nga Can Dündar*
Zoti President,
E gjithë bota e di që, për ndalimin e fundit tre mujor, i jemi borxhlinj ankesës suaj personale dhe bindjes së verbër të gjykatësve që nuk ua bëjnë fjalën dy.
Mendoj se për këtë ndalim ju detyrohem, për disa arsye, një falenderim.
Në karrierën time profesionale, burgu kish mbetur një mangësi; falë jush e plotësova edhe këtë.
Pas lehtësimit të mospasjes me vete telefonin që më përgjonit, lexova librat që prej kohësh nuk po mundja t’i lexoja; shkrova aq shumë sa nuk kisha shkruar dot më parë (madje, tani që nuk ekzistonte më as rreziku që mund të më arrestonit, shkrova akoma më lirshëm), kur isha jashtë nuk bëja dot sport; brenda eca plot, luajta me top. Njoha njerëz, jetë të reja. Aq shumë material gjeta sa një shkrimtari do t’i mjaftonte për gjithë jetën. Prita e përcolla sa kurrë më parë deputetë e miq avokatë. Edhe këto falë jush…
Më siguruat të kaloj brenda një natë prej nga nuk di sesa netësh Viti të Ri që më kanë mbetur në jetë…
Duke na futur brenda, na siguruat mbrojtjen nga lufta e brendshme, nga epidemia e derrave, nga ajri i pisët, nga bora e nga dimri që sa vijnë e shtohen në këtë vend.
Na falët privilegjin të përjetojmë ato çka fati na i dhuron pas vdekjes: të dimë sa na duan, të ndiejmë mbështetjen nga pas; duke qenë brenda, na mundësuat një interes të tillë që as e kishim ëndërruar, as e meritonim.
Falë jush, edhe pse vitin që shkoi nuk shkrova asnjë libër, në listën e “shkrimtarëve më të mirë të viti” u zgjodha i pari, duke lënë pas Orhan Pamuk-un.
Pse u munduat?!
Na dhuruat mundësinë të tregojmë se jo çdo gazetë mbytet, jo çdo zog mposhtet.
Me përzemërsi, ju ofrojmë mirënjohje…
***
Turp është ta zemë në gojë qëndrimin tonë prej tre muajsh në burg pranë atyre që janë brenda prej vitesh, që frymojnë kushtet e rënda të izolimit, që janë dënuar për mijëra raste shpifjeje por, duke na futur në burg, na ofruat një tribunë dhe na dhatë mundësinë të jemi zëri i tyre; edhe për këtë ju falenderojmë në veçanti.
Pastaj është edhe kjo puna e kamionëve që, duke i vënë vulën e sekretit shtetëror, u përpoqët ta fshihnit nga e gjithë bota e pastaj, ngaqë e bëmë lajm, na futët brenda; pasi na futët brenda, kjo punë u dëgjua nga Japonia deri në Kanada, nga Oqeania në Indonezi; nuk mbeti njeri pa e marrë vesh; edhe për këtë kontribut, sado t’ju falenderojmë, pak është…
Ju lumtë mendja!
Po pse vetëm kjo? Nga burgu gjetëm rastin t’i tregojmë botës për autoritarizmin, mungesën e ligjit, rrezikun e luftës në Turqi; cili pushtet mund të ma krijonte mua mundësinë të shkruaja për nga The Guardian te Der Spiegel, nga Washington Post te Le Monde?; kush mund t’ia plotësonte nënpresidentit amerikan kërkesën për t’u takuar me familjen time?; kush tjetër përveç pushtetit tuaj të shfrenuar…
Me mbështetjen tuaj dhe të veglave tuaja arritëm që, pas vitesh mungese të madhe solidariteti profesional, të marrim frymë në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, t’i bashkojmë me qindra njerëz në “Rojen e shpresës”; pas lirimit, ia dolëm që së bashku të përjetojmë fitore, ashtu si nuk kemi mundur prej kohësh, u ulëm djem e vajza e mundëm të këndonim; të paçim!
I jemi borxhlinj edhe qëndrimit tuaj autoritar që e shumëzon me zero edhe ligjin, edhe vendimin që mori më në fund Gjykata Kushtetuese, “E mbushe kupën, jemi edhe ne këtu”; as këtë nuk e mohojmë dot.
Turp ta them po edhe borxhet në shtëpi ishin shtuar; shpresoj që do jepni ndikimin tuaj në shpërblimin që do marrim për arrestimin pa të drejtë dhe ju lutem të pranoni ndjenjat e mia të mirënjohjes.
Me ankth…
(*) Përkthyer nga Aurora Guxholli. Dërguar në PTF nga Kapedani. Titulli i përkthimit origjinal: Një falënderim i hapur për Erdoğan-in nga një mbështetës pas gjykimit.
Faleminderit Kapedan per idene e sjelljes se ketij shkrimi tek Peizazhe te Fjales
Po kapem nga nje aspekt “humoristik” i burgosjes. Ideja e burgosjes apo e veteburgosjes me ka tunduar gjthmone si motivim per te lexuar qindra librat e palexuar te bibliotekes sime.
Quote of the day: “Shko ne burg qe te behesh apo te dalesh i ditur” (me i ditur ne rastin e te diturve)
te gjitheve na shkon ndermend se na iken koha dhe nuk lexojme sa duam, por kam idene se nuk eshte kavalishence 🙂
Perse lashe pershtypjen se me duket burgu si kavalishence durimpaku? 🙂