Nga ç’më shkruan disa lexues dhe miq, në lidhje me bashkëjetesën dhe dallimin mes gjalpë dhe tëlyen në shqipen e sotme, mora vesh se, të paktën në disa zona të Veriut, tëlyen është specializuar sot për gjalpin e shkrirë, ndërsa gjalpë për kremin, ose produktin e freskët.
Meqë Çabej, tek shënimet për etimologjinë e fjalës gjalpë e bën të qartë se kjo fjalë e vjetër është zëvendësuar me tëlyen në gegërishten, atëherë nuk më mbetet veç të besoj që gjalpë ka hyrë sërisht në gegërishten nëpërmjet tregut, si emër produkti; dhe nëpërmjet standardit.
Dhe pasi ka hyrë sërish, ka kërkuar një kompromis me tëlyen, meqë dy fjalë me të njëjtin kuptim ligjërimi shqip nuk do t’i toleronte; ky kompromis, që e ka mbajtur tëlyen për produktin më tradicional, ndërsa gjalpë e ka rezervuar për produktin që shitet në treg, dëshmon se gjuha gjithnjë e gjen mënyrën për të mënjanuar artificialitetin – këtë herë të krijuar nga përplasja midis normës leksikore standard dhe dialektit ose të folmes.
Këtu do të doja të tërheq vëmendjen për rolin e tregut, në përhapjen e fjalëve dhe pasurimin e leksikut “kulturor” – sa kohë që tregut i duhet, për të funksionuar mirë, saktësia e emërtesave; meqë kjo lidhet edhe me listat e mallrave dhe të çmimeve. Një treg bulmeti, ku dallimi midis dy llojeve të gjalpit pasqyrohet edhe në leksik, do të funksionojë më mirë se një tjetër ku bëhet fjalë thjesht për gjalpë (ose thjesht për tëlyen).
E megjithatë, ky pasurim i detyrohet funksionalitetit të shtuar, jo diversitetit në prejardhjen e fjalëve; sa kohë që sinonimia absolute nuk mund të konsiderohet si pasurim, përveçse nga leksikografët dhe koleksionistët e fjalëve-flutura.
I njëjti mekanizëm tregu do të ketë përcaktuar edhe futjen e një fjale të çuditshme, si burrofresko, në të folmen e Shkodrës; pas gjase, kjo fjalë ka shënjuar një lloj gjalpi të ardhur nga Italia, që vendësve do t’u jetë dukur i ndryshëm nga ai me të cilin ishin mësuar.
Një shembull tani së voni mund të ndihmojë për ta kuptuar dinamikën e dukurisë.
Dikur nga fundi i viteve 1980, filluan të shfaqen në Shqipëri televizorët e parë me telekomandë; dhe përdoruesve doemos u duhej një fjalë për pajisjen e vogël, me të cilën mund të kontrollohej televizori në distancë.
Dy fjalë u ofruan për këtë punë: telekomandë, nga italishtja; dhe pult. Nga sa kam vënë re, të dyja u përhapën gjerësisht, edhe pse arsyet se pse u parapëlqye njëra ndaj tjetrës, veç e veç, nuk i kam të qarta.
Përshtypja ime, ose hipoteza fillestare që do të doja ta diskutoj me ju, është se pult u përshtat me këtë përdorim nëpërmjet inxhinierëve; meqë fjala ekzistonte dhe përdorej në shqipen teknike që para se mbërrinin në Shqipëri televizorët me telekomandë.
Fjalori i Gjuhës Shqipe i 2006-ës e përkufizon kështu:
E megjithatë, fjala mungon krejt, në Fjalorin e 1954-ës. Vetë nuk e kam ndeshur të përdoret me kuptimin 1; ndërsa në kuptimin 2 po: pulti i drejtimit, pulti i komandimit etj.
Pas gjase, ka hyrë në shqipe nga rusishtja пульт – së bashku me teknologjinë dhe ekspertizën teknike që morëm prej Bashkimit Sovjetik në vitet 1950; dhe me kuptimin “pajisje për drejtimin e një makinerie” (përkufizimi i Fjalorit: “pajisje për të drejtuar automatikisht…” përmban një kontradiktë: nëse drejtimin e makinerisë e kryen ti nëpërmjet pajisjes, atëherë ky nuk mund të jetë automatik).
Vetë rusishtja e ka marrë fjalën nga gjermanishtja, Pult; e cila fjalë, në gjermanishte, rrjedh nga latinishtja pulpitum.
Tani, pult dhe telekomandë u shfaqën në shqipe njëkohësisht, por të pakodifikuara; dhe nuk hynë në konkurrencë mes tyre, meqë nuk pati ndonjë orvatje për të njësuar terminologjinë e pajisjeve të telekomanduara. Kjo do të thotë se atje ku përdorej pult nuk do të përdorej telekomandë dhe anasjelltas, atje ku përdorej telekomandë nuk do të përdorej pult.
Ky lloj ekskluziviteti i ndërsjellë është karakteristik për dialektet, gjeografike dhe sociale; dhe do të ishte me interes sikur të kishim një hartë të përhapjes së këtyre dy termave në truallin ku flitej shqipja deri aty nga mesi i viteve 1990. Për fat të keq kjo hartë nuk ekziston; dhe tani mund të jetë shumë vonë, për shkak të polenizimit të kryqëzuar në leksik, të shkaktuar nga lëvizjet e popullsisë, ndërrimi i brezave dhe vetë trysnia e standardit.
Këtu më tërheq vëmendjen aftësia e shqipes, në atë kohë, për t’ia gjetur një emër vetvetiu një pajisjeje të re; dhe jo thjesht duke e marrë nga gjuha tjetër, si në rastin e telekomandës, por duke përshtatur një term ekzistues, si në rastin e pultit. I njëjti proces ka ndodhur edhe në rusishte, ku пульт përdoret sot me kuptimin “telekomandë”, pak a shumë si në shqipe.
Megjithatë, në rrethanat kur produkte të reja teknologjike futen në treg shumë më shpesh se më parë, gjuha ka nevojë për ndihmë, që t’u bëjë ballë emrave – dhe me ndihmë, kam parasysh një autoritet terminologjik, që të punojë në bashkëpunim me departamentin përkatës të Tregtisë së Brendshme (ose Zyrën e Standardeve ose ndonjë institucion të barasvlershëm), për të përcaktuar emrat e mallrave që shiten. Po a ekziston vallë një autoritet i tillë? Dhe a ia ndien kush nevojën? Apo presim që të na e kërkojë edhe këtë Europa?
Deri më sot, me sa mund të them, kjo u është lënë në dorë përkthyesve të etiketave; pa çka se dhënia e një emri në shqip, sikurse krijimi i një terminologjie të specializuar ose emërtimi nuk është punë dhe as detyrë e përkthyesit. Për shembull, si do ta quanim formalisht, për shembull në një katalog ose një tabelë çmimesh, atë pajisje që anglishtja e quan smartwatch?
Të mbajmë parasysh se kjo punë është cilësisht e ndryshme nga lokalizimi i terminologjisë teknike; për shembull, Universal Serial Bus (që zakonisht e ndeshim të shkurtuar si USB), e kanë lokalizuar zyrtarisht në shqip si magjistrale universale në seri. Mirë apo keq? Nuk ka kurrfarë rëndësie: askush nuk do ta përdorë këtë term në komunikimin e përditshëm; as do të shkojë ndonjëherë në dyqan dhe t’i thotë shitësit: a keni kabllo për magjistrale universale në seri?
Shihni edhe këtë shkrim, për një diskutim të ngjashëm.