nga Teodor Gadeshi
[pjesa e parë e këtij shkrimi mund të lexohet këtu]
Shtëpia akoma nuk është demoluar. Në këto ditë shiu të pazakonta të majit qëndron e zymtë në pritje të ekzekutimit kapital. Por edhe në kantierin e ndërtimit të Unazës së Vogël, loti nr.3 (segmenti mbrapa 15-katëshit) ka ditë që makineritë nuk punojnë e punëtorët nuk duken gjëkundi. E gjithë zona përreth ndërtimit, brenda së cilës është e përfshirë edhe shtëpia e rrethuar këndshëm me gardh metalik , gëzon një qetësi të nderë, ashtu siç ndodh zakonisht përpara stuhisë. Edhe stacioni elektrik “provizor” mbitokësor dergjet tashmë mbi karexhatën e ardhshme, tamam si qentë e braktisur që shtrihen ku të mundin në rrugët e Tironës.
I vetmi person aktiv që lëviz në këtë territor të zymtë por të mbrojtur dhe të qetë, është 86-vjeçarja teze Landa, që ka lindur në këtë shtëpi dhe ndoshta është banorja më e vjetër e kësaj lagjeje dikur karakteristike tironsish. Është miqësuar me teknikët dhe rojet e kantierit dhe mundohet me të vetën të zhbirilojë prej tyre ndonjë gjë të re, gjithmonë në kërkim të besimit që shtëpia nuk do t’i prishet.
Mbas shkrimit të parë “I fundmi i Mohikanëve”, ku mes të tjerash përmendja faktin që kjo shtëpi ishte edhe monument kulture i kategorisë së dytë, mësova nga një gazetare se Këshilli Kombëtar I Restaurimeve (KKR-ja) me vendimin Nr. 247, dt. 18.12.2015 (që mund ta shihni këtu), i kishte propozuar Ministrit të Kulturës heqjen e statusit monument kulture të kësaj shtëpie dhe se ky vendim hynte në fuqi menjëherë. Meqë kryetar i KKR-së është zonja Mirela Kumbaro, njëkohësisht edhe Ministër i Kulturës, besoj se edhe ministria e saj do ta ketë miratuar këtë vendim të KKR-së.
Pra, shtëpia nuk është më monument kulture! Edhe pse nuk është shpjeguar gjëkundi, se cilat nga arsyet për të cilat e kish marrë atë status, paska qenë e gabuar ose e pamjaftueshme. Vallë të jetë dhënia dhe heqja e statusit monument kulture vetëm një monedhë banale shkëmbimi, në tregun e shfrytëzimit të trojeve për interesa të momentit? Me fjalë të tjera: çfarë garancie jepka ky status, kur mund të hiqet me një të rënë të lapsit?
Më duket e kotë t’ju lodh me hamendësime se si ndodhi që njerëz të shkencës e të kulturës, mes tyre me siguri edhe doktorë e profesorë, anëtarë edhe në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të firmosin dhe miratojnë këtë vendim, pas gjase ngaqë ky monument kulture i deridjeshëm vetëm sa prek, me cepin e vet, fundin e një trotuari me gjerësi 3.5 metra? Në botën ku ne duam të shkojmë, ndodh përkundrazi që arkitektët dhe ndërtuesit ta devijojnë rrugën apo ta kalojnë atë poshtë objekteve të mbrojtura (monumentale) dhe as që bëhet fjalë për t’i sakrifikuar, kur shtetit i duhen 4 metra katrorë.
Në shkrimin e mëparshëm, demolimin e shtëpisë e arsyetova me argumentin se duhej bërë trualli gati për zhvendosjen e stacionit elektrik provizor mbitokësor, por nuk paskam qenë tërësisht i saktë. Përveç kësaj zhvendosjeje të detyrueshme dhe ndoshta të përkohshme, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike – OSHEE, po përgatit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe, nëpërmjet ministrisë përkatëse, do t’ia dërgojë qeverisë për shpronësim të pronarëve të këtyre trojeve në një sipërfaqe prej rreth 1600 m2 për të ndërtuar aty, kësaj radhe nën tokë dhe mbi tokë, një nënstacion elektrik 110 kv të përhershëm, i mbështetur edhe nga një financim i Bankës Botërore. Pra, një stacion elektrik 110 kv të përhershëm mu në qendër të Tironës.
Ç’ka këtu për të mos u gëzuar?
I nderuar zoti Gadeshi,
Ju falenderoj qe na mbani ne dijeni rreth kesaj ceshtjeje, sepse ky rast permban ne vetvete shume me teper se sa nje shtepi monument kulture. Ketu kuptohet mendesia makabre, prej makuterish, e gjithe kesaj kaste qe perndryshe do t’i kishte mjaftuar vetem pak qytetari per t’i pare gjerat me nje sy tjeter.
Uroj me gjithe shpirt qe zonja ministre, apo cilidoqofte qe ka dicka ne dore, t’i therrase ndergjegjes dhe te terhiqet prej ketyre vendimeve palacosh.
Jemi kunder instalomit te nenstacionit ne qender te Trones. Na e la peshqesh Nano per pak kohe sa te gjenin vend dhe ngeli aty per 17 vjet. Ky Trapi gjat do me e lone perjete. Te mos harrojne tabelen monument kulture tja vene te porta stacionit. Megjathate duhet te kundershtojme vendosjen e saj. Keq per shendetin per syrin per mjedisin per ajrin e per gjithe cka afron karikatina ne qender te Tirones.
investimin per nenstacionin e financon banka boterore?!Nje tjeter ortak ne banden e grabitjeve te pronave.
bashkia shproneson,banka boterore financon,atehere OSHE cilin sponsorizon?????
Bahikia nuk po e shporoneson ate truall, por po e grabit….