligjesorin (por dhe egzekutivin). Po, teorikisht ajo ishte nje qytetare private ne ate kohe, por praktikisht Goldman Sachs nuk e paguante ate mbi 200 mije dollare per nje fjalim se ajo ishte eksperte e investimeve e financave, por se ishte duke blere akses politik.

        Ne kete prizem gjerat qe mund te diskutohen mirfilli te shkeputura nga funksioni i tyre publik jane gjerat te cilat nuk i interesojne fort publikut, si p.sh. noti i Berishes gjate pushimeve me familjen apo basketbolli i Rames kur luan me shoket. Ato i interesojne shoqerise dhe familjes se tyre, publikut e shumta i interesojne si pop-diskutime, tip celebrity gossip.

  5. o Xhib , analizen qe kerkon ti (te felle dhe transversale) per qeverine dhe qeverisjen mund ta gjesh ke Rd ose 55. Po pse e felliq kete faqe me propagande dylekshe ? Keto qe thua ti i gjen ne cdo fletushke te Tiranes intelektuhale. AV po shkruan per nje qasje te caktuar dhe pikerisht per “shpikjen ” e Rames lidhur me kulturen e eventeve si mekanizem per riprodhim e publikut mbeshtetes. Edhe Enveri, qysh ne 46 hodhi parrullen (biblike-shpirti nuk mbahet vetem me buke): “Me shume buke dhe me shume kulture per popullin”. Kurse Rama as qe permend nevojen per buke/pune, ekonomi, nevoja materiale ..duke kthyer kesisoj kokeposhte thenien e Marksit se njerzit para se te hane , te vishen, te kene nje banese,duhet te merren me art dhe te ushqehen me… kulture ! Antimarkist para exelent Rama 1 😛
    Kjo eshte shoqeria e spektaklit , te cilen Rama e njef mire. Sikurse njef dhe virtualitetin ireal dhe simulacren.

    1. Une s’kam aspak qellim te felliq faqen o Sokol shumenofkesh, thjesht solla qasjen time ndaj shkrimit, e cila mund te replikohet ose injorohet. Ti nga ana tjeter s’ke bere asgje te tille, thjesht ke sjelle ca etiketa te cilat mendoj se qendrojne me mire futur diku tjeter, jo ketu si komente.

  6. Zoti Vehbiu, une mendoj se trajtimi juaj eshte mjaft interesant dhe veç te tjerash ka mbeshtetje edhe prej disa fakteve e zhvillimeve te historise sone politike qe ju nuk i permendni e qe ndoshta do ta plotesonin argumentimin. Se pari, politika shqiptare qe prej fillimit te pluralizmit vuajti njefare anemizmi ne terma te dallueshmerise programatike mes partive te majta e te djathta dhe njefare perkohesie e tepruar ka shoqeruar çdo diskurs politik. Nga ana tjeter Partia Socialiste nen drejtimin e kryeministrit Rama i eshte nenshtruar nje freskimi te pershpejtuar te lidershipit te vet qe domosdo ka dobesuar lidhjet e kesaj partie me elektoratin permes rrjeteve njerezore te trasheguara e kultivuara prej shume kohe.

    Suksesi i levizjeve politike qe ka trajtuar elektoratin si publik, gjithandej neper boten perendimore, mund ta kete terhequr zotin Rama drejt nje strategjie te re, por une gjej si problematik ne shkrimin tuaj evidentimin e angazhimit te kryministrit ne lem te artit e argetimit. Nuk me duket se ka ndonje angazhim te madh ne kete drejtim. Ne rastet kur eshte arritur nje vizibilitet i madh fale nderhyrjeve me pak kosto kemi pasur te bejme me shume me nje efekt anesor te bumit teknologjik ne komunikim se sa me te korra qe jane paraprire prej plugimit, vaditjes, prashitjes e keshtu me radhe. Ne mbeshtetje te ketij dyshimit tim do te sillja edhe popullaritetin e madh qe arriten personazhe te caktuar te ‘virtualitetit civil’ shqiptar neper aksionet e koheve te fundit.

    Nga ana tjeter do doja te thoja se angazhimi i socialisteve ne nje sere reformash te kalibrit te madh nuk eshte per tu nenvleresuar. Reforma territoriale pavaresisht humbjes neper ortekun e informacionit qe na mbulon perdite nuk ishte nje zhvillim kaq i parendesishem i kesaj legjislature, edhe reformat e tjera, apo aksionet qe kane ndryshuar forma tradicionale te tranzicionit ne marredheniet qytetar – shtet nuk mund te anashkalohen.

    Ringjallja e faktorit opozite prej rezistences ndaj reformes ne drejtesi ka gjasa te tejkalohet me miratimin a rrezimin e saj, megjithese me shume ka gjasa qe te radikalizohet prej saj dhe te ruhet keshtu kohesioni i demokrateve e i socialisteve bashke. Pesha e nderkombetareve dhe prospekti i bashkimit me Bashkimin Evropian ne kete rast do te favorizonin socialistet. Por demokratet, per fat te keq, mund te humbin me teper se zgjedhjet ne zgjedhjet e ardhshme. Ne perfundim jam i mendimit se ai qe ju po etikoni si publik nuk eshte tjeter veçse elektorati zakonshem qe ka gjetur telekomanden, po nderkohe qe po sheh televizorin, po shkruan edhe statuse, po pi edhe kafe, po shet e po blen, po punon e kerkon pune, po kercen dhe po pret fushaten.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin