PËR NJË FAMILJE HUAZIMESH FRËNGE

Këto ditë bisedoja me një shok (G.Ç.) për huazimet e shqipes moderne nga frëngjishtja, të cilat kanë shoqëruar krijimin dhe konsolidimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare, por edhe të shtetit, institucioneve dhe profesioneve të lira – duke qenë frëngjishtja, për disa shekuj, gjuhë dhe kulturë referencë e modernizimit.

Ashtu edhe e kapa veten duke qëmtuar, në shqipe, duzina fjalësh që mbarojnë me -azh, dhe që – të paktën formalisht – u përgjigjen fjalëve të frëngjishtes me prapashtesën -age, të tilla si

tatuazh, masazh, lavazh, pasazh, reportazh, e tirazh; por edhe pelegrinazh, metrazh, kolazh, balotazh, tisazh e trikotazh; dhe më tej mesazh, peizazh e shantazh; dhe pastaj spiunazh, stazh, bagazh, minutazh dhe kanotazh; ambalazh, arbitrazh dhe montazh, e kështu me radhë…

dhe këtu u bëra kurioz dhe shkova të kërkoj drejtpërdrejt në Fjalorin e 2006-ës, dhe aty gjeta edhe

imazh, aliazh, avantazh, ekuipazh, garazh, grupazh, homazh, ingranazh, kilometrazh, makijazh, mirazh, patinazh, personazh, patronazh, silazh, sondazh, tonazh, voltazh.

Jo keq.

Sa për rrugën e hyrjes, vështirë të kenë ardhur të gjitha drejtpërdrejt nga frëngjishtja – më shumë do të thoja se frëngjishtja ka ofruar modelin morfofonetik (me -azh) dhe pastaj në atë klasë janë përfshirë dhe përshtatur dhe fjalë të ngjashme (të interpretuara si të ngjashme), si ato të italishtes me -aggio. Është gramatikisht më lehtë e më volitshëm të integrosh në shqipe një fjalë si peizazh që i përgjigjet frëngjishtes paysage, se përgjegjësen italishte paesaggio, e cila nuk e gjen lehtë vendin në sistemin e lakimit. E njëjta gjë edhe për cabotage – fjala mund të jetë vërtet e së drejtës ndërkombëtare të lundrimit, por shqipes i ka ardhur kollaj ta adoptojë si kabotazh dhe jo si cabotaggio, megjithë kulturën “italianizante” të leksikut të lundrimit në brigjet shqiptare.

Shqipja ka edhe ndonjë pseudo-francezizëm, si golaverazh, dhe motrën e kësaj pikaverazh (të ndërtuar sipas modelit të së parës); do të gjenden edhe të tjera.

Megjithatë, e duke pasur parasysh kohën kur kanë hyrë këto fjalë në shqipe dhe influencat kulturore të elitave shqiptare, ma merr mendja se duhen shtuar edhe të paktën dy burime të ndërmjetme për fjalët. I pari është turqishtja, gjuhë e cila – si instrument i përpjekjeve të elitave osmane për t’u emancipuar e modernizuar në shekujt XIX-XX – iu pat drejtuar frëngjishtes si bankë leksikore të dobishme.

Thuhet se turqishtja pat huazuar me mijëra fjalë nga frëngjishtja, mes tyre edhe këto me -age; masazh në turqishte është masaj, kolazh është kolaj, shantazh është şantaj e kështu me radhë – mund të vazhdoja. Kur e pikasim këtë rregullsi, përvetësojmë edhe një mënyrë praktike për të zgjeruar leksikun tonë të turqishtes.

Burimi i dytë i tërthortë i këtyre fjalëve shqipe është rusishtja; gjuhë ku u furnizuan elitat politike, institucionale dhe kulturore të pas 1945-ës. Rusishtja i ka pasur edhe më intensive marrëdhëniet me frëngjishten, që herët; kush ka lexuar “Lufta dhe paqja” e Tolstojit do kujtohet edhe për faqet e tëra me dialog frëngjisht mes aristokratëve rusë të fillimshekullit XIX. Edhe sot, kolazh në rusishte është коллаж, masazh është массаж, mirazh është мираж, garazh është гараж, e kështu me radhë.

Fjalë të tilla, në gjuhë relativisht të largëta nga njëra-tjetra, si turqishtja dhe rusishtja, por me të cilat shqipja ka dhënë e ka marrë në nivelin kulturor-libror, mbështetin variantet e veta përkatëse; dikush që e pat dëgjuar fjalën masazh në turqishte, do ta përforcojë vetëdijen e fjalës, kur ta dëgjojë edhe në rusishte. Efekt anësor i kësaj osmoze është edhe afrimi i gjuhëve – çfarë ndihmon pastaj edhe afrimin e kulturave dhe të popujve.

Shqipja ka treguar fleksibilitet, në përshtatjen e këtyre fjalëve pak a shumë ndërkombëtare – emrat e tipit revolucion, aviacion, i ka përshtatur pjesërisht prej italishtes (rivoluzione) dhe pjesërisht prej frëngjishtes (révolution); përndryshe drejtpërdrejt nga frëngjishtja mbase do të kishim revolusjon, aviasjon; emrat e tipit universitet, personalitet i kemi përshtatur, me gjasë, prej gjermanishtes (Universität), sepse frëngjishtja do të na kish dhënë yniversité; e kështu me radhë – duke gjetur, dora-dorës, formën morfonetikisht më lehtë të integrueshme. Kjo do të ketë ndodhur ngaqë forma e shkruar dhe pastaj edhe e shqiptuar, e këtyre fjalëve, është stabilizuar nga njerëz me vetëdije të fortë drejtshkrimore; por edhe që e njihnin historinë e leksikut të shqipes.

Këtë e them, sepse kushdo që e ka zgjedhur formën e normëzuar për emra si universitet, fakultet, identitet, kapacitet, etj. e ka ditur që emrat latinë të kësaj strukture morfonematike, si civitas, sanitas, potestas, etj., shqipja me kohë i pat shndërruar natyrshëm në trajta si qytet, shëndet, pushtet – të krahasohen këto me universitas > universitet. Një nga ato raste domethënëse kur etimologjia ka ndikuar, sado tërthorazi, në përcaktimin e formës së një huazimi modern.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Ideogram.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin