Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Komunikim

SHURDHMEMECI

Albanologu Robert Elsie, i cili ka shërbyer si përkthyes gojor (interpret) në procesin kundër Milosheviçit në Gjykatën e Hagës tregon një histori ngjethëse që e ka dëgjuar atje prej një dëshmitari.

Thotë Elsie:

Diku afër Prizrenit, në Hoxhë të Madhe apo diku përreth, forcat serbe kanë marrë të gjithë burrat shqiptarë, i kanë rreshtuar buzë një lumi dhe i kanë urdhëruar të bëjnë simbolet serbe dhe të këndojnë këngë nacionaliste serbe. Njëri nuk e bëri! Serbët e qëlluan. Ai ra në ujë dhe u mbyt. Të tjerët nuk guxonin që ta nxirrnin. Arsyeja? Ky burrë nga Kosova ishte shurdhmemec dhe nuk e dëgjoi urdhrin e forcave serbe.

Ky rrëfim nuk është nga ato epet ku shqiptari më parë e pështyn serbin në fytyrë, se të pranojë t’i gjunjëzohet, prandaj vështirë se do ta dëgjojmë ndonjëherë të kënduar nga rapsodi; përkundrazi dhe për fat të keq, është nga ato histori të dëshpëruara, me agresorë dhe me viktima, këto të fundit të ngecura në nofullat e hekurta të një konflikti tërësisht të pabarabartë.

Konflikt që mund të prodhojë tragjiken edhe pa përftuar në gjirin e vet heronj, në kuptimin patetik të fjalës; atë lloj tragjikeje që nuk na lë ta shfrytëzojmë për t’u mburrur.

Milicianët serbë do t’i kenë befasuar këta burra në punë të tyre, në fshat; i kanë kapur, dhe u kanë thënë pastaj “të bëjnë simbolet serbe” dhe “të këndojnë këngët nacionaliste serbe”, thotë Elsie.

U kanë kërkuar pra të konvertohen, gjatë një konflikti ndëretnik, ku etnia përjetohet me ngjyrime të forta fetare; dhe ku nuk mungojnë as elementet mirëfilli fetare – të ortodoksisë serbe kundër Islamit shqiptar.

Por ky i tanishmi nuk do ngatërruar me konvertimet e dhunshme që bëheshin në Mesjetë, ku ndërrimi i fesë ishte punë serioze dhe shumë viktima zgjidhnin vdekjen, para apostazisë; dhe ashtu edhe i kanë masakruar qindra mijëra edhe të krishterë, edhe myslimanë, pse kanë refuzuar jo vetëm fenë tjetër, por edhe ritualin sa për sy e faqe përkatës.

Përkundrazi, në skenën e treguar nga Elsie, serbët nuk është se synojnë gjë, as shpresojnë “rekrutimin” e viktimave të tyre në kauzën kombëtariste serbe, por veç duan t’i poshtërojnë, duke i detyruar të përqafojnë, për së jashtmi, atë çfarë kujtojnë se shqiptarëve u neveritet: identitetin e Tjetrit.

Ndaj ky nuk është më konvertim, por parodi a karnaval i konvertimit; ose diferenca etnike dhe fetare e shndërruar në vegël torture.

Shqiptarët e rreshtuar si para pushkatimit, në buzë të lumit, i bëjnë gjestet që u kërkohen dhe i këndojnë këngët, se përndryshe i pret vdekja.

Sa kohë që komunikimi vazhdon, sa kohë që palët e kundërvëna ende mund të riprodhohen si urdhërues dhe të urdhëruar, shqiptarët kanë sado pak shpresë, se mund të dalin gjallë nga kjo situatë terrori.

Luhet aty, në sytë e askujt, një teatër ngjethës – ku dhuna kalon nga milicianët te fshatarët dhe pastaj u kthehet mbrapsht edhe të parëve, në trajtat e një roli të përbuzshëm.

Dhe e gjitha kjo histori e trishtë do të kish mbetur një nga të shumtat që dëshmojnë përndjekjen e shqiptarëve nga milicianët serbë në Kosovë, sikur të mos shfaqej atje shurdhmemeci.

Ky është një prej të kapurve robër, që nuk e kupton çfarë po kërkojnë milicianët serbë, sepse nuk dëgjon nga veshët; dhe nuk u bindet komandave, sepse kushedi as që i percepton si komanda – për çka edhe pastaj ekzekutohet.

Grande_hazaña,_con_muertos

Francisco Goya: Grande hazaña con muertos (Prado)

Dhe te ky ekzekutim, mizor deri në absurditet, i një të gjymti, më duket se gjen shprehjen më të dhimbshme tragjizmi i asaj çfarë po ndodhte atëbotë në Kosovë.

Serbët dhe shqiptarët, që vijnë në kontakt mes tyre në atë trevë, kanë dalluar dhe ende dallojnë shumë mes tyre – në fe, në kulturë, në histori, në zakone; por asnjërit nga dallimet nuk i shkon rrënjët aq thellë sa gjuhës: serbishtja këtej, shqipja andej.

Milicianët që u imponojnë rituale poshtëruese viktimave civile me siguri u flasin këtyre serbisht; dhe vetë komunikimi që ndodh midis palëve, duke filluar nga urdhri për të bërë gjestet karakteristike dhe për të kënduar, dhe duke vazhduar pastaj me zbatimin e këtij urdhri, themelon një lloj vertikaliteti, një lloj raporti hierarkik që gjen realizim nëpërmjet gjuhës: serbishtja, në këtë rrethanë, është gjuha e agresorit, e torturuesit, e ekzekutorit; ndërmjetëson zbatimin e dhunës, por përcjell edhe ajo vetë dhunë.

Shqiptarët në Kosovë kanë ditur pothuajse të gjithë serbisht; por milicianët nuk është e thënë të kenë ditur shqip – madje pikërisht dygjuhësia e të parëve tradhton statusin e tyre si qytetarë të dorës së dytë; të cilëve u kërkohej gjuha e Tjetrit, sepse nëpërmjet kësaj do t’u transmetohej edhe vetë marrëdhënia e nënshtrimit.

Madje dhunë do të ketë përcjellë edhe vetë ajo rrethanë, kur serbi i është drejtuar shqiptarit në serbisht, sa kohë që kjo është kryer natyrshëm, vetvetishëm, pa kurrfarë hezitimi, pa kurrfarë mundësie qoftë edhe jo me shumë gjasë që komunikimi mund të ish kryer edhe në kahun tjetër, ose që serbi t’i ish drejtuar shqiptarit në shqip; dhe akoma më mirë, që shqiptari t’i ish drejtuar serbit në shqip. Madje humbja e intencionalitetit për të dhunuar e bën komunikimin gjuhësor njëkahësh, objektivisht, edhe më të dhunshëm.

I vetmi që qëndron jashtë këtij qerthulli djallëzor, në skenën e rrëfyer më lart, është shurdhmemeci; për të cilin gjuha e Tjetrit nuk funksionon si gjuhë, për të njëjtën arsye sikurse as shqipja e të vetëve nuk funksionon si gjuhë.

Shurdhmemeci jeton në një univers të ndryshëm, ku as yti as armiku nuk pipëtijnë.

Prandaj nuk reagon, kur milicianët i kërkojnë që të bindet dhe të bëjë shenjat karakteristike të kombëtarizmit serb – ndoshta një V me tre gishta; dhe aq më pak mund të reagojë, kur milicianët i kërkojnë që të këndojë himnet patriotike serbe.

Pa çka se ato shenja me duar, të cilat shqiptarët e tjerë detyrohen t’i bëjnë për të mbetur gjallë; ato shenja me duar, pra, i përkasin një “gjuhe” me të cilën shurdhmemeci kushedi është më i familjarizuar se gjithë të tjerët, agresorët dhe të agresuarit.

Shenjat me duar, gjestikulimi, si formë komunikimi joverbale, mund t’i përkasin – për milicianët serbë – një rendi kulturor të ndërmjetësuar dhe simbolik, madje në funksion të agresivitetit të skajshëm; por për shurdhmemecin ato janë e vetmja gjuhë me të cilën ai merret vesh me të tjerët.

Ndoshta vetëm për të shenj-a është e shenj-të.

Nuk mund ta dimë nëse shurdhmemeci fliste ndopak dhe kuptonte ndopak shqip apo jo; por mund ta marrim me mend se refuzimi i tij për të marrë pjesë në këtë transaksion poshtërues është sa i pavetëdijshëm, aq edhe total.

Ai jo vetëm që nuk i bindet komandës për t’u nënshtruar, por edhe e shpërnjeh këtë si komandë a si urdhër; duke e mospërfillur atë hierarki që, për milicianët, do të ketë qenë pothuajse pjesë e rendit të sendeve në Kosovë dhe gjetiu ku serbishtja ishte gjuha e aktualizimit të raporteve të pushtetit.

Prandaj edhe e vrasin: sepse ai, thjesht si shurdhmemec, shfuqizon edhe vetë mundësinë e komunikimit me palën përballë; çka do të thotë se nuk ua njeh, a priori, pushtetin serbëve dhe e anulon, edhe vetëm me praninë e tij në skenë, mundësinë që një raport horizontal, ai midis dy grupeve etnike, të shndërrohet në raportin vertikal mes poshtëruesve dhe të poshtëruarve.

Është imun, pra, ndaj logjikës ndëshkimore që buron edhe nga goja që shqipton urdhrat, edhe nga tyta e pushkës që shqipton plumbat.

Dhe gjymtimi i tij fizik, pikërisht ai gjymtim që nuk e lejon të dëgjojë komandat ndëshkuese dhe e çon, tek e fundit, në vdekje, gati-gati shpreh dhe përçon gjendjen e asokohshme shqiptarit të Kosovës, viktimë e diskriminimit dhe më pas edhe e spastrimit etnik: aq sa mund të mbetej besnik i vetvetes vetëm duke u izoluar nga komunikimi me përndjekësit e tij etnikë, pa çka se këtë mund ta paguante pastaj me jetën.

Robert Elsie thotë se ish tronditur shumë, kur e dëgjoi këtë rrëfim; ia kaloi mikrofonin kolegut, dhe filloi të qante me zë në sallë. Është, në fakt, nga ato dhimbje që të therin më thellë, kur i dëgjon të rrëfyera – meqë përjetuesit nuk i lejon tmerri, për të reaguar si dëshmitarë.

Një situatë ku edhe fjala edhe heshtja vrasin njëlloj: si të dalësh prej saj, përveçse duke e rrëfyer përtej?

3 Komente

  1. Poshtërimi i armikut me këngë në gojë na sjell edhe një herë tek finalja e paharrueshme e “Paths of Glory” (Kubrick), cekur para pak kohe këtu në një ese të M.Mingës, me vajzën gjermane detyruar, si ndonjë trofe e kurdisur lufte, të argëtojë ushtrinë franceze, pas betejës së rradhës me gjermanët.

    Në rastin tonë burrat detyrohen të ngjërojnë këngën e armikut (rubrika “Pohojnë me gojën e tyre”) në një mekanikë të qartë penetrimi e përdhunimi. Përdhunimi, në fakt, strukturalisht ka filluar, si vëren dhe autori, që me detyrimin për të mësuar gjuhën e armikut (“His Master’s Voice”), kështu që incidenti bëhet thjesht një prej provimeve të rradhës të gjuhës së të nënshtruarit, për të ndëshkuar kë nuk ka mësuar. Njohja e tekstit do të ofrojë pjesën psikologjike të përdhunimit, çka plotësohet mua aty edhe “fiziologjikisht” me rrekjen për ta këngëzuar tekstin poshtë e lart nëpër pentagram – ndërkaq që xhelati me gishtin në këmbëz kontrollon volumin si do.

    Sa të përdorura a të përfolura kanë qenë këto lloj ritualesh poshtërimi (edhe) gjatë konfliktit kosovar?

    Duke lexuar tekstin m’u kujtua skena e hapjes nga një film gjerman mbi luftën (“Ura mbi Ibër”, shfaqur para ndonjë viti nga ARTE), e pastaj seria humoristike e Stupcave, “Amkademiku”.

    https://vimeo.com/130190608
    (min. 0:10)
    https://www.youtube.com/watch?v=NomhgdieD80
    (min.23.50)

  2. Ka ndodhe ne veri me tregetaret shkodrane qe shkonin ne Tuz per tregeti, ka ndodhe ne kufinin e jugut me emigrantet e ushtaret greke, ka ndodhe me hebrejte ne kampet e perqendrimit dhe ka ndodhe me gjermanet mbas hymjes se trupave aleate ne Gjermani. Shqiptaret nuk jane ma te keqij se te tjeret. Krahasueshem, mund te jene edhe ma te mire ne raste te caktueme. Te shkruesh per thye krenarine e dikujt ashte mekat i ulte.

    1. Thoni:

      Te shkruesh per thye krenarine e dikujt ashte mekat i ulte.

      Historia më lart është rrëfyer në Hagë, nga një dëshmitar, në gjyqin kundër Milosheviçit. Unë e kam marrë nga Robert Elsie, i cili ka qenë atje i pranishëm, si përkthyes. Kjo histori, ashtu siç është sjellë nga Elsie, do të ketë shërbyer në mbështetje të akuzës kundër liderit serb, për krime kundër njerëzimit në Kosovë; jo “thyerjes së ndonjë krenarie”, siç insinuoni ju; aq më tepër që krimet kundër njerëzimit nuk mund të prodhojnë krenari, përveçse tek të marrët; dhe aq më tepër akoma që nuk është turp as poshtërim, të kesh qenë dikur viktimë e një barbarizmi të pashembullt.

      Nëse ju gjeni te rrëfimi i Elsie-t dhe në arsyetimet e mia për gjuhën si dhunë diçka “të ulët,” kjo dëshmon shumëçka për ju dhe çfarë kultivoni ju në mendjen tuaj; por nuk lidhet me çfarë është rrëfyer më lart.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin