Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

DHOMA E PRITJES

Nuk ka pasur apartament, në Shqipërinë e viteve 1945-1990, që të mos vinte me një dhomë pritjeje – me përjashtim të apartamenteve shumë të vogla, garsonierave dhe zgjidhjeve të tjera ad hoc.

Dhoma e pritjes, që siç edhe quhej kish për funksion pritjen e mysafirëve, ishte po aq pjesë e shtëpisë minimale sa edhe kuzhina dhe dhoma e gjumit; sepse përfaqësonte atë hapësirë të apartamentit, të cilën të zotët e shtëpisë e ndanin – sado përkohësisht dhe ritualisht – me të tjerët, të “jashtmit.”

Vazhdim qoftë edhe thjesht konceptual i të dikurshmes odë të burrave ose selamllëk, dhoma e pritjes ishte edhe më pak e përdorura, më pak e jetuara në apartament; për shkak të funksionit të saj, ajo duhej të rrinte në gatishmëri ose në stand-by, në mënyrë që çdo mysafir, sado i papritur, të mund të pritej sipas protokollit. Në atë kohë shumë familje nuk kishin telefon që ta paralajmëronin ose të paralajmëroheshin për vizitën; prandaj edhe mikpritësit nuk do të kishin kohë për ta përgatitur dhomën posaçërisht. Që këtej, nevoja për ta mbajtur gati.

Mobilimi i dhomës së pritjes ishte gjithashtu pjesë e përgatitjes elementare të apartamentit për banim: minderët dhe postiqet e djeshme tani do të zëvendësoheshin nga kanape, kolltuqe dhe karrige; me një tavolinë të vogël në mes. Dhoma zakonisht zbulurohej me ndonjë vepër arti çfarëdo; që nga vitet 1970 e këtej u bë zakon të vendosej në mur një foto me ngjyra e Enver Hoxhës; sikurse u bë zakon që të vendosej, diku në bufe ose në bibliotekë, një bust i vogël prej allçie, sërish i Enver Hoxhës, riprodhim i bustit të mirënjohur të Odhise Paskalit.

Të tjera vepra arti standard ishin ndonjë bust ose portret i Skënderbeut, ndonjë shqiponjë herë-herë e stilizuar ose e pirografuar, objekte të tjera artizanale të prodhuara nga ndërmarrja artistike “Migjeni” në Tiranë dhe sende të tjera të vogla ndonjëherë edhe të bëra vetë, si çentro të thurura me grep ose qëndisma gjithfarësh. Dekorin publik të normalizuar të dhomës së pritjes e plotësonin lulet artificiale ose ndonjë fikus, frutat plastike, lodra fëmijësh të dyllosura prapa xhameve dhe ndonjë fotografi historike e gjyshërve, e zmadhuar për këtë qëllim. Në vitet 1980 familjet filluan të ekspozonin edhe sende konsumi çfarëdo, të sjella nga jashtë, si shishe pijesh jo-alkoolike, kuti biskotash prej teneqeje dhe të tjera çikërrima të ngjashme.

Kush mundej, do të varte në muret e dhomës edhe ndonjë pikturë me vlerë të mirëfilltë, zakonisht dhuratë nga vetë autori; përndryshe, tregu i veprave të tilla ekzistonte, por nuk u shërbente në masë qytetarëve. Në familje të një statusi më të ulët, do të gjeje rëndom të ekspozuar kitsch, përfshi këtu sixhade me skena nokturne, hënë, liqene dhe sorkadhe; ose statuja porcelani. Forca e ornamentit shprehej kryesisht nëpërmjet ngjyrës së ndezur dhe më pak nëpërmjet origjinës së shprehur.

Shumë familje e vendosnin edhe bibliotekën në dhomën e pritjes; ose të paktën një pjesë të librave; bëhej fjalë për libra që përveçse të meritueshëm për ekspozim, duhej të kishin edhe një farë “bukurie” – të reduktuar në kombinime ngjyrash të ndezura të shpinave ose simetri. Mes këtyre librave, vendin e nderit e zinin veprat e ndryshme të Enver Hoxhës – ato të serisë standard, ose më pas edhe libra të tjerë me kujtime; familjet më intelektuale kishin edhe veprat e zgjedhura të Leninit, ndonjëherë të Stalinit, të Marksit dhe të Engelsit; ose edhe ndonjë libër të Enver Hoxhës në gjuhë të huaj. Në vitet 1980, kësaj buqete librash të ekspozuar do t’i shtoheshin edhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe dhe Fjalori Enciklopedik; si dhe botime të tjera të Akademisë së Shkencave, ndonjë gjë në lidhje me Skënderbeun dhe ndonjë album fotografik.

Kësisoj, në dhomën e pritjes familja ekspozonte ikonat e fesë zyrtare në Shqipëri – idolatrisë enveriste dhe më pak edhe nacionaliste; pushteti nuk e kërkonte këtë në mënyrë eksplicite, por mungesa e një fotoje të Enverit në mur ose e një busti ose e një numri veprash do të binte në sy për keq.

Mysafirëve u shërbeheshin të paktën karamele, bombone, cigare dhe kafe; sipas rastit edhe pije të ëmbla, shpesh të bëra vetë; ose likerna gjithfarësh. Nëse stina e lejonte, ofroheshin edhe fruta; kur vizitat ishin paralajmëruar, pasta të freskëta ose tortë. Burrave u jepej raki, edhe pse kjo konsumohej në sasi të moderuar, përveçse kur dikush ish thirrur për darkë.

Në dimër dhoma e pritjes nuk ngrohej; mbahej aty një ngrohëse e vogël elektrike, e njohur me emrin reflektor, që do të ndizej në rast vizitash; reflektori e ngrohte mjedisin e vogël, por konsumonte energji. Përndryshe, edhe pse dhoma mund të ishte e shtruar me qilim të mirë, mysafirëve nuk u kërkohej të hiqnin këpucët; ndonjëherë edhe thjesht për shkak të së ftohtit – edhe pse ky zakon ndryshonte sipas traditës.albahome1

Kushërinjtë, miqtë e afërt dhe fqinjët nuk i futnin në dhomën e pritjes por në kuzhinë ose në dhomën e ndenjjes – në fakt, vendi se ku të çonin, kur hyje në një shtëpi, vetvetiu tregonte edhe llojin e raportit që kishe ti me të zotët e shtëpisë, si mysafir: nderimi i tepërt tradhtonte largësi – përkundrazi, leja për të hyrë në mjediset më “intime” të apartamentit, si në kuzhinë, tregonte familjaritet. Kështu, një fqinjë që hynte dhe dilte shpesh, zakonisht gjatë ditës, për arsye të ndryshme ose edhe thjesht për muhabet, nuk do të çohej kurrë në dhomën e pritjes.

Funksioni thelbësor i kësaj të fundit ishte, në të vërtetë, jo aq të priste mysafirë, sesa të mbahej gati për një vizitë çfarëdo; prandaj edhe mbetej përgjithësisht e pashfrytëzuar si hapësirë. Ndonjëherë, në dhomën e pritjes i shtronin për të fjetur një mysafiri; ndonjëherë tjetër atje organizoheshin festa të vogla të fëmijëve si datëlindje, ku ftoheshin shokët dhe shoqet e shkollës. Në të gjitha këto rregullsi dhe zakone kishte diçka edhe nga karantina, nga nevoja për ta izoluar të ardhurin, për ta mbajtur larg zemrës jetike të apartamentit, që do të maskohej, natyrisht, si mirësjellje. Nëse muret e apartamentit shërbenin si mbrojtje ndaj agresionit fizik të mjedisit (të ftohtit, vapës, shiut, erës, etj.) dhe intruzionit të së huajve në hapësirën private të banimit, dhoma e pritjes ishte edhe ajo një lloj mbrojtjeje e butë, me karakteristika edhe të privates edhe të publikes; duke i bashkëndarë kështu disa tipare me derën.

Nëse në shtëpi tryeza e bukës shërbente si selia e ekzekutivit, ndërsa dhoma e gjumit si një lloj ministrie e brendshme, dhoma e pritjes kryente detyrat e ministrisë së Jashtme; ose të paktën e një drejtorie të marrëdhënieve me Jashtë. Brenda një apartamenti i cili nuk mund të funksiononte si shtëpi, përveçse i mbyllur, dhoma e pritjes do të mbetej pjesërisht e hapur ndaj hyrje-daljeve me mjedisin përjashta. Aq më tepër, në kohët kur jeta sociale në qytet, për shkak të varfërisë, pothuajse nuk ekzistonte – përveçse në nivelet e nënujshme të pijetoreve dhe të gjellëtoreve – këto dhoma luanin edhe një rol të ngjashëm me atë të kafeneve dhe të bareve sot: njerëzit mblidheshin bashkë dhe bisedonin, por pa atë impenjim më total, që kërkon të ngrënit së bashku.

Veç kësaj, duke ndenjur kjo dhomë bosh më të shumtën e kohës, do të shfrytëzohej nga brezi më i ri, në familje, për punët e veta. Në fakt, ngaqë apartamentet ishin të vogla, pothuajse asnjëherë fëmijët e rritur nuk kishin dhomën e tyre; dhe detyroheshin që t’i takonin miqtë e tyre ose përjashta, ose ta shfrytëzonin edhe ata dhomën e pritjes, nëse kjo ishte e lirë; dhe veçanërisht në stinën e ftohtë, kur protokolli mund edhe të shkelej dhe mysafirët të çoheshin drejtpërdrejt te dhoma e ndenjjes, që ngrohej me sobë. Në këto dhoma të rinjtë bënin ndonjëherë biseda të ndaluara, dëgjonin muzikë ideologjikisht e refuzuar dhe putheshin; madje kish familje që gjykonin se vajzat ishin më të sigurta po t’i takonin djemtë në dhomën e pritjes në shtëpi, se gjëkundi në rrugë apo, edhe më keq akoma, në park ose në pyll. Kjo, natyrisht, nuk e shfuqizonte që statusin prej mysafir të fëmijës, sa kohë që ky e përdorte dhomën e pritjes për funksionet e veta sociale.

Falë këtij statusi më fleksibël, në krahasim me hapësirat e tjera të shtëpisë, dhoma e pritjes lejonte zgjerimin virtual të kapaciteteve të apartamentit për të akomoduar nevojat sociale të së paku dy brezave; duke ndihmuar edhe në zbutjen e konflikteve të pashmangshme, sidomos në dimër kur familja mblidheshin të gjithë pasditeve dhe mbrëmjeve në shtëpi.

Kam bindjen se dhoma e pritjes ka qenë një hapësirë a element kalimtar, në procesin e urbanizimit të popullsisë kryesisht rurale të Shqipërisë, që filloi të lëvizte masivisht drejt qyteteve pas vitit 1945 dhe ashtu edhe diktoi nevojën për ndërtime, sërish masive, të pallateve të banimit, me apartamente. Apartamentet, nga ana e tyre, nuk ishin aspak vazhdim i natyrshëm i shtëpive të fshatit dhe as i shtëpive tradicionale qytetare; por një kompromis, ndonjëherë brutal, me kushtet e reja të mbipopullimit dhe nevojës për të strehuar pa shpenzime të mëdha dhe brenda një sipërfaqeje relativisht të kufizuar një numër sa më të madh njerëzish, kryesisht punëtorësh në fabrika – sa kohë që urbanizimi përkoi edhe me industrializimin. Prandaj dhoma e pritjes do të rimerrte, në kushtet e reja, disa tipare të “dhomës së burrave” në banesat tradicionale shqiptare; por duke ua përshtatur këto kufizimeve të mëdha në hapësirë dhe në privatësi, të apartamentit; njëlloj siç do të trashëgonte, bie fjala, ballkoni disa tipare qoftë edhe thjesht simbolike të oborrit.

Kam përshtypjen, me sa kam vënë re, që sot një strukturë kalimtare si dhoma e pritjes po priret të absorbohet nga struktura të tjera, që u përshtaten më mirë rrethanave sociale të pas-1990-ës; duke u afruar për nga funksioni, mobilimi dhe dekori me sallonin e ndenjjes nga njëra anë (soggiorno) dhe dhomën e bukës, nga ana tjetër; çfarë lidhet edhe me rifunksionalizimin e hapësirave të tjera të apartamentit model, p.sh. të kuzhinës; por edhe me ndryshimin në marrëdhëniet mes njerëzve brenda komunitetit urban, vajtje-ardhjet, bujtjet dhe vizitat, por edhe drekat dhe darkat e shtruara në shtëpi, përkatësisht në lokale dhe festat private. Për këto arsye, dhoma e pritjes e periudhës komuniste-totalitare dyshoj se do të mbetet një dukuri unike në llojin e vet, e papërsëritshme dhe sa karakteristike, aq edhe përfaqësuese për një mënyrë jetese urbane kalimtare, e cila nuk do të përsëritet më.

9 Komente

  1. Funksionin me solemn dhoma e pritjes e luante ne rast vdekjeje. Xhenazja e vendosur ne mes te dhomes me grate rrotull, dhe burrat ne dhomen e pritjes se apartamentit karshi presin akoma qe ti marre e ti shtjelloje shkrimtari deri tani i panjohur i Romanit te Madh Shqiptar i Epokes se Komunizmit.
    P.S.
    Me pelqen drejtimi i ri qe ka marre PTF, me me shume observim dhe kronikim i fenomeneve kulturore perfshi gjuhesore dhe me pak gjykim dhe polemike.

    1. “Me pelqen drejtimi i ri qe ka marre PTF, me me shume observim dhe kronikim i fenomeneve kulturore perfshi gjuhesore dhe me pak gjykim dhe polemike.”

      Duket si nje fare fejsbuku.

      1. Fatma, jam shumë i interesuar që ta shtjellosh pak këtë krahasim, përtej batutës së lehtë 2-lekëshe. Çfarë gjen aq të përbashkët midis kësaj faqeje dhe Facebook-ut, sa të shtyhesh që ta vësh në dukje? Dhe meqë ra fjala, je në Facebook ti? Më thuaj të lutem (edhe në privat), sepse dua që të bëhemi friends dhe mos t’i humbim kurrë lidhjet me njëri-tjetrin edhe kur ti rri me muaj pa u bërë e gjallë në Peizazhet, e megjithatë gjen kohë për t’u shfaqur dhe për të lënë një koment si ky më sipër.

        1. Po çfarë të shtjelloj,nuk do shumë mend të kuptosh që po hoqe debatin mbeten vetëm qokat e fejsbukut. Pastaj, ti e kishe pëlqyer mendimin e vendettona…
          Sa per batutën 2-lekshe, ku ta dish, mund te vlejë më tepër se nje ese;kot nuk e kishin pëlqyer nja katr’ a pesë.

          1. Facebook-u po na e zë frymën të gjithëve: shumë debate që më parë bëheshin këtu, tani janë zhvendosur atje. Dhe me Peizazhet ka ndodhur kjo: është rritur numri total i vizitorëve nga viti në vit, por është ulur numri i vizitave për vizitor; çfarë shpjegohet me pakësimin e komenteve. Por sa varet kjo nga faqja vetë dhe politikat tona editoriale? Ne jemi vetë pjesë e ndryshimit, prandaj e kemi të vështirë të kuptojmë se çfarë po ndodh tamam. Të paktën, në krahasim me mediat e tjera shqip, po përpiqemi të ruajmë një farë standardi etik dhe respektin për lexuesin dhe veten, duke i mbajtur jashtë trollët dhe robotët e zyrave të propagandës të partive politike. Dua të them: duke qenë pjesë e hapësirës mediatike shqip, edhe Peizazhet i ndien dhe i vuan të metat, mangësitë dhe patologjitë e kësaj hapësire; por ne bëjmë aq sa mundemi, çfarë nuk është kurrë aq sa duhet.

  2. Si do ta cilësoja me një mbiemër dhomën e pritjes në atë kohë? E ftohtë. Në radhë të parë, sepse nuk kishte ngrohje dhe njerëzit e shtëpisë e frekuentonin pak. Në radhë të dytë, ngaqë kishte diçka formale dhe ceremoniale, nga mobiliet tek qilimi (tapeti). Në qoftë se kuzhina ishin tutat ose vetë pizhamet, dhoma e gjumit ishte kostumi i mirë, që përdorej për raste të veçanta.

    1. Edhe era që mbante ishte tjetër: përzierje e llakut të librave të xhaxhit, tutkallit të kolltuqeve, pluhurit të perdeve dhe ndonjë portokalli të harruar dhe të mykur, midis frutave plastike.

      1. Patjetër! Tani po më kujtohet gjithashtu se dhoma e gjumit nuk mund të ishte e tillë, pa një paketë DS me filtër mbi tavolinën e vogël dhe një kuti shkrepëse aty afër (kush kishte çakmak të jashtëm tregonte luks). Nejse, çdo gjë ishte gati për t’ia servirur mikut.

  3. Kam përshtypjen se si term, dhomë pritjeje duhet të jetë diçka më e re. Mundet qe ka marrë atributet e asaj që dikur ishte “dhomë e miqve”, pra dhomës ku priteshin miqtë, ku miqtë ndiheshin si në shtëpinë e tyre.
    Po qe kështu, ajo i përgjigjet një tradite të vjetër të përhapur nëpër Evrope. Në Azi mbase ka qenë inekzistuese sepse fvj. izba apo jurtet kishin vetëm një mjedis që ishte shumëfunksional, përdorej e përdoret për ndenjje, ngrënie dhe pastaj fjetje.
    Them kështu sepse të paktën në Francë sot e kësaj dite dhoma e miqve « chambre d’amis” është një element ekzistues mjaft i rëndësishëm. Kam patur rast që të njohur a kolegë të ndryshëm që sapo kanë hedhur betonin e shtëpisë së tyre të re, të ftojnë e të tregojnë me kënaqësi ndarjen e mjediseve të ardhshme.
    Dhe aty asnjëherë nuk do të mungojë “dhoma e miqve”. Të tjerë që blejnë ndonjë shtëpi në fshat, kur ftojnë njerëz me rastin e ceremonisë së varjes së çengelit (pendaison de la crémaillère), së pari i ftojnë ata të vizitojnë shtëpinë dhe pa dyshim vizita fillon te “dhoma e miqve”.
    Nuk është as më e madhja dhe as më e pajisura, por është gjithnjë e disponueshme për të ftuarit dhe sidomos për ata që pasi kanë pirë, të zotët e shtëpisë i këshillojnë të flenë aty e të mos ngasin makinën duke patur me përqindje të lartë alkooli në gjak.
    Verej se nese per arsye ekonomike blejne apo marrin me qira se pari nje shtepi me pak mjedise, synimi eshte qe se shpejti, ne kushte me te mira, te kene nje shtepi ku te jete e pranishme edhe dhoma e miqve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin